Inflacioni i mirë, inflacioni i keq dhe Kurba Filips.

Ekonomistët, të paktën disa rryma të ekonomistëve, bëjnë dallimin midis inflacionit të mirë dhe inflacionit të keq. Inflacioni i mirë pra, është inflacioni i cili shoqërohet me rritjen e punësimit. Keynesianët kryesisht e mbrojnë këtë lloj inflacioni ndërkohë që ekonmistët liberalë e kritikojnë. Inflacioni i keq, nga ana tjetër, është inflacioni i cili vjen nga arsye të tjera që nuk lidhen me punësimin. Inflacioni i keq pra, është inflacioni që vjen nga rritjet e çmimit të naftës apo lëndës së parë etj. Lind pyetja: Ku bazohet ideja e inflacionit të mirë?

Ideja e inflacionit të mirë bazohet te Kurba Filips. Kurba Filips, fillimisht tregonte lidhjen e niveleve të larta të punësimit me nivelin e lartë të inflacionit por jo të kundërtën. Gjithsesi ideja u mor dhe u vërtetua nga Keynesianët të cilët bënë dhe lidhjen e kundërt. Pra se si inflacioni ndikon punësimin. Ideja ishte, dhe është, se një nivel më i lartë inflacioni sjell punësim më të lartë. Ideja u kritikua më vonë, gjatë kohës së stagflacionit. Më pas erdhi kundërpërgjigja keynesiane se kurba Filips nuk është universalizëm. Kurba Filips nuk mund të jetë e përgjegjshme për inflacionin për shkak të krizës së naftës së viteve 80. Kurba Filips është aq kontroverse sa dhe librat hyrës ne ekonomi, të cilët zakonisht (ndonëse në mënyrë të gabuar) teksa mendojnë se kanë një përgjigje të saktë për çdo gjë, e quajnë si shumë kontroverse. Por problemi ynë nuk qendron këtu.

Problemi që kemi është i dyfishtë. Është e vërtetë, në Shqipëri „stabiliteti i çmimeve“ vlerësohet mbi çdo gjë dhe është qëllimi kryesor i bankës qendrore. Fillmisht kjo ide duhet zhdukur. Banka Qendrore Shqiptare duhet të drejtohet më shumë drejt idesë së FED (stabilitet çmimesh dhe punësim) se sa të Bankës Qendrore Europiane (vetëm stabilitet çmimesh). Kjo mbasi të fitojmë sovranitetin e Bankës Qendrore, sovranitet ky të cilin e kemi humbur me kohë. Thënë kjo, nëse ndonjëherë do arrijmë të zgjidhim problemin e parë duhet kthyer koka tek problemi i dytë.

Duhet thënë se, ndonëse kurba Filips mbahet si shumë kontroverse, prapë ajo përbën manualin kryesor në të cilën mbështeten politikat e bankave qendrore. Nëqoftëse ka papunësi përpiqet të rritet inflacioni. Nëse tregu mbinxehet përpiqet të ulet inflacioni. Problemi i dytë konsiston pikërisht në faktin se, kohët e fundit, rritja e inflacionit, është bërë qëllim në vetvete dhe nuk shihet thjesht si pasojë dytësore e rritjes së qarkullimit të parasë dhe të rritjes së punësimit. Inflacioni pra duhet të arrihet në çdo lloj mënyre në kohëra deflacioni. Një artikull i Zerohedge e shpjegon këtë situatë absurde shumë bukur.

