Ndryshe nga partizanët komunistë dhe disa grupimeve nga radhët e nacionalistëve, që qenë organizuar në luftë kundër pushtuesve gjermanë, forcat kryesore nacionaliste hezitonin t’u kundërviheshin. Aqif Blyta dhe bashkëluftëtarët nuk pranuan as t’u bashkëngjiten forcave partizane pasi mendonin se një luftë që udhëhiqej nga komunistët, do të përfundonte me rivendosjen e pushtetit Jugosllav në Kosovë. Në lidhje me mosbesimin e shqiptarëve dhe boshnjakëve ndaj Partisë Komuniste, N.Malcolm shkruan:
“Së paku, një gjë mbetet e qartë; faktori kryesor mbetet çështja shqiptaro-serbe, e jo filozofia politike apo ndjenjat për ose kundër fuqive pushtuese. Siç shkruante një raport dëshpërues komunist në gushtin e vitit 1943; “Lëvizja në Kosovë është shumë e dobët, pothuaj e vdekur. Është e izoluar plotësisht nga masat shqiptare… Midis masave shqiptare, komunistët konsiderohen si njerëz që i janë shitur serbëve”.
Përfaqësuesit në zë të rretheve nacionaliste i konsideronin italianët e më pas gjermanët si të keqen më të vogël në krahasim me sundimin serb e jugosllav, që pritej të vendosej pas tërheqjes së tyre. Pikërisht për këtë arsye, pas kapitullimit të Italisë, ata përpunuan idenë e thirrjes së një kuvendi kombëtar, i cili duhej të kishte bazat e krijimit të një organizate politike, që do t’i mbronte trojet etnike nga rreziku i ripushtimit të Kosovës nga forcat jugosllave, pas largimit të trupave gjermane.
Me 7 korrik 1943, duke përfituar nga dobësimi i pozitave të italianëve, në Kosovë u vendos diktatura ushtarake e shtetrrethimit, në të cilën çetat çetnike serbo-malazeze kishin fituar liri të plotë veprimi. Më pas ndodhi masakra e Bihorit, ku pësuan me mijëra njerëz: mbi 4000 shqiptarë e boshnjakë të vrarë e të masakruar, kryesisht fëmijë, gra e pleq, dhjetëra fshatra të djegura etj.
Për ngjarjet në këtë kohë dhe gatishmërinë e shqiptarëve për vetorganizim të dhëna gjejmë edhe në dokumentet e publikuara nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës Amerikane (CIA), ku mes tjerash thuhet:
“Në dimrin e vitit 1943, u kryen masakra të shkallës së gjerë ndaj kosovarëve në Rozhajë, 500 burra u vranë me thika dhe mitraloza nga sulmet, fillimisht nga çetnikët e pastaj edhe nga partizanët. Përkundër katastrofës si kjo, kosovarët mbeten të patundur dhe besnikë ndaj Aleancës së shtëpisë së Savojit. Ata u rekrutuan në armatën nacionale të qeverisë së Shqipërisë dhe organizuan beteja kundër partizanëve dhe çetnikëve. Ata riafirmuan të drejtën e pavarësisë duke ringjallur më 1942 Lidhjen e Dytë të Prizrenit të udhëhequr nga Bedri Pejani. Me këtë Lidhje ata i ringjallën traditat e Lidhjes së Parë, të gjithë shqiptarët iu bashkuan thirrjes së Lidhjes gati për t’i mbrojtur kufijtë e shtetit amë. Ata mbrojtën këta kufij derisa ushtria sovjetike arriti në Serbi”
Në takimin e mbajtur në Mitrovicë më 30 korrik 1943, disa patriotë shqiptarë, të prirë nga Xhafer Deva, iniciuan Lidhjen e Dytë të Prizrenit, që do ishte vazhdimësi e Lidhjes së Parë në luftën e popullit për liri e çlirim.
