Kohët e fundit Kina është bërë shumë aktive ekonomikisht dhe politikisht në tërë Europën Lindore dhe në Ballkan. Fillimisht në këtë shkrim do tregojmë shkurt strategjinë që Kina ndjek me anë të „One Belt One Road“ dhe me anë të projektit 16+1.
„One Belt One Road“ ka dy qëllime. Daljen nga izolimi amerikan dhe dominimin ekonomik të vendeve që bëjnë pjesë në këtë projekt. Gjeopolitika njeh ato që quhen choke points. Këto janë pika strategjike në globin tonë , të cilat janë të domosdoshme për kalimin e mallrave, kalimin e anijeve ushtarake etj. Momentalisht pjesa më e madhe, për mos të thënë të gjitha choke points kontrollohen nga Shtetet e Bashkuara.
Në një rast konflikti Kina do i kishte punët pisk pasi çdo lloj embargoje e mundshme mund të vendosej kundër Kinës. Për këtë arsye Kina kërkon rrugë alternative detare dhe tokësore për të anashkaluar këto choke points. Ky është dhe qëllimi gjeostrategjik i „One Belt One Road“.
Qëllimi ekonomik është eksportimi i mbikapaciteteve të mallrave në këto vende që preken nga „One Belt One Road“, dhënia e borxheve marramendëse këtyre vendeve me qëllim për ti kontrolluar, dhe deri diku dhe zhvillimi i këtyre vendeve pasi i ka mbytur në borxh. Eksperienca me Djibouti-n tregon që Kina mund të ketë si qëllim afatgjatë dhe ndërtimin e bazave ushtarake në këto vende.
Pyetja është: ku hyn Europa dhe Ballkani në këtë mes?
Destinacioni final i „One Belt One Road“ është Europa. Një pjesë e mirë e vendeve europiane nuk kanë pranuar bashkëpunimin me Kinën në këtë projekt. Arsyet e dhëna janë standardet ambientaliste etj por besoj se arsyeja e vërtetë është se vendet europiane e kuptojnë që „bashkëpunimi“ në një projekt të tillë do i hapte rrugën një dominimi dhe më të madh nga ana e Kinës.
Kështu që Kina ka vendosur se, nëqoftëse nuk hyn dot nga dera në Europë do hyjë nga dritarja. Dhe dritarja është Ballkani dhe Europa Lindore. Në Ballkan prezenca e „One Belt One Road“ ndihet kryesisht në Greqi. Kompania kineze „Cosco“ është kompania që ka blerë portet e Pireut dhe në këtë mënyrë Kina vazhdon eksportet drejt Europës.
Nga ana tjetër Projekti 16+1 ka si qëllim bashkëpunimin më të madh ekonomik të Kinës me vendet e Europës Lindore dhe Ballkanin(përveç Greqisë dhe Turqisë). Këtu do përqëndrohemi mbi Ballkanin dhe jo Europën lindore.
Kina është përpjekur të jetë aktive në të tëra vendet e Ballkanit përfshirë dhe Shqipërinë. Veçse ka ndryshime në shkallen e suksesit që vende të ndryshme kanë arritur me Kinën. Malin e Zi mund ta marrim si shembull negativ dhe Serbinë si shembull pozitiv. Mali i Zi momentalisht ka borxhe shumë të mëdha me Kinën. Projektet e infrastrukturës vërtet janë realizuar por përtej infrastrukturës nuk është arritur gjë tjetër.
Gjithashtu lind pyetja sa të varur ndaj Kinës do jetë Mali i Zi në të ardhmen nëqoftëse nuk arrin ti paguajë borxhet e mëdha. Serbia nga ana tjetër ka ndjekur politika më të zgjuara përkundrejt Kinës. Me anë të marrëveshjeve dypalëshe ku Serbia pranon të japë subvencione ndaj kompanive kineze që investojnë dhe hapin vende pune në Serbi, ëshë arritur hapje e madhe e vendeve të punës dhe deri diku dhe një industrializim i lehtë i vendit. Gjithashtu Kina pritet të investojë në autostradën Serbi-Budapest që pritet të lidhe Ballkanin me Europën Lindore. Niveli i borxheve serbe ndaj Kinës gjithashtu është i ulët në krahasim me Malin e Zi. Del pyetja: Po Shqiperia?
Shqipëria bën sikur nuk i intereson Kina. Deri tani, përvec kompanive të naftës që po na pijnë gjakun nuk kemi pasur as investime kineze por as borxh kinez. Nga njëra anë mirë, nga ana tjetër keq. Nga njëra anë mirë sepse nuk duam të përfundojmë si Mali i Zi. Nga ana tjetër keq sepse nuk do përfundojmë si Serbia. Gjithashtu Serbia fatkeqësisht kapi dhe ekskluzivitetin e lidhjes Kinë-Ballkan-Europë Lindore. Pyetja është: Pse Kina zgjodhi Serbinë. Duhet kuptuar mentaliteti kinez.
