Ndodhitë e Shqipërisë – nga një qytetar që e do vendin e vet

Para disa kohësh m’u desh të kthehesha në qytetin tim të lindjes, ku jam rritur dhe jetoj aktualisht, në Pogradec. Mbërrij rreth mbasdites. Ajo që më tërhoqi vëmëndjen ishin rrugët e boshatisura. Dola një xhiro te Kisha e Re aty ku vet banoj dhe i rashë rreth e rrotull gjithë qytetit. Mbizotëronte qetësia, ndihej fërshëllima e erërave të forta që frynin, mirëpo s’shihje këmbë njeriu rrugëve. I gjithë qyteti ishte në gjumë. Rrallë herë kalonte ndonjë makinë tek tuk dhe ato pak që kalonin përshkronin rrugën në të dalë të qytetit. Ishte hera e parë që nuk shihja këmbë njeriu në qytetin tim në këtë orë. Më përpara ishte ndryshe, në po të njëjtën periudhë si sot një vit apo dy vite para shikoje qytetin që gumëzhinte nga njerzit. Dikush rrëkëllente ndnonjë gotë raki ose verë nëpër lokale e fillonte grindej me pronarin  a me ndnonjë klient tjetër, dikush dilte me të dashurën një shëtitje anës liqenit apo të tjerë të rinj që i mbushnin plot e përplot lokalet ama kishte gjallëri, kishte jetë. Thashë ndoshta ndodh kjo gjë se jemi në nëntor, ftohtë ështe edhe erret shpejt edhe janë duke fjetur.

Zgjohem në mëngjes dal me një shokun tim të ngushtë të konsumoj një kafe edhe i tregoj për situatën që më ndodhi dje. Duke konsumuar të njejtën bisedë mësoj se të gjithë shokët e mi madje edhe shokë të shokëve, gati të gjjthë të rinjtë në Pogradec ishin larguar. Gjithë shoqëria që isha rritur. Edhe me të vërtet, dal me mikun tim dhe nuk shihja asnjë moshatar në qytet. Të gjithë e kishin braktisur këtë vend të mrekullueshëm, disa kishin ikur në Greqi me periudhe tre mujorshe sezonale në bujqësi duke punuar në ullinj, mollë, qershi a një zot e di çfarë, disa të tjerë kishin nxjerrë kartat greke dhe jetonin e punonin në Greqi, kishin filluar një jetë të re, të tjerë në Itali, Gjermani në ndërtim, Francë, Austri e një zot e di ku. Të gjithë moshatarët e mi e kishin braktisur qytetin dhe jo vetëm qytetin por edhe  gjithçka tjetër, familjet, shtëpite e tyre, ishin larguar përfundimisht nga Shqipëria për një jetë të re.

Zanafilla e gjithë këtyre problemeve qe papunësia dhe varfëria që ka kapluar vendin. Me ikjen e moshatarëve tim më mallëngjenin edhe kujtimet që ne kishim kur ishim të gjithë sëbashku. Ishte gjë e frikshme, një qytet i cili ishte braktisur nga rinia,  vazhdon e braktiset akoma edhe më shumë. Mirëpo nuk po e përjeton vetëm qyteti im këtë fenomen. Po e përjetojnë shumë qytete në Shqipëri, sidomos qytetet e veriut. Puka ka një numër të lartë të rinjsh të larguar, shifrat janë aq të larta saqë aty zor se sheh të rinj, kanë ngelur vetëm burra e pleq, Puka po vdes, e jo vetëm Puka, por të gjithë qytetet që nuk patën “fatin” e mirë të përbindëshit kryeqytetas. E njëjta gjë vlen edhe për Kukësin ku jeta rrezikohet në mënyra të ndryshme, nëpër kamionë apo kontenierë mallrash për të shkuar drejt Anglisë për lek, për një punë e një jetë më të mirë. Vazhdojmë me Dibrën, Hasin, Beratin, Tropojën, Vlorën, Lushnjën, Librazhdin të gjitha qytetet e Shqipërisë nga veriu në jug, kush më shumë e kush më pak. Të rinjtë po ikin, e ardhmja e këtij kombi, ajka e këtij kombi po largohet nga ky vend. Varfëria po i vret, papunësia, mungesa e shpresës këtu, korrupsioni, krimi politika po i largon.

