Parathënie mbi çdo gjeostrategji të ardhshme. Pjesa II

Koncepti i polaritetit zë një vend shumë të rëndësishëm në gjeopolitikë. Së pari, polariteti përshenjet shpalosjen e dinamikës së konfliktit mes njësive gjeografike në botë. Konflikti nga ana tjetër shërben si mekanizmi udhërrëfyes i pushtetit. Polariteti nënkupton shpërndarjen e pushtetit të përqëndruar, të pushtetit aktiv, veprimtarisë aktive gjeopolitike që mishërohet tek një imperativë gjeostrategjike e veçantë, apo tek një tjetër. Edhe pse polariteti si term gjendet pothuajse vetëm në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, këto marrëdhënie fundja kushtëzohen nga lëvizje të tokëzuara, pra, pa patur gjeopolitikë, nuk mund të ketë as marrëdhënie ndërkombëtare.

Përparimi i pushtetit pra, akumulimi i tij, ekziston në marrëdhënie ndërvarësie me një model polariteti specifik. Mund të kemi jo-polaritet, atëherë kur vetëm një fuqi i dikton botës të ardhmen e saj , bipolaritet, kur dy fuqi të mëdha ndeshen për dominimin e botës, edhe multipolaritet, kur disa fuqi së bashku me zonat e tyre të influencës përkatëse, luftojnë për dominim.

Jo-polariteti nuk duhet ngatërruar më konceptin e fuqisë botërore, apo Weltmacht-it. Dinamika e pushtetit pas luftës së ftohtë, e lejon që një fuqi dominuese të sundojë botën në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, duke i ofruar njëfarë autonomie relative të nënshtruarve, që nuk i kushtëzon ata të integrohen plotësisht si gjallesë gjeopolitike, në trupin e madh të fuqisë. Weltmacht është komplet gjë tjetër, krahasuar me përshembull marrëdhëniet Amerikë-Arabi Saudite, apo Japoni-Angli. Në fakt, globalizmat mund të konsiderohen si përpjekje për të nisur procesin drejt Weltmacht-it, sikundër Pax Romana e Perandorisë Romake mund të konsiderohet si Weltmacht në bërje e sipër. Weltmacht-i ka një udhë të tijën, transformuese të qënieve nën udhëheqjen e saj. Edhe sikur në të ardhmen, Amerika të udhëheqë të gjithë botën, do ti duheshin dekada, apo shekuj (supozojmë)  për ta shndërruar atë në shëmbëllesë të udhës së saj.

Të kthehemi te polariteti. Polet e botës deri më tani kanë pasur në qëndër të veprimtarisë së tyre, një vizion botëror. Prandaj do ti përmbahemi një polariteti që synon ta kapë botën për vete. Sot për sot bota është multipolare. Duke e klasifikuar si multipolare, shmangim gjykimet sipërfaqësore sipas të cilave bota ndahet ngurtësisht, vertikalisht, Lindje-Perëndim, dhe ky dallim kulturor pasqyron të gjithë konfliktet. Në gjeopolitikë nuk ekziston një dallim i tillë, i pastër. Lindja dhe Perëndimi në gjeopolitikë janë thjesht pllaka tektonike të kundërta ose vendndodhje tokëzemrash apo gjysmëunazash.

Dallimi ekziston në mënyrë të theksuar nëpër rrëfenja, por një vëzhgim i thjeshtë i historisë, na kujton që Britania e Madhe qëllimisht u përpoq të mbronte Perandorinë Osmanë nga shpërbërja për më shumë se dy shekuj, kurse Venediku në kohën e Skëndërbeut, përpiqej të ruante thalasokracinë e saj në kurriz të “vëllezërve kristianë”. Parimi i vetëm gjeopolitik është fuqia dhe shkathtësia, kjo e dyta shumë herë më vendimtare për të ardhmen e një entiteti sesa fuqia.

Meqë bota është multipolare, duhet të dallojmë polet. Ekzistojnë katër pole. Poli i Bashkimit Europian. Poli Amerikan, poli Rus, dhe poli Kinez. Çdo gjë tjetër është ose ngjarje periferike e një poli, ose anomali. Janë ngjarjet brëndapolare ato që përforcojnë strukturën e pushtetit të një poli. Anomalitë përbëjnë rrezik të lartë për homogjenitetin e një poli. Shembull i një anomalie janë shëmbja e murit të berlinit, që riformoi polin europian, të ndarë nga poli amerikan. Një anomali tjetër është shpërbërja e Jugosllavisë që hapi terrene të reja për polin europian, amerikan, dhe më vonë për polin rus. Anomalia për nga vetë natyra e saj trondit një situatë fikse polare. Anomalitë mund të synojnë krijimin e poleve të reja por vetëm aksidentalisht. Synimi kryesor i një anomalie është mëvetësia. Dhe në situatën e një bote të ndërlidhur, anomalitë përfshihen në paradigma botëndryshuese paprit e pakujtuar.

