Shqetësimet e kalemit.

Shqetësimet e kalemit.

Mund të bëjmë edhe pa “intelektualët”. E kam seriozisht. Nga lartësia e kullës së fildishtë, intelektuali Shqiptar postmodern vështron me përçmim dheun e poshtëm, ku njerëzit duket se gumëzhijnë si miza, koka ndër re është një luks i pamundur për trutë e tyre të thjeshtë. Disa analfabetë të historisë sonë kanë luftuar me pushkë në dorë për atdheun. Për ta atdheu nuk njihej nëpër libra por ndihej. Ka dy lloje njerëzish. Të parët teorizojnë mbi jetën, të dytët e jetojnë. Kushedi ç’zjarr i kaplonte këta katunarë të shkretë që hidhnin jetën e tyre tutje për një cohë kuqezi.

Së fundmi, kemi marrë vesh që flamuri jonë nuk vjen nga fryma Shqiptare por e paskemi trashëguar nga Bizanti. Ja dhe një rastësi tjetër e fatit që na kujton se çdo gjë këtu mbi tokë është e pakuptimtë dhe me cene, kurse lart në qiellin e pamatë na pret përsosmëria e Zotit, parajsës e të tjera si këto. Mbase ky është qëllimi përfundimtar i kërkimit të palodhur “për objektivitet”. Megjithatë, na vjen keq për ata që nuk arrijnë të qëmtojnë ndonjë mëvetësi tek simbolet kombëtare, por vetëm një zanafillë të derivuar, çdo gjë vjen nga diku tjetër, pra një guackë bosh, një shishe e zbrazur, kërkojeni të vërtetën tek metafizika se për fizikën nuk keni nevojë! Fizika tretet kurse metafizika është. Përsiatje manikeiste.

Katunari diç shikonte tek coha kuqezi. Katunari shiste portokaj, mbase dhe duke praktikuar zanatin fisnik të dinakërisë në tregti, por nuk shiste kapitalin e tij intelektual, siç bëjnë ca intelektualë postmodernë Shqiptarë. Intelektualë i thënçin, nëse thurja e hijeve ia vlen të quhet ushtrim i aftësive intelektuale, atëherë intelektualët janë mafia më e përkryer me një ndryshim të vetëm. Ata nuk kanë armë.

Kohët e fundit intelektualët Shqiptarë e kanë kuptuar se mund të përfitojnë fare mirë nga një mjedis ku gjendja e dijes është shterpë. Ata mund të bëjnë bibël çdo teori të parrahur mirë, mund t’a shenjtërojnë një copë letër që fare mirë mund të mos ketë asnjë lloj vlere. Vetëm se mendja Shqiptare e pamësuar me ndonjë kronologji të dijes, priret për të kapur ç’të gjejë përpara. Kjo përnjëmend është një shenjë se “intelektuali” është aq moralisht i kultivuar sa edhe horri i mejhanes.

Prandaj, le t’i marrim më lehtë copat e letrës, sepse në fund, ia vlen ajo zemër prej së cilës gufojnë parime të pamësuara në katedër, por që udhëheqin më së miri rrugëtimin e çdo veprimtari. Parimet janë të mira sepse gjithmonë duhen provuar e sprovuar, kurse letra, sapo ngjyhet me bojën e kalemit, përfton një largesë të dhimbshme nga autori, i cili edhe mund të hedhë gurin e të fshehë dorën.

Veprimtarët gjithashtu kanë një shpirt tyrin, shpirti u shpërthen nga kraharori, ai nuk i ngjitet shpirtrave të tjerë, përveç atyre shpirtrave që ia vlen të vëllazërohesh në kushte të barabarta. Edhe ky është një problem i madh i veprimtarëve intelektualë postmodernë Shqiptarë. Pavarësia fitohet me zor. Ose kur tjetri nuk është më fitimprurës.

Disa njerëz të mëdhenj të dijes, e përftojnë atë duke heshtur. Ata i betohen vetes se do të qëndrojnë të heshtur. Përnjëmend u vlen për jetën. Disa të tjerë ndjejnë një nevojë të pashmangshme për të folur, për të komunikuar. Pikërisht tek ky problem i komunikimit me tjetrin lindin edhe problemet morale më të mëdha të këtij veprimtari intelektual. Ai gjithmonë duhet të jetë i përgjegjshëm për shkrimet e tij. Përgjegjësia duhet të jetë thika që sëmbon në zemër.

Nuk mjafton nevoja për të komunikuar, fjala vret më shumë se plumbi. Disa të tjerë edhe përpiqen të komunikojnë përmes zërave të tjerë, sa për të justifikuar veten. Në gjendjen e sotme të dijes në Shqipëri, akti i përkthimit duhet të nënkuptojë praninë e një përgjegjësie morale absolute. Nuk mjafton të mos e përdhunojmë gjuhën shqipe apo ndjesinë shqiptare duke mos botuar doracakë gurush dhe të urtësh shpirtërorë pafund, por edhe disa lloje filozofish fare mirë mund të ngrihen në statusin e biblës, në mungesë të diçkaje ndryshe.

Fatkeqësisht kjo rrallëherë ndodh.

Kombëtarizmi është një punë e rrezikshme, idhtarët e tw cilit duhet t’i bëjnë llogaritë mirë me veten. Rehati duhet harruar, perspektiva e një familjeje duhet vënë në pikëpyetje. Në çdo anë fshihet rreziku, e papritura, mundësia e të bërit një vrimë të madhe në ujë. Prandaj kjo ideologji nuk vlen për intelektualin. Intelektuali duhet të shtrijë këmbët aq sa është jorgani, pra Oruelli duhet mësuar përmendësh, Fuko duhet të na kujtojë se s’kemi ç’të sulmojmë aty ku dikur ndodhej qendra e diçkaje, dikush tjetër na mëson si t’i vijmë në ndihmë globalizmit, ca të tjerë ëndërrojnë për revolucionin e klasës punëtore nëpër kafene e kështu vate kjo punë. Në fund të fundit shkruajmë për t’u ndjerë rehat, dhe rrallëherë për të ngacmuar.

Mos e dhëntë Zoti që fqinji të na kryqëzojë, miku të na bëjë për budalla, 3% e ditës të përdoret në të mirë të kombit, e të tjera si këto. Jeta e mirë përbëhet nga pritja në radhë për pjatën tjetër të supës. Kaq për sot. [1]

  1. Jo çdo indinjatë rrjedh nga paaftësia dhe mllefi, edhe nëpër këto rreshta, duam të komunikojmë, jo të faktojmë. Faktimi është gjë tepër e vjetëruar, gjithashtu shenjë e një personaliteti mazokist. Shqipëria kështu e Shqipëria ashtu. Shqiptarët kështu e Shqiptarët ashtu. Bëhu ndryshimi që kërkon të shikosh, nëse përnjëmend kërkon të shikosh një ndryshim. Fatmirësisht neve na lejohet indinjata sepse prodhojmë, edhe kur indinjohemi. Po ti?
Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2021