Nassim Nicholas Taleb – “Intelektual Porse Idiot”

Shkëputur nga libri “Skin in the Game” me autor Nassim Nicholas Taleb

Në mbarë botën ka plasur një kryengritje. Vërehet prej Indisë e deri tek Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të. Kundër rrethit të brendshëm të atyre politikëbërësve kalemçinj, që ngurrojnë të rrezikojnë lëkurën, kundër gazetarëve-insajdera, kundër asaj kaste ekspertësh gjysmë-intelektualë dhe paternalistë, të pajisur me njëfarë diplome-etiketë, të llojit Ivy League, Oxford-Cambridge e të tjera si këto. Janë këta që duan të na tregojnë çfarë të bëjmë, si të hamë, si të flasim, si të mendojmë, dhe kë të votojmë!

Mirëpo problemi qendron tek gjysmë të verbërit që ndjekin të verbrit: këta anëtarë të vetëkënaqur të “inteligjencës” s’arrijnë të gjejnë as edhe një arrë kokosi në Ishullin e Arrave të Kokosit, pra s’janë mjaftueshëm inteligjentë për ta përkufizuar inteligjencën, prandaj edhe shpesh bien pre e rrathëve viciozë. Aftësia e tyre kryesore është kapaciteti për të kaluar me sukses provimet e përpiluara nga homologët e tyre.

Punimet kërkimore në psikologji replikohen në më pak se 40% të rasteve, pra kemi të bëjmë me një krizë besueshmërie, këshillat dietike bëjnë prapakthesë pas tridhjete vitesh fobie-ndaj-mbipeshës, analizat makroekonomike funksionojnë më keq se astrologjia, Ben Bernanke bëhet kryetar i Rezervës Federale edhe pse s’ia ka idenë fare risqeve, kurse provat farmaceutike replikohen në rastin më të mirë veç në një të tretën e herëve.

Ngjarje dhe fenomene të këtilla e përligjin më së miri ndjekjen e instiktit stërgjyshor apo këshillave të gjyshes (apo edhe anekdotave filozofike të Montaigne e kësolloj sistemesh të dijes klasike të filtruar nëpër kohë) pasi saktësia dhe besueshmëria e tyre është ku e ku krahasuar me “politikbërjen” e leshkove të diplomuar.

Vërehet që këta burokrato-akademikë të bindur në aftësinë e tyre për të udhëzuar jetët tona, përnjëmend nuk zotërojnë rreptësi disiplinore, qoftë përsa i përket statistikave me natyrë mjekësore apo politikbërjes. Nuk e bëjnë dot dallimin midis shkencës dhe shkencizmit – madje në mendjet e tyre të orientuara kah imazhi, shkencizmi ngjan më shkencor se shkenca e njëmendtë. Le të marrim për shembull, vargun Cass-Sunstein-Richard Thaler, pra këta që duan të na “shtyjnë” butësisht kah disa llojeve të sjelljes. Shumëçka që do të klasifikohej prej tyre si “e arsyeshme” apo “e paarsyeshme” (apo si kategori të ngjashme të devijimit prej urdhëresash apo protokollesh të dëshirueshme) , vjen prej të kuptuarit keqazi të teorisë së probabilitetit dhe përdorimit kozmetik të modeleve të rendit të parë. Gjithashtu priren të ngatërrojnë ansamblin me shumatoren lineare të përbërësve të saj, siç edhe e trajtuam në kapitullin “si të zgjerojmë sundimin e shumicës nga pakica”

Intelektuali Porse Idiot është një produkt i modernitetit, mbërritja e tij është përshpejtuar duke nisur që prej gjysmës së dytë të shekullit të njëzet, e deri në mbizotërimin e tij në ditët e sotme. Krahas tij mbërriti edhe kategoria e gjerë e njerëzve të pashtyllë për të rrezikuar lëkurën e tyre, të cilët kanë pushtuar shumë fusha të jetës. Për ç’arsye? E thjeshtë. Në shumicën e shteteve, roli i qeverisë është pesë deri në dhjetë herë më i madh krahasuar me një shekull më përpara (i shprehur në përqindjen e GDP-së). IPI duket sikur është i gjithëpranishëm në jetet tona, por sidoqoftë mbetet një minoritet i vogël, rrallëherë i hasur jashtë mjediseve të specializuara, punishteve të mendimit[1], medias dhe universiteteve – shumica e njerëzve kanë punë të njëmendta. IPIstit nuk i mbeten shumë mundësi manovrimi.