Me 5 shtator 1943, Deva zhvilloi një bisedë me të deleguarin e plotfuqishëm të Ministrisë së Jashtme gjermane Dr. Hermann Neubacher, ku u shtrua nevoja për ndërmarrjen e masave për parandalimin e zbarkimit të aleatëve në Shqipëri. Ndër të tjera, shteti gjerman siguronte bashkimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare me shtetin shqiptar të 1913s, ruajtjen e statusit ekzistues të Qarkut të Mitrovicës, Vushtrrisë e Pazarit të Ri, njohjen zyratare dhe shkëputjen e shtetit shqiptar nga perandoria italiane, tëheqjen e plotë të ushtrisë gjermane nga Shqipëria pas përfundimit të luftës etj.
Me 7 shtator 1943 Deva shkoi në Prizren ku u takua me disa personalitete. U vendos që të organizojnë një mbledhje ku do të marrin pjesë të zgjedhurit e të gjitha krahinave shqiptare. Të nesërmen Italia kapitulloi para aleatit të saj, Gjermanisë, e cila menjëherë i vendosi trupat e veta në Shqipëri. Gjermanët e nderuan Shqipërinë e çliruar, të pavarur dhe të lirë, duke shpallur veten garantuese të pavarësisë së saj. Kapitullimi i Italisë ishte edhe një frymëmarrje e re për shqiptarët, sidomos të atyre që i përkisnin zonave më të largëta kufitare, si Rozhaja, Sjenica, Bihori, etj., ku serbo-malazezët nuk i pushonin provokimet armiqësore. Gjendja ishte sidomos e padurueshme në viset e banuara jashtë gjirit të atdheut, si në Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Pazar të Ri etj., pastaj në trevat që gjendeshin në kufi me Serbinë e Malin e Zi, që me bekimin e Italisë, çetnikët sebro-malazezë dhe mijëra vullnetarë gjakpirës kryenin krime nga më të ndryshmet.
Natën e 5 janarit të vitit 1943, të prirë nga Pavle Gjurishiqi, ata e sulmuan dhe e plaçkitën Sjenicën dhe Bihorin. Atë që nuk mundën ta arrijnë në luftën për marrjen dhe shfarosjen e Pazarit, i cili u mbrojt falë organizimit shumë efektiv të qytetit nën komandën e Aqif Blytës, e bënë në Bihor, duke vrarë e masakruar shumë fëmijë, gra e pleq, duke marrë rob vajza e nuse, duke plaçkitur e djegur çdo gjë. çetnikët në mesnatë prenë e therën 4626 shqiptarë e boshnjakë, dogjën e shkatërruan 763 shtëpi etj.
Tashti, me ndihmën e Gjermanisë do të lejohej organizimi politik e ushtarak i shqiptarëve, të cilëve do t’iu mundësohej mbrojtja e qenies kombëtare. Kuvendi u mblodh në PRizren, nga data 16 deri më 20 shtator 1943. Në ditën e dytë të Kuvendit, më 17 shtator 1943 u zgjodh kryesia në përbërje: Musa Shehu (kryetar), Aqif Blyta (nënkryetar), Rexhep Krasniqi (nënkryetar) dhe Bedri Gjinaj (sekretar). Në të morën pjesë 45 dlegatë të zgjedhur nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare. Kuvendi vendosi formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizatë politike kombëtare e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike. Pas zgjedhjes së kryesisë, u formuan komisionet dhe pastaj u caktua që në rendin e ditës të përgatitur nga komiteti iniciues, në mesin e gjashtë pikave, në pikën e dytë të shtohet: “Bashkimi me nanën Shqipni, të krahinavet të Mitrovicës, të Vuçitërnit, të Podujevës dhe Pazarit të Ri, që ndodhen nën pushtimin e ushtrisë gjermane por administrativish të lidhuna me shtetin e Serbisë”
