Shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në dimrin e viteve 1877-1878 e më pas është një fakt i njohur. Qarqet drejtuese të Beogradit gjatë dhe pas Luftës së Dytë Serbo-Osmane që u zhvillua në periudhën 12 dhjetor 1877- 25 shkurt 1878 (në të njejtën kohë me përfundimin e Luftës Ruso-Osmane), nxitën shpërnguljen me dhunë të dhjetëra mijë shqiptarëve, të cilët u larguan nga qindra fshatra të Sanxhakut të Nishit për të mos u kthyer më kurrë në shtëpitë dhe pronat e tyre. Edhe pse faktori ndërkombëtar apo Fuqitë e Mëdha të kohës të mbledhura në Berlin në Kongresin e njohur, vendosën respektimin e të drejtave të këtyre refugjatëve të pafajshëm, çka u sanksionua edhe në marrëveshjet midis Stambollit dhe Beogradit, asnjë nuk u korrigjua më pas dhe një territor prej 10.972 km, i populluar masivisht prej shqiptarëve në zonën veriore dhe perëndimore të tij, u spastrua etnikisht përmes zbatimit të një politike zyrtare të institucionalizuar në çdo instancë. Janë të njohura urdhëresa si ajo e Komandës Supreme të ushtrisë serbe, që kërkonte dhe nxiste: “Sa më shumë shqiptarë të shpërngulni, aq më të mëdha do të jenë shërbimet ndaj atdheut…” etj.
Çfarë ndodhi dihet, pse ndodhi gjithashtu dihet. Studime të shumta, deri monografi apo botime përgjithësuese e cekin në dimensione të ndryshme problemin, megjithatë ai meriton të rimerret në shqyrtim. Një nga problemet e diskutueshme është numri i shqiptarëve të shpërngulur. Autorë të ndryshëm përmendin si vendbanime të pastra shqiptare ose të përziera diku rreth 648 deri 703 vendbanime të Sanxhakut të Nishit, kurse numri i të shpërngulurve është dhënë nga 30 mijë (sipas Jovan Cvijiçit) në rreth 160 deri 200 mijë (nga Sabit Uka), e deri në 300 mijë sipas ndonjë të dhëne të cituar nga Shaban Braha në “Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare”. Sipas botimit më të fundit kolektiv të historianëve në Shqipëri, pa specifikuar përbërjen etnike jepen 100.000 të ardhur në vilajetin e Kosovës si pasojë e shpërnguljes nga zona e pushtimit serb, vati 38 mijë të ardhur në vilajetin e Manastirit të dëbuar nga ushtritë ruse e bullgare dhe 26 mijë të ardhur në vilajetin e Shkodrës për shkak të ndjekjes nga zona e pushtimit malazez.
Ndërkohë, numri i përgjithshëm i shqiptarëve në sanxhakun e Nishit para shpërnguljes sipas të dhënave të ndryshme është dhënë nga 83 mijë-110 mijë deri në mbi 200.000.
Sa është në fakt numri i shqiptarëve që u shpërngulën në dimrin e viteve 1877-1878 nga Sanxhaku i Nishit? Hulumtimet e reja në arkivat e dokumenteve të kohës do të na afrojnë pa dyshim te e vërteta. Por edhe me dokumentacionin që njohum mund t’i afrohemi kësaj të vërtete. Së pari, do të duhej të mos merreshin seriozisht në konsideratë shifrat e rrumbullakosura që serviren nga autoritetet zyrtare para faktori ndërkombëtar në koniuktura politike të caktuara. Kështu konti Andrashi më 28 qershor 1878 në Kongresin e Berlinit është në akord me përfaqësuesin osman Karateodor Pasha për shifrën prej mbi 200 mijë vetësh që ishin shpërngulur nga Bosnja e Hercevogina në territorin e Austro-Hungarisë pas shtypjes së kryengritjes antiosmane atje. Por, nuk dihet sa mirëkuptim pati deklarat e përfaqësuesit osman për rreth 200 mijë të shpërngulur nga viset ku ndodhej fronti i Perandorisë Osmane me Rusinë etj.