Kinës nuk i interesojnë shumë gjëra të tjera përveç stabilitetit. Si vendi më i fuqishëm dhe jashtë BE-së i Ballkanit, Serbia ishte kandidati kryesor për këtë zgjedhje. Kina mund të investojë po nuk mund të investojë në një vend ku investuesit rrihen sepse duan të ndërtojnë objekte në zona ku jetojnë pushtetarët.
Gjithashtu Kina kërkon pranim dhe hapje nga vendi ku do investojnë. Ne nuk jemi treguar dhe aq të gatshëm që ta pranojmë Kinën, qoftë kjo sepse Euro-Atlantikët na kanë totalisht në dorë, qoftë kjo sepse duam të zhytemi në borxhe ndaj FMN-së dhe jo ndaj Kinës, apo qoftë kjo sepse shohim ndonjë rrezik tjetër nga Kina.
E vërteta ama mbetet e vlefshme dhe jo thjesht për rastin kinez. Neglizhimi dhe mosmbrojtja e interesave kombëtare keto 30 vite të tranzicionit na ka humbur shumë mundësi investimi dhe zhvillimi ekonomik. Çfarë na mbetet në këtë rast? Durrësi nuk mund të konkurrojë me Pireun dhe Kina ndërkohë nje bazë detare e ka gjetur për hyrje në Europë. Serbia dominoi lidhjen me Europën Lindore pasi ne u treguam të ngadaltë ose idiotë për mos ta kapur si mundësi.
Pra cfarë mbetet?
FIllimisht duhet të duam veten që të na duan të tjerët. Një zhvillim i pjesshëm i portit të Durrësit nuk do krijonte ndonjë konkurrent të madh ndaj Pireut por të paktën do tërhiqte Kinën me investime sado modeste. Gjithashtu një diplomaci më aktive(por dhe e kujdesshme) me Kinën do kishte të njejtin efekt. E vetmja shpresë e jona në një marrëdhënie me Kinën do ishte një ashpërsim shumë i madh i marrëdhënieve Kinë-SHBA deri në një përpjekje të Kinës për të ndërtuar baza ushtarake ku të mundë.
Nëse një shans i tillë historik na vjen duhet të përpiqemi aktivisht të jemi një ndër vendet e para që të pranojë një ndërtim të tillë bazash ushtarake (gjithmonë duke negociuar interesin tonë që në këtë rast do ishte lejimi i bashkimit kombëtar dhe zhvendosja e balancave gjeopolitike të Ballkanit në anën tonë). Përndryshe dicka e tillë nuk mund të pranohet.
Përtej Projektit 16+1 dhe „One Belt One Road“ do doja të diskutoja dhe një pikë të fundit të politikës së jashtme kineze në Ballkan. Kosovën. Arsyeja pse Kina është kundër Kosovës së pavarur është e thjeshtë. Kina është kundër secesionizmave. Si vend shumë heterogjen ka frikë nga cdo lloj secesionizmi.
Shqipëria si një vend që mund të mbështesë Kosovën dhe ambiciet e saj, normalisht që do shihet me sy të keq nga Kina. Ajo që na duhet pra është mbështetje e çdo levizjeje të mundshme secesioniste që nuk dëmton interesin tonë kombëtar. Serbia dhe shumë vende të tjera në Ballkan kanë pafund minoritete.
Ekzistenca e të tilla lëvizjeve kudo në Ballkan do detyronte Kinën të rishikonte gjendjen dhe të rivlerësonte strategjinë aktuale. Natyrisht kjo ka si parakusht ekzistencën e një sherbimi të fortë informativ shqiptar, të cilin për momentin nuk e kemi. Dhe këtu vlen ajo që thamë më parë: Duhet të duam njëherë veten që të na duan të tjerët.
Gjithashtu duhet shpjeguar, ashtu sic e kemi bërë të qartë dhe në artikuj të tjerë, se nuk duhet të „verbohemi“ nga ideologji të ndryshme por të shohim interesat tona kombëtare. Vendimi për një bashkëpunim ose jo me Kinën duhet te vijë vetëm mbas negocimeve të kujdesshme dhe të gjata. Nuk duhet ta shohim Kinën si një fuqi shpëtimtare që do shpëtojë kombet e vogla nga imperializmi amerikan dhe do i lejojë ato të zhvillohen.
Si përfundim: Nuk jemi dhe aq mirë në marrëdhëniet me Kinën por as si mundësi për ta pasur aleate nuk duhet ta heqim totalisht. Duhet diplomaci e zgjuar, e kujdesshme, afatgjatë dhe, më e rëndësishmja, e aftë të reagojë ndaj ndryshimeve dhe të krijojë të tilla vetë. Ndryshe nga Rusia, Kinën nuk e kemi armik natyral. Rroftë pra diplomacia e së ardhmes!
This blog post has been Digiproved © 2019