Gjergj Fishta, ashtu siç ndodh dendur me shkrimtarët e periudhave të trazuara, kur shkrimtarit i kërkohet të jetë më shumë se shkrimtar, paraqitet në historinë e letrave shqipte si poet lirik dhe epik, dramaturg dhe përkthyes, piktor dhe arkitekt, publicist, politikan dhe orator, etnograf dhe pedagog. Është njëri nga shkrimtarët më polidimensionalë të letërsisë sonë. Kjo shumëfytyrësi vlerash duket se në mënyrë paradoksale i krijoi Gjergj Fishtës dhe qëndrime e vlerësime nga më skajorët. Që në gjallje të tij, Gjergj Fishta u quajt “Homeri i Shqipnisë” (Maksimilian Lamberci). Orfeu i Shqipnisë, Tirteu shqiptar. E krahasuan me Gëten dhe Shilerin. E thirrën poet i kombit, poet popullor, poet luftëtar, apostull i pavarësisë, tip vigan i racës, mbreti i poetëve shqiptarë, ai që na ka ushqyer shpirtin, gjenia ma e naltë e fisit arbënuer, pjella ma fisnike e ma e bukura e tokës së të parëve tanë, krenia e kombit shqiptar.
Kryevepra e Fishtës, Lahuta e Malcis, është çmuar si bibël kombëtare dhe është konsideruar përmendore kombëtare, monument klasik i rodit trako-ilir, udhëndriçues për të gjithë ata që dëshpërohen, vademekum i çdo atdhetari…. Siç shihet, asnjë shkrimtar tjetër i mëparshëm i shqiptarve nuk mori, që në gjallje të tij, lavdërimet marramendëse që i atribuoheshin Fishtës. Dhe duhet thënë, për hir të së vërtetës, se ata që e lavdëruan dhe e himnizuan Fishtën nuk qenë vetëm fansat e tij, po të shprehem me një term të anglishtes. E çmuan këtu te ne, krahas të tjerëve, Lasgush Poradeci dhe Eqrem Çabej, dy personalitete të shquara që kishin drejtime të tjera nga ylli i Fishtës nga të cilët mund të pritej, për shkaqe të ndryshme, që të ishin më të kursyer në lavdërime. Poeti Lasgush Poradeci e quan “vazhdimtar në vallen e Kombit, Frymëtar i fjalës, i cili solli dhuratën e vet në Adhurimtaren e Atdheut-shpirt, Mendimin e Parathënësve të Shqipes”. Poezia e Lasgush Poradecit është e një lloji tjetër nga ajo që shkruan Fishta. Lasgush Poradeci delikat, yjor, ëndërrimtar, mistik, tingullor e evropian, dashuronjës dukej se nuk do të kishte asnjë pikë takimi në rrafshin estetik me poezinë e përgjakur epike, shkëmbore, ballkanike të Gjergj Fishtës. E megjithatë asnjë kompleks xhelozie a smire e nihilizmi mes dy poetëve kombëtare. Lasgush Poradeci e quan “shkëmb të shpirtit” dhe kujtimet për Gjergj Fishtën i ka shkruar me një delikatesë dhe përkujdesje shpirtërore që i ka hije veç zenitit lasgushian.
Ndërsa Eqrem Çabej, jo herët duke e krahasuar Fishten me Naim Frashërin, De Radën dhe Zef Skiroin, vë re se “qe hera e parë që një poet po përpunonte jo më epopenë kombëtare tradicionale të Skëndërbeut, por ngjarje nga historia më e re e Shqipërisë…. Këtu fillon Fisha me instiktin e drejtë të poetit. Ai mjaft të zhytej në histori të kombit për të mbushur plot të dy duart”. Vepra e Fishtës i ka rrënjët në tokën e në jetën popullore të Shqipërisë. Dukej se, në fillimet e këtij shekulli, ishte krijuar poeti-mag, që pranohej si interpret i genit shqiptar: Si të mos mjaftonin të gjitha këto, Fishtën filluan ta çmojnë dhe personalitete të ndryshme të botës. Gabriele D’Annunzio e quan “poetin më të madh të shqiptarëve”. Më vonë e shohim në një fotografi të barabartë me Tagorën, hyjnorin e indianëve. Më 1930 është në takimin botëror të poetëve në Nju Jork. Propozohet kandidat për çmimin Nobel. Instinktivisht, Gjergj Fishta po grumbullonte atë rezervat të madh energjish që të mund të përballte dimrin e gjatë të heshtjes denigruese.
