Tokë dhe Det: Dy rrëfenja të kundërta. Pjesa V

Për të ravijëzuar krizën “europiane” na duhet veҁ të studiojmë fytyrat e ndryshme që kontinenti i vjetër ka ndërruar përgjatë historisë. Njëherë e një kohë, Europa ka qenë zemra e botës. Ishin arritjet e Romës perandorake që vunë gurin e themelit për një Europë të ardhshme që sapo kishte filluar të ndërronte gjaqet.

Pas rrëmujës së Kohëve të Errëta (shek 5-10), Europa doli prapë në skenë, po kësaj here e krishterë. Krishtërimi nuk i bëri dëm Europës, pasi parimet e Romës së Lashtë vazhduan të jetonin në këtë organizëm të ri europian. Ca më vonë erdhi Rilindja, ku Europa u mundua të imitonte shoqëritë e vjetra helenike, por pa sukses. Rilindja i dha një frymë të re Europës, por një frymë gjysmake, një produkt kulturor që ishte akoma në zanafillën e saj, e që gjeti vdekjen e shpejtë pas disa eksperimenteve filozofike dhe teologjike.

Kalojnë ca kohë dhe nis e shfaqet Reformacioni. Europa tashmë ndodhej në luftë me vetveten.

Pas ndërrimit të disa fytyrave, e gjaqesh, qytetërimi europian u konsultua me Bufin e Minervës dhe vendosi të iluminohet, të shkëlqejë.

Që atëherë e deri më sot Europa ka vazhduar ta ndritë punën, e të shkëlqejë në të gjitha fushat përveҁ asaj të së gjeturit një identitet të përbashkët europian.

Dy ndritjet e fundit provuan të ishin fatale. Lufta e parë dhe e dytë botërore i dhanë fundin perspektivës së një europe sovrane. Nuk do të merremi me dilema të llojit kush e hodhi gurin e parë. Europa gurët ia hodhi vetvetes që në pamundësinë për tu bashkuar kundër rrezikut osman, e ca më vonë në mosmarrëveshjet me vetveten.

Prandaj në ditët e sotmë, kur na pyesin ҁ’është Europa, e kemi shumë të vështirë ti përgjigjemi.

Europa e retrospektivës së mësipërme është ajo romano-gjermanike. Pra më mirë ta quajmë “qytetërimi romano-gjermanik” ose ai Perëndimor. Romano-gjermanizmi këtu, është një lloj sinkretizmi kulturor, është në të vërtetë bërthama e shënjuesit “Europë”. Europa siҁ e njohim sot, u mbrujt në tharmin romano-gjermanik, për të vazhduar pastaj rrugëtimin e saj nëpër histori.

Në këtë qytetërim u shfaqën së tepërmi, në pesë shekujt e fundit, ai tipar kryesisht gjerman, i të pasurit një shpirti kolektiv paradoksal. Nga një anë Europa romano-gjermanike ka një disiplinë të hekurt, kurse nga ana tjetër është e prirur të shpërthejë me forcë si një fuҁi baruti, duke ëndërruar modalitete të reja e aventureske.

Ndërkaq, Europa Lindore ka qenë njëfarë “tjetri” për qytetërimin romano-gjermanik. Deri diku edhe Ballkani.

Duke u kthyer në të tashmen, Europa kontinent përballet me një krizë të identitetit që zgjatohet në dy ide kryesore.

Njëra ide është ajo e Bashkimit Europian, që kërkon përmbushjen e një projekti Kontinentalist, por edhe relativist në të njejtën kohë, pasi Franca dhe Gjermania ndodhen në krye të këtij relativizmi.

Ideja tjetër është ajo “populiste”, e mbiquajtur kështu nga zotërinjtë e Brukselit që kërkojnë ti vënë damkën e irracionalitetit kësaj ideje. Zakonisht kështu ndodh me euroskepticizmin në tërësi.

Në mënyrë ironike, sa herë që Bashkimi Europian ka nevojë ti japë shtysë direktivave të brendshme, ajo përdor kartën popullore, kurse sa herë ndodhet nën zjarrin e kritikave, mundohet ta vërë poshtë anën tjetër duke dashur ta ulë në nivelin e shtazës. Pra populistë, njerëz që shfrytëzojnë inatin e “masave”, njerëz injorantë, të pagdhendur e të tjera si këto.

Të dyja këto ide përfaqësojnë një lloj ekstremi që dashje pa dashje do të kulminojë në përfundimin pa sukses të Projektit Europian.

Nga ana tjetër, Bashkimi Europian nuk është Ideja Europiane. Nëse një gjë e tillë do të ekzistonte, ajo padyshim nuk do të kishte tendenca për ta përjashtuar një pjesë të Europës, për të zëvëndësuar popujt e Europës apo edhe për ta përҁarë Europën deri në atë pikë sa aktorët e tjerë të mund të ndërhyjnë vendҁe.

I ashtuquajturi “populizëm” është një zgjidhje gjysmake. Partitë populiste rrezikojnë ta ҁojnë Idenë Europiane në një varr të parakohshëm. Së pari populizmi përmban paqartësi gjeostrategjike. Nuk dihet se me kë anojnë partitë e ndryshme, nëse planifikojnë të “ftojnë” Rusinë në Europë apo të izolohen. Natyrisht që edhe Projekti Europian ekzagjëron shpesh me paranojën Ruse, por në ca raste ka të drejtë. Së dyti, grupe si Cinque Stelle apo Front National në Francë, kanë një të shkuar të dyshimtë. Nuk mund të thuhet me siguri se interesat e kujt mbrojnë, apo nëse flluskat e tyre të vogla ideologjike e gjykojnë drejtësisht situatën, sidomos në rastin e Cinque Stelle-s, dhe filozofit të tyre të preferuar, Diego Fusaro.

