Nick Land – Kritikë e Mjerizmit Transhendental

Ekziston një prirje ndërmjet neomarksistëve për t’i varrosur njëherë e mirë të gjitha aspiratat drejt ekonomizmit pozitiv (‘çlirimi i forcave të prodhimit nga marrëdhëniet kapitaliste të prodhimit’) dhe për t’i zëvëndësuar me një dëshpërim kozmik të pakufijshëm.

Kujtojeni kërcënimin që Hrushovi i bëri Perëndimit gjysmë-kapitalist – “do t’ju varrosim”. Apo premtimin e Maos, që Hovi i Madh Përpara do ta dërgonte ekonominë Kineze përtej asaj të Mbretërisë së Bashkuar brenda pesëmbëdhjetë viteve. Tashmë sundon fryma e Shkollës së Frankfurtit: duhet pranuar se kapitalizmi do t’i nxjerrë jashtë lojë të gjithë konkurrentët, pavarësisht rrethanave, në të njejtën kohë ky pranim shndërrohet në njëfarë mallkimi të ri (zhvillimi gjithsesi nuk na duhej, sepse pjell tëhuajësim, pastaj, a e dini që arinjtë polarë po mbyten…?).

Fillojmë me librin “Le Voyage” të Baudelaire, ku zbulojmë të pikëlluar, përsëritjen universale dhe të pafundme të mëkatit njerëzor, madje dhe në vendndodhjet më ekzotike. Vazhdojmë me një lexim majtist të librave të Philip K Dick, si një dënim Gnostik të ndryshimit të komercializuar. Shumëllojshmëria dhe risia kapitaliste tërësohet si dallim pa dallim thelbësor, veç pangjashmëri e njejtë dhe e pakuptimtë. Kryemjeshtri i kësaj lëvizjeje është Arthur Schopenhauer, që i ofroi rreptësinë e filozofisë, duke e shpënë në tonalitetin e njohjes transhendentale. Meqë koha është burimi i vuajtjeve tona – “Burgu i Hekurt i Zi” prej Philip K Dick – si mund të kemi pritshmëri për t’u shpëtuar në vazhdën e çfarëdolloj evolucioni?

Kështu, Mjerizmi Transhendental kushtetohet si një mënyrë e pathyeshme e mohimit. Nuk ka asnjë mbetje substanciale të historicizmit Marksist në versionin ‘komunist’ të këtij qëndrimi.

Në fakt, me braktisjen e historisë dhe të ekonomisë, gjithë çka mbijeton prej Marksit është një vandak psikologjik mllefesh dhe pakënaqësish, të reduktueshme në fjalën ‘kapitalizëm’, e përdorur në mënyrë të vagëllt dhe negative, për të shenjuar çdo gjë që na lëndon, na vë në lojë, apo na zhgënjen.

Për Mjeristin Transhendental ‘Kapitalizmi’ është vuajtja e dëshirës së rrënuar, fjala e duhur për gjithçka që mund të dëshirohet në kohë, një tallje e patolerueshme, natyra përfundimtare e të cilit demaskohet nga vegimtarët Gnostikë si humbje, dobësim, dhe vdekje; dhe në të vërtetë kapitalizmi duhet bërë objekt i këtij denigrimi të mllefosur, jo pa arsye. I pa kapur me gjëkafshë veçse bollëkut të tmerrshëm, kapitalizmi identifikohet me dëshirën, në një shkallë që nuk mund të kapërcehet, paturpësisht në kërkim të çfarëdolloj impulsi që mund të kontribuojë në rritjen e shtysës ekonomizuese, në drejtim të nismave vazhdimisht shumëfishuese të prodhimit.

Kërkofsh, dhe kapitalizmi do jetë gjithmonë mënyra më e sigurt për ta gjetur. Nëpërmjet përthithjes së çdo burimi të dinamizmit shoqëror, kapitalizmi e shndërron zhvillimin, ndryshimin madje dhe vetë kohën në përbërës integralë të një batice pafundësisht në fryrje.

‘Mbështetni zhvillimin’ tashmë domethënë ‘Mbështetni (fort) kapitalizmin’.

Vështirë për tu kujtuar se njëherë e një kohë, ky ekuacion do konsiderohej i diskutueshëm. Përsa i përket së majtës, ata do e kishin hedhur tutje duke e cilësuar madje qesharake. Kjo është pra bota e re, e përndjekur nga fantazma pesimiste e Mjerizmit Transhendental.