Në artikull shkruhet:

„Analizat statistike reale, ne kontrast me propagandën zyrtare, tregojnë se figura e lumtur e një ekonomie në bum është një iluzion i krijuar me anë të mashtrimit statistikor. Inflacioni matet më pak seç duhet, në mënyrë të tillë që kur GDP nominale të deflatohet, çmimet më të larta të shihen si rritje ne outputin real. Inflacioni bëhet pra rritje ekonomike reale. Papunësia nuk matet siç duhet. Nëse nuk kërkon apo nuk ke kërkuar për punë 4 javët e fundit, ti zyrtarisht nu je pjesë e forcës punëtore dhe papunësia jote nuk shkon në statistika. Mënyra se si SHBA-të e masin papunësinë është aq e jashtëzakonshme sa çuditem se si SHBA-të nuk kanë normë papunësimi 0%.“

Autori në mënyrë cinike shprehet gjithashtu se FED më në fund do e arrijë qëllimin e madh të inflacionit që i ka vënë vetes. Kjo për shkak të luftës tregtare me Kinën e cila do rrisë çmimet e çdo malli. Të paktën në një plan afatshkurtër.

Çfarë mësimi nxjerrim?

Dy mësime. Mësimi i parë është që inflacioni jo detyrimisht përkthehet në rritje ekonomike reale. Politikat monetare, si tërë politikat e tjera ekonomike duhet të fokusohen te ekonomia reale. Është e vërtetë që vështirësia është më e madhe kur bëhet fjalë për politika monetare, pasi vetë politikat monetare janë larg ekonomisë reale për nga natyra e tyre, por përsëri duhet arritur. Inflacioni nuk është rritje reale. Mësimi i dytë është që nuk duhet të mashtrojmë nga ana statistikore.

Problemi me FED është më i madh seç duket. Në Europë ndodh diçka e ngjashme ndonëse jo e njëjtë. Normat e ulëta të interesit kanë funksionuar për të mbajtur artificialisht gjallë ekonomitë europiane. Nga ana tjetër nuk arrihet të kuptohet pse këto norma nuk arrijnë të bëjnë më shumë seç kanë bërë. Nuk arrihet, ose nuk dëshirohet të arrihet të kuptohet pse shumë ekonomi europiane kanë probleme të mëdha. Mund të ketë shumë arsye pse keto norma interesi nuk funksionojnë. Mund të jetë fiksimi i bankave me derivativet. Ky fiksim i bën bankat të japin më pak kredi. Mund të jetë ajo që Keynes e quan kurthi i likuiditetit.

Mund të jetë kultura e vendeve europiane, që ndryshe nga amerikanët, nuk janë mësuar duke marrë kredi në masë dhe nuk janë mësuar me borxhe. Ciladoqoftë, deri kohët e fundit nuk janë bërë shumë përpjekje për të kuptuar shkakun real. Sugjerimet e fundit për „paratë me helikopter“, janë gjithsesi më interesante se normat konstante të ulëta të interesit në Europë. Kjo të paktën, do ishte ndërhyrjë monetare në ekonominë reale.

Si shembulli amerikan, si shembulli europian tregojnë se ka pak fokusim me ekonominë reale. Ideja kryesore Keynesiane e kurbes Filips ishte se qarkullimi i parasë sjell punësim. Natyrisht dhe inflacion por dhe punësim. Fokusimi pra duhet të jetë te qarkullimi i parasë në vetvete dhe te punësimi në vetvete. Normat e interesit, rritja e inflacionit etj nuk janë dhe nuk duhet të jenë qëllime në vetvete. Politikat monetare duhet të jenë gjithashtu në akord me politikat fiskale të vendit.

Në rastet kur politikat monetare nuk janë efektive pasi nuk fokusohen në ekonominë reale ose pasi statistikat gënjejnë, një qasje fiskale do ishte më efektive nëse shteti ne fjalë nuk ka shumë borxhe të akumuluara. Ekonomia reale dhe rritja e saj duhet të jenë monarket pra, dhe normat e interesit apo politikat fiskale thjesht ushtarët që u shërbejnë monarkëve.

Për ta mbyllur i bëjmë thirrje tërë personave që ndjekin portalin tonë dhe që janë të interesuar mbi ekonominë ose janë ekonomistë. Kjo thirrje shërben si parrullë, këshillë, mësim dhe inkurajim njëkohësisht: Rroftë ekonomia reale dhe rritja ekonomike reale!

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019