Kuvendi zgjodhi Komitetin Qendror të Lidhjes të përbërë nga 7 veta. Kryetar i Lidhjes u zgjodh Rexhep Mitrovica, veprimtar i njohur i çështjes kombëtare. Në Kuvend, përveç Aqif Blytës, nga Sanxhaku morën pjesë edhe Hasan Agë Zvizdiqi nga Sjenica, Adem Kurtaga nga Rozhaja, Shemsi Feri nga Plava, Vehbi Hamzagaj nga Tutini; Mbledhja e tretë e Kuvendit të PRizrenit e cila është mbajtur me 18 shtator 1943, në sallën e shkollës “Bajram Curri”, dhe të cilën e udhëhoqi nënkryetari z. Rexhep Krasniqi, vë në rend dite pikën e dytë të Programit: Bashkimin e Mitrovicës me Shipni. “Rendi i Dttës, thekson ai, tregon vetvetiu rëndësinë e vet: Bisedimi mbi çështjen e bashkimit të Mitrovicës, Podujëves, Vuçitërnës, Pazarit të Ri, Sjenicës e Zonës Neutrale me Shqipni”. Pas Jahja Fushës, i cili fton Kuvendin që të vendos të merr të gjitha masat për të sigurue lidhjen e bashkimin e viseve të përmendura me Shqipninë, e merr fjalën Aqif Blyta, në cilësinë e delegatit të Pazarit dhe Sjenicës tue deklarue:
“Jam shumë i gëzuem që kam fatin e bardhë, mbas tridhetë e sa vjetëve përpjekjesh të vazhdueshme, të ndodhemi për herë të parë, si Përfaqësues i Tregut të Ri dhe i Sjenicës, në gji të nji popullit t’onë që na ka frymëzue dhe nxitun ndër mundime t’ona, kanë pasë në të shkuemen dhe kanë, sidomos në kohën e tashme, nji qëllim të vetëm: atë të abshkimit të vendeve t’ona me Atdheun e përbashkët të të gjithë Shqiptarve, me Shqipninë Nanë. Asht e natyrshme, pra që sot, ndërsa ndodhemi të bashkuem këtu, për herë të parë, të ndihemi na dhe, ma fort popullsinat që përfaqsojmë, jashtëzakonisht të lumtun: të lumtun pse bashkimi i jonë në këtë mbledhje, na ban me besue se, ma në fund, i jemi afrue shumë, në mos e kemi arrijtun cakun t’onë, po bashkohemi me Shqipninë, me Nanën t’onë të përbashkët, për të cilën jemi djegë e shkrumue, jemi vra e shkretue deri në ditë të sodit. Tregu i Ri ose Jeni Pazari si quhej deri dje, si edhe Sjenica me krahinat e tyne, janë vise thjeshtë shqiptare, pse popullsija që i banon, asht krejt shqiptare: çdo njeri ndër ato ana, din të thotë se prej ç’far fisi shqiptar rrjedh, e të tanë së bashku, dijnë se kanë ardhun ndër ato ana, prej gjyshave e shtërgjysave të tyna, nga malet krenare të Shqipnsië Verjojre, por karakteri shqiptar i këtyne vendeve, nuk mbështet vetëm mbi kët fakt, mbi atë të gjuhës amtare shqipe, dhe mbi ndiesinat shprehimisht shqiptare të banorëve t’atyne anave. Dishka tjetër, jo ma me pak randësi, dëshmon vullnetin e atij populli: përpjekjet e vazhdueshme, me armë dhe pa armë, ndër male dhe ndër mbledhje, për t’u këthye në kundërshtim me padrejtësinë e Europës, në gji të Dheut të bekuem Arbënuer, si pjesë tanësore e tij. Gjatë këtyne dy vjetve e gjysë, këto krahina, që kam nderin të përfaqësoj në gji të kësaj mbledhjeje, kanë provue, me gjakun e derdhun bujarisht, se sa e duen dhe se si e mprojnë individualitetin e tyne kombëtarë, bashkimin e tyne me Shqipni dhe lirinë e mëvehtësinë kombëtare; qindra dhe mija të flinuem në fushë të nderës, në ndeshje me fuqina shumë herë ma të shumta, shumë herë ma të mëdhaja dhe shumë herë ma të pajisuna me armë e mjete moderne, janë zmbrapsun kreshnikisht nga popullsinat t’ona trime po të papajueme mirë sa me i ba ballë të mësyemeve aq serioze të valëve imperjaliste. Këta të ramë, edhe tue dhanun shpirtë, kanë lëshue vetëm nji britmë: atë që qe vullneti i gjithë jetës së tyne: që truelli i tyne, të jetë pjesë e pandarëshme e Shqipnisë,
Kjo asht porosija e tyne. Ne na përket ta përmbushim”. Fjala e zjarrtë e Mpruesit të Tregut të ri që u ndërpre shpesh prej duertrokitjesh të nxehta, u përshëndet në fund me ni za nga brohorina enthusjastike: “Rroftë Tregu i Ri shqiptar!”, “Rroftë Sjenica Shqiptare”, Rroftë Shqipnija Ethnike!”
