Autarkia e Krizës. Kritika e të djathtës europiane dhe urgjenca shqiptare

Ngritja e forcave politike të djathta në Europë vjen si pasojë e dy shkaqeve, që qëndrojnë në raport indirekt me atë çka do të thotë “e djathtë” politikisht. Shkaku i parë ishte fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të 2016, ndërsa i dyti vjen në formën e krizës së emigracionit që mbuloi Bashkimin Europian e që vazhdon akoma sot. Terreni politik europian u tregua i mprehtë në asimilimin e dinamikave që po krijoheshin dhe rezultati u shpërfaq si një ngritje e rrufeshme e mbështetjes popullore ndaj partive të djathta, të cilat u shprehën hapur kundër establishment-it (duke iu referuar Trump-it), dhe krizës së emigracionit, që sjell në horizont pasoja tjetërsuese tepër të rrezikshme.

Të dy shqetësimet e ngritura politikisht nga të djathtat europiane qëndrojnë, si të vërteta dhe si probleme. Urgjenca nuk është e barabartë në zgjidhjen e atyre, ashtu siç nuk është edhe mundësia konkrete për ta bërë këtë. Megjithatë, ne kemi një qëndrim kritik ndaj “situatës së djathtë” në Europë.

Ne e shohim këtë ngritje, rritje dhe sukses të pjesshëm elektoral të të djathtave në fushën politike europiane si dobësinë e brendshme të vetë të djathtës europiane në përgjithësi. Zgjimi i të djathtës për shkak të kushteve demografike-politike, shfaq më së miri zbrazjen e asaj që duhet të ishte esenca e të djathtës. Situata e emigrimit nuk erdhi papritur, por është qartë rezultat i një procesi të gjatë politikash liberale, globaliste të të majtave që kanë drejtuar për dekada Europën. Gjendja e sotme ka qenë kollaj e parashikueshme që në çastin e fillimit të shpërbërjes së brendshme të Universiteteve dhe shkencave humane, për t’u shtrirë tek vlerat sociale, politike e kulturore tradicionale. Asnjë “i huaj” nuk do të hidhej mbi Europë në formën dhe masën e sotme, nëse disa sfera dhe rende të domosdoshme nuk do të shbëheshin më parë nga politika të caktuara.

Atë që Diego Fusaro thotë për të majtat, mund ta shprehim njëlloj edhe për të djathtën. E majta për Fusaro e ka tradhtuar çështjen sociale dhe revolucionare duke u bërë vetë pjesë e dinamikave të pathemelta të globalizmit vetëm e vetëm që të qëndrojë në sipërfaqen e jetës politike, me pasojën e të qënit hija e të majtës.[1] E njëjta gjë mund të thuhet plotësisht për të djathtat. E djathta u identifikua me versionin amerikan duke u bërë propozuesja zyrtare e globalizmit ekonomik, ndërkohë që e majta shtynte globalizmin kulturor. Armiqtë e vjetër me kapele komuniste apo këmishat fashiste shërbejnë si kufij imagjinarë të asaj që është politikisht korrekte. Kjo paradigmë ideologjike është në vetvete një kufi duke qenë se armiqtë tashmë janë ahistorikë, të kapërcyer në momentin e tyre, pa përbërë asnjë rrezik. Megjithatë, ajo kapele e kuqe apo këmisha e zezë, përcaktuan se çfarë nuk duhet të ishte e majta dhe e djathta, për të përfunduar tek hibridizimi globalist i lodrave politike. Përgjegjësia e të djathtës në këtë proces, nuk është aspak më e vogël se e së majtës. E djathta e sotme është versioni “nacionalist” i kësaj që po kritikojmë.

Pabesueshmëria ndaj të djathtave europiane sot, qëndron në progresion të drejtë me cektësinë e qëndrimit të tyre politik dhe ideor. Oportunizmi i hapur i të djathtave parlamentare shpreh një dëshirë të fshehtë për “jo-europianin” si prezencë e vazhdueshme në terrenin politik ndër-kombëtar, përsaqë programi dhe jeta politike e këtyre forcave e ndërton shtyllën e vetë mbi një masë jo solide trupash njerëzorë. Nëse e djathta i bën llogaritë duke u nisur nga koncepti i genusit, sigurisht që karriera politike do të jetë e gjatë. Por, nëse këto llogari bëhen mbi konceptin e hapësirës dhe lëvizjes, atehërë çdo fuqizim i të djathtës në europë qëndron në raport të drejtë me prezencën dhe thellimin e krizës së emigracionit dhe problematikave të tjera dytësore të lidhura me të.

