Një Çezar, këtu, është përmbysës i një rendi. Rrjedhimisht në filozofinë politike, fenomeni i përmbysjeve të rendit quhet “çezarizëm, çezari këtu, merr kuptimin e një njeriu të guximshëm, gati për të thyer normën paraekzistuese, për të sjellë një epokë të re, ku specifikat e së vjetrës, hidhen tutje, duke u konsideruar si jo të sakta. Kuptimin e tiranikes këtu e vendos vox populi, nëpërmjet vullnetit të tyre kolektiv, që nuk konceptohet si shprehi e arsyes, por vetëm si reagim ndaj një situate që në dukje është e pazgjidhshme.
Pra nuk është paradoksale, që këtë vullnet kolektiv ta lidhim paksa me tiraninë e Platonit. Sipas tij, demokracia degjeneron në tirani, kurse simpatizantët e saj, janë vetë ata që e ulin tiraninë në fron, duke i dhënë fuqi absolute mbi polis-in, një pushtet të frikshëm, që një ditë, paprit e pakujtuar kthehet kundër vete atyre të cilët më parë hutoheshin me sovranitetin e tyre, duke pritur një “shpëtimtar” që do ishte në gjendjë ti nxirrte nga mizerja.
E thënë më shkurt, e duke mos marrë shembuj specifikë, çezari është pezulluesi i sovranitetit, dhe uzurpatori i tij. Ky uzurpator është gati të sakrifikojë çdo gjë drejt udhës së pushtetit. Megjithatë, çezarizmi është trajtuar gjërësisht nga shumë autorë, të cilët i kanë dhënë rëndësi të veçantë sipas mendimeve personale mbi këtë fenomen.
Njëri prej këtyre ishte dhe juristi gjerman Carl Schmidt. Për ta ilustruar më qartë domethënien e çezarit, , na duhet të kapim dy fjali të tij në veprën “The Nomos of the Earth”
“Perandoria Bonapartiste ishte shembulli i parë i çezarizmit të pastër, i tillë si i divorcuar nga një monarki dhe një kurorë mbretërore. Kështu, ajo ishte një “perandori” sipas një kuptimi krejtësisht të ndryshëm nga ajo e Mesjetës së Krishterë. Ky fenomen u bë edhe më intensiv e më modern pas vitit 1848 dhe “perandorisë” së Napoleonit III”
E me të vërtetë, Napoleon Bonaparti u përpoq të imitonte çezarin me anë të uzurpimit të tij. Ky imitim përmban disa tipare të ndërsjella.
Julius Çezari donte të bëhej mbret pa kurorë, kjo do të thotë që ai donte pushtet absolut, por në të njejtën kohë pa patur titullin e mbretit, që tingëllonte keq për një Republikë Romake që monarkinë e kishte hedhur pas krahëve për hir të një regjimi më të mirë.
Napoleoni nga ana e tij, siç e dimë, kurorëzoi veten në prani të Papës duke u vetëshpallur “Perandor i francezëve”, në kundërshtim të plotë me titullin “Mbret i Francës”, siç ishte tradita e L’Ancien Regime. Titulli perandor do të ishte vetëm dekor këtu, pasi pushteti i Napoleonit e kapërcente trajtën e një monarkie kushtetuese, për shkak të një titulli tjetër, “Konsull i parë i Republikës”
Pra ky përbindësh që do i kishte futur frikën edhe mendimtarëve më të zotë, me zgjuarsi i kapërceu të gjitha pengesat, duke e shndërruar monarkiken në një dhelpër shumë të aftë për të dredhuar. Napoleon Bonaparti nëpërmjet “vullnetit të popullit” merrte fronin e perandorit, ashtu siç çezari, nëpërmjet vox populi, bëhej mbret pa kurorë.
Për mirë a keq, termi çezarizëm mbërriti në dorë të filozofit dhe historianit Oswald Spengler, duke marrë një kuptim krejt tjetër.
Spengler mori famë e njohje për veprën e tij voluminoze “Decline of the West”. Shpeshherë titulli i kësaj vepre përkthehet duke u mos shqipëruar në “Rënia e Perëndimit”. Ca kuptojnë me këtë, një katastrofë të menjëhershme që do të pllakosë Europën, duke e përfshirë gabimisht Spengler-in, tek profetët e katastrofave ose fatalistët e pandreqshëm.
E veçanta e Spenglerit ishte studimi i historisë nëpërmjet asaj që quhet “morfologji e kulturave”.
Që në thelb është studimi i formës e strukturës së organizmave dhe tipareve të tyre. Për Spenglerin historia nuk ndoqi linearen, por u karakterizua nga kultura të ndryshme të cilat patën ciklet e tyre, lindje-plakje-vdekje. Nëpërmjet kësaj pikëpamjeje, mohohet ideja se historia ecën njejësisht nëpër epoka, në vend të kësaj propozohet identifikimi i tëtë “kulturave të larta” me ciklet e tyre përkatëse.
Thelbi prodhimtar e përparimtar i këtyre epokave, quhet “Prime Symbol”, nga Spengler, ose “Simboli parësor”. Kjo esencë është ideja unike pas çdo kulture, është motori që punon drejt së ardhmes. Vlera të ndryshme mund të adoptohen nga një kulturë specifike, por ato nuk e ndryshojnë thelbin, vetëm e pasurojnë. Mund të gjejmë këtu ngjashmëri me morfologjinë e bimëve sipas Gëtes. Gëtja përpiqej të gjente bimën primordiale, Urpflanze-n. Atë çka i jepte jetë të gjithë bimëve të tjera,. Spengler nuk fliste për lule kur i referohej kulturave.