Por Fishta është shembulli unikal në letërsinë tonë se si një shkrimtar mund të çohet në skaje vlerësimesh a mohimesh, jo për arsye letrare a estetike sesa për arsye politike a ideologjike. Pas dallgës së parë himnizuese, për Gjergj Fishtën do të vijë ekzili i gjatë politik. Siç vë re me të drejtë akademiku Rexhep Qosja “Fishta është shkrimtari ynë të cilit i janë shqiptuar dënimët më të rënda politike dhe ideologjike, domethënë shkrimtari mbi të cilin janë hedhur faje të rënda dhe të ndryshme. Nuk thuhet kot, rrufeja bie mbi lisat më të gjatë…”.
Nuk ka dyshim se Fishta është shkrimtar i madh i letërsisë shqipe. Por është njëkohësisht shkrimtari me fatin më të çuditshëm në historinë e letërsisë sonë. Është poeti më i himnizuar dhe njëkohësisht me i anatemuar. Është poeti më i lexuar dhe njëkohësisht më pak i harruari. Po ç’është me të vërtetë Fishta, i vlerësuar jashtë pasioneve dhe jashtë qëndrimeve skajore?
Gjegj Fishta (emri i tij i vërtetë qe Zef, ndërsa emrin Gjergj e zgjodhi më vonë kur u fut në urdhrin françeskan) ka lindur më 23 tetor 1871 në fshatin Fishtë të Zadrimës, Lezhë, në një familje të ardhur nga Mirdita, dhe ka vdekur me 30 dhjetor 1940 në Shkodër.
Fshati i lindjes së poetit të ardhshëm ndodhet përballë Troshanit, qendrës më të rëndësishme të katolicizmit shqiptar. Siç dihet, kolegji françeskan i Troashanit përfshinte manastirin, seminarin dhe bibliotekën, dhe ishte prej kohësh qendër e rëndësishme fetare dhe kulturore shqiptare, Mjafton të përmendim se në kolegjin e Troshanit mësuan e dhanë mësim personalitetet të shquara kombëtare si Pashk Bardhi, Shtjefën Gjeçovi, Leonard de Martini. Në vitin 1899, së bashku me Ndoc Nikajn, Pashk Bardhin e atdhetarë të tjerë themeloi shoqërinë letrare Bashkimi; ndërsa në 1908 ishte kryetar i Komisionit të Alfabetit në Kongresin e Manastirit, që shpalli alfabetin unik të shqipes.
Duhet thënë se alfabeti i shqipes, i miratuar në Kongresin e Manastirit është kryesisht vepër e Fishtës. Kujtojmë gjithashtu se ishte po Gjergj Fishta ai i cili që më 1902 ishte emëruar drejtor i shkollës së fretërve, të hjapur në Shkodër që më 1861; me ndërhyrjen energjike të Fishtës në këtë shkollë u fut mësimi i gjuhës shqipe duke u shtuar edhe pesë klasë qytetëse. Krijohet kështu bërthama e liceut të ardhshëm Illyricum, ideator dhe krijues i të cilit mbetet po Fishta. Më 1913 themeloi revistën Hylli i Dritës; ndërsa në vitin 1916, me shokun dhe mikun e ngushtë Luigj Gurakuqi krijoi Komisinë letrare. Tre vjet më vonë është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Mbron me argumenta të forta krijimin e shtetit shqiptar, sipas parimit të vijimësisë territoriale, gjuhësore dhe etnike.
