Shënim: Teksa hija e zezë e Rusisë vazhdon të bjerë mbi Ukrainën, gjeopolitikani Aleksandr Dugin është shndërruar në objekt studimi të parapëlqyer për gazetarë dhe analistë kureshtarë. Ky shkrim i papublikuar ndonjëherë, dhe i shkruar në gjysmën e parë të vitit 2018, synon të gjurmojë zanafillën filozofike të ideologjisë Euraziatiste, e zhytur në errësirë dhe e lënë në harresë nga pothuaj të gjithë përveç idhtarëve më besnikë, por edhe nga armiqtë më të përbetuar.
Euraziatizmi përfiton së pari nga paqartësitë e qëllimshme që mundohet të formojë. Idhtarët perëndimorë të Aleksandr Dugin, lexojnë Teorinë e katërt politike, por nuk kanë mundësi ti qasen Osnovi Geopolitiki për arsye të dukshme. Ekziston një barrierë gjuhësore që njëkohesisht mban të ndarë sferën anglofone nga sferat lindore dhe botëkuptimet e tyre përkatëse. Prandaj rëndom bëhemi dëshmitarë të një idealizimi të pavend ku lindja supozohet se ka mbetur e paprekur nga nihilizmi perëndimor dhe nga etika e çartur e luftrave tregtare.
Kjo perspektivë e gabuar e dinamikës vepruese lindore, vjen si pasojë e shfrytëzimit të teksteve Perenialiste nga pseudo filozofi Aleksandr Dugin. Dugin lë menjëanë kontekstin historik, duke mbushur trungun e kundërvënieve gjeopolitike me përmbajtje ahistorike, që thellohen deri në të qenit anti-histori. A flitet me fakte historike? Jo. Historia i flijohet projektit gjeopolitik.
Fundja pse gjithë ky mundim për të hyjnizuar përpjekjet perandorake Ruse? Çfarë tjetër do të donte një perëndimor i zhgenyer përveçse shpëtimit të shpirtit? Një Rusi e sëmurë nga oligarkia, nga varfëria, nga informaliteti dhe klandestinizmi, nuk ka ç’ti ofrojë shpirtit të zbrazët të perëndimit, që urinë e tij për transhendencë e përkthen në këndellje sipërfaqësore dhe shfrenime të moralit.
Pikërisht këtu i gjejmë fillesat e paradoksit më madhor, Gjeopolitikës Eskatologjike.
Çështjet e së mbrames normalisht i përkasin hermenutikës. Këto çështje, pavarësisht shpirtit historik, gjithmonë e kanë munduar dhe do ta mundojnë njeriun.Problemet fillojnë në çastin kur shpallet një nevojë për të rrëshqitur politikisht në rrafshin eskatologjik , tipike kjo e kohëve postmoderne që i ngrënë monument çrregullsisë dhe të anasjellave të gënjeshtërta. Kështu, narrativa ndërtohet mbi themele empirikisht të dobëta. Bashkimi Sovjetik perceptohet gabimisht si forcues i kanaleve shpirtërore Ruse, kur në të vërtetë thjesht sa vrau shpirtin e Rusisë, bashkë me shpirtrat fatkeqë të Traktatit të Varshavës. Ky forcim i supozuar propagandohet nga grupet Nacional-Bolshevike të cilat i mbijetuan de-nazistifikimit, duke u rimarrë famën e para luftës, veçanërisht në perëndim. De-stalinizimi i hapi udhë mendimit disident përgjatë viteve 1960-1970 që shënjuan në Rusi, pikun e aktivitetit okult dhe krijimin e një nëntoke aktive, boheme deri në ekstazë.
Instanca më e zhvilluar dhe më e degjeneruar e këtij dhjetë-vjeçari ishte Rrethi Iuzhinski.
Rrethi Iuzhinski u formua nga shkrimtari dhe matematikani Yuri Mamleev. Teksa grupet e tjera disidente kërkonin aktivizëm politik, rrethi i Mamleev kërkonte të arratisej nga nihilizmi përmes artit. Një art që mori përmasa groteske dhe vdekatare. Fillimisht anëtarët e këtij rrethi mblidheshin tek garsoniera modeste e Mamleev, ku më shumë se 50 vetë shtrëngoheshin si në kuti sardelesh, për të dëgjuar idhullin e tyre. Mamleev importoi doktrina ezoterike të shumëllojshme duke filluar që nga Kabala, e deri tek Hermetizmi, Gnosticizmi dhe autorë të Epokës së Re Perëndimore.
