Në tridhjetë vjet tranzicion në një mënyrë krejt jopolitike përsëri spikat ai fenomen që njihet si të pasurit koka pa krye, në krye të vendit. Kokat pa krye për së prapthi arrijnë të përkufizojnë klimën politike në vend. Klima shpërfaqet në formën e një lavjerrësi, një lavjerrës që lëkundet ngulshëm sa në një anë e në tjetrën. Dy skajet e trajektores përbëhen nga i forti dhe jo i forti. Po e nisim me një shkallëzim progresiv të trajtave mbizotëruese të këtyre dy arketipave.
– I forti
Nëmos qoftë sipërmarrës, do jetë komedian, si Beppe Grillo apo Volodymyr Zelenskiy, produkt i medias, dredhues i labirinteve të jetës. Ky njeri ka kuptuar lojën, prandaj karriera politike është e kapshme për të. Përgjegjësia nuk përbën busull orientimi për të, por ashtu siç i dilet jetës, kompromisi përbën parimin më të rëndësishëm për të. Pra, të bërit kompromis – siguron udhën drejt pushtetit. Për tiu ngjitur shkallës së kompromisit ky njeri duhet të kalojë njëherë nga ortakët e tij, nga të afërmit, nga klani mbi të gjitha, e drejt e tek loja e madhe – apo të bërit kompromis me “ndërkombëtarët”, bërësit e rregullave, diktuesit e së ardhmes.
I forti pasandaj ia del më së miri në një mjedis prej të përçarësh, ku dora e hekurt shërben për ti vënë fre instikteve të të vegjëlve, janë këta të cilët bëhen ushtarët e ardhshëm të një koke të madhe. I forti kujdeset për imazhin e tij publik deri në detajet më të vogla. Mbi të duket sikur kanalizohen e mblidhen të gjithë vullnetet e popullit në një të vetëm.
– Jo i forti. (i dobëti)
Nëmos qoftë intelektulal patjetër do jetë ndonjë artist me botëkuptim avant-garde, si x-i apo si y-ni.
Zakonisht produkt i një kohe të pasigurt që lyp njerëz të aftë për ta kthyer situaten 180 gradë. Ky njeri gjithashtu e ka kuptuar lojën, por i pëlqejnë fasadat, si mjeti me i mirë për tu dukur si dikush tjetër, si një fytyrë e freskët, si shëmbësi i idhujve të vjetër. Jo i forti mbështet të gjitha kategoritë e diskriminuara jo nga dashuria e madhe për to, por nga leverdia që vjen nga të përdorurit e një kaste të nëpërkëmbur e cila me zor pret të nxjerrë vetveten nga llumi me dhunë.
Jo i forti është njëfarë Jezusi i zbritur mbi tokë, njëfarë shenjtori humanist i cili mbledh rreth vetes ata të cilët Niçja i konsideronte si të mirë nga halli. Siç shkon thënia, njeriu i mirë është ai që ka mundësi të bëjë dëm por zgjedh të mos. Rezultati këtu është i ngjashëm, kur i pafuqishmi ngrihet në një vend shumë të lartë, i jepet mundësia të bëjë gjëmën, dhe gjëma e jo të fortëve, është një shpagim shumë herë më i kushtueshëm sesa interesi i të fortëve.
I Miri dhe i Keqi bashkëjetojnë në një mjedis ekstremesh – ku na mbetet të qëmtojmë të djathtën e të majtën. Këto të dyja janë viktimat e sistemit, shfrytëzohen si referenca boshe, pasi në të vërtetë siç e dimë, nuk ka as të majtë e as të djathtë, por vetëm arketipa, profile sunduesish.
Në këtë rrëmujë, I Miri i bashkangjitet së majtës, e karakterizuar historikisht nga shenjtorët tokësorë, dhe liderët që duartrokasin bashkë me popullin siç do të thoshte Slavoj Zizek, kurse I Keqi, ngelet tek e djathta, tek elita e pamëshirshme, gjithnjë e më larg popullit.
