Lap Martallozi – Lirija dhe Zgjedha

Duke dhënë funt shëtitjes, ariva në Shqypëri, në këtë vënt ku natura ka dhuruar gjithë dhuratat dhe bukurit’e saj: qielli më të shumën e motit, i kthiellt e i llamburitur pa re e pa brymë; era e qëruar dhe e mirë, po vënde-vënde e prishur prej valltovet që bënen nga pakujdesija; ujërat të ftohta, të lehta e të kulluara, po rjedhin nëpër shpat e nëpër prua dhe nëpër shkretëtira e jo të shpura nëpër qytete me udhë, ku gjindja është në rezik për këtë dhuratë; malet e brigjet të veshura me pyje ose me vrira të gjelbëra, gjith motnë. Po të pagdhëndura e të pafitimshme. Fushat të mira, të bukura, të gjera dhe pëllore, sa në to mund të pregatitet çdo farë bimë, po më të shumtat të papunuara, ose të mbitura në ujë; liqenet e lumenjtë, të mbëdhenj e të vegjël, më të shumtë e më të mirë se të Helvetis, po të pashfrytëzuar për fitimn’e popullit; njerëzija, fëmëra e meshkuj, të hijeshmë e të bukur po, të palëruar “cultive”e të paqytetëruar, nga shkaku i zgjedhës së tmeruar që s’i le të hapin sytë.

Pse vallë gjith kjo njerëzi kryeunjëtë, fytyrëvrënjturë dhe buzëplasurë, sikur shpijen e të varosin nonjë çupë shuar në kohë të nusërisë? Pse vallë një shumic’e këtyre njerzëve të zbathurë, të palosurë e të varfërë?

Po t’i pyesë njeriu me radhë, do të mbesonjë, se njerit i paska vdekur i vëllaj në Jemen, ku gjëndesh ushëtar dhe i ka lënë të shoqen me tri-katër fëmijë kokë-kokë e s’ka se si t’i ushqenjë; tjatërit i paska burgosur guverna të vëllanë, sepse i gjeti një abetare shqip; së tretit i paskan vrar hajdutët të birin e vetëm, kur kthenej nga Amerika, ku ndënji tet vjet të vinte në shtëpi, se qe i vluarë e do të martonej; së katërtit i paskan vrar’ andarët brënda në Selanik të birin në lule të djalërisë, pse s’qe grekoman e tradhëtor; të pestit i paskan vrarë të atin grekomanët brënda në Korçë, e s’kish tjatër njeri që t’i dërgonjë të holla të mbaronte mbësimet që kish nisur në Paris, ku e kish dërguarë fatziu plak; së gjashtit, së shtatit dhe të gjithëvet me radhë u kishin ngjarë të tilla gjëmëra të zeza e morte të këqija, pandaja janë të gjithë të helmuar!

Më të shumët e shqipëtarëvet janë të varfër e berbeculë, se përveç që janë të shtipur e të handakosur nga gjëmët, të radhosura më sipër, janë dhe të pambësuarë, s’dinë të tregëtojnë, s’dinë të mjeshtërojnë, s’dinë as të bujqësojnë pas regullavet dhe vegëlavet, të qytetërimit të sotëshme. Dhe në ka nja dy që tregëtojnë, mjeshtërojnë ose bujqësojnë me sistem të moçmë, jo për fitim të vetë e të popullit, po për hesap të guvernës barbare dhe të disa krenëvet tiranë!

Në Shqipëri, jo vetëm s’ka ruga të hekurta, për avullqere e për tramvaje, që këtu s’dihen se çfarë janë, dhe shose të gjera për omnibuse e karroca, po as udhë të dhivet nuk ka! Njeriut i dridhen mishtë kur është i shtrënguarë të vejë në mulli për të bluar, se doemos lipset të hidhet në lumë pa urë, në është nonjë fatbardhë, shkon e mbaron punë, se ndryshe e mer lumi, me gjith kafshë, e kërcen në ngjir dhe i mbeten fëmija pa bukë si dhe pa baba!

Në Shqipëri shkolla për të qënë ose për të thënë më të drejtën; shkolla që meritojnë këtë emër, nuk ka! Katundarët shkollë ç’do me thënë nuk e dinë, se vetëm nëpër qytete ka disa shkolla të huaja të hapura prej guvernavet armike për të çkombësuar popullin shqipëtar!

