Potenciali revolucionar në Shqipëri: Reflektim mbi trinitetin Atdhe-Komb-Shtet

Konceptin e revolucionit në këtë shkrim do ta shohim në aspektin politik, dhe jo në dimensione të tjera në të cilat shpesh përdoret termi për të shenjuar një moment me rëndësi për fushën në fjalë si psh. revolucion shkencor, etj. Revolucioni i kuptuar politikisht është domosdoshmëri në këtë urgjencë që e ka mbërthyer shoqërinë politike shqiptare, pra, kombin. Megjithatë, të mendosh mbi revolucionin brenda urgjencës nuk do të thotë të biesh në kurthin e saj, përkundrazi, por të hedhësh hapin e parë revolucionar duke ngulmuar në qetësinë e mendimit mbi të.

Revolucioni si koncept meriton një shqyrtim dhe hulumtim shumë më të thellë filozofikisht dhe koha prej së cilës do të lulëzojë ky trajtim do të piqet pashmangshmërisht. Ndoshta nuk do të kemi revolucionarë profesionistë të cilët në kafenetë më të mira të qyteteve europiane teorizonin mbi të, ashtu siç i përshkruan Arendt tek On Revolution[1], por sigurisht që filozofia politike si disiplinë e filozofisë do të krijojë hapësirat dhe zonat e saj të veprimit dhe shtrirjes mes shqiptarëve.

Përpjekje të çala, të pamenduara dhe pa studiuara të të ngriturit të një majte marksiste në Shqipëri që prej nëntëdhjetës, janë simptoma të varfërisë intelektuale për të kuptuar konceptin e revolucionit. Qofshin ato të majta enveriste, maoiste, norvegjiste apo studentore internacionaliste, dështimi ndodh që në gjenezën e ngritjes së tyre. Plusi me plusin shtyhen në fusha magnetike. Kështu, shpërbërjes së qenieve politike kombëtare, të cilën mund ta përcaktojmë si proçesi i shpër-qenies, që globalizmi kryen tani dhe çdo moment nëpërmjet një fluiditeti as transparent dhe sigurisht që jo solid, por të llumtë, marksizmat studentore internacionaliste të kafeneve shqiptare duan ta luftojnë me mjetet që ai ka bërë të vetat.

“Duke lajmëruar shpërbërjen e rendit botëror ekzistues proletariati nuk bën gjë tjetër veçse zbulon të fshehtën e qenies së vet, sepse pikërisht ai vetë është shpërbërja efektive e këtij rendi botëror.”[2]

Pikërisht këtë pamundësi të kohës së Marks e kanë edhe majtistët e rinj përsaqë globalizmi nuk reziston por vazhdon tepër më përpara në vrullin e vet shpërbërës. Revolucioni nuk mund të kuptohet më në terma të marksizmit klasik dhe aq më pak në terma të majtizmit të deformuar shqiptar. Nëse ka një kuadër intelektual që hap një dimension të vlefshëm për të rimenduar konceptin e revolucionit në kushtet e globalizmit është ai i tradicionalizmit[3] dhe revolucionit-konservator[4], debate intelektuale të gati një shekulli më parë forcën e të cilëve nuk e zhbëri as koha, as lufta dhe as globalizmi. Megjithatë, në këtë shkrim kemi si qëllim të ngremë disa linja mendimi mbi raportin e shqiptarit me revolucionin.

Për të qartësuar pjekurinë e titullit dhe për të dhënë një shije të këndvështrimit revolucionar-konservator ia vlen të citohen fjalët hyrëse të të cilit esencialisht diagnostikojnë raportin e shoqërive europiane me veten e tyre.

“Një revolucion ndodh një herë të vetme. Nuk është një çështje të cilën një komb e negocion me kombe të tjerë. Është shqetësimi më privat dhe intim i një populli, të cilin ai popull duhet ta mbajë vetë dhe për vete. Në sajë të drejtimit që një popull i jep vullnetarisht revolucionit, përfundimi i tij do të përcaktojë të ardhmen e atij populli. Ne Gjermanët ende nuk kemi patur një revolucion politik në historinë tonë. Kjo mund të merret si një shenjë që historia jonë është në mes-rrugën e vet. …”[5]

Megjithatë, në kuadrin e botës shqiptare, këtë ide duhet ta kuptojmë më tepër në terma politikë – duke e përqëndruar këtë tek ideja e shtetit, kombit, atdheut – sesa në terma emancipimi, formësimi identitar, etj., siç vlejti në rastin e shumë vendeve europiane. Kështu duke treguar se pjekuria e kombit vjen prej përjetimit revolucionar dhe të revolucionit duhet të kuptojmë se pse kjo pjekuri nuk është arritur, në mënyrë të që mund të na hapet një zonë ku të mund të bëhet i dallueshëm potenciali revolucionar në Shqipëri.