Megjithatë po të marrim parasysh se këto marrëdhënië ndërvarësie e përfaqësimi gjithmonë nuk përmbajnë asnjë thelb e asnjë kuptim në vetvete, dalim në përfundimin se kemi në duar themelet më të mira për të ndërtuar një dialektikë të çmendurisë.
Në këto raste, i pari që flijohet është koncepti i hierarkisë. Meqë kokat përjashtojnë mundësinë e krijimit të një hierarkie të ndërlidhur, bashkëqëndruese, në të mirë të kombit e jo në të mirë supreme të “individit”, e vetmja gjë që mbetet është që secilido të bëhet “zot i vetes”.
Me “zot të vetës” nënkuptojmë atë individ anarkik i cili nuk mundet të formojë perceptime përbashkuese për hapësirën ku ai jeton. Nëse sundimi i kokave frymëzon një luftë të vërtetë për mbijetesë, atëherë njeriu i zakonshëm mundet vetëm ta shikojë vetveten si ingranazh të mekanizmit, etosi i një komuniteti pa përbashkësi mund të jetë vetëm imitimi i kokave të mëdha.
Kështu hierarkia shndërrohet në kaos – përsëri me njëfarë organizimi pasi gjithmonë do të ketë njerëz që sundojnë dhe njerëz që sundohen, paçka se këta të fundit janë “zot të vetes”, koka njëmijë herë më të vogla se sunduesit e tyre por gjithsesi prapë koka – pa krye.
Populli ynë është tejet joestetik – në sytë e drejtuesve, me këtë kuptojmë se është i papëlqyeshëm, e i paafrueshëm. I Miri dhe I Keqi, të dy në fund të ditës janë skllevër të dëshirave të tyre. As ata nuk i shpëtojnë dot rrjetës së merimangës.
I Miri përpiqet të abstragojë botën në mendimin e tij duke i mbushur mendjes se sipërfaqësisht, (pasi në thelb nuk ka asgjë), po bën diçka të mirë, por në fund të ditës akoma shkon e tërhiqet tek bunkeri i tij larg problemeve ditore të popullit. I Keqi për nga natyra e tij e rrahur me vaj e me uthull, nuk i bën punë as sipërfaqja e as thellësia, ai i transhendon këto dy skaje për tu justifikuar me konceptin e njerëzve ujq, të sulur në fytet e njëri-tjetrit.
Ndërkaq, nuk mund të flasim më për politikë, e më keq akoma, as për ideologji, ndonëse kjo është një fjalë paksa e pisët. Deri tanimë kemi folur për lloje sunduesish, lloje vartësish, pra me një fjalë kemi profilizuar. Në mes të këtij grupi egosh, qëndron “E imja”, si përkufizuese e çdo veprimi jetësor, si qëllimi fundor i jetës, një rrugë pa destinacion. Fundja nuk mund ti fajësojmë dot bashkëkombasit tanë. Një njeri i hedhur në botë, pa rrugëdalje, pa një orientim të paktën transhendent, ose një ideal, të paktën imanent, nuk ka si e shtyn gjatë pa u gjendur i humbur e i shtyrë në garën e përhershme të pohimit të kokës vetjake.
Pesimizmi nuk shpërblehet me florinj, kurse kritika e tepërt ngjall përbuzje. Por duhet patur parasysh se shërimi i çdo sëmundjeje fillon me një diagnozë, e teksa përgjatë këtyre tridhjetë viteve të fundit jemi përpjekur ti vëmë fajin, njerëzve të veçantë, entiteteve të veçanta, partive të veçanta, është koha të pranojmë fajin kolektiv, jo sepse ulim veten duke bërë kështu, por sepse vetëm në këtë mënyrë mund ti çelim një dritare të re drejt së ardhmes.
Fajin mjafton tia pranojmë vetes, vetja do na gjykojë e me pak fat, hyjmë në një proçes pastrimi të shpirtit. Thënia “çdo popull meriton qeverinë që ka” është shumë cinike prandaj nuk do e përdorim për ti dhënë fund këtij artikulli. Thjesht po thërrasim nga varri Konicën, për të thënë edhe njëherë se Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia dhe vdiq nga politikanët.
This blog post has been Digiproved © 2019