Si shkolla të huaja jan’ato të guvernës turke me emër meqtep e medrese. Nëpër meqtepe mbësimet bëhen tyrqisht, me atë gjuhë pa ortografi të vëndosur, pa letra të zëshme, jo shqipëtarët siç janë të huajt e kësaj gjuhe, po dhe tyrqërit vetë nuk mundin ta mbësojnë mirë, se për të shkruar e kënduar këtë gjuhë me drejtësi, nuk harin të diç gramer’e tyrqishtes, lipset të diç dhe regullat e arabishtes e persishtes!

Sa për diturira të tjera meret vesh mir se sa munt të mbësonjë me një të tillë gjuhë një i gjorë djalë shqipëtar! Po me këtë bashkë, ata që janë më të squar dhe marin një diplomë nga këta meqtepë nuk janë fare të pambësuarë. Istorin’e dinë shumë mirë, janë të vetëmit këta që e dinë se Sulltanërit e Turqisë janë të shënjtë dhe i ka dërguar hazëreti. Allahu për të bërë feth kauristanë, pra ata që të unjën krye përpara këtyrevet do të venë në xhenet, ku do të hanë hallvë dhe muhalebi. Janë të vetëmit këta që e dinë se Skënderbeu s’qe tjatër, përvç se një hajdut! Dhe janë të vetëmit këta që e dinë se Sulltani është hije e qijellit në faqe të dheut si dhe mbreti i Çinimaçunit që është hije e dheut në qiell!

Nëpër medresera dituritë janë shumë më të thella e më të rënda se këtu mbësonet gjuh’e bekuar, arabishtja, mbësonjësit si dhe nxënësit quhen ulema “savant”, se ndaj këtyreve, të gjitha diturit’e tjera janë si një vërrë në ujë, s’ka tjatër dituri përveç se dituris’së gjuhës arabe! Sado që këta vetë s’mbësojnë dot, në njëzet vjet ta shkruajnë e ta këndojnë këtë gjuhë të vdekur!

M’i ditur i këtyrevet bimësh gjerdi, vetëm se si i ka fluturuar “V”-ja e “kavelë-s” dhe si ka zgjatur bishtin “k”-ja e është bërë kalë!

Këta thonë se s’ka dituri e mjeshtëri që s’ka bërë bejan allahu me kuran, sa dhe mjeshtëri e çmenduriferit atje është shkruar, po softëvet nuk u jep në dorë t’i çfaqin këto diturira, se mos meret populli me to, e s’gjen kohë të falet dhe xhiku mbetet pa hallvë kur të vejë në parajsë!

Hoxhët e paskan gjetur në një qitap arabisht, po s’e mbajnë ment se te cili, se shqipëtarët qënkshin arabë dhe një mijë e treqint vjet më parë ju zëmëruan halifes hazretit Ymer dhe u bënë muhaxhirë e vanë në Shqipëri, pra do të vinjë një ditë që të bënen muhaxhirë dhe të venë në Sham! Sa e sa istorira të tilla dhe më të thella kanë gjetur në arabishte këta kokëlidhur me dyzet kut pëlhurë!

Pas këtyre meqtepe e medreseve vinë skolit’e grekut, pothua se dhe këto si të parat janë, ndryshim i vetëm është se në vënt të prallavet tyrke, mbësonen ëndrat greke: gjith njerzit e mbëdhenj janë grekër, le Filipi Leka i math, Batlemeu, Pirua dhe Skënderbeu, po dhe Krishti grek qënka! Si mjer’aji që s’njeh kishën greke! Perëndija faqen e dheut e ka krijuar vetëm për ata që hiqen grekër, kombet e tjerë janë të pafe, barbarë dhe kusarë që i ka pjellë djalli të grabitin vëndet e grekëvet, prandaj besnikët e vërtetë duhe të marin pallat dhe t’ju presin kokat atyreve që s’hiqen grekë.

Ssa për shkollat shqip më duket se është e tepër të bëjmë fjalë për në këtë vënt, ku është ndaluar abetareja kombiare, ndonëse në Shkodrë janë hapur disa shkolla të para prej klerit katolik të mprojtur nga guverna Autrish-Hongri.

