Malësorët

Nga: Eduard Kola

Kohët e fundit në hapësirat Shqiptare po qarkullon një gënjeshtër. Është një gënjeshtër e shëmtuar, që sulmon një nga shtyllat e identitetit dhe historisë Shqiptare, që kërkon të mbjellë përçarje mes vijave fetare. Mjerisht, gënjeshtrat i kanë këmbët e shkurtra, pra nuk të çojnë larg.

Në shkurt të vitit 1913, Mbreti Nikolla i Malit të Zi priti një delegacion të Malësorëve, të cilët i deklaruan besnikërinë e tyre dhe dolën vullnetarë për t’iu bashkuar forcave Malazeze me 3000 ushtarë të tyre. Kjo deri këtu është e vërtetë, por kjo gënjeshtër shkon më tej. Ajo i akuzon Malësorët dhe Shqiptarët Katolikë si bashkëpunëtorë të armikut. Të akuzosh në mënyrë specifike Malësorët, ose përgjithësisht Shqiptarët Katolikë, për tradhti, do të thotë të shpërfillësh kontekstin historik, rrethanat dhe kushtet që çuan në bashkimin e Malësorëve me palën Malazeze në Rrethimin e Shkodrës në 1913.

Kryengritjet Shqiptare në periudhën para Luftës së Parë Ballkanike u organizuan më së shumti në rajonin e Malësisë. Në vitin 1909 në Malësi u zhvillua një kryengritje, e cila përfundoi në disfatën e kryengritësve Shqiptarë. Shtabi kryesor i kryengritësve ishte në Podgoricë dhe mbreti Nikolla u siguroi armët kryengritësve. Mbreti Nikolla premtoi se do të mbështeste Malësorët me armë dhe do t’u siguronte strehim familjeve të tyre përpara se të fillonte kryengritja. Isa Boletini më vonë do t’u kërkonte fiseve që po strehoheshin në Mal të Zi ta ndihmonin në kryengritjen e vitit 1910. Edhe pse mbreti Nikolla dhe princi Danilo po e siguronin Ambasadorin Osman se po respektonin një neutralitet të rreptë, gjenerali Malazez Janko Vukotiq organizoi shpërndarjen e armëve për kryengritësit. Të mos gabojmë, mbreti Nikolla nuk ishte një dashamires i madh i Shqiptarëve, por një pjesë të madhe të jetës së tij e kishte kaluar duke luftuar Perandorinë Osmane dhe do të mbështeste çdo forcë që do të ngrihej kundër saj.

Në vitin 1910, për shkak të politikave të reja të centralizimit të Qeverisë Osmane ndaj Shqiptarëve, Isa Boletini dhe Idriz Seferi filluan një kryengritje kundër Osmanëve në Vilajetin e Kosovës. Pasi kryengritësit mposhtën garnizonet Osmane në Prishtinë dhe Ferizaj, Qeveria Osmane shpalli Ligjin Ushtarake dhe nisi për në Shqipëri një ekspeditë prej 16.000 vetash, të udhëhequr nga Shefqet Turgut Pasha.

Forcat nën drejtimin e Idriz Seferit pushtuan Qafën e Kaçanikut dhe e mbrojtën me sukses kalimin nga forcat Osmane, duke i detyruar ata të dërgojnë edhe 40.000 vetë shtesë. Pas luftimeve të ashpra kryengritësit u tërhoqën në Drenicë dhe osmanët morën nën kontroll Prizrenin, Gjakovën dhe Pejën. Më pas forcat Osmane hynë në Shqipërinë e Veriut dhe Maqedoninë. Forcat Osmane u ndaluan për më shumë se 20 ditë në Qafën e Agrit , nga forcat Katolike Shqiptare malësore të Shalës, Shoshës, Nikajt dhe Mërturit. Më 24 korrik 1910, forcat Osmane hynë në qytetin e Shkodrës. Gjatë kësaj periudhe u shpalli Ligji Ushtarak dhe u bënë ekzekutime pa Gjykim. Popullsia u çarmatos plotësisht.

