Eqrem bej Vlora – Kandidatët për fronin Shqiptar

Unë i kam njohur dhe kam biseduar vetë me të gjithë kandidatët e fronit shqiptar. Po të përjashtojmë këtu kandidatë të vetëshpallur si Don Aladro, princ Gjika dhe markezi – Skanderbeg, në skenën e garës mbeten princi i Monpansiesë, princi feudal i Egjiptit (më vonë mbreti Fuad i parë), princi i Urahut, princi Burhanedin nga dera e Osmanëve dhe marshalli turk Izet pasha (lindur në Naseliç të Maqedonisë). Asnjëri nga këta kandidatë nuk ishte më i mirë se Princ Vidi. Sepse, nëse ndonjëri prej tyre zotëronte veti të veçanta, ato zhvlerësoheshin nga të meta të vogla a të mëdha, apo barazoheshin nga epërsitë e kandidatëve të tjerë. Kështu, fjala vjen nëse soji i lartë, pasuria e madhe dhe energjia sportive fliste në të mirë të kandidaturës së princit Monpansie, mendjelehtësia e tij dhe moskuptimi i nevojës për një jetë të rregullt familjare (në Vlorë ai erdhi me një mikeshë të tij), ishin për mua krejt të dyshimta. Perveç kësaj, princi francez nuk gëzonte pothuajse asnjë përkrahje nga Fuqitë Evropiane. Edhe më pak e mundshme më dukej kandidatura e princit Fuad të Egjiptit. Prapa fasadës jo aq të shkëlyqeshme të jetës së tij publike dhe private (për më tepër ai nuk kishte ndonjë të ardhur), gjeje vetëm veti të përkora si njeri, si burrë shteti dhe si udhëheqës.

Ai gëzonte një farë simpatie në qarqet diplomatike italiane, dhe mbase mund të dilte si kandidat i Italisë, ishte me prejardhje shqiptare (familja e tij vinte nga një fshat i Bilishtit, në Korçë) dhe do kishte mundur, ndoshta të gjente ithtarë midis elementëve myslimanë të Shqipërisë, por a mjaftonin këto për të fituar autoritet mbi familjet feudale shumë të forta shqiptare, ndonjëra prej të cilave mendonte se qëndronte më lart se dera e nëmbtretërve të Egjiptit?

Princin Vilhelm fon Urah (nga dera e Vyrtembergëve), gjeneral gjerman i mbështuetur nga Austro-Hungaria, e pata njohur në Vjenë. Në çastin e duhur ai do të mund të shihej si kandidat i Monarkisë. Dëshira e tij për t’u bërë sundimtar i Shqipërisë mbështetej tërthorazi nga trashëgimtari i fronit, princi Franc Ferdinand dhe drejtpërsëdrejti nga njerka e tij, princesha Maria Tereza, e derës së Infantinëve të Portugalisë. Për këtë çështje i shoqëruar nga njeriu i saj i besuar, inxh. Ziberti, kam folur me dukeshën në pallatin e saj në Favoritenshtrase, ku unë nuk e fsheha frikën time se Italia do t’i kundërvihej kësaj kandidature. Me të vërtetë, disa ditë më parë duka fon Avarna, atëbotë ambasador italian në Vjenë, më kishte dhënë të kuptoja se Italia në asnjë mënyrë nuk mund të miratonte një kandidat austriak.

Ndërsa princ Vilhelmi vetë më kishte lënë mbresën më të mirë. Afër të gjashtëdhjetave, gjenerali ishte një burrë i pashëm e i fortë, shumë energjik, shumë i ditur e i matur, e për më tepër me pamjen krenare dhe autoritare të një sundimtari të mirëfilltë, cilësi kjo aq e domosdoshme në Shqipëri.