Në Shqypëri guvernë që të qeverisnjë me një kanun e me zakone të përgjithëshëm nuk ka: ndryshe qeveriset ose shkretonet Kosova, ndryshe Manastiri, ndryshe Shkodra, ndryshe Janina. Për mos dalë krejt jashtë qëllimit, shkaket e këtyreve ndryshimeve dhe dëmevet që i sjellin Shqipërisë do të përpiqemi t’i çfaqim e t’i rëfejmë me një tjatër artikull. Njeriut i dridhen legjet e këmbës, kur ka ndonjë punë të vejë pranë guvernorit ose zyrtarëvet të ti: le që me bugjun jarin[1] ta zgjat punën me muaj e me vjete, po shumë herë, në mos ka qejf a ësht’i agjëruarë, të shan të çnderon, të çpor dhe në qoftë ca m’i egërsuar, se s’i ka dalë roga, dhe të burgos! Policët e xhandarët, të urëtë e berbeculë, pa disiplin e pa regull, të egër’t e të pambësuar! Si mjer aji që ju bije në dorë, se në mos pastë të holla, s’shpëton pa lënë lëkurën.

Këtu më ra ndër mënt një bisedim që bëra me një zaptije të shkret, të cilin e pyeta e i thash. “Pse more i gjorë ke hyrë në këtë shërbim të papëlqyer e të poshtërmë, nga i cili s’ke asnonjë fitim?

I mjeri zaptije si pshertiti nja dy herë, mu përgjeq kështu: “Gjer sa u bëçë njëzet vjeç, punonim me tim atë dy cope ara dhe një vreshtë që kishim në fshat, shpinim dhe dru në Përmet, me mushkat e vet dhe i shitnim dhe kështu mbanim e qeverisnim fëmijën tonë. Po, si u bëç njëzet vjeç, më muarnë në ushtëri dhe më dërguan në Tripoli, ku më mbajtnë nja nëntë vjet, pa si u kthyeç në shtëpi nuk gjeta as tim atë as mushka as ara e vreshtë, as qetë; plakun e kishin vrarë hajdutët! Arat e vreshtin i kishin grabitur bejlerët e Këlcyrës; mushkat i kishte shitur guverna për vergji; qetë dhe bagëtit e vogëla i kishin shitur nëna me tri motrat, të cilat i gjeta qyqe në vatrë, të zbavitura e të helmuara, me duar në gji e me lot ndër sy! I mjeri unë për atë ditë! Në vënt që të gëzonesha duke pjekur far’e fis e miq, të cilët keshë plot nëntë vjet që i dëshironja t’i pjekë, u hidhëruaç e u pikëlluaç nga ngjarjet e tmeruara që po dëgjonja midis rënkimevet e të qaravet të së zezavet qyqe! Po nevoja e shkretë ma mblodhi mëndjen në kokë dhe me një herë pyeta vehten dhe thashë ç’duhet bërë! Ç’duhet bërë për të gjetur një copë bukë të ushqenj këto të urëta e të zeza gra? Pa thuajm; or zot ç’punë munt të zër’un i mjeri pa vegëla, pa dituri, pa mjeshtëri, e pa kapital? Ja se të bënesha trimi i ndonjë beut i cili për një copë bukë që do më jepte kurdoherë do më thoshte: “Të qoftë haram e të zëntë sytë po s’vrafsh akcilin katundar që më ri kundra dhe s’më jep ato që i kërkoj, të cilat më kanë hije se jam oxhak!” Ja se të hynja pojlak në nonjë katund, për fat të keq fort kërkova po nuk gjeta! Jo or zot jo! Nuk jam dinak, si dhe frikacak po ç’të bëj? Detyra, nevoja më poshtuan! Jam i vetëmi ushqenjës i të zezavet nëno e motra, desha s’desha, u shtrënguaç dhe u bëshë zaptije!