Të djathtat e sotme parlamentare nëpër Europë, përfaqësojnë një karakter të ngjashëm me atë të së majtës dekada të shkuara. Mllefi kombëtar për gjendjen e emigracionit, multikulturalizmin, globalizmin e imponuar nga lart dhunshëm, etj. Ekonomia e mllefit është arma e fortë e të djathtës në ditët e sotme, dhe në fakt kjo është e vetmja gjë që e dallon nga e majta e kohëve të shkuara. Mllefi tashmë nuk është për gjendjen e punëtorëve dhe sistemin e kaptalizmit global, etj., etj., por për rrezikimin e vlerave familjare, tjetërsimin e identitetit kulturor dhe kombëtar, heterogjiniteti i sforcuar midis grupeve etnike tërësisht homogjene. Me pak fjalë: vënia në diskutim e mënyrës së të qenit të këtyre qenieve kolektive. Sigurisht që kjo nuk është e ndarë nga procesi për të cilën folëm më sipër. Të gjitha vlerat iu dorëzuan ekonomisë në vitet e paqes së pasluftës. Tashmë pasoja është e dukshme, dhe reagimi thjesht mllef. Me termat e Schmitt, vënia në diskutim e mënyrës së të qenit, është mohimi radikal, dhe mundësia e konfliktit, si e vetmja mundësi e politizimit të situatës.[2] Dallimi Mik-Armik themelon politiken, dhe ndoshta gjendja e krizës në Europë do të rezultojë në një rindërtim të politikes së shkatërruar nga brenda. Gjithçka i ngelet mundësisë dhe gatishmërisë së konfliktit, për të mbrojtur conatus essendin specifik, nëse do shpreheshim me Spinozën.[3]

Kështu arrijmë tek çështja që na intereson kryesisht: Çfarë ndikimi ka kjo gjendje e të djathtës në Shqipëri? Përgjigjia përcakton qëndrimin teorik dhe politik në këtë vend. Dikush do të shprehej se krijimi i një gjendjeje të tillë në Shqipëri, do të ishte një mundësi për lulëzimin e forcave alternative politike, si edhe një arsye politikisht legjitime për të “provuar dorën” kundër qeverisë. E vërteta është se nuk mund ta mohojmë logjikën e këtij argumentimi, dhe kjo është logjika e urgjencës. Megjithatë, ne mbajmë një qëndrim tjetër, të cilin e ngremë dhe mbështesim me argumenta të cilët, besojmë, i shërbejnë më mirë jetës dhe të ardhmes së vendit.

Së pari duhet bërë e qartë se pranimi i pranimit të krizës së emigracionit në vend (kjo edhe në raport me debatet e fundit mbi këtë çështje), automatikisht pohon edhe se i jepet një mundësi e re, për të zgjatur vaktin e vet politik, të djathtës vendase, pra opozitës. Për ne, kjo e fundit, nuk është asgjë më pak se përgjegjëse për çdo krizë të kaluar e të tashme në këtë vend, dhe shumë pak e ndryshme nga ato europiane për të cilat folëm. Në kushtet hipotetike për të cilat po flasim, “e djathta” vendase do të monopolizonte çështjen dhe gjithë argumenti i lindjes së forcave alternative do të shkërmoqej nën këtë zhvlerësim të ri. Sistemi substancialisht është monist, polariteti thjesht fenomenal. Kështu kjo mundësi përjashtohet edhe për këto arsye.

Ne nuk e pranojmë krijimin e një gjendjeje krize të emigrantëve në vend. Sigurisht që ky qëndrim është përhapur dhe ka qarkulluar masivisht, pra, deri këtu asgjë e re. Por ndryshe nga qëndrime të ngjashme, ne nuk pozicionohemi kështu sepse shteti ska resurse, institucione, sisteme sigurie, themele të mbrojtura kulturore dhe identitare apo krizën e largimit në masë të shqiptarëve. Rrjedhimisht nuk ka kuptim hapja ndaj një vale emigracioni. Të gjitha pikat e mësipërme qëndrojnë dhe janë të vërteta. Por ne duam ta shikojmë ndryshe problemin.