Bëni kujdes nga gjysmë-eruditi që mendon se është erudit. Ai nuk arrin ta dallojë natyrshëm sofistikën. [2]

IPIsti patologjizon[3] këdo që bën gjëra të pakuptueshme për atë vetë. Pa kuptuar që kufizimi ndoshta qëndron tek paaftësia e tij për të arsyetuar saktësisht. IPI mendon që njerëzit duhet të veprojnë në të mirë të interesave të tyre, dhe që vetëm ai ua di të mirën, sidomos nëse janë “qafëkuq” ose ajo klasë e anglishtfolësve që nuk flet me zanore të acarta, që gjithashtu votuan pro Brexit.

Sapo plebenjtë bëjnë diçka kuptimplotë për ta por jo për IPIstin, ai nxiton t’i quajë “të pashkollë”. Pjesëmarrja në procesin politik është dypërcaktimësh për IPI-n.

Quhet “demokraci” kur i leverdis atij, dhe “populizëm” sapo plebenjtë marrin guximin të votojnë në një mënyrë që kundërshton shijet e tij.

Të pasurit besojnë në parimin “një dollar takse një votë”, humanistët në “një njeri një votë”, Monsanto në “një lobist një votë”, IPIsti në një diplomë Ivy League një votë, diplomë e këmbyeshme vetëm me shkollat e huaja elitare, shtuar këtyre edhe një doktoraturë, pasi janë të domosdoshme për klubin e IPIstëve.[4]

Në aspektin shoqëror, IPIsti abonohet në “The New Yorker”. Kujdeset të mos përdorë llafe turpi[5] në Twitter. Flet për “barazi të racave” dhe “barazi ekonomike”, por asnjëherë s’e ka vrarë mendjen të dalë për birra me ndonjë taksist minoritar (sërish, i paaftë për të rrezikuar lëkurën e tij pasi ky koncept është i huaj për të). IPIstët e Mbretërisë së Bashkuar kanë dalë xhiro me Tony Blair. IPIsti modern ka qenë i pranishëm në më shumë se një TEDx Talk, ose ka parë më shumë se dy të tillë në Youtube. Jo vetëm që ka votuar për Hillary Monsanto-Malmaison, sepse figura e saj është politikisht joshëse sipas një arsyetimi rrethor e ca të tjerëve kësilloji, por gjithashtu është i bindur se idhtarët e kahjes së kundërt, janë të sëmurë mendorë.

Rafti i librave të IPIstit përmban botimin e parë të “Mjellma e Zezë[6]”, mirëpo vetë ai ngatërron mungesën e provave me provën e mungesës. Ai beson që OMGJ-të janë “shkencë”, që teknologjia nuk dallon nga çiftimi tradicional, dhe të gjitha këto për shkak të gatishmërisë së tij për ta ngatërruar shkencën me shkencizmin.

Në përshtatje me natyrën e tij, IPIsti di të lëvizë brenda rendit të parë të logjikës, por jo brenda rendit të dytë (apo më lart) të pasojave. Rrjedhimisht, mbetet krejtësisht i paaftë për t’iu qasur fushave të ndërlikuara. Prej rehatisë së mundësuar nga zotërimi i një shtëpie në periferi dhe të një garazhi dy vendësh, IPIsti mbështeti heqjen qafe të Gaddafi-t ngaqë ky i fundit ishte “diktator”. Pa kuptuar që heqjet qafe kanë pasoja (le të kujtojmë që lëkura e IPIstit nuk rrezikohet – pra nuk preket nga pasojat)

IPIsti historikisht ka qenë i pasaktë në trajtimin e: Stalinizmit, Maoizmit, OMGJ-ve, Irakut, Libisë, Sirisë, lobotomive, planifikimit urban, dietave me përmbajtje të ulta karbohidratesh, pajisjeve të palestrës, biheviorizmit, frojdianizmit, yndyrnave TRANS, Gausianizmit, Salafizmit, Teorisë së Portofolit, Regresionit Linear, Modelit Dinamik Stokastik të Ekuilibrit të Përgjithshëm, projektet e banimit, Genit Egoist[7], Bernie Madoff[8] (para se të dënohej), Vlerës-P. Mirëpo mbetet i bindur në vetvete që “ka të drejtë” përsa i përket mbrojtjes së tezës më të fundit që i ka rënë për hise.