Tre konceptet e përmendura më sipër dhe mos raportimi i tyre në formën e një triniteti autarkik kanë prodhuar vonesën, pezullimin dhe zhbërjen e çdo potenciali revolucionar në Shqipëri. Identiteti i tyre në ruajtjen e dallimeve të veta si koncepte të pandashme, as filozofikisht dhe aq më pak politikisht, tregon qartë operimin e globalizmit në këtë shoqëri. Përcaktimi i një origjine historike të këtij fenomeni është çështje që kërkon një tjetër trajtesë. Pavetëdija e këtij triniteti konceptual-real e ka zhvlerësuar, shtypur dhe përqeshur potencialin revolucionar shqiptar.

Kjo moskuptueshmëri e trinitetit Atdhe-Komb-Shtet, ka ndodhur prej një ngatërrese mbivendosëse dhe subversive ndaj termave dhe psikës kombëtare. Për shkak të injorancës, diktaturës, demokracisë, liberalizmit, globalizmit, para-modernizmit global të shqiptarit, apo qarqeve dhe axhendave intelektuale dhe politike, kjo paqartësi është fakt, dhe fakt që na imponohet përditë në ligjërimet zyrtare të politikës, në ato pseudo-zyrtare nëpër rrjete sociale, të familjes, universitetit dhe shokut të kafes.

Dakordësimi i vetëm dhe më i rrezikshëm mes shqiptarëve në këtë kuadër është i tillë që përbën rrezikshmëri të madhe për ekzistencën dhe të ardhmen kolektive. Dakordësimi mund të formulohet kështu: identitet i qeverisë dhe shtetit. Me fjalë të tjera mund të themi se në ndërgjegjien kolektive të shoqërisë Shteti është mjet i qeverisë dhe jo e kundërta. Si rrjedhim, shteti është përgjegjësi ndaj çdo padrejtësie apo keqvajtjeje të punëve në vend. Por kujdes, pasojat e këtij identiteti patricid, nuk shkojnë deri tek mosdallimi midis policit dhe deputetit në terma statusi kur të dy përcaktohen si shtet, nga të tjerët dhe mes tyre, por shkojnë deri në të thellat rrënjë të tokës që e ndjejmë, njohim dhe dimë për Atdhe.

Kështu, ligjërata mbi emigracionin, korrupsionin, konçesionin, përdhunimin, vrasjen dhe qesharaken, kthehet në shfryrje të cilat përmblidhen në mënyrën më të zezë të mundshme, pra: Në këtë vend nuk jetohet më. Problemi është se vendi është atdheu (viktima e fundme është kombi) në të cilin një shtet i ngritur reduktohet në përfaqësimin e një dore hiri që do ta marrë era, duke u ndarë pashmangshmërisht nga koncepti i kombit dhe për t’i deleguar turpet dhe fajet Atdheut, ndoshta i vetmi që kurrë nuk na ka tradhtuar që nga fillimi i botës dhe këtë e tregon ulliri në bregdet, lumenjtë, fushat pjellore, klima olimpike dhe atmosfera që ka nxitur manifestimin e traditave dhe zakoneve shpirtërore të një kombi.

Nëpërmjet mosraportimit të drejtë më këtë trinitet, që duhet të jetë i shenjtë për ne, në tokësinë e vetë, mund të shohim një udhë hulumtimi për të ndihmuar kuptimin e të gjithave fenomenet historike e sociologjike të kësaj shoqërie, veçanërisht ato bashkëkohore. Në të njëjtën kohë, nëpërmjet kësaj vetëdijeje mund të arrihet një aktivizim i potencialit revolucionar që domosdoshmërsht rrjedhon prej të qëndruarit drejt përballë dhe brenda këtij triniteti që menjëherë e tejkalon dhe e mbush dimensionin politik me atë etik, metafizik, estetik.

Qeveria nuk është shteti. Me këtë duhet të kuptojmë qeverinë në terma individësh dhe partish të cilat për dekada të tëra mund të shihen si përqëndrim i anti-politkës. Nga ana tjetër, shteti nuk identifikohet me popullin dhe sovranitetin që këtij i bashkangjitet me një fletë të tenderuar vote, por kombi që manifeston si trup atdheun dhe si frymë veten, në shtetin që i jep të parit dhe të parëve. “Kombi është ndërmjetës dhe përgjegjës për Shtetin që i jep Atdheut”

Referenca:

  1. Për më tepër shih: Hannah Arendt, On Revolution, Penguin Books, London, 1990.
  2. Karl Marks, Rreth kritikës së filozofisë hegeliane të së drejtës, Shtëpia Botuese ‘8 Nëntori’, Tiranë, 1979, f. 26.
  3. Për një panoramë më të afërt në kohë të tradicionalizmit dhe vizionit të tij politik, i cili dallon jo në pak gjëra me tradicionalizmin reaksionar post-revolucion francez: Julius Evola, Revolta contro il mondo moderno, Edizioni Mediterranee, Roma, 1998; Julius Evola, Men among the ruins, Inner Traditions, Rochester, Vermont, 2010. Rene Guenon, Spiritual Authority and Temporal Power, Sophia Perennis, New York, 2001.
  4. Shih: Klemens Von Klemperer, Germany’s New Conservatism, Princeton Legacy Library, London, 1957; George L. Mosse, The Crisis of German Ideology, Schocken Books, New York, 1981,
  5. Arthur Moeller van der Bruck, Germany’s Third Empire (pdf), f. 5.
Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019