Nga: Nosferatu
“… kur njerëzve ju hup shpresa, nuk duhet me ja u kthy shpresën. Kur njerëzve ju hup shpresa duhet me ja u kthy guximin, se kur e ki guximin t’vjen shpresa, a kur nuk e ki guximin shpresa është iluzion… kurrsesi nuk mund të ecim përpara me at flamurin lara lara… ne nuk mund ta tradhtojmë at që jemi, ne duhet ta bëjmë at që duam ta kemi… të dashur qytetarë… te bashkimi kombëtar, bashkohen populli, politika dhe republika… përgjithmonë… gjithnjë… të gjithë… ne… secili… kudo… kurdo… sot… e për shumë mot… rroftë republika dhe shoqëria, rroftë qytetaria dhe mbarë Shqiptaria!”
Këto tha Albi ndër të tjera atë ditë të ftohtë nëntori. Fjala e tij ndezi zemrat e shoqërisë në afsh… shpërthyen… të njejtat… duartrokitje… brohoritje… të sinkronizuara… me të cilat… pardje… dje… sot… prej pushtimit Jugosllav… në këtë përvjetor jubilar… kishin përcjell… të gjithë… prijësit e vet… nga skenat e tubimeve madhështore… që… shkrinë… borën!
Disa fshatarë të pa identifikuar por gjithësesi pjesë e mbarë Shqiptarisë, ishin pozicionuar mbi skllotë dhe shikonin Albin me vëmendje teksa subjektet organizatë u rivetëvendosën shpejt e shpejt duke formuar me trupat e tyre një Frankenshtajn nga i cili Albi do të futej si tubues i madh dhe do të dilte i maskuar si një fotograf i “rëndomtë”.
Shikuesit mundën ta pikasin këtë akt penetrimi transfigurativ, ata personalisht i kishin hyrë institucioneve si Ademë luftëtarë dhe u kishin dalë Ibrahimë, shpallës “pavarsishë”.
Kështu zuri fillë ndjekja…
Atbotë Albi kishte guximin e nevojshëm për të çarë turmën i vetëm, por i mungonte përvoja duke qenë se prej fillimit ai i kishte udhëhequr turmat. Prirjet artistike dhe avancimi teknologjik, e nxorri atë zbuluar në syrin reaksionarë të mësuar me lokalizimin dhe asgjësimin përfundimtar të progresit.
Shkurt, e tradhëtoi njëfarë teprie fisnike.
Një bast i keqvendosur… nuk i kishin treguar se pjesa tjetër e masës qytetare nuk dispononin ende aparatë fotografik. Ata vërtetë kishin vetëvendosur kontaktet e para me letrat (falë Albit), por… meqë i shmangnin aktivisht detyrat e shtëpisë, tani duhej të prisnin 376 vjet shfaqjen e natyrshme të fotografisë.
Në të dalë të afshit qytetar… atje ku niste hapësira skllotore Prishtinase, “Newbornëzimit” do ti jepte përfundimisht kuptim… gjë që kërkon intimitet… për ta ngritur këtë akt në sublim.
Albi ngriti aparatin… me gishtin që sapo ju kishte treguar mbarë shqiptarëve udhën drejt bashkimit kombëtar, e shkrepi “shkrrk, krrk”… dhe artisti u bë…
(jehona subjektive organizative përshkon hapsirë-kohën në ç’do drejtim si neutrino… psherëtimthi: u kon…kon…kon…artist…t…t…)
“Shkrrk”
Glasat e shpërndara të sorrave në trotuar, ndërthuren porsi në një tablo Pollokiane. Krejt rastësore… primordiale… njëkohësisht simfonike.
“Shkrrk”
Portreti i libra-shitësit plak. Plisi si fortesë mbi ballin me rrudha, dëshmi të historisë së pashkruar shqiptare para-Albiane dhe tensioni i mustaqeve të anasjellta ç’orientojnë shikuesit politikisht.
“Shkrrk”
Kambalet e shklyera të Albit vetëvendosur në skllotë. Jo si të Lulit sepse ato ishin tollumba, as si të Van Gogut që shpërfaqin mardhëniet katundare me tokën, këto ishin kambale urbane… politike. Kishin kaluar rrugë e trotuare të minuara, për të mbjellë farat e bashkimit kombëtar dhe spërkatur me helm korrupsionin “enorm” që kacavirrej ndër “republikë” si hardhi demonike… dhe goma e shklyer thërriste: Tash ka shpresë!
Qyteti shprehte veten nëpërmjet Albit.
Subjektet organizatë nuk do mund ta dëshmonin sublimen në aksion për së gjalli. Ata i patën epifanitë me të dëgjuar në xhamitë qytetase ku hoxhallarët u kishin zbuluar ekzistencën e subjektit absolut (legjendën e Albit), si për tu justifikuar që s’kish mbetur më absolut ndërkohë që mbushnin këta me organizatë.