Në qeverinë e parë që doli nga Kongresi i Lushnjës, është nënkryetar i Parlamentit shqiptar. Më 1931-1932 mbron interesat e popullit shqiptar në Konferencat Ballkanike të organizuara në Athinë, Stamboll, Bukuresht. Siç shihet, një jetë e ngjeshur që la gjurmë të thella në historinë kombëtare e në kulturën kombëtare pikërisht në pikëkthesën margjinale nga Rilindja drejt Pavarësisë. Vetëdija historike dhe kombëtare e Fishtës është e asaj lartësie që ngjarjet e mëvonshme na japin të drejtë shpesh herë ta quajmë vizionar dhe profet i popullit. Por Fishta, duke qenë intelektual i formatit më të larë evropian, krijon dhe një opus letrar të plotë, që shkon paralelisht me dimensionet e tjera. Trashëgimia poetike e Gjergj Fishtës numëron mbi 100.000 vargje, gjë e rrallë kjo në letërsinë botërore.
Opusi letrar fishtian mund të ndahet në dy grupe: në veprat e botuara dhe në veprat në dorëshkrim, këto të fundit sipas studiuesit të mirënjohur nga Kosova dr. Engjëll Sedaj, ruhen sot e kësaj dite në Romë, te P. Daniel Gjeçaj, i cili ishte dhe pronar i të gjitha të drejtave të trashëgimisë së françeskanëve shqiptarë në mërgim. Veç artikujve të shumtë të botuar te Hylli i Dritës dhe në revista të tjera, Gjergj Fishta ka shkruar poezi epike, lirike dhe dramatiko-satirike, duke lënë emër gjithashtu si përkthyes dhe publicist. Botoi dhjetëra vepra e dhjetëra të tjera la në dorëshkrim, duke shënuar ndër rekordët me të larta të densitetit krijues.
Vierrsha të përshpirtshme (1906), Anzat e Parnasit (1912), Pika voeset (1909), Françesku i Azisit (1912), Mrizi i Zanavet (1913), Juda Makabet (1918), Jerina ase Mbretnesha e lulevet (1920), Gomari i Babatasit (1923), Vallja e Parrizit (1925), Shna Ndou i Padues (1927), Sh’Luigj Gonzaga (1927), Odisea (1931), Ifgjenia n’Aulidë (1931), Lahuta e Malcis (1937), Mojs Golemi e Deli Cena, Shquptari i gjytetnuem, Shqyptarja e gjytetnueme, Barit e Betlemit, Të kthyemt e Uliksit në Itakë, Bejta të nji xhakoni të ri, Knjazi i Malit të Zi veshë n’lëkurë t’ujkut, Neoshqyptarët.
Në përkthime ose përshtatje: I ligu për mend dhe Dredhitë e Patukut sipas Molierit, Triumfi i virtyteve mbi veset sipas Rodinos, himnet fetare të Manxonit, sonetet dhe këngët e Petrarkës. Duhet theksuar, ndoshta disi se Fishta ka përkthyer dhe këngën e pestë të Iliadës siç kishte vepruar edhe Naimi duke përkthyer këngën e parë, dhe kjo për Fishtën ishte njëherësh edhe punë përgatitore për të kënduar vargje origjinale.
Ndërsa publicistika e tij ndodhet e shpërndarë në më shumë se pesëdhjetë organe të kohës. Nga prozat e Fishtës dallojmë Lot gjaku kushtuar ngjarjeve të Pavarësisë, fjalimi në varrimin e Avni Rustemit në Vlorë, reportazhi Në Turkinë e re, esetë sociologjike dhe esetë e lira, studimi estetik i botuar si parathënie e Kanunit të Lekë Dukagjinit të Shtjefën Gjeçovit, Shënimet estetike mbi artin si dhe ato dhjetëra artikuj polemikë që e bëjnë të shquhet ndër polemistët më të papaërballueshëm të kohës. Një aktivitet kaq i gjerë e bën Fishtën që të jetë sipas dr. Sedajt “personaliteti më i shquar i jetës kulturore dhe letrare të kohës së vet…studioz dhe erudit për t’u bërë akademik, çka do të dëshironte çdo shkrimtar i kohës ë tij dhe i kohës sonë, luftëtar i pakompromis për çështjen shqiptare, dhe mbi të gjitha, poet dhe këngëtar i vizionit të ngadhënjimit të njeriut mbi të keqen”.
