Para dy viteve kam parë një artikull mbi kendvështrimet e autoreve të ndryshëm mbi kombin. Në artikullin e sotëm dua të paraqes një pikëpamje të re, deri diku të çuditshme.
Në artikullin i cili është ndër më të hershmit e faqes paraqiteshin dy ide: ideja e kombit si konstrukt, si “ komunitet i imagjinuar” dhe, në rastin e Gellner-it, si koncept i epokës pasindustriale, dhe idenë e kombit si dicka që i ka rrënjët në etni. Rasti i dytë për të cilim flitej ishte rasti i Antony Smith. Sipas Smith-it krijimi i kombit mbështetet mbi karakteristika etnike pre-moderne. Kombi pra nuk vjen nga hiçi. Arbërit shqiptarë të shek 15 flisnin shqipe të ngjashme dhe kishin zakone te ngjashme me këto tonat sot. Natyrisht nuk mund të ekzistonte një konceptim modern i kombit, por kjo nuk do të thotë që thelbi nuk ishte diku aty. Shkrimi i para dy viteve mbyllej duke treguar rrezikun për kombin shqiptar të teorive të tilla si të Hobsbaum-it. Por reflektimet ndryshojnë me kohën.
Mbas leximeve të shumta mbi teoritë e kombit dhe nacionalizmave kam arritur në një përfundim i cili lexuesit mund ti duket pak i çuditshem. Kam vënë re që kombi në teoritë akademike zbërthehet, hapet dhe i bëhet autopsia. Ashtu siç hapin nxënësit bretkosën në shkolla për të parë se cfarë organesh ka, ashtu zbërthehet dhe koncepti i kombit. Kombi nga dikush shihet si pasojë e modernizmit dhe i ardhjes së një „Hochkultur“.
Nga tjetri thuajse mohohet fare dhe kthehet në një abstraksion, në një „konstrukt social“ të ftohtë dhe të paprekshëm nga masat e gjëra të popullsisë. Por dhe në rastin e Smith-it, i cili nuk e kthen kombin në një abstraksion total, fryma është e njëjtë. Fryma që shihet është fryma shkencore. Kombi duhet shpjeguar ashtu si shpjegohet fizika apo kimia. Më kujtohet në raste të tilla Nietzsche kur shkruante mbi maninë e filozofëve për të klasifikuar, renditur etj. Filozofi i sotëm do të krijojë kategori thoshte Nietzsche. Nuk ndihet rehat derisa të ketë zbërthyer cdo gjë në pjesët e veta përbërëse. Dhe këtë frymë po e shohim kudo në epokën moderne.
Por a është kombi aq pa vlerë sa një bretkosë të cilën e çajmë e hapim dhe e studiojmë? A duhen lejuar sociologët që ta kthejnë kombin thjesht në një kategori, ta klasifikojnë dhe ta bëjnë gri? Se kategoritë gri janë. Nuk mbushin shpirtra e prekin zemra. Mendimi im është se kombi si koncept nuk i përket sociologjisë apo shkencave politike si fushë studimi. Por dhe nëse studiohet gjithsesi në një nga këto fusha qasja duhet të ndryshojë. Teoricieni i kombit nuk duhet të jetë sociolog apo „njeri i shkencës” por duhet të jetë njeri i besimit. Na duhet të mësojmë mbi teologjinë e kombit dhe jo mbi sociologjinë e kombit. Mbas vdekjes së zotit po kërkojmë zota tokësorë. Dhe ku ka më mirë se kombi. Si çdo zot e si çdo fe dhe feja e kombit do ketë mëkatarët e vetë. Tradhtarët, përzjerësit e racave etj. Do ketë dhe ata që shkojnë në purgator: indiferentët. Dhe natyrisht parajsa do jetë e rezervuar për heronjtë.
Trajtimi po duket pak banal deri tani por mendimi qendror nuk ndryshon. Vënia në pyetje e kombit dhe trajtimi shkencor i tij nuk vlejnë. Shkrimin po e mbyll me historinë e Abrahamit. Kierkegaardi thotë se arsyeja nuk e justifikon dot besimin. Duhet „një hov besimi“. Dhe na jep shembullin e Abrahamit. Zoti i tha të sakrifikonte të birin. Një njeri i arsyeshëm nuk do e bëntë. Por Abrahami besoi Zotin deri në momentin e fundit dhe erdhi ëngjëlli që e ndaloi të vriste Isakun. Abrahami besoi dhe shpëtimi erdhi. Metafora e Abrahamit duhet të vlejë për kombin. Shpeshherë na duket sikur Shqipëria është vend që s‘ia vlen.
Dikush e quan veten grek e dikush gjerman. Kjo sepse ne vendin e vet ka vuajtje. Por si Abrahami, sado e vështirë të jetë rruga për tek mali ku do sakrifikohej djali, duhet të ecim në rrugën e kombit. Syhapur dhe të arsyeshem aty ku nacionalizmi është i justifikueshëm me arsye por, dhe symbyllur dhe me besim total te Zoti ynë, kombi, në momentet kur arsyeja mund të na thotë se Shqipëria s‘ia vlen. Dhe përsa i përket anës akademike Theologia Nationis duhet të jetë e ardhmja e saj.
D.G
Shënim i stafit: Përderisa ky shkrim nuk ka ardhur si pasojë e një rrahjeje të çështjeve që implikon ideja e një Teologjie Kombëtare, Brerore nuk dakordësohet me çdo gjë të shkruar këtu, për shkak edhe të një shtjellimi të pamjaftueshëm, por as nuk i’a pren hovin njerëzve që kanë ide. Vetë pasja e ideve mbi kombin është e dobishme, prandaj edhe e ofrojmë këtë platformë për këdo që mund të ketë ide të ngjashme. Mund të thuhet se kemi rënë dakort për shpalosjen e një pike kyçe në mozaikun tonë të ideve vetëm nëse ky shënim nuk është i pranishëm poshtë shkrimeve.
This blog post has been Digiproved © 2021