Tipari më i papëlqyeshëm i luftës politike është me gjasë, vetë rrjedha e saj. Pozicionet ndërrohen, rikonfigurohen, përgjatë ndërveprimesh militantësh, deputetësh, mbështetësish dhe nevojash të qytetarëve. Lufta politike është një rrjedhë e pandalshme, udhëtari përmes rrjedhës është si ajo varka pa vela midis një oqeani të rrëmbyeshëm.
Mirëpo ekziston një gjë edhe më e kotë sesa përpjekjet për të manovruar brenda rrjedhës së luftës politike. Komenti, opinioni. Të dyja jo me interes publik, jo në shërbim të së vërtetës, të së mirës, por një rikujtim i përhershëm i natyrës së luftës politike në kuadër të partishmërisë.
Partishmëria e gllabëron politiken. Sidomos, partishmëria në Kosovë, është një varg këputjesh dhe tërheqjesh të cilave përkufizimi “politike” nuk u takon. Pika e fundme e referencës së partive në Kosovë, është gjetja e një udhe të sigurt drejt pushtetit, në përpjesëtim të drejtë me kërkesat e komunitetit ndërshtetëror. Në përpjesëtim të drejtë me kërkesat e ngrehinës brendashtetërore për të mos i trazuar ujërat atje ku duhet, por vetëm sa për të cekur sipërfaqen, sa për të mbajtur gjallë bisedën, kakofoninë, apo të tjera.
Interesi publik në Kosovë shfytyrohet në dy kahje. Së pari kemi interesat vetjake të aparatçikëve, nga njëra anë. Nga ana tjetër kemi zulmën popullore që shërben si përqendrim i emocioneve të kolektivit, emocione që duhen segmentuar, shfrytëzuar, ngrehur e ulur sipas situatës, ngjarjes, ku gjesti “politik” është i zhveshur nga çdo rrjedhë logjike.
Vlerat e demokracisë në këtë rast, do të ishin, opinioni, komenti, shfryrja, cinizmi, fatalizmi. Askund ndonjë e vërtetë, ndonjë e mirë, ndonjë objektivitet në gji të destinit të Shtetit të Kosovës. Fundja kështu u leverdis aparatçikëve. Na lini të luftoni, qajnë aparatçikët, na lini të jemi të sigurt vetëm për ekzistencën tonë individuale dhe fisnore, qajnë aparatçikët. Çdo gjë përtej nesh, Zoti e ka në dorë, dhe po mos e pat, aq na bën!
“1. Partitë politike janë makineri të prodhimit të pasioneve kolektive.
2. Partitë politike janë organizata të krijuara për të ushtruar presion kolektiv tek mendjet e anëtarëve.
3. Qëllimi i parë dhe i fundit i çdo partie politike, është zhvillimi i partisë, pakufi.”[1]
Nisur prej këtyre tre parimeve, po të heqim fjalën “politike”, ngelemi tek partitë. Ngelemi tek klanet. Disa klane të shpërndara aty-këtu, që teksa vringëllijnë shpatat mes tyre, nuk harrojnë se “qëllimi justifikon mjetet”. Lufta ishte jetë a vdekje, kjo tjetra është midis një jete më “të lartë” dhe një jete më “të ulët”.
Partive në Kosove mund t’u atribuohet vetëm një ideologji. Mbijetesa e klanit, shumëfishimi i klanit, krijimi i një nën-klani mbështetësish që do të ushqehen me thërrmijat e kupolës klanore. Mbijetesa biologjike e klanit është përtej çdo interesi publik, çdo interesi shtetëror, dhe mbi të gjitha, përtej çdo interesi kombëtar, pasi ky i fundit do t’i shpërbënte disa klane.
“Paramendoni: nëse një anëtar partie (deputet, kandidat apo veprimtar i thjeshtë) do të zotohej publikisht, ‘Sa herë që do më duhet të shqyrtoj ndonjë problem politik ose shoqëror, betohem se do të harroj se i përkas një grupi të caktuar politik, shqetësimi im i vetëm do të jetë dhënia zgjidhje e problemit, në të mirë të interesit publik dhe të drejtësisë” [2]
Në qoftë i vërtetë betimi, zbatimi është e sigurt që nuk do të jetë. Kaq për luftën pseudo-politike në Kosovë. A do ishte mirë të shfuqizoheshin të gjitha partitë politike siç thotë Ëeil? Kjo do ta trondiste sistemin deri në palcë, mirëpo nuk do ishte udha e duhur, sepse do të kërcënonte përkohshmërinë e domosdoshme të shtetit të Kosovës. Ne si kombëtaristë besojmë në një përkohshmëri të domosdoshme të atij shteti, pasi qëllimi përfundimtar është shkrirja e tij në shtetin amë të Shqipërisë.
Rruga më e mirë do të ishte tejkalimi i rrjedhës së luftës politike, për ta shpënë një pjesë të shoqërisë, lart, nëpër retë e mendimit që na dërgon tek kthjelltësia, tek kapja e një të vërtete. Por edhe ky propozim përmban një vlerë të pjesshme teksa populli “do bukë, ujë, dhe kungullin me verë” e kjo kërkesë nuk është pa rëndësi. Kjo në fakt është kërkësa më e themeltë, pa të cilën, arratia ndër re është e pamundur, është përnjëmend e pamundur. Thua, një familjar do ta lërë familjen të vdesë urie për hir të mendimit, veprimit, së vërtetës, etj? Haha.
