Në pjesët e mëparshme kemi analizuar establishmentet e vendeve europiane dhe establishmentin amerikan. Në këtë artikull do përpiqemi ti përgjigjemi pyetjeve nëse ka një establishment shqiptar, se si establishmentet e huaja ndikojnë në tonin dhe se si lëvizjet e reja anti-establishment mund të ndikojnë establishmentin shqiptar.
Fillojmë me pyetjen e parë. A ka një establishment shqiptar? Patjetër që ka. Vetëm dikush që nuk kupton asgjë nga politika shqiptare e tridhjetë viteve të fundit mund të thotë të kundërtën. Establishmenti shqiptar, ndryshe nga establishmentet e huaja është shumë më i thjeshtë për tu kuptuar. Janë partitë politike, te papastruara akoma nga elementet komuniste, të cilave iu janë shtuar elemente të tjerë po aq të papastër sa të parët, të cilat kontrollojnë thuajse gjithçka.
Mediat kontrollohen nga partitë politike, universitetet kanë si drejtues militantë partish, administrata kontrollohet po nga partitë kurse oligarkët kontrollojnë e kontrollohen po nga këto parti. Pushteti i çdo lloji mbetet brenda partive, populli nuk pyetet dhe shihet thjesht si kafshë pune dhe qetësia mbizotëron në parajsat personale të politikanëve shqiptarë. E vetmja gjë që politikanët shqiptarë nuk kontrollojnë dot është mbështetja e huaj. Si një klasë në mëshirë të legjitimitetit që vjen nga mbështetja e të huajve të çdo lloji (pasi para popullit nuk kanë asnjë lloj legjitimiteti) kjo klasë nuk mbijeton dot pa mbështetje të huaj. Si ndikojnë pra tërmetet e politikës botërore në këtë skajin tonë të Ballkanit?
Fillojmë më BE-në dhe vendet e BE-së. Të gjithë bien dakord se politikat e BE-së ndaj Shqipërisë, të paktën vitet e fundit kanë qënë katastrofale. Ambasadorë si Vlahutin dhe së fundmi Soreca kanë treguar mbështetje të hapur ndaj qeverisë Rama, ndaj Vetingut dhe shkatërrimit të sistemit ligjor shqiptar duke mbyllur sytë ndaj çdo aktiviteti kriminal në Shqipëri. Motoja e BE-së për Ballkanin ka qenë stabiliteti. Nuk ka rëndësi në çfarë mënyre arrihet stabiliteti apo se sa popujt vuajnë. Për sa kohë Rama është totalisht i kontrollueshëm ky stabilitet nuk cënohet. Po mirë mund të pyesë dikush: Pse përveç kontrollit politik BE-ja mbështet paradat e LGBT-së, fut hundët dhe ku nuk duhet aspak dhe përpiqet të krijojë një tip progresivizmi qesharak, i cili bëhet dhe më qesharak kur sheh gjendjen ekonomike ku ndodhet Shqipëria?
Sepse vetë BE-ja ndodhet në këtë gjendje kulturore. Secili shtet i madh apo organizëm përpiqet të ndryshojë kulturalisht shtetet më të vogla. Kështu dhe BE-ja. A ka rëndësi nëse është Sorosi që e bën këtë apo BE-ja në mënyrë direkte? Jo nuk ka rëndësi. Nuk ka rëndësi as nëse Sorosi ka infiltruar BE-në dhe po na shtyp apo është BE-ja që e lejon Sorosin dhe vemjet e tjera të na shtypin.
Përvec dëshirës së stabilitetit si dëshirë gjeopolitike dhe dëshirës së imponimit të kulturës (ose më saktë moskulturës) globaliste çfarë mund të themi nga ana ekonomike. Nga ana ekonomike BE-ja ndihmon tek-tuk por këto ndihma shkojnë në xhepat e pushtetarëve. Përveç kësaj interesi i vetëm i BE-së është që vendet e Ballkanit (përfshirë Shqipërinë) mos të shohin alternativë tjetër ekonomike përveç BE-së. Blloqet tregtare rajonale (Shqipëri-Kosovë psh) duhet të pengohen me çdo kusht. Nëse fabula e BE-së nuk besohet më në Ballkan, BE-së i dalin probleme.
Të kuptosh linjat e ndjekura nga shtetet individuale europiane është një proçes më i vështirë. Anglia nuk ndërhyn shumë, Franca deri tani ka ndenjtur urtë kurse Gjermania mbështet linjën europiane. A mund të barazohet ndjekja e linjës europiane me faktin se ka figura të njëjta në Gjermani dhe në BE apo se Gjermania dominon BE-në? Nuk dihet.
E vetmja gjë që mund të thuhet është se diplomatikisht por dhe në mënyrë më të ngrohtë, të vetmet vende të cilat janë treguar korrekte ndaj Shqipërisë kanë qënë vende të Europës Lindore dhe të Visegrad-it.
Nejse, kjo ishte thjesht përshkrim i asaj çka ka ndodhur deri tani. Por gjërat po ndryshojnë. Franca po ndihmon hapur Serbinë dhe kërkon të kete ndikim në Ballkan. A do ketë unilateralizim të marrëdhënieve Europë-Ballkan dhe Europë-Shqipëri. Nuk dihet. Deri tani Gjermania nuk ka dashur të ndyjë duart me ndërhyrje dhe influencim të tipit francez. Duke pasur parasysh se Gjermania dhe Franca janë në një aleancë thuajse te pathyeshme nuk besoj se Gjermania do kundërshtojë Francën për një vend aq të vogël sa ne.