Mund të përmendet gjithashtu se gjatë diskutimeve në Kongresin e Berlinit, palët me interesa të kundërta kanë dhënë shifra popullsie me diferenca deri në katër herë. Konkretisht për një territor në Kaukaz përfaqësuesi rus princi Gorçahov, pretendonte se aty bëhej fjalë për një popullsi prej 50 mijë vetësh, ndërkohë që lordi Salisburi dhe Mehmet Ali Pasha, përkatësisht përfaqësuesit e Britanisë së Madhe dhe Turqisë, pretendonin për shifrën 200 mijë vetë. Në mungesë të vendit të mjaftueshëm për të shtjelluar më gjerë problemin, po japim disa pjesë nga dy raporte të diplomatit të njohur austro-hungarez Lipih konsull i Perandorisë Habsburge në Shkodër, përkatësisht të 17 marsit 1877 dhe të 20 qershorit 1877, ku ndër të tjera jepen edhe disa të dhëna statistikore për popullsinë e trevave veriore shqiptare, përndryshe për Gegërinë, ndër të tjera edhe të dhëna për popullsinë në Sanxhakun e Nishit, që disa muaj më vonë, në dhjetor 1877-janar 1878, do të okupohej nga Serbia.
Sipas konsullit Lipih në raportin e dt. 17 mars 1877 dërguar njëherësh të ngarkuarit me punë të Austro-Hungarisë në Stamboll dhe MP të jashtme në Vjenë, në vilajetin e Kosovës me qendër në Prishtinë, të porsakrijuar (ndarja administrative e tillë ekzistoi për 11 muaj)
”…..bullgarët e krishterë dhe shqiptarët myslimanë formojnë grupe etnike pothuaj njësoj të forta….pas shqiptarëve e bullgarëve vijnë serbët e krishterë….dhe mbas këtyre vijnë myslimanët e racave të tjera, jerekët, tatarët dhe turqit, pastaj serbët dhe bullgarët myslimanë, shqiptarët katolikë, vllehët ortodoksë dhe izraelitët….shqiptarët e vilajetit në qoftë se bëhet një mobilizim i përgjithshëm mund të nxjerrin lehtësisht 40 mijë vetë dhe myslimanët e tjerë 10 mijë vete. Bullgarët e Kosovës d.m.th ata që u bashkuan me vilajetin e ri, i përkasin pjesërisht gjysmës lindore të kësaj etnie dhe këta janë pikërisht bullgarët e Nishit, Pirotit dhe Vranjës, dhe, pjesërisht gjysmës perëndimore. Te kjo e fundit hyjnë bullgarët e Tetovës dhe të Shkupit. Rregullimi i ri i dha vilajetit të Prishtinës Nishin dhe Pirotin me nja 210 mijë bullgarë të lindjes, që shumë vjet me radhe i përkisnin ish vilajetit të Prizrenit. Njëkohësisht u bashkua Sanxhaku i Shkupit me 129 mijë bullgarë të perëndimit ose maqedonë. Në një Maqedoni eventuale, elementet e atjeshëm grekë në sajë të shkathtësisë dhe inteligjencës së tyre ma të madhe do të mjaftonin me i mbajtë bullgarizmit ekujlibrin, nga ana tjetër shqiptarët do të kishin për detyrë të luftonin sllavizimin e vilajetit të Kosovës dhe përgjithësisht të perëndimit të Gadishullit Ballkanik….dhe do ta mbrojnë sigurisht me këmbëngulje, në qoftë se ata kësaj here nuk do të lihen përsëri në baltë prej Europës sikur ndodhi mjerisht në kohën e luftrave heroike të Skënderbeut kundër Portës dhe do të detyrohen të prapsen para forcës së armëve ruse. Unë guxoj të aludoj, thekson konsulli, se ata këtë detyrë të tyre nën egidën e Austro-Hungarisë mund ta kryenin jo vetëm spontanisht dhe me zell, por edhe në interes të perandorisë sonë, kur të vijë koha që Porta të mos jetë në gjendje të mbajë në këmbë edhe më gjatë sundimin në Ballkan”
Sipas të dhënave statistikore të përfshira në raportin e konsullit Lipih, popullsia në vilajetin e Kosovës në vitin 1877 përbëhej gjithsej nga 386.000 shqiptarë të shpërndarë përkatësisht në sanxhaqet e Prishtinës, Prizrenit, Nishit, Shkupit, Jeni Pazarit. Në këtë vilajet konsulli shënon edhe 370.000 bullgarë, 225.000 serbë, 71.000 myslimanë të tjerë, 13.000 çerkezë, 3000 vllehë, 2000 izraelitë, dhe 15.500 të tjerë. Popullsia e përgjithshme llogaritet 1.111.500 nga të cilët 555.000 myslimanë dhe 556.500 të krishterë. Përsa i përket Sanxhakut të Nishit pa kazanë e Vranjës (që me këtë ndarje i takonte Sanxhakut të Prizrenit) popullsia paraqitej në këtë mënyrë: shqiptarë (myslimanë) 50.000 bullgarë (ortodoksë), 77.000, serbë 11.000 myslimanë të ndryshëm 10.000, çerkezë 4000, myslimanë (?) 4000, izraelitë 800. Popullsia e përgjithshme e Sanxhakut (pa Vranjën) ishte 156.800 banorë, përkatësisht 68.000 myslimanë dhe 88.000 të krishterë. Po të shtohet edhe popullsia e Vranjës me 25.000 shqiptare dhe 60.000 bullgarë, numri i popullsisë arrin 241.800 banorë.