Në vitin 1911 u formua Komiteti Kombëtar Shqiptar. Në një mbledhje të komitetit të mbajtur në Podgoricë nga 2 deri më 4 shkurt 1911, nën udhëheqjen e Nikolla bej Ivanajt dhe Sokol Bac Ivezajt, u vendos që të organizohej një kryengritje tjetër Shqiptare. Më 26 Prill 1911 Terenzio Tocci mblodhi krerët Mirditorë në Orosh dhe shpalli pavarësinë duke ngritur flamurin e Shqipërisë.

Isa Boletini shkroi një Proklamatë më 23 Mars 1911 drejtuar Shqiptarëve në jug që t’u bashkoheshin Shqiptarëve të vilajetit të Kosovës në kryengritjen e tyre. Ai dërgoi emisarët e tij më 15 Prill 1911 për t’ua përcjellë Proklamatën e tij kryengritësve të Jugut. Një nga detyrat kryesore të Shoqërisë së Zezë për Shpëtim, një shoqëri e fshehtë nacionaliste Shqiptare e themeluar në vitin 1909, ishte organizimi i kryengritjeve në trevat Jugore. Anëtarët e shoqërisë organizuan një takim në Kolonjë. Në mbledhje morën pjesë emisarët e vilajetit të Kosovës të cilët sollën Proklamatën e Isa Boletinit. Drejtuesit e shoqërisë vendosën në atë mbledhje të organizonin grupe kryengritësish të armatosur dhe të nisnin një kryengritje në Jug në fillim të Qershorit 1911. Fatkeqësisht ata nuk arritën të mbanin kontrollin mbi kryengritësit, sepse secili komitet vepronte më veti.

Më 6 Prill 1911 në Kuvendin e Kalivares u krijua Komiteti Krahinor i Kryengritjes në Mirditë, me kryetar Preng Marka Prengën. Fiset Malësore ndërmorën fushata të shumta ushtarake të suksesshme kundër Perandorisë Osmane, kryesisht rreth Dinoshit dhe Deçiqit. Raportet e asaj kohe tregonin se kjo forcë përbëhej nga rreth 2500 fise Shqiptarë Malësore; prej të cilave 900 i përkisnin Grudës, 600 Kelmendëve, 400 Hotit, 250 Shalës, një numër i vogël i fisit Shkreli dhe të tjerë nga Kastrati, Triepshi dhe Koja e Kuçit. Osmanët e kishin nisur ofensivën duke djegur Vuksanlekajn dhe duke sulmuar Humin, Deçiqin dhe Tuzin. Nikë Gjelosh Luli, vëllai i Dedë Gjo Lulit, ngriti flamurin Shqiptar në majën e Bratilës në Deçiq. Gjatë ngritjes së flamurit, Ded Gjo Luli tha: “Tani vëllezër, do të shihni atë që nuk e ka parë askush në 450 vjet…”. Kjo ishte hera e parë që Shqiptarët ngritën flamurin kuq e zi që nga rënia e Kalasë së Shkodrës në vitin 1479. Ky flamur u ishte dhuruar nga Juan Pedro Aladro Kastrioti, pretendues i Kurorës Shqiptare. Aladro Kastioti kishte dhuruar edhe flamurin që Ismail Qemali do i jepte Marigo Poçit si model për të qëndisur flamurin të ngritur në Vlorë me 28 Nëntor 1912.

Fiset Hoti dhe Gruda vazhduan ofensivën e tyre në Dinosh më 7-8 Prill, e cila rezultoi në rimarrjen e pozicioneve të humbura gjatë ditëve të para të Prillit. Më 13 Prill, përpjekjet e përbashkëta të fiseve të Kelmendit, Shalës dhe Shkrelit në koordinim me ata të Hotit, Grudës dhe Kastratit rezultuan në pushtimin me sukses të pozicioneve strategjike në Deçiq dhe afër Tuzit. Në 27 Prill 1911, u mbajt në Kimëz të Spaçit një kuvend tjetër, ku morën pjesë përfaqësues nga disa krahina të Shqipërisë Veriore, dhe u vendos qe të krijohej një Qeveri e Përkohshme. Në Aktin e “Qeverisë së Përkohshme të Kimzës”, thuhet: “Të nënshkruemt tuj menue çi gjith populli jan Komi shqyptar s’i të kshten si muamedan, ka gjith t’drejtat e arsyenat’ çi me neltue e me e mallnue si shtet, t’lir e n’vedi Komin e Shçypnis… Çeveria e Perteshme ka me u menue për luft e për liri të plotë e për formë t’çeveris t’përgjithshme.” Në Mirditë u mbajtën disa kuvende të rëndësishme, ku Malësorët bënë besëlidhje për vazhdimin e kryengritjes deri në lirim të plotë.