Në Kuvendin e Dytë që u mbajt më 17-21 janar 1944, u bënë ndryshime në kreun e Lidhjes. Kryetar i komitetit Qendror u zgjodh Bderi Pejani, pasi Rexhep Mitrovica ishte emëruar kryeministër i Qeverisë së Shqipërisë në Tiranë. Kuvendi miratoi edhe statutin e Lidhjes i cili u dekretua nga Këshilli i Naltë më 14 mars 1944. Lidhja do të kishte dhe organin e vet “Lidhja e Prizrenit”, në faqet e të cilit propagandohej ideja e krijimit të Shqipërisë etnike dhe denoncoheshin krimet e kryera nga serbomëdhenjtë ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Bedri Pejani kërkonte që komandat gjermane të angazhoheshin në organizimin e një armate me 120 deri 150.000 luftëtare, e cila do të vepronte si kundër çentikëve ashtu edhe kundër partizanëve serbo-malazezë. Bedri Pejani shpresonte që këto forca do të mund t’i përdorte për të ruajtur gjendjen dhe kufijtë ekzistues deri në mbarim të luftës, me qëllim që Konferenca e Paqes, që do të mblidhej pas lufte, të vihej para aktit të kryer. Më 19 qershor 1944, u mblodh në Prizren Kuvendi i tretë i Lidhjes.
Bedri Pejani u shkarkua nga detyra e kryetarit të Lidhjes dhe në vend të tij u zgjodh Xhafer Deva. Për veprimtarinë e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizatë popullore e krijuar në kushte e rrethana të vështira të luftës, Tahir Zajmi, në veprën e tij, Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës shkruan: Natyrisht nuk mund të kishte një strukturë të plotë e të përsosur nga pikëpamja juridike, teknik e eushtarake, por me gjithë këtë, veprimtaria e sajë ka qenë e shkëlqyeshme. Pas shpërndarjes së mbledhjes së parë të Kuvendit fillon faza e vështirë e veprimtarisë s’Organizatës për të përgatitë e siguruar mbrojtjen e kufijve të cilë kërcënoheshin e cënoheshin vazhdimisht nga çetat nacionaliste-terroriste serbe te Drazho MIhajlloviqit dhe Brigadat komuniste të përbëra prej Serbësh, Bullgarësh, Malazezësh dhe pak Shqiptarësh të Kosovës”.
Kah fundi i nëntorit të vitit 1943, çetnikët serbë sulmojnë katundet e Pejës, duke djegur e plaçkitur, por populli i përgjigjet kushtrimit të Lidhjes së Prizrenit, reagoi me të shpejtë dhe, pas njëzet e dy ditëve lufte, armiku edhe pse i vendosur në pikat strategjike në malet e Kollashinit, shpartallohet.
Pak më vonë çetnikët, shkruan Zajmi, “shpërthyen n’anën e Tutinit dhe të Pazarit të Ri, por mbrojtësi i pathyeshëm Aqif Blyta, i ndihmuem edhe nga fuqit vullnetare të Uk Sadikut qi kishin mbërrijtë atje nga rrafshi i Kosovës, i nep grushtin e shkatrrimit fuqive sulmuese. Në këtë qindresë t’ashpër qi vazhdoj bukur shumë kohë, dallohet roli i luftarit të Prekorupës, Uk sadik Gjurgjevikut, i cili, me zotsin e tij luftarake siguron mbrojtjen e anës ma negralgjike të qytetit, tue i prapsue çetnikët serbomalazez qi shtrëngohen të tërhiqen prap, tue lanë në shehs të luftës, disa të vdekun dhe materjal luftet.
Ashtu edhe i vllai, Shaban Sadik Gjurgjeviku, eshokët e tij shquhet për guxi9m e zotsi në mjeshtrin e luftës, në ndeshjet me çetat Drazhiste n’anën e Koloshinit ku ata kishin shtabin dhe përqëndrue forcat e tyne sylmuese. Mbas shkatrrimit të fuqivet serbo-malazeze, në Pazarin e Ri, në Tutin, në Petnicë, në Koloshin dhe në çakorr e Rozhajë, fillojnë me sulmue Brigadat komuniste në të gjitha anët e Kosovës”.