Në raportin tjetër të titulluar “Memorandum mbi Shqipërinë”, dërguar Vjenës më 20 qershor 1877, konsulli Lipih shprehet:
“Në rrethanat e sotme kombi shqiptar duhet të konsiderohet si një faktor politik i cili meriton të trajtohet me më shumë vëmendje dhe të çmohet sipas vlerës së tij të plotë, aq më tepër sepse rreziku i sllavizimit të Gadishullit Ballkanik duket në rritje…është e këshillueshme të njohim tamam si forcën e tyre numerike ashtu dhe cilësitë pozitive të tyre dhe nga kjo pikëpamje kombi shqiptar paraqet faktor kryesor ndër elementët jo sllavë të Gadishullit Ballkanik…
Raca shqiptare u ngjan hungarezëve…Ajo është konservative fund e krye, e gjallë dhe të paktën deri tani me sukses të dukshëm në mbajtjen e pavarësisë së saj kombëtare; ajo është energjike, e guximshme dhe e lidhur me dashuri ndaj atdheut dhe institucioneve të vendit. Pastaj shqiptarëve nuk mund t’u mohohet inteligjenca, aftësia për t’u edukuar dhe një vështrim i drejtë në çështjet politike. Këtë e dëshmon përparimi shoqëror që ata bëjnë kudo ku paraqiten kushtet normale, të cilat favorizojnë zhvillimin e tyre; numri i konsiderueshëm i kapaciteteve ushtarake dhe politike që ka dalë nga mesi i popullit dhe që ka ditur të hipë në pozita të rëndësishmë….
Ndryshimi i besimit i një pjese të rëndësishme të kombit nuk i vuri aspak ata që mbetën në besimin e vjetër në gjendje inferiore karshi të parëve…si të krishterët edhe myslimanët qëndrojnë njësoj të pavarur….në gjërat fetare janë të ftohtë, pothuajse indiferentë, ato janë fanatikë vetëm kur është puna për paragjykime, për gjëra të jashtme dhe interesa materiale…
Të tjera karakteristika kombëtare të shqiptarëve janë mikpritja e tyre, mbajtja e shenjtë e fjalës së dhënë…zotësia e tyre morale dhe fizike dhe sedra e zhvilluar në lidhje me konceptet shumë të gjera mbi nderin. Nga ana tjetër ato janë kokëfortë, të paqëndrueshëm, lakmues dhe mosmirënjohës. Grabitjet dhe plaçkitjet janë më tepër pasojat e konditave të mjerueshme, në të cilat është detyruar të jetojë një pjesë e madhe e kombit. Siç e tregojnë shumë shembuj, shqiptari mund të heqë dorë lehtësisht nga grabitja dhe plaçkitja për t’u bërë një bujk i qetë dhe punëtor, por jo edhe nga zakoni i tmerrshëm i shpagimit të gjakut, i cili është i lidhur ngushtë me konceptin e tij të nderit, ndaj edhe jashtëzakonisht i vështirë të zhduket. Këtë e kultivon edhe gjendja pa autoritet ligjor e shumë pjesëve të vendit, sidomos malësive, që i shtyn njerëzit të vetëmbrohen dhe sigurisht janë dispozitat e pamëshirshme dhe të frikshme të hakmarrjes, ato që pikërisht pengojnë keqbërjet dhe krimet.