Do të përdorim koncepte marksiste për të shprehur tezën tonë qartë. Hapja ndaj një vale emigracioni që me shumë gjasa do të shndërrohej në një krizë të shumfishte e me shumë koka, do të krijonte mundësinë e ngritjes së një superstrukture në Shqipëri. Në Shqipëri mungon çdo lloj superstrukture, duke e marrë këtë në sensin më neutral dhe të përgjithshëm. Klasa intelektuale, religjioze, burokratike, kulturore dhe artistike, në vija të përgjithshme nuk vepron mbi një paradigmë ideore të vendosur nga pushteti apo të determinuar nga marrëdhëniet në prodhim. Të paktën shihet një thyerje midis qëndrimit privat dhe publik në lidhje me këtë çështje. Këto klasa janë të panevojshme për të siguruar masën e madhe të fuqisë së pushtetit. Ndryshe nga superstruktura që kritikonte Marks në shoqëritë borgjeze të kohës së tij, të cilat qëndronin në një lloj koordinimi për vizionin e botës që mbrohej. Kjo që mund të konsiderohet si mangësi në Shqipëri, në fakt, në kushte të tilla, kthehet në një fat, edhe pse negativ.

Mungesa e kësaj superstrukture si fat negativ, do të kthehet menjëherë në një fatkeqësi pozitive në momentin e ngritjes së një krize të emigrantëve të ngjashme me ato europiane, por që pasojat në vendin tonë do të ishin krejt të ndryshme. Fatkeqësia pozitive kuptohet në formën e OJF-ve, organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, etj., politikat dhe komisionet e BE, forca politike dhe intelektuale të majta globaliste që do predikojnë në një linjë të caktuar, institucione fetare të cilat kanë në qendër besimtarin potencial dhe sigurisht, partitë që gjuajnë votuesin dhe korruptuesin. Superstruktura do të ngrihej me një qëndrim të qartë dhe të koordinuar për botën dhe situatën e momentit.

Kjo gjendje do të krijonte një përfytyrim krejt të ri për problemin e vërtetë. Ky i fundit do të largohej tepër me vendosjen e problemit të ri në qendër të vëmendjes. Problemi i Shqipërisë janë shqiptarët. Pikërisht shqiptarët në institucione, në arsim, në shëndetësi, në televizion dhe patjetër që në politikë. Duhet pohuar që ka një vetëdije në rritje për këtë gjë dhe pikërisht kjo është shenja që paralajmëron kthesën e ardhshme. Mungesa e superstrukturës së konsoliduar në Shqipëri bën që reagimi kundër problem të vërtetë të jetë i menjëhershëm dhe kryekëput politik.

Shqipëria ka fatin të gjejë nxitjen dhe vrullin jetësor jo nga tjetri, por nga vetja, duke e parë veten si tjetri dhe tjetrin si vete. Alkimia e brendshme e botës shqiptare është domosdoshmëri, e pra, e pashmangshme, por vetëm nëse problemi ruhet në qendër të vëmendjes. Autarkia e krizës, guxojmë ta shprehim qëndrimin tonë. Kriza vendase me vendasit si shkak dhe pasojë e pasojë e shkak i saj, duhet të pranohet si e vetëmjaftueshme. Duhet refuzuar çdo përpjekje për të injektuar kriza të jashtme të cilat do të shtynin edhe më ardhmërinë e Shqipërisë. Kriza vendase mjafton sepse shqiptari mjafton ta zgjidhë atë. Vetëmjaftueshmëria e krizës është pozicion i qartë politik i cili mund të shtjellohet qartë në zhvillime të mëtejshme. Autarkia e krizës si e vetmja mundësi e ngritjes së një force politike që lind nga vetja si domosdoshmëri dhe jo si pasojë e një  shkaku të jashtëm, duhet të na kthjellojë mendimet. Aksioni duhet të na karakterizojë; i pastër, i përqëndruar dhe me qëndrim. Reaksioni është për të dëshpëruarit dhe për kafshët. (Në kushte ekstreme pranohen edhe këto. Ky shkrim vërteton që kushtet ekstreme nuk e kanë zhytur të gjithë vendin.)

  1. Për më tepër shih: Diego Fusaro, Il Futuro e nostro, Filosofia dell’Azione, Bompiani, 2014.
  2. Për më tepër mbi dallimin Mik-Armik si kategoria ekskluzivisht e politikes, shih: Carl Schmitt, The Concept of the Political, The University of Chicago Press, Chicago, 2007.
  3. forma përkatëse e ekzistencës’ tek Schmitt, e cila rrezikohet nga armiku, mund të shihet si conatus essendi spinozian. Kjo sipas përdorimit që Schmitt i bënë konceptit të Spinozës. Tek Etika, Spinoza shkruan, në Pjesën e III, Parashtrimi VI: “Çdo gjë, për aq sa ai është tek ajo, përpiqet që të ngulmojë në qenien e saj.” Spinoza, Etika, Pika Pa Sipërfaqe, Tiranë, 2015, fq. 129. Pra, për aq sa Zoti apo Substanca unike është apo shprehet tek ajo Gjë, kjo e fundit ngulmon në qenien e saj, pra në ekzistencë.

 

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2020