Ndoshta një anti-kapitalizëm “trendy” do të ekzistojë përherë, por secila shije do të dalë jashtë mode teksa kapitalizmi – duke u identifikuar ngushtësisht me vetë-tejkalimin e tij – pashmangshmërisht do të jetë gjithmonë gjëja më në modë. ‘Mjetet’ dhe ‘marrëdhëniet’ e prodhimit janë shkrirë njëherazi në rrjete konkurruese të decentralizuara, nën kontroll numerik. Shpresat e paleomarksistëve për të nxjerrë një të ardhme post-kapitaliste nga makineria e kapitalizmit, bëhen gjithmonë e më të paimagjinueshme.

Makineritë janë vetë-sofistikuar përtej mundësisë së përdorshmërisë socialiste, ato mishërojnë mekanikat e tregut përbrenda plasaritjeve të tyre, të montuara nëpër plasaritje ku e vetmja përmasë që vlen është nanometrika. Makineritë janë vetë-përparuar përmes algoritmesh pothuaj-darviniste, që ndërtojnë njëfarë hiper-konkurrence në gji të ‘infrastrukturës’. Jo vetëm shoqëria, por edhe koha ka marrë ‘rrugën e kapitalizmit’

Kështu që, ja silogjizmi i Mjeristit Transhendental: Koha është në anën e kapitalizmit, kapitalizmi është çdo gjë që më trishton, prandaj Koha duhet të jetë e ligë. “Arinjtë polarë po mbyten, s’kemi ç’i bëjmë”

Kapitalizmi vazhdon të përshpejtojë, edhe pse ka arritur të krijojë risi përtej çdo imagjinate njerëzore. Funjda, ç’është imagjinata njerëzore? Është një gjë relativisht e parëndësishme, thjesht e vetëm një nënprodukt i aktivitetit nervor i njërës prej specieve të gjitarëve mbi këtë tokë. Kapitalizmi në të kundërt, nuk ka limit të jashtëm. Kapitalizmi e ka gëlltitur jetën dhe inteligjencën biologjike, me qëllim krijimin e një jete të re, dhe të një rrafshi të inteligjencës krejtësisht përtej pritshmërive njerëzore. Mjeristit Transhendental natyrisht që i ngelet një e drejtë e patëhuajësueshme për tu mërzitur. Kjo na qenka risia? S’është tjetër veçse ndryshim.

Megjithatë, Mjerizmit Transhendental nuk mund të pretendojë se zotëron një tezë pozitive. Ëndrra Marksiste e dinamizmit pa konkurrencë, ishte thjesht e vetëm një ëndërr, një ëndërr e ritheksuar, e lashtë. Ujku i shtrirë së bashku me qengjin, duke jetuar në paqe dhe begati. Nëse kësolloj ëndrrash ia vlejnë të quhen ‘imagjinatë’, atëherë imagjinata s’është tjetër veçse një e metë e species; paketimi i kontradiktave vulgare në fantazi utopike, gati për t’iu hakërryer realitetit në shërbim të një negativiteti steril. ‘Post-kapitalizmi’ nuk ka tjetër kuptim veçse dhënies fund të motorit të ndryshimit.

Jeta vazhdon, dhe kapitalizmi e mbën jetën në një mënyrë të paparë ndonjëherë. Nëse kjo s’mund të quhet ‘risi’ atëhere fjala ‘risi’ është zhveshur e reduktuar ne një dënim të mpakët. Duhet rishpërndarë tek e vetmja gjë që di si ta përdorë cilësisht, tek anomalizimi regjenerativ i fatit, njëkohësisht thirrës i Shoggoth-it[1], tek një mbërje arratisëse e karakterizuar nga një plasticitet i pafundëm, aq sa vetë natyra përkulet dhe shpërbëhet para saj. Tek Gjëja[2]. Tek Kapitalizmi.

Nëse këto rrugë i shpien Mjeristët Transhendentalë drejt palumturisë, e vërteta është: çdo gjë do t’i bënte të palumtur.

  1. Krijesë e shpikur nga autori i horrorit kozmik, H.P.Lovecraft
  2. Film fantashkencë-horror
Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2022
  • Post author:
  • Post category:Ezoterikë