E vetmja mundësi nga e cila duhet ti kthejmë sytë në arenën europiane, nqs ndodh një uniletaralizim i marrëdhënieve të jashtme është Anglia. Anglia nuk ka mbajtur shumë qëndrime direkte dhe nuk dihet pozicioni gjeopolitik që do marrë. Për tu mbajtur mend gjithashtu është fakti se Franca po kthehet në një rrezik të madh për kombin shqiptar. E dytë vetëm mbas Rusisë.
Rritja e ndjenjave nacionaliste në Europë, rusofilia e partive të reja europiane anti-establishment dhe egërsimi i përgjithshëm i politikës botërore nuk janë shenjë e mirë për Shqipërinë. Lufta dhe konfliktet përbëjnë rrugëdalje kur ke aleatë dhe kur ke mjaftueshëm fuqi ushtarake. Gjeopolitikisht nga ana e aleatëve jemi në një makth të vërtetë. Fuqitë ushtarake tonat janë gjithashtu një makth tjetër. Disa thonë se lëvizjet e reja anti-neoliberalizëm do jenë dhe një bekim për Shqipërinë. Dyshoj për këtë. Deri tani shfrytëzmi është bërë nëpërmjet instrumenteve financiare dhe jo hapur. Nuk mendoj se Shqipëria do ndiqte politika Keynesiane apo politika të shëndetshme ekonomike vetëm sepse vendet e mëdha do fillojnë ti ndjekin. Shfrytëzimi mund të ndodhë dhe në mënyra të tjera.
Vazhdojmë me Amerikën. Linja amerikane deri tani ka qenë e njëjtë me linjën europiane. A janë pra interesat amerikane të njëjta me ato europiane? Nuk është aq e qartë në fakt. Amerika hapi bazë të re të NATO-s në Shqipëri. Nga ana tjetër, në trojet shqiptare në Kosovë Amerika nuk e kundërshtoi hapjen e bisedave me Serbinë për shkëmbim territoresh.
Çfarë mund të kuptojmë kjo? Nga kjo kuptojmë se Amerika:
- Hap bazën e NATO-s pasi nuk do të humbasë Shqipërinë si zonë influence të vetën
. - Nga ana tjetër një hipoteze mund të jetë se Amerika nuk ka shumë dëshirë për konflikte në Ballkan. A është e lodhur nga konfliktet apo ka ndonjë arsye tjetër për këtë, këtë nuk e di. Di që marrëveshja Kosovë-Serbi po shihet nga të tëra fuqitë e mëdha përveç Gjermanisë dhe BE-së si dicka e mirë. Nga ana tjetër Gjermania e kundërshton këtë marrëveshje pikërisht duke thënë se është kundër stabilitetit në Ballkan. Këtu kemi dy mundësi: Ose Amerika do konflikt në Ballkan ose nuk do. Nëse besojmë Gjermaninë do. Nëse besojmë Amerikën nuk do. Se çfarë po ndodh ekzaktësisht nuk e dimë. Të vdekshmit kuptojnë se çfarë fati do kenë vetëm mbasi zotat kanë vendosur.
- Mbështetja e linjës europiane për sa i përket vetingut dhe qeverisë Rama është gjithashtu mister. Ka dy mundësi: Ose rrjetet sorosiane janë shumë të forta dhe çfarë po ndodh në Shqipëri është një lojë sorosiane e tipit Deep State. Ose Amerika po ndan influencën e vet me Europën ama në prapaskenë përsëri ka përpjekje për ndikim më të madh nga ana amerikane. Të dy bien dakord se duhet një shtet më pak demokratik dhe një lider me kollaj i kontrollueshëm, por të dy konkurrojnë me njeri tjetrin për influencë. Ose Amerika dominon totalisht BE-në përsa i përket linjës politike në Ballkan dhe politika e BE-së është në fakt politikë, nëmos amerikane, e mbështetur plotësisht nga kjo e fundit. Por as këtë s‘kemi si ta dimë pasi nuk jemi gjysmëzota (lexo: ambasadorë amerikanë ose europianë).
Çfarë ndikimi do ketë një rrymë anti-establishmenti amerikan në Shqipëri? Duke mos ditur drejtimin që do marrë ky anti-establishmentarizëm, nuk mund të themi dicka me siguri. Por ndonëse Trumpi erdhi në pushtet nuk ka pasur ndonjë ndryshim të madh në politikat e jashtme të ndërrmara ndaj nesh. Kjo nënkupton ose fuqinë e jashtëzakonshme të Deep State-it në çështjet e Ballkanit ose një mos të pasur dëshire për ndryshim përsa i përket politikës së jashtme amerikane ndaj Ballkanit nga ana e anti-establishmentit. Në të dyja rastet situata është problematike.
Për ta mbyllur duhet të themi atë që kemi thënë gjithmonë:
Bota po turbullohet dhe nuk kemi një anije ku të mbështetemi nëse nis stuhia. Nuk kemi asnje copë dërrase, lëre më anije. Duhet të ngrihemi që të mbijetojmë. Ndryshe nëqoftëse politika botërore ashpërsohet dhe nisin luftëra, zhdukjen si popull e kemi thuajse të sigurt.
![Digiprove seal](https://brerore.al/wp-content/plugins/digiproveblog/dp_seal_trans_16x16.png)