Ky shpjegim i vogël i metodës Spengleriane do na duhet për të shqyrtuar konsideratat e tij mbi çezarizmin. Sipas tij, faza kulturore e entitetit karakterizohej nga një prodhimtari formash, një shprehje e pandalshme, vullneti për ndërtim, për jetë, venien në lëvizje të një potenciali vlues.
Faza e dytë, ajo e “qytetërimit”, nënkupton stanjacionin dhe ngecjen e sistemit. I mbingopur e i lodhur, sistemi tanimë mban më muze veprat e së shkuarës, duke ecur për nga e ardhmja pa drejtim, pa një qëllim të caktuar. Aktorë të ndryshëm politikë grinden me njëri-tjetrin për të siguruar një copë lavdi dhe emër. Në fazën e “qytetërimit”, entiteti politik humbet energjitë e brendshme, duke u përqëndruar vetëm në një ekspansion pa kufi, pra imperializëm të Weltmacht-it, apo fuqisë botërore. Ky përqëndrim specifik, është edhe arsyeja pse Weltmacht-i, është tipar i një epoke të caktuar, pra jo determinues jashtëkohësor, e i përjetshëm i çdo konflikti.
Në kundërshtim me konsideratat e mësipërme për çezarizmin Bonapartist, Spengler përpiloi një hartë tjetër të historisë. Sipas kësaj harte, Napoleoni është kataliza e fazës “qytetërim”, kurse çezarizmi vjen më vonë. Këto parashikime çuditërisht kanë data të sakta. Bonapartizmi dhe luftrat e shfarosjes (të kujtojmë luftën e parë botërore dhe të dytën), ndodhin përgjatë shekujve 19 dhe 20, kurse çezarizmi është karakteristikë e rënies së thellë, të shekujve 21 dhe 22.
Ndërkaq, konsideratat e Spengler-it për këtë përmbysje rendore, përshkruhen si më poshtë:
“A nuk mbaron historia klasike me Actium dhe Pax Romana? Nuk kemi më nga ato vendimet e mëdha që përqendrojnë domethënien e brendshme të një Kulture. Mosarsyeja, biologjikja, fillon të dominojë, kurse bota bëhet indiferente – edhe pse jo, për veprimet e individ privat – nëse një ngjarje përfundon kështu apo ashtu. Meqë dilemat dhe pyetjet e rëndësishme nuk kanë më peshë, të gjitha çështjet politike zgjidhen, herët a vonë, si në çdo “qytetërim”.
Spengler përvijon paralele historike me epokën tonë, koncepti Pax Americana mund të konsiderohet si homologu i Pax Romana-s së shkuar. Nuk duhet bërë gabimi i të menduarit sikur Pax Americana ishte diçka e destinuar të ndodhte. Siç ekziston kjo lloj paqeje, mund të ekzistonin njëmijë të tjera, madje arena është akoma e hapur, për sa kohë që çezarët e sotëm nuk e kanë pushtetin akoma aq të fortë sa ta uzurpojnë tërësisht sovranitetin, duke arritur përmbysjen e plotë.
Pezullimi i sovranitetit siguron vazhdimësinë e çezarëve. Titulli i çezarit ruhet, jo si relike, por si dekor, i mbartësve të shkëndijës fillestare. Kështu, çezarizmi siguron të ardhmen e tij, edhe pse instanca parësore, në një mënyre apo një tjetër, duhet të bjerë nga piedestali historik, për të mos e përmbyllur domethëniën e çezarit, tek vetja. Kjo mungesë e përmbylljes gjithashtu garanton vijimësinë e çezarizmit si formë aktuale të pushtetit e jo si thjesht një fasadë imituese. Në fakt, çezari i parë ishte ai fals, të tjerët pas tij ishin ata të vërtetët.
Sipas Spengler formimi i çezarizmit përmbante këto lloj karakteristikash:
“Mbizotërimi i politikës së forcës mbi atë të parasë. Rritja e primitivitetit të formave politike. Rënia e brendshme e kombeve, degradimi në një popullsi pa formë, kupola Imperium, me një despotizëm që sa vjen e bëhet më i ashpër”
Se sa me saktësi Spengler parashikoi të ardhmen, këtë nuk mund ta themi. Megjithatë sipas Amary de Riencourt, çezarët e së ardhmes duhet ti presim nga ato presidentë amerikanë që gradualisht kryejnë veprime kundër Kongresit, pra kapërcejnë tek mbikushtetuesja. Ironia mediatike më e madhe është hedhja rrotull, e termit “çezarizëm”, për të simbolizuar gjoja një kapje të supozuar të sistemit nga Presidenti Donald Trump, kur ky i fundit u zotua se do të shfuqizonte DACA-n e Obamës, një akt jokushtetues “për të reformuar emigracionin”. Ajo çka ngelet për tu thënë, është se çezari i Spengler-it, nuk është ai i de Reincourt, edhe pse ekzistojnë shumë ngjashmëri. Madje nuk është ai që mund të të shkojë në mendje ty, lexues, teksa shfleton këtë shkrim, duke dëgjuar jehona Hitleriane në kokë. Se me cilin çezar po përballemi sot, kjo do sqarohet në pjesën e dytë.
This blog post has been Digiproved © 2019