Italia, BE-ja dhe Kina. Dashuri ne kohërat e kolerës.

Italia për momentin po përballet me vështirësi të mëdha. Si vendi I parë në Europë për sa I përket të infektuarve me koronavirus burimet financiare që kërkohen janë të mëdha. Këtu do përqëndrohemi te ana financiare e problemit. Borxhi aktual I Italisë është 134.8% e GDP, borxhi sovran i dytë më i lartë në BE mbas Greqisë. Italia historikisht ka pasur një nivel të larte borxhi. Por rritja ekonomike normale e bëntë të mundur pagesën e borxhit në kohë. Kjo ndodhi deri në fund të viteve 90. Më pas në Itali filloi koha e problemeve ekonomike.

Ndonëse rritja ekonomike vazhdoi ajo nuk vazhdoi në një nivel të qëndrueshëm. Dhe mbasi vendet e tjera europiane i kapërcyen problemet që shkaktoi kriza e 2008, Italia prapë mbeti mbrapa, pa mundur të arrijë një rritje të qëndrueshme dhe të vazhdueshme. Disa, përfshirë këtu dhe partitë e reja italiane anti-establishment, ia hedhin fajin hyrjes së Italisë në zonën Euro.(Mbi këtë kemi folur më gjerë në artikuj të tjerë). Disa të tjerë ia hedhin fajin keqmenaxhimit ekonomik, mungesës së R&D dhe dixhitalizimit, korrupsionit etj. Cilado qoftë arsyeja mbetet fakti se Italia nuk po arrin të ketë rritje ekonomike.

Lind pyetja: çfarë supozohet të bëjë ky vend tani që po përballet me koronavirusin? Conte u tha qytetarëve se “shteti është”, që do të thotë që shteti është akoma gjallë dhe do kujdeset për ju. Përveç paketave fiskale për të papunët dhe shtresave të tjera në nevojë, shpenzimet përfshijnë kredi apo ndihma ndaj kompanive të ndryshme etj. Shpenzimet italiane pra po rriten përsëri. BE-ja ka miratuar një paketë prej 37 miliard eurosh për të ndihmuar vendet e BE. Problemi është që BE-ja, si institucion tmerrësisht burokratik nuk mund të ndërhyjë shpejt. Italisë i duhen para dhe furnizime mjekësore tani, jo pas dy javësh. Për më tepër 37 miliardë euro janë një shumë shumë e vogël krahasuar me shumën e cila I nevojitet Italisë. Kryeministri Italian hodhi idenë e bondeve korona(Coronabonds). Në një sistem të tillë shtetet marrin borxh dhe në fund borxhi paguhet bashkarisht nga tërë anëtarët. Ky sistem nuk u pranua. Kryesisht u refuzua nga Gjermania dhe Hollanda, shtete këto të cilat historikisht kanë dalë dhe kundër idesë së Eurobondeve, të cilat dikur u mbështetën dhe nga Franca si ide. Gjermania e sheh BE-në si një projekt për të siguruar mirëqenien e vet.

Natyrisht do ndërhyjë duke dhënë para në raste kur mundet por nëse llogaria i del negative, Gjermania nuk pranon të paguajë. Po pse do pyesë dikush, qanka kjo krizë kaq problem për Gjermaninë? Pse nuk pranon Coronabonds si ide? Borxhi gjerman është diku te 61.9% e GDP. Një shifër shumë afër 60% të GDP, e cila pranohet si kufiri i cili nuk duhet tejkaluar. Kjo shifër është gjithashtu shumë më e ulët se shumica e borxheve të vendeve europiane. Në një rast të tillë Gjermania mund të tregojë solidaritet dhe të ndihmojë Europën (sidomos Italinë) dhe të fitojë dhe një reputacion më të mirë për vete.

Problemi është se Gjermania duhet të shpenzojë dhe per vendin e vet pasi dhe vetë është prekur nga virusi. Por nuk qëndron këtu problemi kryesor. Problemi kryesor është te fakti se Coronabonds do lehtësonin rrugën për një kalim te Eurobonds, një projekt ndaj të cilit Gjermania nuk është aspak entuziaste pasi do i duhej të mbante barrën e borxheve të tërë Eurozonës. Mekanizmat e krijuara në kohë krize mundet të përdoreshin shumë mirë dhe në kohëra të mëvonshme. Përfaqësuesit gjermanë u shprehen qartë se: „Përgjegjësitë fiskale janë çështje kombëtare“.

Italia në një situatë të tillë ndihet e lënë në baltë. Solidariteti, thotë Italia me vete, do të thote solidaritet vetëm kur Gjermania përfiton dhe vetëm në kohë paqeje. Në kohë krizë Gjermania s’do të ndihmojë, Çekia bllokon maskat në kufi etj. Në një situatë të tillë shfaqet Kina si shpëtimtare. Kina, mbështetur deri diku dhe nga mediat e shitura perëndimore, po përpiqet të marrë rolin e shtetit shpëtimtar. Mbasi mundi epideminë në vendin e vet (natyrisht duke censuruar lajmet për numrin e rasteve reale dhe duke nxjerrë gazetarët e huaj jashtë Kinës), Kina tani po ndihmon vendet e tjera. Maska, mjekë etj.

S’ka rëndësi se maskat në Hollandë po blihen me para dhe se pjesa më e madhe e tyre nuk funksionon siç duhet. Nuk ka rëndësi se testet ndaj koronës që Kina po dërgon në Europë nuk funksionojnë siç duhet. Kriza që po përjetojmë na bën të kuptojmë se të bërit shoë paska më shumë rëndësi se sa mendonim. Ndonëse Gjermania po trajton pacientë më korona të cilët i merr me avionë nga Italia, mediat më shumë përmendin Kinën. Dhe ne fund të ditës, njerëzit të cilët lexojnë mediat të izoluar në shtëpi, Kinës do u ndihen mirënjohës. Sidomos për faktin se ishte e para që ndihmoi. Dhe kjo është problematike.

Ndonëse një konstrukt që kohët e fundit ka degraduar, ndonëse një konstrukt me një kulturë të pështirë, BE-ja prapëseprapë ka një politikë të përbashkët tregtare dhe deri diku të jashtme. Kjo është rruga e duhur në përballje me aktorë gjigandë si Kina apo Shtetet e Bashkuara. Kemi parë vitet e kaluara se si Italia vendosi ti bashkohej iniciatives One Belt One Road. Italia ishte I vetmi vend I BE-së që vendosi ti bashkohej kësaj iniciative. Personat që mund të na thonë se jemi pro BE-së duhet të lexojnë artikujt tonë të mëparshëm. Problemi ama qëndron. Dhe Oswald Mosley, një fashist i kulluar, prapë nuk e konceptonte dot Europën si lojtare të madhe pa bashkim.

Thënë shkurt: Që BE po dështon, po dështon. Këtë e tregoi qartë në keqmenaxhimin e krizës së fundit. Por që duhet një alternativë europiane ndaj Kinës gjithashtu duhet. Koronavirusi po luan rolin e një përshpejtuesi të ngjarjeve që gjithsesi ishin të destinuara të ndodhnin. BE-ja po shkatërrohej ngadalë ngadalë por virusi po e përshpejton shkatërrimin. Automatizimi në industri të ndryshme po ndodhte që më parë, por koronavirusi e përshpejtoi. Mund të themi vetëm diçka. Bota në të cilën do jetojmë dy vite mbasi pandemia të ketë mbaruar nuk do jetë e njëjta botë që njihnim deri më tani.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2020