Ndërkohë fitoret e Aleatëve në frontet kryesore të luftës, e krahs tyre, dhe sukseset e ushtrive partizane jugosllave shqiptare dhe greke, i detyruan trupat gjermane të fillojnë të tërhiqen nga Ballkani. Në rrethanat e pavolitshme për të, Lidhja e Prizrenit zhvilloi veprimtarinë patriotike për mbrojtjen e popullatës shqiptare deri më 17 nëntor 1944. Ndër prijësit e shquar të kësaj organizate politike-ushtarake vlen të përmendet Bedri Pejani, Aqif Blyta, Tahir Zajmi etj.). të cilët Fadil Hoxha i quante badihavxhinj, ryshfetxhinj, shoviniste e karrieristë, ndërsa pjesëmarrësit e Kuvendit i deklaronte si pleh, gjakpirës dhe tradhtarë të popullit shqiptar.
Raporti i CIAs, paraqet plotësisht pozitiv rolin e shqiptarëve në këtë kohë, pavarësisht bashkëpunimit me fashistët. Sigurisht, për shkak se agjencitë amerikane nuk e shihnin këtë rol për asnje moment ideologjik, por thjesht si një mundësi të cilën shqiptarët e shfrytëzonin për mbijetesë kombëtare. Por, jo krejt shqiptarët ishin në këtë anë. Fadil Hoxha dhe vëllezërit Nimani, sipas raportit, kishin qenë ngushtë të lidhurme komunistët serbë dhe malazezë. Ata kishin filluar të fitojnë terren me ndryshimin e kahjes së luftës, por edhe kur në skenë doli Sali Boshnjaku që në fakt ishte Dushan Mugosha, i cili urdhëroi që Enver Hoxha, Mustafa Gjinishi, Omer Nishani dhe të tjerë të asaj vije të shpalleshin çlirimtarë të kombit.
“Patriotët shqiptarë e kuptuan fare mirë se forcat e boshtit po shpërbëhen. Hapja e një fronti të dytë nga aleatët, i bindi ata se kjomunistët do të marrin hise më të madhe të ndihmës nga aleatët e pastaj nga antifashistët. Komunistët arritën t’i mashtrojnë nacionalistët shqiptarë, duke kërkuar që dikutimi i çëshjtjes së Kosovës të shtyhej në një datë tjetër, deri në zgjidhje e cila do të arrihet me një plebishit tjetër. Kosovarët le të themi kishin rënë në rrjetin e intrigave të përgatitura nga dy mjeshtrit, Dushan Mugosha dhe Milladin Popoviqi. Ishte e pamundur të luftohej kundër komunistëve të udhëhequr nga E. Hoxha dhe në të njejtën kohë t’u bëhej ballë serbëve, malazezëve, çetnikëve dhe bullgarëve. Përkundër fatit të pafavorshëm, kosovarët bënë ç’është e mundur të ruajnë pavarësinë e tyre. Nga viti 1941 e deri ne 44n, ata rezistuan si muri i kalasë, duke mbrojtur kufijtë. Ata mbajtën rregullin publik, në trojet e tyre dhe ishin një faktor i rëndësishëm në shuarjen e problemeve të provokuara nga komunistët në tokën shqiptare.”
Para se të largohej nga Prizreni, kreu i Lidhjes ftoi parinë e vendit, dhe autoritetet politike e ushtarake të organizatës në një mbledhje të gjerë. Xhafer Deva trajtoi gjendjen sipas tij të pashpresë, të krijuar në Kosovë dhe pamundësinë e ndryshimit të saj. Në këto kushte u mor vendimi që anëtarët e Komitetit Qendror të lidhjes, të largoheshin nga vendi. Ndërkohë Xhafer Deva, pas takimeve me prijësit e forcave të rezistencës, që do të mbeteshin në Kosovë, shkoi në Vjenë përmes Prishtinës, Mitrovicës dhe Zagrebit.
Shkëputur nga libri “Aqif Blyta: Kolosi i Pazarit të Ri” me autor Ismet Azizin
This blog post has been Digiproved © 2020