Shefqet Turgut Pasha u kthye në Veriun e Shqipërisë më 11 Maj me 8000 ushtarë. Me të mbërritur në Shkodër, ai lëshoi një deklaratë të përgjithshme që shpalli përsëri Ligjin Ushtarak dhe ofroi amnisti për të gjithë kryengritësit nëse ktheheshin menjëherë në shtëpitë e tyre, përveç krerëve të Malësorëve. Pas muajsh luftimesh intensive, kryengritësit u bllokuan dhe u arratisën në Mal të Zi.

Më 23 Qershor 1911 në Gerçë të Malit të Zi u mbajt kuvendi i krerëve të fiseve të kryengritjes për miratimin e Memorandumit të Greçës. Memorandumi u firmos nga 22 pjesëmarrës, katër nga fis i Hotit, Grudës dhe Shkrelit secili, pesë nga Kastrati, tre nga Klemendi dhe dy nga Shala. Kërkesat e memorandumit përfshinin:

-Amnisti të përgjithshme për të gjithë pjesëmarrësit në kryengritje

-Njohja e etnisë Shqiptare si etni më veti

-Zgjedhja e deputetëve të etnisë Shqiptare për parlamentin Osman sipas sistemit proporcional

-Gjuha Shqipe në shkolla

-Guvernatori dhe zyrtarët e tjerë të lartë të emëruar duhet të dinë gjuhën Shqipe dhe të gjitha pozitat e tjera në administratë duhet të rezervohen vetëm për personat e përkatësisë etnike Shqiptare.

-Burrat Shqiptarë etnik të shërbejnë vetëm në Shqipëri në kohë paqeje

-Të kthehen armët e konfiskuara dhe të kompensohet e gjithë pasuria Shqiptare e dëmtuar nga trupat Osmane.

Gjatë Rrethimit të Shkodrës, Hasan Riza Pasha, Jak Sereqi, Alush Lohja dhe Esat Pasha, u dërguan Malësorëve dy mesazhe ndihme, nëpërmjet Kuvendit të Rubikut. Mesazhet, të shoqëruara me garancitë e Jak Serreqit dhe ato të Austro-Hungarisë, udhëzonin malësorët që të sulmonin nga pas trupat malazeze, duke qënë se në kalanë e Shkodrës ishte ngritur flamuri Shqiptar. Një pjesë e Malësorëve të Malësisë së Madhe, të detyruar të emigrojnë në Mal të Zi në kohën e kryengritjes së vitit 1911, kishin bërë kauzë të përbashkët me Malin e Zi dhe kishin marrë pjesë në luftën kundër ushtrisë Turke, por nuk pranuan të përdoreshin nga Malazezët si forcë goditje për të hapur rrugët drejt Shkodrës.

Ushtria Turke për mbrojtjen e Shkodrës, nën komandën Hasan Riza Pashës, përbëhej nga divizioni i 24-të i Korpusit I të Kostandinopojës, Divizioni i Gardës së Kuqe të Shkodrës dhe Divizioni i Elbasanit, një regjiment roje, dy regjimente artilerie me 72 topa, një regjiment artilerie malor me 36 topa dhe 1 skuadrilje kalorësie. Këta forca ishin sjellë më parë në Shkodër gjatë revoltave të viteve 1910 dhe 1911, nën komandën e Shefqet Turgut Pashës, për shtypjen e Malësorëve.