Duke qenë shkrimtari më i ekziluar i letërsisë shqipe, Fishta është njëkohësisht edhe shkrimtari për të cilin kanë folur më tepër kritikët dhe studiuesit e ndryshëm, sa pa frikë mund të thuhet se ka ekzistuar një mit i Fishtës. Është e vërtetë se mitin e Fishtës e kanë krijuar idhtarët, miqtë dhe adhuruesit e tij. Por po aq e vërtetë është se ata e ndihmuan pa dashje në krijimin e idolatrisë së Fishtës qenë kundërshtarët e tij. Duke e sharë vend e pavend, duke e quajtur herë “armik të racës sllave” (Enciklopedia e Madhe e Bashkimit Sovjetik, botim i vitit 1950), herë shkrimtar borgjez, herë agjent të austro-hungarezëve, duke e thirrur klerik, duke e konsideruar arkaik, me vlera gjysmake estetike, duke e sharë në artikuj të ndryshëm, në ese, në histori letërsie madje dhe në vjersha e poezi të ndryshme, Gjergj Fishta, aq më tepër me një vepër të ndaluar e të pabotuar për një kohë shumë të gjatë, ngjallte një kureshtje të çuditshme e ishte shumë joshës për lexuesin e gjerë.
Më 1961, p.sh., kur u prishën marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dikush u kujtua që të botohej Fishta, si një përgjigje ndaj shovinizmit rusomadh. U dha urdhër nga lart, u caktuan dhe disa studiues për ta elaboruar Fishtën e, megjithatë edhe në këto rrethana, të cilat në pamje të jashtme e favorizuan botimin e shkrimtarit të anatemuar, Gjergj Fishtës nuk iu dha e drejta e rikthimit në komunitetin letrar. Në këto kushte ishte shumë e vështirë të jepje një gjykim të paanshëm për Fishtën dhe veprën e tij. Prandaj del e nevojshme që në vlerësimin e Fishtës të mbahen parasysh qëndrimet e studiuesve më seriozë e më të paanshëm. Që në vitet tidhjetë-dyzet, disa e quajnë qysh në gjallje, “poet kombëtar”. Në një artikull të botuar në revistën Tomori i vogël, dy vjet pas vdekjes së Fishtës, Mitrush Kuteli shpall tre poetët më të mëdhenj të Rilindjes: De Radën, Naimin dhe Fishtën. Vite më vonë, Eqrem Çabej e vendos Gjergj Fishtën në Qarkun Letrar katolik të Shqipërisë Veriore ku përfshihen katër B-të e mëdha të letërsisë së vjetër shqipe, e deri tek Pjetër Zarishi, Leonard de Martini, Zef Jubani, Pashk Vasa e më vonë, Ndoc Nikaj, Ndre Mjeda, Shtjefën Gjeçovi. Më i rëndësishmi prej tyre sipas Çabejt, është Fishta.
Maksimilian Lamberci, albanologju gjerman jo vetëm që e përkthen Lahutën në gjermanisht po jep edhe vlerësime të qëndrueshme për Fishtën, duke e quajtur “Homer Shqiptar” dhe veprën e tij “Iliada shqiptare”. Maksimilian Lamberci ka meritën që është i pari që konstaton se universi poetik i Fishtës është krijuar në bazë të po atij mekanizmi, i cili shekuj e shekuj më parë kishte krujuar eposin e shqiptarëve, dhe më herët, eposin e grekëve të lashtë. E thënë ndryshe, vihet re se në veprën e Fishtës, funksionon ende mekanizmi i poezisë orale, ai mekanizëm që në botë ishte dërguar prej shekujsh në muzetë e akademive letrare. Këtë ka parasysh siç duke, Faik Konica, kur thotë se “kot që mundohen grekët e sotëm të gjejnë në letërsinë e vet një vepër ma të plotësueme se Lahutën…”
Eqrem Çabej, zakonisht i matur dhe racional thekson se “Fishta qe nga ato natyra të cilat ngrihen e rriten dalëngadalë prej qarkut të tyre…dhe bash nga kjo rrënjosje te trualli i vet ai u bë në një tjetër kuptim, më tepër sesa Naim Frashëri, poeti kombëtar i Shqipërisë”. Poezia e Gjergj Fishtës ishte e pranishme në librat shkollorë, madje Luigj Gurakuqi në Vargënimin shqip më së tepërmi shembujt i merr nga poezia e tij.