Populistët nuk përbëjnë një front të bashkuar, të përkushtuar drejt reformimit të brendshëm të Bashkimit Europian. Kaq mjafton për të kërkuar ide më të mira. Për të kërkuar Ide me të vërtetë Europiane, Kontinentaliste. Parë në këtë mënyrë, Kontinenti Europë do mund të integrohet në Idenë Europiane më së miri. Nëse akoma ngulmojmë në mbajtjen gjallë të boshtit relativist Francë-Gjermani, jo vetëm që nuk do mundemi ti japim hakun Tjetrit të Perëndimit, por Ideja Europiane thjesht do të mbështillet në fjalë boshe e në premtime të pambajtura.

“Populistët” megjithatë kanë një të drejtë. Projekti Europian apo rrëfenja e Brukselit, ka për qëllim shkatërrimin e Europës. E kemi fjalën për krizën e refugjatëve. Kjo ҁështje është rrahur sa e sa herë nëpër media por nuk është gjykuar kurrë me ftohtësi.

Ka nga ata që e quajnë pushtim, dhe nga ata të tjerë që e quajnë “pasurim kulturor”, por të dyja konsideratat janë të gabuara.

Kriza e refugjatëve në të vërtetë është thjesht një skenar i përpiluar mirë. Është një plan. Themi plan e jo konspiracion, pasi nuk mund të biem në këtë nivel. Është një plan i thjeshtë, që diversitetit të brendshëm të Europës, kërkon ti mbivendosë një diversitet të jashtëm, një diversitet të paqëndrueshëm që nuk është i tillë. Nga ky lloj “diversiteti” jo divers, mbijnë filizat e kaosit, filizat e një përplasjeje kulturore që nuk ka pse të jetë aty. Ka shumë nga ata që këto qëndrime i konsiderojnë “raciste” e të papranueshme. Përgjigjia jonë, ashtu si më parë është që inskenimi nuk mund ti zërë vendin spontanitetit në raste të tilla. Nëse bota do të bëhet “multikulturore”, nuk ka pse të ekzistojë një ideologji enkas për këtë punë. Nëse në mënyrë spontane, pjesë të botës do duhet të integrohen me njëra-tjetrën, është në interesin e të gjithëve që kjo ide të arrihet me kohën, jo në mënyrë leniniste, me plane në letër.

Duhen hedhur sytë nga ana tjetër e botës, që të kuptohet mirë sa shumë këto ide ecin. Në Azi njerëzit gjithmonë do kenë preferencë për grupin e tyre. Gjithashtu në Afrikë. Pra pse jo në Europë?

Kjo pyetje i duhet bërë rrëfenjës së Brukselit. Pyetja tjetër ajo më e rëndësishmja, është, pse ngulmon Brukseli në zhdukjen e identiteve të popujve të vegjël të Europës. Pse paqja e Projektit Europian është një paqe e njëanshme, që nuk i jep hakun askujt. Këto e të tjera e bëjnë Projektin Europian të duket paksa i pasinqertë. Projekt me huqe, për interesat e disave.

Megjithatë, rrëfenja e Brukselit punon ngadalë e me durim. Duhen akoma disa dekada për tia hequr komplet sovranitetin Shqipërise – duke e paqtuar atë.

Shqipëria kështu duhet paqtuar për hir të Ballkanit, ajo është një personazh tragjik, që duhet sakrifikuar për të mirën e të gjithëve në Ballkan. Gjithashtu zotërinjtë e Brukselit vazhdojnë e përpiqen të kënaqin Zojën Hijerëndë të Ballkanit, atë tjetrën, Serbinë. Edhe pse kjo përpjekje gjeostrategjikisht ka dështuar më shumë se dy herë, përsëri rrëfenja ngulmon.

Duket sikur Europa kontinent po luan lojën e ekstremeve. Identitet i dyfishtë, një projekt e një shkallmim projekti, një Populizëm e një Neoliberalizëm, një Vete dhe një Tjetër, një dialog (mosszgjidhje punësh), e një monolog (arkivoli i gozhduar).

Rrëfenja e Brukselit akoma nuk e ka kuptuar, ideologjikisht, se bota nuk është mbretëria e parajsës.

Kurse kundërshtarët e deri më tanishëm, nuk e kuptojnë se një shkarpë e vetme thyhet lehtë.

Dëshirojmë të mos ketë kriza më të rënda sesa kjo e ditëve të sotme, vetëm për hir të Idesë Europiane. Mbase diku në të ardhmen, në skenë do të shfaqet e Mesmja e Artë, korrigjuesja e dy ekstremeve të pranishme në ditët e sotme, për ti dhënë një zgjidhje të vërtetë e afatgjatë, “Europës”.

Kështu na mbetet vetëm të pleqërojmë punët në shtëpinë tonë njëherë. Se ku do të shkojë Europa, kjo është e paqartë, por të paktën akoma kemi mundësi ti përgjigjemi pyetjes se ku do shkojë Shqipëria.

Mbase drejt udhës së Idesë Europiane, por sido që të jetë, ne i përkasim Idesë Europiane, ashtu siç i përkasim Europës së vërtetë, asaj që nuk luan lojra me ekstremet. Shqipëria ndodhet në Europë, si gjeografikisht ashtu dhe kulturalisht.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019