IPIsti anëtarësohet nëpër klube për të pasur privilegje udhëtimi; nëse merret me shkenca shoqërore, përdor statistika pa kuptuar nga rrjedhin (si përshembull Steven Pinker dhe psikolozofyej[9] të ngjashëm); kur udhëton për në Mbretëri të Bashkuar, shkon në festivale të librit; pi verë të kuqe me biftek (asnjëherë të bardhë); besonte që dhjami ishte i dëmshëm mirëpo ka ndërruar qëndrim; pi statina sepse kështu i ka thënë doktori; nuk arrin të kuptojë ergodicitetin, dhe nëse e kupton, e harron pas pak kohe; nuk përdor fjalë të gjuhës Jidishe as kur përpiqet të bëjë biznes; studion gramatikë para se të flasë gjuhën; ka një kushëri kolegu i të cilit njeh Mbretëreshën; s’ka marrë mundimin të lexojë Frederic Dard, Libanius Antiochus, Michael Oakeshot, John Gray, Amianius Marcellinus, Ibn Battuta, Saadiah Gaon, apo Joseph de Maistre; kurrë s’është dehur ndërmjet rusësh; lëre me që s’është dehur deri në pikën e thyerjes së gotave (ose më mirë, të karrigeve); nuk di të bëjë dallimin ndërmjet Hekates dhe Hekubës (që në dialektin e Brooklin domethënë “can’t tell shit from shinola[10]”); nuk arrin të kuptojë që s’ka dallim ndërmjet “pseudo-intelektualit” dhe “intelektualit” përsaqë lëkura nuk vihet në rrezik; ka arritur të përmendë mekanikën kuantike të paktën dy herë në pesë vitet e kaluara nëpër biseda që s’kanë fare të bëjnë me fizikën.

Mbetet përherë i vetedijshëm mbi pasojat në reputacion prej fjalëve apo veprimeve.

Por le ta thjeshtëzojmë edhe më shumë: IPIsti nuk ngre dot pesha

Të Verbrit dhe Qorrat

Po e pezullojmë satirën për pak

IPIsti është i paaftë të bëjë dallimin midis fjalës dhe frymës së gjërave. Është aq i verbuar nga nocionet verbaliste si përshembull “shkenca, edukimi, demokracia, racizmi, barazia, prova, arsyeja” (dhe të ngjashme me to, të përdorura deri në mbingopje) sa beson që mund t’i përdorë lehtësisht pa u shqetësuar shumë.

Pra mund t’i japë shkas një iatrogjenike[11] të përbindshme, pa u ndjerë aspak fajtor, ngaqë është i bindur se pasja e qëllimeve të mira përligj mungesën e vramendjes mbi pasojat e thella në realitet.

Doktori që pothuaj vret pacientin mirëpo në të njejtën kohë bën shamatë mbi efektshmërinë e përpjekjeve të tij, pasi arriti t’ia ulte kolesterolin, fare mirë bëhet objekt përqeshjeje, pasi nuk arrin të kuptojë se aksh metrikë e lidhur me shëndetin, nuk është vetë shëndeti në tërësi. Mjekësisë iu desh një kohë e gjatë për t’i bindur praktikuesit që duhej punuar me shëndetin, jo të ushtroheshin në bazë të asaj që mëtohej se përmbushte “kritere shkencore”, pra të mos bërit asgjë ka qenë plot herë e parapëlqyer (via negativa[12]).

Mirëpo le të marrim në shqyrtim një fushë tjetër, le të themi, politika e jashtme. Një neo-konservator i pllakosur nga kjo e metë mendore por njëherazi i pandërgjegjshëm mbi praninë e të metës, nuk do ndihej fajtor në rast se do t’i binte për hise të shpërthente deri në rrënim shtete si Libia, Iraku apo Siria, për hir të “demokracisë”. Jam përpjekur njëherë t’ia shpjegoj via negativa-n një neo-konservatori: ishte si t’ia përshkruaje ngjyrat një të verbri të lindur.

IPIstët ndihen të plotësuar sa herë u dhurojnë para grupeve që mëtojnë se “do shpëtojnë fëmijët”, kur në realitet paratë shpenzohen për të krijuar prezantime në poëerpoint, për të organizuar konferenca mbi mënyrën sesi fëmijët do shpëtohen, e kështu me radhë. Krejtësisht në shpërputhje me qëllimin zanafillor.

Në të njejtën mënyrë, IPIsti rregullisht dështon të bëjë dallimin midis institucionit (përshembull një mjedisi universitar formal së bashku me akreditimin) dhe synimit të njëmendtë tijin (dija, rreptësia e arsyetimit) – kam parë madje një akademik Francez duke i bërë shamatë një matematikani që zotëronte dije të mëdha dhe kontribute të njëmendta pasi ky i fundit “s’pat shkuar në një shkollë prestigjoze” në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare.

Ndoshta të gjithë njerëzit priren të vuajnë nga kjo paaftësi mendore, medoemos duhet të jetë një e metë e rrënjosur fort, mirëpo një gjë është e sigurt: zhduket sapo lëkura nis e vihet në rrezik.

Pas-shkrim

Nisur nga reagimet ndaj këtij shkrimi, zbulova që IPIsti teksa lexon, ka vështirësi të madhe në bërjen e dallimit midis satirës dhe njëmendësisë.