Me rastin e njëvjetorit të vdekjes së Fishtës u botuan dy vëllime me përmbledhje studimore ku dallojnë studimet e Çabejt, Poradecit, A Xhuvanit, K. Kamsit e të E. Cipos. Studime të veçanta kanë botuar në vitet e mëvonshme, Martin Camaj, Injac Parion, Karl Gurakuqi, Vinçenc Malaj, Rexhep Qosja, Anton Berisha, Engjëll Sedaj, Gani bobi si dhe studiuesit më të rinj e quajnë Fishtën si një enciklopedi e tërë. S. Buçpapaj “sovran të letrave tona”, ndërsa Plasari, me shkrimin analitik Gjergj Fishta dhe historia e letërsisë, shpreh mendimin se duke rikthyer Gjergj Fishtën në historinë e letërsisë shqipe, nuk i japim atij vendin që i takon, por i kthejmë historisë së letërsisë atë çka i mungon.
Tani të përpiqemi ta shohim Fishtën sipas tri argumentave kryesore të kundërshtarëve të vet. Pra të përpiqemi që ta shohim atë nga ana e kundërt. Njëra ndër akuzat e zakonshme me të cilat është sulmuar Fishta është mendimi se poezia e tij, në fund të fundit, është një poezi arkaike, krahinore, gati gati e palexueshme për shijen e hollë e të kultivuar të lexuesit bashkëkohës. Dhe vërtet, duket paradoksale që Fishta, në kapërcyell të shekullit tonë, pra në një kohë kur në botë,, por edhe në Ballkan, bëheshin eksperimentet më të çuditshme e më eksentrike të poezisë, mendoi dhe iu përvesh punës më titanike dhe ambicioze për të shkruar epin e shqiptarëve të krijuar mbi teknikën e rapsodive të trimërisë.
Të mos harrojmë që Tomas Elioti, Ezra Paundi, Rilkeja, janë bashkëkohës të Fishtës. Në një kohë kur në botë bëhej përmbysja e madhe e koncepteve të poezisë, Fishta guxon të shkruajë një vepër poetike, që në pamje të parë duket se nuk ka asnjë lidhje me teknikat poetike të shekullit tonë. Aq e vërtetë është kjo, sa shumëkush kur dëgjon se Fishta ka vdekur më 1940 ngrë supet i habitur, sepse në përfytyrimin e tij Fishta duhej t’ipërkiste një kohe më të vjetër, më të kaluar. Në të vërtetë, vargu burimor i epikës historike të Veriut, përjetoi nderin më të madh që mund t’i bëhej, duke marrë përsipër të përcillte tekste të reja ku ndërthureshin disa shtresa të shprehjes poetike. Realiteti shqiptar, objektivisht i ushqyer deri në rrëqethje, u vu në bashkëjetesë të barabartë me mitologjinë (Buçpapaj). Fishta i vuri si qëllim vetes të krijojë e të shprehë një imazh të plotë të botës shqiptare. Imazhin shpirtëror dhe mistik. Kjo është dhe arsyeja përse Fishta duket si shkrimtar disi i vjetër, ngaqë ai, ndonëse se flet për ngjarje dhe ndodhi konkrete të këtij qindvjetëshi, në thelb preferon të trajtojë artistikisht materien nacionale. Kjo është arsyeja përse ai duket i vjetër në moshë, dhe përse ai nuk i trembej modave poetike në kohë që askush nuk do guxojë ta quajë ndonjëherë shpirtin kombëtar të vjetëruar ose arkaik. Kjo është edhe arsyeja që Fishta na duket dhe bashkëkohës me Bogdanin dhe Budin por edhe bashkëkohës me Poradecin dhe Nolin. Fishtën mund ta spostosh lehtësisht në shekullin XVI, por edhe në shekullin XVIII, ashtu siç ndihet si në shtëpinë e vet dhe në shekullin tonë. Kjo lehtësi zhvendosjesh kohore flet vetëm në të mirë të poetit. Por teza e ngushtësisë së vizionit të Fishtës, është bërë dhe me anë të arsyetimit tjetër, se atij i mungon jo veç shtrirja kohore por edhe ajo hapësinore.
