Gjenerali i ushtrisë së padukshme

(Shkëputur nga libri “Shtegtimi i dinozaurëve fluturues” me autor Pol Milo)

Gjenerali i ushtrisë së padukshme

Gjenerali i madh i ushtrisë së padukshme të forcave të armatosura dhe këmbësorisë së rendë u foli ushtarëve të tij joekzistentë:

– Dëgjoni me vëmëndje, se do t’ju flas vetëm një herë. Po ju flas sinqerisht, për t’ju përgatitur për luftën më të madhe me të cilën do të përballemi. Ajo po na prêt.

Ju mendoni se do të luftojmë për liri? Jo, jo, kanë luftuar të tjerë për liri para nesh. Liria dhe lufta kanë udhëtuar bashkë pranë njëra-tjetrës nga historia e lashtë. Liria ka qenë prej kohësh motivi kryesor i luftës. Lufta për liri. Por liria ishte edhe para luftës, Atëherë përse  luftua kur liria ekzistonte para luftës?! Sepse ekzistonte lufta për pushtet. Ju mendoni se do të luftojmë për pushtet? Jo, jo! Edhe për pushtet kanë luftuar të tjerë përpara nesh. As aty nuk kanë lënë hapësira. Pushteti krijon luksin modern. Të gjithë e kërkojnë, e kërkojnë me duar e me këmbë. Sakrifikojnë për ta arritur. Pushteti është pjesë e luftës së re në botë që ka pushtuar tregjet dhe teknologjia e ndihmoi duk i futur njerëzit qorrazi në robërinë e re! As për pushtet nuk do të lufrojmë. Ne do të bëjmë luftën më të madhe të mijëvjeçarit të fundit që po përhapet kudo në planet, nga e cila merr kuptim mosekzistenca jonë e verbër. Ne do të luftojmë për atë që nuk e kemi pasur kurrë më parë. Në do të luftojmë për t’u dukur. Rroftë lufta për t’u dukur!

“Urra!” – tronditi dheun buçitja e ulërimës së padëgjuar e ushtrisë së padukshme. Në fushëbetejë mbizotëroi buzëqeshja e fitores!

Asimetri urbane.

Cepat e pallateve krijojnë një asimetri perfekte. Ato nuk ngjasojnë asnjëherë me njëra-tjetrën, as në forma e as në ngjyra, duke krijuar kështu një larmi çrregullsish kudo nëpër qytet.

– Është e llogaritur të jetë kështu nga arkitekti, – shpjegoi inxhinieri i zbatimit, – ngaqë vetë rrugët nuk janë të drejta.

– Jo çdo gjë ku shkel është rrugë, – sugjeroi ai.

                        Muri i lashtë Justinian.                   

Në rrugët e qytetit anti 3010-vjeçar të Adriatikut,

Shiu filloi të shtohej dhe dallgët të shkumëzonin.

– Është stuhi, – tha i pari, – po vjen nga jugu.

E shikon atë renë e madhe të zezë, që po na afrohet.

Shumë shpejt do të jemi në qendër të saj.

– Po ai, a do të ketë arritur? – pyeti i dyti.

– Ai u nis herët me avionin e parë, tani patjetër që do të ketë arritur.

– Ai shpëtoi, – tha i strukur, duke u kthyer me kurriz nga muri i lashtë i epokës justiniane, mbi të qe varur një pllakë mermeri ku shkruhej:

“MONUMENT KULTURE
RRËNOHET NGA SHTETI!”

 

Pesëdhjetë hijet e Idrizit
(I drejti)

Dikur, në zonën gotike të Çezmës së Ferrës, në brendësi të Qytetit të Rrënuar, përtej rrugicave të mjegullta me gurë e baltë, jetonte një njeri që quhej Idriz (Idriz do të thotë njeri i drejtë ose i drejti).

Që i vogël thuhej se Idrizi, një muzg, duke u kthyer për në shtëpi, kishte shkelur hije Sa herë që dikush shkelte hije, lajmi përhapej si era. Në errësirën e Çezmës së Ferrës, të gjithë thoshi se Idrizi ishte bërë i paparashikueshëm dhe i rrezikshëm për komunitetin e tyre të vogël. Me të duhej bërë shumë kujdes.

Sipas ligjit të atëhershëm thuhej se: “Kur shkel hije, ato të ngjiten nga pas”. Ky ligj vlente edhe për Idrizin. Ai ishte bërë njeri me hije. Të gjithë e dinin këtë, të gjithë ruheshin prej tij, të gjithë e pohonin si dëshmitar të dëvotshëm, edhe pse asnjëherë askush nuk i kishte parë hijet me sy.

“Hijet janë të padukshme”, – thuhej në pjesën e fundit të ligjit të trashëguar prej shekujsh nga një perandori e vjetër, që tani nuk ekziston më. Por edhe pse perandoritë zhduken, ligjet e marrosura që ato lënë pas jetojnë gjatë në kohë. Kurse njerëzit, të frikësuar, nuk guxojnë t’i ndryshojnë e t’i zëvëndësojnë me ligje të reja të logjikës racionale.

“Nuk i dihet, – thoshin ata, – kurrë nuk i dihet! Ligjet e paduskhme të natyrës janë shumë më të rrezikshme se ato të dukshmet”. Shkenca ua kishte ngecur këtë pjesë të shpjegimit dukurive okulte, prandaj dhe njerëzimi nuk impresionohet më tepër nga shkenca sesa nga okultika psikike.

Edhe Idrizi e kuptonte, por nuk e kishte vrarë mendjen kaq shumë. Ai, madje, as nuk e dinte se sa hije kishte. Nuk i kishte numëruar kurrë. Ama, njerëzit këtë nuk mund ta pranonin, ndaj kërkonin me ngulm një numër. Për këtë duhet të shkonte te Vizionari vështrues i fatit të paqëndrueshëm të profecisë lëvizëse. Sindroma e fatit të paqëndrueshëm ka qenë gjithmonë një problem i vjetër dhe subjekt vëzhgimi ende i pazgjidhur.

– Ti je bërë njeri me hije, – i tha Vizionari, duke fërkuar topin e tij të kristaltë.

– E di, tha Idrizi, – dhe kjo është arsyeja që unë kam ardhur deri këtu. Njerëzit janë kureshtarë. Ata duan të dinë se sa hije kam?

– Pesëdhjetë – tha Vizionari, – pesëdhjetë hije!

Sa herë që hijet numërohen, gjithmonë dalin pesëdhjetë.

– Pesëdhjetë hijet e tua,, – i tha në fund, – një ditë do të bëhen të famshme. Ndërsa ti do të ngelesh një endacak natyral, i zhytur në pyllin e dendur të padijes.

Por si gjithmonë, vetëm një pjesë e profecisë, realizohet.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2021
  • Post author:
  • Post category:Huazime