Pa rëndësi janë llomotitjet mediatike, llomotitjet partiake dhe militanteske, zhurmë e shkuar zhurmës, që na shqetëson, na huton, dhe na zhyt në moçalin e vringëllimës së shpatave.
II
Albini përballë Opozitës
Albini dhe ndjekësit e tij bënë gabimin e pallogaritshëm – sapo u shndërruan nga lëvizje në parti.
Ndërkaq, ia vlen të thuhet se Albini qëndron i vetëm përballë gjithë Opozitës, sepse Opozita s’është tjetër veçse dordoleci në duart e Albinit, pjesëtarë të një loje shumë të madhe, së cilës nuk i gjendet fill e mbarim, lojë e orkestruar nga Albini, lojë e mirëmbajtur nga Albini. Do bëhem shkurtimisht “avokat i djallit” këtu, për të paraqitur një tezë timen mbi kotësinë totale të rrjedhës “politike” në Kosovë. E kam paraqitur edhe diku tjetër. Mirëpo këtu do të bëhet publike.
Opozita e tanishme në Kosovë ndodhet në një pozicion të ngjashëm me pseudo-opozitën hallakamë të Lulzim Bashës që e dërgoi PDn në minus 70.000 vota. Opozita në Kosovë nuk është as proaktive, dhe as e thellë.
Albini në këtë mënyrë do vazhdojë të mbajë skeptrin e pushtetit, me një opozitë të këtij kalibri. Vetëm nëse opozita është e vetmja kundërshti me të cilën do të përballet. Vijmë tek erërat e një krize energjitike…
Opozita reagon ndaj Albinit, ashtu siç pat reaguar në Shqipëri, opozita ndaj Ramës. Të gjithë reagojnë, askush nuk di të ndërtojë terrenin e tij.
Mirëpo për të ndërtuar terren, duhen ide, duhet IDEOLOGJI. Duhet mendim që të shpie tek IDEOLOGJIA. Mirëpo partitë në Kosovë i mbysin filizat ideologjike që në djep. Ky është rrethi-vicioz që pllakos luftën e klaneve, e cila ka arritur përmasën e pazareve vulgare, përmasën e rradhëve të mercenarëve në një fushëbetejë, që ndërrojnë kahje sa herë ndërrojnë interesat vetjake.
Të paktën prania e IDEOLOGJISË duhet pretenduar, ashtu siç dikur Albini pretendoi të ishte kombëtarist. Ashtu siç dikur brenda partisë së tij mbijetonin së bashku fraksioni marksist dhe ai islamist. Tashmë, fraksioni islamist i bën presion Albinit, sepse fundja, nuk mund të presësh që fraksionet IDEOLOGJIKE të heqin dorë nga idetë në të mirë të kohezionit partiak.
Plani për t’i përqafuar të gjithë, dështoi. Bashkë me dështimin e planit, Albini dhe ndjekësit e tij më besnikë kanë filluar të shijojnë kumbullat e tharta të pasigurisë.
Le t’i jemi mirënjohës kohëve që Amerika ende ekziston, pasi klanet nuk do të largohen, veçse me urdhër nga jashtë. Mediat që i mbështesin gjithashtu nuk do të largohen, veçse me urdhër nga brenda.
Loja është e madhe, e ndërlikuar, shumëfaktorëshe, njëherazi krejtësisht e kotë për tu ndjekur, sepse qëllimi fillestar dhe përfundimtar është fitorja e klanit /tim/ përkundër klanit /tjetër/
Vijmë tek tharmimi i mendimit, i parakushtit për veprim, i parapërgatitjes për reflektim.
III
Përtej Partishmërisë
Neve Shqiptarëve nga të gjitha anët e kufirit na duhet urgjentisht një kultivim i truve të kokës, gjë që do na mundësojë të mirëpresim edhe një vizion përtej partishmërisë së tanishme. Niveli i ligjërimit duhet të ngrihet, duhet ngritur niveli i debatit. Jo sepse këto zgjidhin ndonjë gjë konkrete, por na ofrojnë piketa, rrugë, çarje nëpër të cilat mund të depërtojë ajo që në të nesërmen do të jetë elitë mbarëkombëtare. Si elitë, do të jetë e pakët, por e domosdoshme. Zhurma u leverdis të gjithëve. Përtej zhurmës është fjala, përtej fjalës, është arsyeja, përtej arsyes është e mira. Përkundër saj është e keqja. Normalizimi i pazareve, është zhurmë, është anti-demokratike, është kundër interesit publik.
Edhe për ne që nuk besojmë në demokraci, tymi dhe mjegulla janë bërë të padurueshme, duhet një freskore tepër e madhe për t’i shpënë sa më larg. Udha është e gjatë, e vështirë, e të tjera si këto.
Tung.
- Simone Weil: On The Abolition of All Political Parties ↑
- Simone Weil: On the Abolition of All Political Parties ↑