Në të vërtetë, po ta lexosh me kujdes poezinë e Fishtës, vë re se gjeografia e veprimit në veprën e tij është e ngushtë: ngjarjet zhvillohen në Malësinë e Veriut me qendër simbolike Shkodrën. E megjithatë, në poezinë e Fishtës, ndien një hapësirë të madhe. Lexuesi tek njihet me poezinë e tij e harron vendin e veprimit, konstatimi se ngjarjet zhvillohen në Malësinë e Veriut është zbuluar vetëm nga syri i ftohtë dhe racional i studiuesit. Poezia e Fishtë snuk njeh caqe të ngushta, sepse koncepti rajonal krahinor është superuar me anë të njësisë shqiptare. E thënë ndryshe, Fishta merr një grusht tokë dhe me anë të saj krijon atdheun. Kjo është arsyeja përse tek Fishta operacionin kombëtar e ndien në psikologji, në gjuhë, në metrikë, në materien historike që përdor, në naivitetin poetik, në figuracionin, në rimat e brendshme që vijnë njëra pas tjetrës, në aliteracionet dhe pasthirrmat aq befasuese, në krahasimet e zgjatura dhe në paralelizmat figurative, në fjalorin njëkohësisht fosilik dhe modern, në ndërtimë disi të çuditshme sintaksore. Kjo është dhe arsyeja përse Rexhep Qosja e quan Lahutën e Malcis enciklopedi të kombit, ndërsa Zekeria Cana kujton se shqiptarët në Jugosllavi duke mësuar përmendësh Lahutën e Malcis, përvetësuan arsimin kombëtar kur u mungonte.
Por sidoqoftë, goditja më serioze që iu dha Fishtës që pretendimi se ai është shkrimtar shovinist, se tek vepra e tij lexuesi ndien britma të larta nacionale. Është interesante të vihet re, se po ata kriktikë që e sulmojnë Fishtën si nacionalist e veçanërisht racist, po ata e sulmojnë dhe nga ana e kundërt duke e quajtur antikombëtar, tradhta, poet që i mungon ndjesia e atdheut, dy pikëpamje këto që zor të qëndrojnë afër njëra-tjetrës. Pretendimin e parë, e kanë shpallur prej kohësh studiuesit sllavë, fillimisht në mjediset zyrtare (akademike dhe partiake) e më pas ndonjë studiues i vonuar. Është thënë se Fishta është armik i betuar i shkjave, moskovit, përgjithësisht i fisit sllav, e kjo e bën atë, sipas këtyre studiuesve një shkrimtar me komplekse nacionale. Në të vërtetë duhet thënë në nderim të Fishtës se ai asnjëherë nuk vuajti nga komplekset e inferioritetit të përkatësisë së një populli të vogël, gjë që do të shprehej në një grandomani të rreme, me rrahje gjoksi e me britma primitive.
Duket e pabesueshme, por të parën vjershë që shkroi Fishta sipas pohimit të Pal Dodajt, shokut të pandarë prej 47 vjetësh gjer në vdekje të poetit ai e pat shkruar në gjuhën sllave dhe ia pat kushtuar më të madhit poet boshnjak, Gregor Matiçit. Nuk janë të rralla rastet kur Fishta tregon se si në zjarrin e luftë sy vëllamë njihen, njëri shqiptar e tjetri malazez… Ky është edhe ideali poetik i Fishtës. Është tjetër gjë që Fishta shkroi për një realitet të mbushur me urrejtje dhe ndërsyerje popujsh, ku shqiptari është i detyruar të mbijetojë vetëm në bazë të këtij kodi të ashpër “Armt i kjen ktij baba e nana, bab’ taganin e nan breshana”.