Princi Burhanedin nga dera e osmanëve u shfaq si kandidat vetëm në vitin 1914 dhe në rrethana të veçanta. Ai ishte djali i tretë i Sulltan Abdylhamidit dhe mbahej si kanakari i tij. Me një pamje tërheqëse, me një edukatë të hollë, dhe me inteligjencë të mjaftueshme, ai kishte marrë një arsim të shëndoshë në turqisht dhe frëngjisht, ndërsa në piano kishte arritur madje, shkallë mjeshtërore, por botëkuptimi dhe sjellja e tij ishin si të zogut të pulës, dhe ai jo vetëm që nuk kishte idenë sesi mund të qeverisej një vend e një popull gjysmë i egër, por madje, as e dinte se ku, si dhe çfarë ishte Shqipëria.

Për të (unë kam biseduar qindra herë me të), Shqipëria ishte një vend i bukur, banuar prej njerëzish disi të çuditshëm, por besnikë, të cilët ndaheshin në dy kategori: në të parën bënin pjesë ata që u ngjanin zyrtarëve të vegjël e të mëdhenj të Perandorisë, në të dytën, ata që u ngjanin kopshtarëve dhe ushtarëve të gardës së pallatit. Nga të gjitha anët princ Burhanedini ishte një person krejt i papërshtatshëm për fronin e Shqipërisë. Kur fanatikët myslimanë të Shqipërisë së Mesme u ngritën kundër princ Vilhelmit në 1914 dhe më vonë kundër Esat pashë Toptanit dhe rrethuan Durrësin, prijësit e tyre ngritën një shatore në kampin e tyre në Shijak, ku siç thoshin ata, banonte princ Burhanedini, me qëllim që, me t’u marrë Durrësi të hipte në fronin shqiptar.

Kandidatura e princit turk ishte një shfaqje. Kjo komedi ishte kurdisur nga agjentët e Turqve të Rinj[1] për të ruajtur në një farë mënyre, marrëdhëniet e Perandorisë Osmane me Shqipërinë. Unë personalisht mendoj se as prijësit e rebelëve në Shqipërinë e Mesme, as agjentët turq, aq më pak vetë princi Burhanedin nuk kanë besuar ndonjëherë me të vërtetë në mundësinë e kandidaturës së një anëtari të derës së osmanëve.

Pasoja më serioze pati kandidatura e marshallit turk (me prejardhje shqiptare) Izet Pashës. Unë isha atë kohë në Berlin dhe do të shkruaj jo si dëshmitar i ngjarjeve, por me të dëgjuar dhe në bazë të dokumenteve që studiova më vonë. Me sa duket, pas mbarimit të Luftës Ballkanike me pasoja aq të rënda, Turqit e Rinj në Stamboll kishin ngritur kokë përsëri dhe si aksion të parë në Shqipëri u përpoqën të rivendosnin disi ndikimin turk. Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve i datës 29 korrik 1913 që të mos lejohej në asnjë mënyrë ndonjë ndërhyrje turke në Shqipëri, dukej se nuk i merakoste shumë ato. Nuk donin aspak të hiqnin dorë nga lodra e tyre e vjetër. Kështu ndodhi që një ditë prej ditësh komiteti i Turqve të Rinj caktoi si kandidat për fronin e Shqipërisë këtë marshall pak të njohur, lindur në Naseliç, babai i të cilit ishte i shpërngulur në Samboll, dhe që tani befas, u kujtua se rridhte nga një fshat i Shqipërisë. Për t’i dhënë kësaj komedie ngjyrën e një lëvizjeje popullore, ata rekrutuan disa propagandistë nga radhët e anëtarëve të Institutit gjuhësor “aksaray Mahfili”, të atij instituti të cofur prej kohësh që kishte dashur të fuste alfabetin turk për shkrimin e shqipes, dhe nën drejtimin e një farë Arif Hikmeti, i dërguan ata në Shqipëri.