Nderkohë… qëndronin organizëm, të mplekusur si Frankenshtajn mes turmës qytetare, tash duke shpresuar ardhjen e hoxhës për ti rikonfiguruar në mënyrë që gjatë ç’vetëvendosjes të mos fitonin autonomi.
Ndryshe nga subjektet organizatë, shikuesit kishin frekuentuar xhamitë e fshatit dhe s’ishin të përgatitur ti kuptonin gjërat as post-modernisht e as transhendentalisht. Lidhja e fortë me tokën rezultoi e pazgjidhshme edhe pas filtrimit institucional, kështu që gjurma sublime këtë herë kontrastoi edhe më fort mbi peisazhin fushor të imagjinatës së tyre.
Profeti hazreti Ibrahimi origjinal, arkitekt i njohur pavarsishë dhe shpikësi i rezistencës pasive, i kishte lënë amanet zotit Burns (atbotë kryetar i “republikës”) pikërisht… Albin!
Por revolucionet cënonin arkitekturën e “republikës”, prandaj revolucionarët ishin pasë shpallur gjithmonë të paligjshëm.
Atëherë zoti Burns si “guardian” i konstitucionalizmit dhe rezistencës pasive kishte menduar ta kapte Albin me duar fshatarësh ende aktiv (nga natyra).
… Albi ishte bërë tashmë absolutisht fotografi (fotografi i fotografit). Kjo prodhoi një konfuzion të thellë kushtetues sepse ligji Ibrahimik nuk e njihte fotografinë si kundravajtje, në fakt siç e ceka më parë nuk e njihte fare.
Urdhri qe i qartë: Albi duhej kapur në vetëvendosje e sipër.
(Për tu filtruar, duke u rehabilituar më pas si konstitucionalist.)
“Shkrrk”
Albi zhvetëvendosej me përshpejtim fotografik absolut nëpërtej historie… kudo… kurdo… sot… koha ndali një çast… Albi u personalizua…
Djali që mësoi të flasë paqësisht në Midis, mori guximin ti shtie armikut (të jashtëm dhe brendshëm) me fjalë si predha maleve e fushave imagjinare Kosovare në Kurriz, kishte përfunduar i vetëvendosur te Qafa, atje ku piqej politika (dhe Qebabat më të shijshëm në Prishtinë).
Profecia Ibrahimike nisi të nisë.
Posteri i madh “Tash Ka Shpresë” që mbulonte fasadën e xhamisë bazë nisi ti dukej i dyshimtë… qe pak si shumë fisnik… u kthye instinktivisht për ti zënë gafil fshatarët matanë rrugës tek e shikonin me qebaba në duar (gjatë sorollatjeve të Albit, ata kishin pasur kohë të ndalonin te Tara për të marr nga një 10-she).
“Shkrrk” (për herë të fundit)
Qebabat e Tarës ishin të pangatërrueshëm, gjurma që shpaloste komplotin e madh…
Ata qebaba qenë bërë shqetësim për Albin prej kohësh, për arsye tjetërfare. Njëri nga shpendët e tij kish rënë pre e aromës ndjellëse gjatë fluturimeve xhami-bashki dhe ishte ngulur te Tara porsi trumcaku te qimja e shtazës parahistorike, duke u trashur aq shumë sa nuk mundi të fluturojë më kurrë (ndryshe nga shpendi tjetër, bufi i Athinasë që fluturonte vetëm në muzg, pra pas orës 16:00 kur Tara mbyllte dugojën).
Më pas do zbulohej se qebabi kishte edhe veti të lashta anti-sugjestive. Ngrënia e qebabit, nxirrte eksponencialisht në pah babën (siç do ta shpjegonte dhe hoxha, epistemologjikisht: qe baba), duke ndarë përfundimisht subjektin absolut “ide-babë” në “ka babë, por ka dhe ide”. Kjo vogëlsi në pamje të parë në fakt kishte implikime “enorme” sepse ja hiqte legjitimitetin subjektit absolut për të vetëvendosur krytarët e tij.
Qebabat dolën të ishin nyja Gordiane që lidhte fshatarët shikues me një grup fisnikësh Vetëvendosës të cilëve Albi ja u kishte toleruar ngrënien e qebabit fshehtas nderkohë që subjekteve të thjeshtë organizatë ju lejohej vetëm byreku (jo më kot). Këta, duke mos e kuptuar konceptin sipas Hegelit por si paketim produkti paraqitur klientit, rrezikonin të konvertonin mbarë partinë.
Albi u ngjit në xhami i vetëdijshëm… ndjekjes i erdhi fundi… urdhri ishte aktivizuar… shikuesit sinjalizuan… hordhitë fshatare vërshuan… subjektet organizatë vetëvendosën trupat e tyre edhe një herë në mbrojtje të subjektit absolut… disa shuplaka mjaftuan… Albin e shoqëruan… aparatin e konfiskuan… Rruga për te “Ponc Pilati” këtë herë do përshkohej me “kombi fa-ve”…
Muzg…
Sorrat ja morën këngës së tyre psy-trance…
Tara po i vinte dryrin dugojës…
Në labirintet e lagështa të drejtësisë Kosovare, disa Ibrahimë arkivistë etiketonin provat e mbledhura në vendngjarje, por kur i erdhi rradha aparatit fotografik i kaploi konfuzioni. Duke mos ditur ç’të bënin me këtë objekt të huaj, vendosën përfundimisht ta fusnin në qese pa etiketë dhe ta linin në raftin e mykur të mostrave tulifare që ende prisnin forenzikën.