Kryengritja e vitit 1911 është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë Shqiptare dhe veçanërisht të Shkodrës. Shkaktarët e kësaj kryengritjeje ishin veprimtaria e paparashikueshme dhe e paqëndrueshme e qeverisë Xhonturke në Shqipëri, e cila rezultoi në trazira dhe kryengritje të përgjithshme në vend. Tendencat Pan-Islamike dhe propaganda Anti-Katolike e Osmanëve, si dhe qëndrimi i pasinqertë i qeverisë së vilajetit të Shkodrës ndaj marrëveshjeve të vitit 1910, i nxitën Malësorët në një kryengritje me karakter kombëtar dhe një formë aleance me Malin e Zi.

Kryengritja shpërtheu nga shkeljet e përsëritura nga qeveria Osmane të autonomisë të krahinave. Ajo u provokua nga një mori ligjesh të shpallura nga qeveria e re, e cili pretendonte të zbatonte një politikë të ashpër fiskale për një popullsi jashtëzakonisht të varfëruar, vendosja e taksave jashtëzakonisht të rënda, rekrutimi me forcë i Shqiptarëve në Ushtrinë Turke, vazhdimi i procesit të çarmatimit të plotë të popullsisë Shqiptare, shtrirja e kontrollit absolut mbi të gjithë Shqipërinë, duke përfshirë ato rajone që kishin gëzuar gjithmonë autonomi. Kjo krijoi një situatë të dëshpëruar për popullatën Shqiptare, veçanërisht në Malësi, si në aspektin e të drejtave politike ashtu edhe në atë shoqërore. Kjo ishte situata e përgjithshme e krijuar në vilajetet Shqiptare, për shkak të politikës “Osmanizuese” që kishte ndërmarrë qeveria e re.

Në këtë rajon, situata u përkeqësua me shpejtësi, pasi u ushtrua dhuna dhe diskriminimi mbi ekzistencën e disa të drejtave të paracaktuara të karakterit ekonomik, social dhe kulturor-fetar, të fituara ndër shekuj nga popullsia Malësore. Procesi i Osmanizimit të detyruar nënkuptonte jo vetëm një thellim të mëtejshëm të statusit të malësorëve si vartës, por zhdukja e këtyre të drejtave të paracaktuara pati pasoja të drejtpërdrejta në përkeqësimin e gjendjes së tyre ekonomike dhe sociale.

Nga ana tjetër, për Shqiptarët, sidomos për Malësorët, ndikoi shumë edhe dorëzimi i armëve. Kjo shpallte nënshtrimin e tyre ndaj një armiku shekullor, pasi mbajtja e armëve pa iu nënshtruar kontrollit apo kufizimeve të qeverisë ishte një privilegj shumë i vjetër që ata e kishin ruajtur ashpër. Armët e tyre përfaqësonin një sistem shoqëror që mbronte dhe respektonte nderin e Malësorëve, prandaj ata nuk ishin të gatshëm të bënin lëshime.

Megjithatë, shkaku kryesor i kryengritjes së Malësorit të vitit 1911 ishin zhvillimet politike, ekonomike e shoqërore, kriza morale e nxjerrë në dritë nga procesi i ripërtëritjes politike që përfshiu perandorinë, nga liria e shprehjes që shoqëroi papritur këtë proces, dhe nga zhvendosja e thellë e interesave ekonomike të shkaktuara nga ardhja në pushtet e Xhonturqve. Malësorët, që kishin luftuar me këmbëngulje për rikthimin e Kushtetutës, nuk mund të toleronin që po kjo kushtetutë të përdorej si mjet në kundërshtim me parimin e kombësisë, të cilin vetë e miratonte. Dhe meqenëse qeveria Osmane do ta përdorte këtë Kushtetutë për të shkatërruar Malësorët, Malësorët do ta shkatërronin këtë Kushtetutë.

Kjo është arsyeja pse, duke u gjetur mes armiqve shekullorë që kishin luftuar ashpër dhe kishin derdhur gjak kundër vitet e fundit, dhe aleatëve që kishin gjetur në rrethana të pafavorshme në Mal të Zi, një pjesë e Malësorëve vendosën që të luftojnë në anën Malazeze në vitin 1913, gjatë rrethimit të Shkodrës.