Po kështu, ata emëruan kapiten (major) Beqir Grebenenë, komandant të një grupi aksioni të përbërë prej 420 ushtarësh me përvojë dhe të vendosur, i cili do të dërgohej në Vlorë. Me këta njerëz Beqir Grebeneja do të merrte nën kontroll Qeverinë Provizore në Vlorë dhe pak e nga pak duke u mbështetur tek elementi fanatik mysliman, do të përgatiste vendin për planet e Turqve të Rinj. Plani ishte naiv, por jo krejt në erë, sidomos po të mendosh se komplotistët shpresonin në miratimin e heshtur të Qeverisë së Përkohshme në Vlorë.

Çështja e transportit u zgjidh fare lehtë. Shoqëria austriake e lundrimit e linjës së Thesalisë do t’i merrte këta shqiptarë të “riatdhesuar” dhe do t’i zbriste në Vlorë. U blenë pra 427 bileta në Stamboll, 15 ditë para nisjes më të afërt, duke i rezervuar kështu vendet në anije. Atëkohë inspektor i Llojdit për Lindjen e Afërme dhe Stambollin ishte një farë zoti Jergomila me prejardhje shqiptare dhe një nga miqtë tanë më të mirë. I ngacmuar nga fjalët që qarkullonin edhe në Stamboll për rivendosjen e sundimit turk në Shqipëri, ai njoftoi sakaq ambasadën austriake e në të njejtën kohë ngarkoi kapitenin e anijes së LLojdit që nisej po atë ditë në Vlorë, t’i dorëzonte tim eti një letër ku ai shprehte dyshimet e tij ende të pavërtetuara.

Im atë vuri në dijeni për përmbajtjen e saj disa anëtarë të Komisionit të Kontrollit (Petroviç, Lamb, Myfit bej Libohova). Këta nga ana e tyre njoftuan qeveritë përkatëse dhe urdhëruan ndërkaq oficerët hollandezë të arrestojnë çdo udhëtar që do të zbresë nga Llojdi në 7 janar 1914. Gjithçka ndodhi siç pritej. Barka e parë zbriti në breg Beqir Grebenenë bashkë me 6 oficerë të tjerë, të cilët kërkuan që të çohen menjëherë tek Ismail Qemali. Ata u arrestuan dhe të tjerët nuk u lejuan të zbrisnin në breg. Ndërsa Llojdi mori udhëzime nga konsullata që t’i kthente “udhëtarët” në Trieste e prej andej në Stamboll. Në proçesin gjyqësor oficerët turq deklaruan se kishin ardhur në Shqipëri “me miratimin e Kryetarit të Qeverisë së Perkohshme” për të mbështetur kandidaturën e Izet Pashës në fronin shqiptar.

Marshalli – thanë ata – ka vepruar në marrëveshje të plotë me Ismail Qemal beun i cili dëshironte të mbështetej te Turqia. Të ishte kjo e vërtetë? Sadoqë pohimet e të pandehurve nuk ishin aspak bindëse, ato megjithatë zgjuan dyshimet e Komisionit të Kontrollit ndaj personit të Ismail beut. Atij iu lutën të jepte dorëheqjen dhe ai e bëri këtë: më 22 janar 1914 hoqi dorë nga posti i kryetarit të Qeverisë së Përkoshme dhe shkoi në Itali e më vonë në Nicë, ku jetonin e shoqja dhe i biri, Mahmuti. Herën e fundit që e takova Ismail beun, përpara nisjes sime për në Berlin, ai dukej shumë i vrarë; duke buzëqeshur trishtueshëm më tha: “Siç duket ti me pesimizmin tënd ke qenë i vetmi që i ke parashikuar drejt dhe qartë ngjarjet! Është shumë e vështirë edhe kur e ke vullnetin e mirë, që të bësh diçka të mirë në vendin tonë!”. Ishin fjalë të një burri të lënduar thellë dhe të zhgënjyer keqas!

  1. Arif Hikmet, Haxhi Adil, Qamil Fejzo, Xhenabi Adil, dhe të tjerë gjysmëturq dhe gjysmëshqiptarë, që vazhdonin të besonin në tablotë iluzore të fantazisë së Turqve të Rinj

 

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2020
  • Post author:
  • Post category:Huazime