Siç shihet Gjergj Fishta është shkrimtari i vlerësuar më skajshëm në historinë e letërsisë sonë. Por ajo që pranohet prej të gjithëve, prej himnizuesve e kundërshtarëve është fakti se pa emrin dhe veprën e Fishtës askush nuk mund ta kuptonte zhvillimin e poezisë shqipe, mendimin letrar, dhe disa rrjedha kulturore të periudhës së Pavarësisë po aq sa nuk mund të kuptohet letërsia e vjetër shqipe pa Bogdanin. Ç’është e vërteta “Fishta ka qenë gjithmonë i dashur dhe i lexuar shumë, qoftë dhe tinëzisht, kur burokracia dhe disa faktorë të tjerë përpiqeshin vetëm ti krijonin hapësirë vetes në politikën e tyre anticivilizuese”. Nga opusi madhor i Fishtës mendoj se katër janë librat më përfaqësues të tij. Lahuta, e cila prezanton dimensioni më të fuqishëm të poetit; Mrizi i Zanavet, që përfshin lirikat; Anzat e Parnasit, përmbledhje kjo që paraqet Fishtën satirist e polemist ndër më të hidhurit, dhe Gomari i Babatasit, një komedi ku mund të gjesh së bashku Aristofanin, Molierin dhe Beketin, një lloj antilahute, një profeci e çuditshme, groteske dhe tepër dëshpëruese. Mrizi i Zanavet për shembull është botuar pë herë të parë në vitin 1913 pra një vit pas Shpalljes së Pavarësisë, e në një kohë me fillimin e tragjedive të reja të kombit. Kushtet që u krijuan qenë tragjikomike. Një shtet shqiptar i krijuar përdhunshëm nga Evropa, një histori shqiptare e papërfillur nga Fuqitë e Mëdha, një stërmundim sizifian i historisë kombëtare, e pastaj shfaqja e karrieristëve mediokë e aziatikë shqiptare, shitja e interesave të atdheut, mendësia primitive. Vepra poetike e Fishtës ka tonalitete tronditëse, shumëngjyrëshe, politonike. Dashuria për Atdheun mbulohet nga droja tragjike për fatet e kombit; entuziazmi dëlirë rilindës bashkohe me sarkazmën dhe urrejtjen klithëse ndaj synimeve të shovinistëve; qetësia evnagjelike shkon bashkë me britmat e Ferrit; e gjitha kjo, e shprehur përmes një pasurie gjuhësore të mahnitshme. Dhe të mos harrojmë se gjuha për poetin është si balta për Zotin kur ai krijon me të Njeriun. Fishta shënon një rekort të pashembullt, jo vetëm për letërsinë shqiptare. Ai ka përdorur në veprën e tij afërsisht po aq fjalë sa ç’ka përdorur Shekspiri në anglisht dhe Pushkini në rusisht.
Duke krijuar një vepër të gjerë, një univers shqiptar, duke ndier nevojën për të shprehur ndjenjat, ngjyrat harmonitë dhemuzikalitetin e shpirtit shqiptar, Fishtës nuk i mjaftoni më veç ato fjalë që kishin zënë vend në letërsinë shqipe të deritanishme. I Duhej diçka tjetër, i duhej një lëndë e gjerë, një brum i shumtë, që të plazmonte veprën e tij dhe atëherë Fishta i kërkoi ndihmë gojës së vrazhdë, të egër e burrërore të malësorit, duke mbledhur e aktivizuar fjalë të rralla e të veçanta krahinore. Në këtë mënyrë Fishta kurorëzonte një punë shekullore të shkrimtarëve të Veriut, të nisur që nga shekulli XVI. Gjithsesi, më mirë nga të gjithë kritikët dhe studiuesit të marrë së bashku, flet vepra e vetë poetit.
Rudolf Marku
Shkëputur nga “Hylli i Dritës: Numër i Posaçëm”. Tiranë, 1996.