Pas-pas-shkrim

IPIsti mendon që kritika ndaj tij domethënë që “çdokush është idiot”, gjithnjë pa kuptuar që lloji i tij përfaqëson një pakicë të vockël. IPIsti urren çdokënd që sfidon kryelartësinë e tij, edhe pse ai vetë i trajton të tjerët si të ishin inferiorë, ngërdheshet sa herë zorra e ujit kthehet në drejtimin e kundërt (francezët thonë arroseur arose). (Përshembull, Richard Thaler, kolegu i të rrezikshmit mbishtytës[13] të OMGJ-ve Cass Sunstein, kujtoi se mund ta interpretonte këtë shkrim sipas postulatit “s’ka shumë jo-idiotë jo të quajtur Taleb”, gjithnjë në moskuptim të faktit që lloji i tij s’përbën veçse < 1% apo .1% të popullatës.)

Pas-pas-Pas-shkrim

(E shkrova pas zgjedhjeve surprizë të 2016-ës; kapitulli i mësipërm qe shkruar disa muaj para ngjarjes). Fitorja e Trump ishte absurditet për IPIstët, aq nuk i përshtatej botëvështrimit të tyre sa dështuan të gjenin udhëzime në doracakët e mënyrës se si duhet reaguar. Ndodhi pikërisht si në “kamerat e fshehta”, imagjinoni habinë në fytyrën e dikujt pasi zbulojnë që janë mashtruar, s’dinë si të reagojnë.

Ose le të japim një skenar më interesant, imagjinoni habinë e dikujt që mendon se martesa po i shkon vaj, teksa kthehet në shtëpi papritmas dhe dëgjon gruan të rënkojë në shtrat me portierin. Pakashum, çdo parashikues, nënparashikues, mbiparashikues, “shkencëtar” politik, psikolog, intelektual, militant, “këshilltar”…varg e vistër kësilloji, u zhgënjyen sapo kuptuan që dijet e tyre nuk kishin kurrfarë vlere.

Fundja, ëndrra ime e djallëzuar për të futur një mi brenda bluzës së dikujt (siç përmendet tek Mjellma e Zezë), papritmas u bë realitet.

Shpjegime nga përkthyesi:

  1. Shqipërim i think-tank
  2. Arsyetime të shtrembëra por të thurura me dinakëri
  3. Ta konsiderosh dikë të paaftë mendërisht, psikologjikisht anormal
  4. Kam bërë një lojë fjalësh ndërmjet fjalës anglisht “hippie”, lëvizje kundërkulturore, dhe shqipërimit të IYI në IPI, duke i shtuar –ist nga mbrapa. Mund ta quajmë IPI-n, IPIst, pjesëmarrjës në kundërkulturën sipërfaqësore të kampuseve perëndimore që e vrasin mendjen shumë mbi përdorimin e gabuar të përemrave gjinorë, vezët tantrike të pop-librave të zhanrit “self-help”, konsumerizmin alla Starbucks & Chanel, klasifikimin “rock” të Imagine Dragons, etj. Autori jo vetëm që do më falë për këto lloj ndërhyrjesh por kam përshtypjen se do i pëlqenin. Paqe dhe harmoni, vëllezër.
  5. Haha, llafe turpi
  6. Libër i shkruar nga autori i këtij teksti, Nassim Nicholas Taleb
  7. Libër i shkruar nga ateisti Richard Daëkins
  8. Mashtrues financiar
  9. Në origjinal, “psycholophaster”, përzierje e dy fjalëve, psikolog, dhe sharlatan, pjesa e sharlatanizmit vjen nga nje përzierje e mëparshme “philosophaster”, këtu është shqipëruar me përzierje të tre fjalëve: psikolog, filozof, dhe fyell – për të shenjuar phaster-izmin. Psikolozofyej, ose gjithologë të mendjes. Ndoshta mund të jetë neologjizëm i vlefshëm ku i dihet. Mora guximin të ndërhyj pak.
  10. Kjo u la siç po e lexoni këtu për hir të qenit besnik ndaj kuptimit zanafillor.
  11. Iatrogjeneza është ndërlikimi i një sëmundjeje, shkaktuar nga ndërhyrja apo diagnostikimi mjekësor
  12. Studimi i asaj që s’duhet bërë. Studimi i të mos bërit.
  13. Në origjinal “Ubernudger”, përzierje e parafjalës gjermane “Uber” me fjalën “nudger”, që domethënë “shtytës i diçkaje”, i jep “shtysë” diçkaje. Fare mirë mund të jetë një shkallë më lart fjalës “mbështetës”. Mbishtytës – mbështetës shumë i zellshëm, jashtë çdo logjike.
Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2022