Kufiri i gjuhës, sidomos asaj të shqiptarëve veriorë dhe sllavëve është më i përcaktuar se i gjuhës së shqiptarëve jugorë dhe helenëve. Kufiri verior i gjuhës kalon nga perëndimi në lindje duke ndjekur që nga bregdeti Adriatik, pak nën Tivar përmbi shpatet e maleve dhe këndit verior të liqenit të Shkodrës nëpër luginat e Cenit, përpjetë, nëpër Kuç, në Vasaojeviç dhe Kolashin. Në vijimin e saj të mëtejshëm kufiri gjuhëso rkalon përtej Kolashinit për në Guci, Plavë, Ibrit përpjetë, në Rozhajë, deri në perëndim të Jeni Pazari, hipërn në krahinat e Vuçiternit, Kurshumlisë, Prekuples deri sipër në kufirin serb dhe pastaj kthen përsëri tek Toplica deri në derdhjen e saj në Moravën bullgare. Prej këtu vazhdon shumë a pak vijën e këtij lumi, si dhe të Moravicës që derdhet te ky, deri në Kumanovë. Këtu kthehet drejt perëndimit dhe vijon përgjatë shpatit jugor të Karadakut nëpër kalimin e Lepencit, çan përmes fushës së Vardarit, afërsisht te hyrja e Treskës në Varda, kalon gjatë Treskës dhe hidhet përtej në Sanxhakun e Manastirit, vijon gjatë kufirit të tij me Dibrën gjer në pjesën veriore të liqenit të Ohrit dhe prej këtu kthen drejt perëndimit nëpër luginën e Shkumbinit, gjatë të cilit kalon në jugperëndim dhe mbyllet duke arritur përsëri në Detin Adriatik. Kolini shqiptare gjenden edhe ëpërtej këtyre kufijve në sanxhakët e Vidinit e Sofies. Brenda tyre ka shumë lokalitetet të banuara prej shqiptarëve dhe sllavëve.
Përgatitja e hartës gjuhësore për të gjithë territorin e përshkruar këtu është një problem i vështirë. Megjithëkëtë, po bashkangjit një paraqitje aproksimative të raportit të shqiptarëve me kombësitë fqinje dhe me elementët e këtyre të përzierë me ta.
Shqiptarët e Veriut që në kuptimin më të gjerë janë edhe banorët e Shqipërisë së Mesme, banojnë në pashallëkun e Shkodrës, të Prizrenit, Dibrës, Jenipazarit, Nishit dhe Shkupit, pra aproksimativisht në viset e vilajetit të Prizrenit”
Sipas të dhënave statistikore të këtij raporti, Lipih shënon 798.250 shqiptarë në tërësinë e Shqipërisë së Veriut dhe 548.000 joshqiptarë, pra një popullsi tërësore prej 1.345.000 banorësh.
Në Sanxhakun e Nishit sipas statistikave të këtij raporti kazaja e Vranjës kishte 25.000 shqiptarë myslimanë, e Leskovicit 24.000 të tillë, e Prokuples 15.000 dhe Kurshumlisë 19.000. Ndërkohë shënohen për Vranjën 60.500 bullgarë ortodoksë, për Nishin 35.500 bullgarë ortodoksë dhe 10.000 myslimanë të dnryshëm, për Leskovcin 22.500 bullgarë ortodoksë, për Prokuplen 19.500 serbë ortodoksë dhe për Kurshumlinë 1500 serbë ortodoksë. Sipas këtyre të dhënave Sanxhaku i Nishit kishte 223.000 banorë, përkatësisht 139.000 jo shqipfolës, dhe 83.000 shqipfolës.
Nisur nga burime të tjera të cituara, S.Uka në vëllimin “Dëbimi….” thekson se duhen shtuar në shifrën e përmendur edhe shqiptarët e Nishit dhe Pirotit që nuk janë përfshirë në statistikën e mësipërme, që sipas llogaritjeve të tij të përafërta arrinin rreth 27.000 banorë. Nëse këtë të dhënë e konsiderojmë të mirëqënë numri i përgjithshëm i shqiptarëve në Sanxhakun e Nishit nuk i kalon 110.000 banorët. Pikërisht ndërmjet shifrave 83.000 dhe 110.000 duhet kërkuar numri i saktë i shqiptarëve të shpërngulur me dhunë nga Serbia në dimrin e viteve 1877-1878 e më pas, që gjithsesi është një shifër tepër e lartë po të merret parasysh niveli i popullimit të trevave ballkanike.
Shkëputur nga libri “Shqiptarët në optikën e diplomacisë Austro-Hungareze 1877-1918” me autor Maringlen Verli.
This blog post has been Digiproved © 2020