Po të pyes kush më vuri mua si edhe të tjerët në këtë rezik sa të hynj në këtë shërbim të poshtërmë?” Si priti i shkreti zaptije ca minuta dhe si më pa në mejtim e në heshtje mori fjalën përsëri dhe nisi kështu: “Ju mor ju! Që hiqeni si bejlerë, si efendilerë, si arhondë e si agallarë, po në të vërtetë jini hajdutë, jini kusarë, jini dhe ndihmës e këpucëgrisur të halldupëvet e të grekëvet që vin’e na rjepin këtu në vënt tonë! Juve na kini më qafë që për fitim të vetë ktheneni e rotulloneni nga t’ju frijë era, sot turk, nesër grek, dhe kur s’kini nonjë fitim të majmë nga këto, bëneni shqipëtarë dhe me të hollat që pregatit emëri Shqipëri, shkoni në Llondrë e në Paris si hani file e bifteqe, pini ca kupa me verë, mirni dhe nonjë gushëkuqe pranë; nisni e na shkruani broshurë, dhe pa turp nga bota e pa frikë nga Perëndija, thoni se jini atdhetarë të flaktë, po s’kini se ç’bëni se shqipëtarët s’marën vesh, janë zaptije!

Po ç’të them ka dhe në mes tonë ca të ditur e të zgjuarë, vetëthënë që ju pasojnë juve dhe shkruajnë gjërra pa kripë e na thonë se “neve jemi lundërthyerë, po hidhuni ju o bejler’e bujarë, jepnani dorë e mos na leni të mbytemi fare!” E nukë hapin syt’e verbërë të shohën se juve na i thyejtit lundrën për të na mbitur ne të mjerët; nuk gjykojnë punët e ngjarjet me drejtësi e të marën vesh se ç’lipset bërë për shpëtimn’e vet, kur e dinë se janë lundrëthyer, po shkruanë me literaturë fjalësh jo pas llogjikës; thonë se do të çuditen në shikofçin një dit malësorët në kryengritje për të çliruar nga lirija që kanë’ dhe nuk mejtojnë se këta malësorë s’janë dinakë, s’janë tradhëtorë dhe s’janë egoistë si ata që ju kërkojnë dorë shpëtimnë; dhe nuk’e dinë se këtyre malësorëve po t’ju jipet kupëtim se ne vëllezërit e tyre jemi ndënë kurth e ndënë tradhëti, e gadal-gadal këto të dy sëmundje do të rethojnë dhe ata siç janë nisur e po jua shpijen tradhëtorët Esad pashallarët me shokë; atëhere s’duket aspak çudi në i shikofçim këta trima, të armatosur dhe zënë dorëpërdorë me ne lundrëthyerit, po të dalë në stere të shpëtimit, në atë ditë që do të festonet në vënt tonë për gjith jetë si dit’e parë dhe e bekuarë e lirisë shqipëtare.

Si heshtë zaptieja i mjerë, i thashe se s’kish të drejtë të fliste keq për të gjithë parësinë, se midis tyre ka edhe atdhetarë të vërtetë, jo vetëm nuk i nënëshkruajnë ato titlla të dhëna prej guvernës tyrke, si shënjat e tradhëtisë, po zëmëronen ti titelloç me to; jo vetëm s’bëjnë kabull të bëhen trathëtorë me të hollat e armiqëvet, po prishin punën e të hollat e vet, përpiqen nat’e ditë për shpëtim të kombit. Si ngriti supet e tundi kokën, më la shëndenë dhe së largu ja thiri këngës labishte:

Shpirti qan, goja këndon

Zemëra katran duron

çuditem se qysh duron:

Si s’pëlçet t’ja bëjë bom?

Rënko! Shqipëri rënko!

Mos na ri kështu e qetë!

Po uluri e vajto!

Të çporet kjo zgjedh’ e shkretë!

O ju djemt’e Shqipërisë!

O ju niprit e Skënderbeut!

Pse i vini qark lirisë,

E s’ja shpini mëmëdheut!

Po ju nxënësit e Neimit!

Pse latë punënë tuaj?

Ç’e bëtë pendën e trimit,

A po pritni nga të huaj?

Të qofça falë moj zanë!

Që na falë trimërinë,

Pa rëfena dhe një anë

Ta përdorim për lirinë!

O flamur kuq-zi-kuq!

Ngrehu nëpër këta male

Mos na ri ashtu kacuq!

Po hapu e bëna vale!

Lap Martallozi

“Drita”, Sofje, nr. 96, 15 janar 1908.  

 

  1. Me sot me nesër
Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2021
  • Post author:
  • Post category:Huazime