Shkrimet e tij karakterizoheshin nga një uri për limite eksperienciale, dhunë, vdekje dhe vetërealizime psikopatike. Idhtarët e Mamleev kryenin rituale okulte ekstreme, orgjira ku përdorimi i substancave supozohej të amplifikonte kësolloj aktivitetesh “transhendentale”. Simpatizantët e tij e krahasojnë me Kafkën apo Gogolin, por Mamleev fare mirë mund të konsiderohet si bashkëkohës i Georges Bataille.
Për pasojë, Bashkimi Sovjetik filloi ti censurojë aktivitetet okulte. Ujët u derdhën deri në atë pikë ku sistemi hoqi nga qarkullimi madje dhe literaturën teozofike e cila tolerohej më përpara. Mamleev e nuhati rrezikun që i afrohej dhe emigroi për në Shtetet e Bashkuara në vitin 1973. Largimi i Mamleev e la Rrethin Iuzhinski praktikisht jetim e me pikëpyetje të mëdha për të ardhmen. Gjendja e hutimit ama zgjati fare pak, pasi Rrethi gjeti drejtuesit e rinj tek dishepujt e Mamleev, Evgenii Golovin dhe Geidar Djemal.
Golovin dhe Djemal i dhanë frymë politike Rrethit. Gjithashtu ata zbuluan tekstet Perenialiste, të Julius Evola dhe Rene Guenon. Mbledhjet okulte vazhduan të mbaheshin me fanatizëm të theksuar. Mund të thuhet me siguri që Golovin gjeti tek Evola justifikimin filozofik për gjeopolitikën imperialiste të Aleksandr Dugin.
Dugin hyri në skenë pak vonë, në vitin 1980 ai takoi Geidar Djemal. Boshti ideologjik i Rrethit Iuzhinksi sapo ishte formuar në tërësi, tashmë ishte koha për veprim. Përgjatë këtij viti ai publikoi dhe librin e parë të Evolës, “Imperializmi Pagan”, në formën e një samidzat-i. Samidzatet ishin doreshkrime te kaluara dorë më dorë në fshehtësi. Është ironike që Dugin i jepte kaq shumë rëndësi këtij libri kur vetë Evola në autobiografinë e tij intelektuale, “Path of Cinnabar”, e kishte konsideruar si librin e tij më të keq.
Në vitin 1988 Dugin bashkë me Djemal iu bashkuan frontit patriotik rus Pamiat, ku pas një kohe të shkurtër u përjashtuan si propagandistë satanikë.
Pas rënies së perdes së hekurt, Dugin formoi lidhje me institutin GRECE në Europë, i themeluar nga filozofi francez Alain de Benoist dhe Jean Thiriart. Ndërveprimet mes këtyre personave i vunë vulën strategjisë Euraziatike për të ardhmen e një Europe që do përqafonte Rusinë si alternativë.
Në vitin 1998, u kristalizuan përfundimisht të gjitha përpjekjet e Rrethit Iuzhinski përkundrejt përhapjes së ideve Duginiste në Europë. U krijua Universiteti i Ri, që më tepër i ngjan një ngrehine kontradiktash dhe mashtrimesh sesa një ambjenti akademik të mirëfilltë.
Studentët inkurajohen të lexojnë veprat e Rene Guenon, Julius Evola, dhe Martin Heidegger. Se çfarë ky i fundit ka të bëjë me dijet tradicionaliste, veç Dugin dhe Djemal e dinë. Katër profesorët më të rëndësishëm të universitetit, janë Mamleev, Golovin, Dugin dhe Djemal.
Silabusi i Mamleev quhet “Mësimet Patriotike të Rusisë së Përjetshme”, më vonë Mamleev e shndërroi këtë silabus në libër, “Rusia e Përjetshme”. Libri ka të bëjë me rëndësinë e shpirtit Rus, nevojën për ripëtëritje morale, si dhe misionin mesianik të Rusisë.
Mark Sedgewick, sharlatani i vetëquajtur “kërkues shkencor”, e trajton veprimtarinë e rrethit Iuzhinksi si rizgjim të ideve Perenialiste, në librin e tij mbi Traditën. Cektësia e mendimit të Sedgwëick, kombinuar me edukimin e tij tipik perëndimor të universiteteve teatër amerikanë, ka kontribuuar në krijimin e një imazhi negativ të Perenializmit, i cili si shkollë mendimi jo vetëm që nuk kuptohet nga studiuesit “profesionalë”, por edhe asociohet gabimisht me fashizmin apo me sisteme totalitare të llojeve të tjera.
Kimera që Dugin kërkon tia imponojë botës, nuk është as ide e re e as diçka për tu patur frikë. Ata që kërkojnë me të vertetë dije Tradicionale, bëjnë mirë tu distancohen doktrinave të Dugin. Kurse ata pak filozofë të shkollës Perenialiste, të lihen të qetë e të pashqetësuar nga makinacionet delirante të Euraziatizmit.
This blog post has been Digiproved © 2022