Errësira mbuloi qelinë e paraburgimit si një pëlhurë mistike. Në thellësi të territ Albi diç nuhati… një fragrancë profetike e futi në qerthull transhendental: Po ta martirizonin vallë? Si mund të dilte martir i gjallë nga kjo histori? A ishte i mundur martirizimi i këtij le të themi… me trupin e dikujt tjetër? Si njëfarë Ibrahimi… Subjekte organizatë kishte me bollëk…
“BRRAM”
Befas pas gilinderave të dritares porsi Hedwigu u përplas bufi i Athinasë duke ndërprerë këtë valle mendimesh të kobshme për të kontrabanduar letrën që do të ndryshonte gjithçka, përgjithmonë.
“Beso, kontrollo”
E vërteta qe se atë muzg bufi nuk kishte takuar Hegelin si zakonisht, por para-para-rojën. E meqë situata qe ekstreme, duhej referuar ekstremisht… Albi i përthithur prej ca kohësh nga literatura për organizim partishë, kujtesën filozofike e pat të zbehur… pandehu se ato fjalë erdhën vërtetë nga Hegeli…
Pak para agimit bufi u kthye me verdiktin e subjektit absolut:
Të ndalohet rreptësisht qebabi… të gjithë subjekteve organizatë “dikusha” i duhej vetëvendosur nga një “askush” poshtazi. (Nga kjo punë nuk shpëtoi as kryetari, mik i vjetër që e pat vetëvendosur personalisht në besim e sipër.)
“Ponc Pilati” e fali Albin (thjeshtë Albin ama) dhe ai doli nga paraburgimi me kollare… ashtu siç parathonte profecia…
Kalvari i ngjarjeve në periferi të profecisë vazhdoi vite me rradhë, por asgjë nuk mund ta ndalte më “kismetin”… as pyetja fatale “e ai muti?” që hapi dyert a Janusit në facebook, duke prodhuar skizmën e madhe. Lufta e përfjalshme mediatike i ktheu “dikushat” qebabistë bashkë me spiunët e tyre byrekistë në analistë “eternal”, e “askushat” në bojkotues të anasjelltë kafiqash.
Në tymin e luftës mizore do të humbnin përfundimisht rrugën kah bashkimi kombëtar, shokët kryetarë, Paul Randi, Hegeli etj… ndërsa viktimat do rimishëroheshin (idealisht) për tu shfaqur nga tymnaja si martiri i gjallë, Ibrahimi i dytë, “old school” njëkohësisht “newborn”, i transfiguruar plotësisht mbi varrin e parardhësit të tij.
Albi tashmë ishte profeti 51%-ç i kosovarëve.
…rrugës për Prishtinë, taksixhiu Fushë-Kosovarë i lëshoi turistëve këngën që ja kishte kompozuar personalisht profetit. Duke treguar me krenari se disa kompani anonime farmaceutike i kishin “donuar” plot katër mij euro për këtë (pesë me gjithë bendin).
Ekonomia, kultura e krejt po merrnin drejtim pra… por…
Falangat e subjekteve organizatë demantonin pa pushim sulmet e pafundme nga forca të errëta (kosovare, shqiptare, serbe, amerikane, ruse, franceze, pekineze, etj) që synonin ta shkatërronin profetin.
Kjo luftë hibride e kishte kthyer gjithë qeverinë në një fabrikë të madhe demantimi dhe subjekteve organizatë u kishin zënë gishtat kallo duke “sheruar” komunikatat që vinin nga xhamia paçka se dieta strikte e byrekut po shkaktonte një epidemi skërbuti ndërkohë…
… Presidentja e kishte lënë “Sachin” për të filluar “private-partin” në Soma…
… Liridonin, demantuesin vullnetar nga Shllapuzhani e sulmonin para gjumit mendime subversive… pse mos ti kishte nja dy banesa te Marigona?
Një ashensor i personalizuar u shfaq palidhje diku në Taslixhe…
U mbars mali dhe polli një m…
Po me fotografitë ç’u bë?
Gojëdhëna thotë se aparati fotografik u zhduk nga rafti i mykur i mostrave si me magji, për mos tu kthyer më kurrë… subjektet organzatë thonë se e bënë sabotatorë nga regjimi i vjetër… të tjerë thonë shkijet… të tjerë CIA… qarkullon edhe një teori se e ka blerë Behgjet Pacolli për dyqind milion euro…
Ndërsa unë them: sa gjynah…
Po ti ç’i thua kësaj?