Në logjikën e brendshme të një poli, zonat e influencës përmbajnë cilësinë e të qenit të kontrollueshme jo pasivisht por aktivisht. Veprimi pasiv i qendrës drejt periferisë përbën zbatimin e rrëfenjës. Kalimi nga veprimi pasiv në atë aktiv, tregon se rrëfenja është përthithur, e përqafuar në masë.

Praktikisht, kohët e fundit Shqipëria pohoi se ndodhet nën influencën e veprimtarisë aktive të polit amerikan, kur u rreshtua përkrah vendeve që njohën Juan Guaido-n, presidentin interim të Venezuelës, përkundrejt Nicolas Maduro-s. Irani gjithashtu tregoi se ndodhet nën influencën Ruse sapo kundërshtoi njohjen e Juan Guaido-s. Do të donim shumë që mohimi unanim i legjitimitetit të Maduros të ishte i sinqertë për shkak të despotizmit të skajshëm që ekziston në Venezuelë, por vendeve jashtë Venezuelës nuk u shkon për shtat të mbështesin të drejtën, por vetëm interesin e tyre që aksidentalisht mund të përkojë me të drejtën.

Pikërisht këtu mund të dallojmë rolin dashakeqës të rrëfenjave në rastin e Shqipërisë. Një shumësi rrëfenjash brenda një territori relativisht të vogël e lehtësisht të ndikueshëm nga fuqitë e mëdha, çon në një skizofreni të brendshme të popullatës, në një përçarje të rrezikshme që mund të kulminojë edhe në luftë të hapur. Ndodhemi në një pozicion gjeografik shumë delikat. Në pozicionin tonë konvergohen rrëfenja të ndryshme. Nga njëra anë poli europian kërkon të na zbusë duke zhdukur historinë tonë dhe identitetin. Duhet të hapemi shumë si popull për të qenë pjese e rrëfenjës europiane. Nga ana tjetër, një fuqi në rritje si Turqia nis e përpilon rrëfenjat e veta për të siguruar zonën e influencës. Dhe është pikërisht natyra mesianike e një rrëfenje që krijon paqartësitë mes politikës dhe fesë. Kjo i hap rrugën Turqisë, e lindjes, që të luajë me përkatësitë tona fetare, duke i karakterizuar ato thjesht si kapital politik për tu përhapur. Në të vërtetë, gjeopolitikanët shpesh i dehumanizojnë popullatat. Për të huajt, qenia shqiptare është thjesht një grumbull numrash, një stok magazine, burime njerëzore në kuptimin e mirëfilltë. Këto burime njerëzore kanë po aq vlerë sa një ngarkesë tregtare lënde të parë të përpunueshme.

Një skizofreni e brendshme në rastin e Shqipërisë, i jep formë një dyzimi të aspiratave, rrjedhimisht e kemi lejuar veten të përçahemi për hir të rrëfenjave të huaja. Parimisht, vetja jonë i duhej bashkangjitur aleancave politike pa rrezikuar shndërrimin e psikikës së popullit. Por në kohët e sotme kjo sa vjen e bëhet më e pamundur. Duke dashur të sigurojnë të ardhmen, rrëfimtarët gjeopolitikë kërkojnë ti bëjnë zonat e influencës anëtarë të përhershëm.

Në një rrafsh pragmatik, na mbetet ti bëjmë një pyetje vetes. A mund të ekzistojmë në një botë multipolare ku rrëfenjat mbivendosen?

Kjo është një pyetje shumë e vështirë për tiu përgjigjur. Pikë së pari polet e sotme nuk ngurrojnë të rrëfejnë. Pra do ishte mirë ta rindërtojmë këtë pyetje. A duhet të bëhemi pjesë e një rrëfenje?

Përgjigjia ideale do të ishte një jo e fortë. Nëse rrëfenja përqafohet, kombi shqiptar mbaron. Me mbarimin e kombit shqiptar, poli që na kontrollon, do ta ketë përfunduar procesin e dehumanizimit.

Prandaj themi që kombet e vogla përpiqen të mbijetojnë. Në një botë multipolare, mbijetesa mund të marrë shumë trajta, në një botë bipolare, mund të marrë dy trajta, në një skenar shqiptar, mbijetesa merr vetëm dy trajta të mundshme për shkak se polet në lindje jo vetëm duan të na vrasin shpirtërisht, por edhe të hapin varre të mirëfillta.

Luftë për mbijetesë!  – kombi ynë thërret.

Nuk ka si të jetë ndryshe. Kjo është bota së cilës i përkasim. Do të donim që zgjidhjet të ishin të thjeshta por nuk janë të tilla aspak. Sqaruam lidhjen që rrëfenja ka me polin, dhe sesi polariteti përbën konceptin më të rëndësishëm gjeopolitik. Lind nevoja të shtrojmë një pyetje të dytë. A mund të ekzistojnë pole pa rrëfenja? Kësaj pyetjeje do ti përgjigjemi në pjesën e tretë.