Problemi kryesor për të rinjtë është papunësia . Në bazë të disa studimeve statistikore psh Instat  79% e të rinjve të intervistuar të moshës 18-29 vjeç kanë shprehur dëshirën për t’u larguar nga vendi pasi nuk shohin më të ardhme për jetën e tyre këtu, dhe 30% e kësaj moshe janë të papunë, po ta mendosh një numër shumë i lartë ky. Një i ri i moshës 23-27 vjeç që krijon jetën i pavarur, me zor është i aftë të mbajë veten e tij me punë, duke punuar si kamarier ose në call center dhe jo më të jetë i lidhur me një vajzë ku të mendojë një jetë me të duke u fejuar a martuar, le më të krijojë e familje me fëmijë. Fëmijën me atë rrogë se mbajnë dot me bebelina e jo me gjëra të tjera. E ti kenë këto plane, me çfarë baze ekonomike do e ndërtojnë jetën e tyre të re dhe familjen e tyre.

Flitet për një shifër prej 500 mijë qytetarësh të larguar nga Shqipëria, ekzaktesisht midis viteve 2012-2019 sipas Instat, një shifër shumë e frikshmë nqs është e vërtetë për një vend që si ka as 3 milion banorë. E gjithë kjo vjen prej politikës, prej një klase politike e cila e ka vjedhur plaçkitur e shitur këtë vend duke bërë si i do qejfi, që nuk i  kërcet fare për qytetarët e saj, por kanë si synim vetëm të mbushin xhepat e tyre edhe të sigurojnë ekonominë deri në brez të shtatë të gjakut të tyre. 500 mijë njerëz largohen për shkak të 30 personave, jo të ngrihen e të luftojnë për të drejtat e tyre, për jetën e tyre këtu por e kanë më të lehtë të braktisin cdo gjë: Fëmijërinë e tyre, familjet e tyre, qytetin e tyre, kombin e tyre, kujtimet e tyre, thjesht t’ja mbathin. Ndërsa përmendëm më sipër që gati të gjitha qytetet e Shqipërisë po kthehen në shkretëtira e vuajnë nga largimi i të rinjve, i ajkës së kombit, në fshat po ndodh një fenomen tjetër i frikshëm.

Ndarja e re administrative-territoriale që u bë në Shqipëri, kjo vetëm për lojra politike, për të fituar pushtet në sa më shumë bashki nga njëra palë politike, duke vendosur shkrirjen e komunave në njësi administrative, solli nje efekt tepër të rëndë për fshatrat e vendit. Më përpara, me ekzistencën e komunave nga pushteti vendor, caktohej, një buxhet përkatës për fshatrat e këtyre komunave, në të cilat bëheshin investime, si për të rregulluar  e shtruar rrugët e tyre, apo për të hapur ndonje zonë ambulance ose spitali lokal, ose për investime të shkollave e kopshteve të fshatrave të ndryshëm, apo investimë në bujqësi e blegtori për rrethinat e këtyre zonave. Pra, komuna ndihmonte sadopak ekonominë e fshatrave. Mirëpo, tani me zhdukjen e komunave dhe vendosjen e njësive administrative, një pjesë buxheti shtetëror që hartohej për këto fshatra periferike, ku më përpara shkonte direkt pranë komunave, për ekonominë e mirëqënien e fshatrave të saj, tani shkon pranë bashkive të vendit. Dhe bashkitë e vendit, të gjithë buxhetin e ish komunave që duhet ta investojnë në zonat ku i përfshinin këto njësi administrative, e hedhin si investim për qytetin, vetëm në qytet.

Dhe fshatrat ngelen në harresë. Më parë kur ishin komunat kishin një farë ndihmese, ndërsa tani janë lënë në mëshirë të fatit. Kjo ndarje e re administrative ka sjellë varfërinë dhe skamjen tepër të madhe në zonat ruralë, ku fshatarët nuk kanë pothuajse asnjë të ardhur mënjanë, dhe e mbajnë veten vetëm me produktet bujqësore që ata prodhojnë dhe i konsumojnë vet. Reforma e re territoriale bëri që zonat rurale të ngelen në mëshirën e fatit, duke u përballur me këtë realitet të hidhur fshatarët detyrohen të shesin ose braktisin tokat dhe shtëpitë e tyre, ku disa prej tyre shkojnë në qytet ku nuk adoptohen dot me jetën e qytetit dhe të tjerë largohen nga vendi.

Tokat dhe shtëpitë e shumë prej tyre ngelen të braktisura. Duke parë këtë situatë të frikshme, e cila ka kapluar jo vetëm qytetet e Shqipërisë por edhe fshatrat e saj, të dorëzuar para këtij fenomeni, me 500 mijë shqiptarë të larguar nga vendi përgjatë këtyre 8 viteve dhe me largimin e një numri të konsiderueshëm të të rinjve të vendit tonë, që janë shtylla kurrizore, shpresa e atdheut tonë, dhe me parashikimet e bëra nga OKB për të ardhmen e popullsisë shqiptare, ku parashikohet se në vitin 2050 do kemi 1 milion e 200 mijë banorë, dhe në fund të këtij shekulli vetëm 900 mijë banorë është në pikëpyetje vetë e ardhmja e kombit.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019