Kampi i Shenjtorëve: Kur e trilluara rrëshqet tek realja.

Rallëherë ndodh që një novelë apo tregim distopik të parashikojë të ardhmen duke u nisur nga premisat e së tashmes. Të gjithë i dimë skenaret si 1984-a e Oruellit apo “Më e mira e Botëve” nga Aldous Huxley. Këto libra kanë një gjë të përbashkët, nisen e thurin të ardhmen duke u munduar të rrokin thelbin e kohës, duke çarë udhën pastaj drejt së ardhmes me durim, e me hapa të ngadaltë.

Sikur të ish ndryshe, do të quhej marrëzi. Distopikja që përfytyron më të papërfytyrueshmet, është e rrezikshme pasi qëllimësia e autorit mund të bëjë rikoshet duke iu përplasur në fytyrë. Publiku nuk është akoma gati të zbrazë mendjen e të rifillojë proçesin e të menduarit duke u kapur pas skenaresh të çuditshme e të ekzagjëruara. Pra distopikja është marrë më tepër me skenare të represionit ku status-kuoja synohet të përjetësohet, për hir të aksh pushteti shtypës apo ndonjë gjëje tjetër të ngjashme. Liria gjendet në rrezik.

Krejt ndryshe na vjen francezi Jean Raspail me librin Kampi i Shenjtorëve.

Kampi i Shenjtorëve spikat, për shkak se profecia e librit, ndryshe nga partia totalitare e Oruellit, u përmbush. Libri ka njëqind faqe, por narrativa gjallon nëpërmjet copëzash ngjarjesh të bashkangjitura në formë mozaiku, secila duke e vëzhguar ngjarjen jo nga distanca, po mu në krater të vullkanit që zien. Bëhet fjalë për një skenar me tone provokative, edhe me standardet e sotme, kontraversale.

Një flotë anijesh, prej një milion indianësh të varfër e të rreckosur, lundrojnë për në Francë, për ti shpëtuar tmerreve të botës së tretë. Përgjatë udhëtimit, flota ndalon në vende të ndryshme, në Egjipt, e në Afrikën Jugore, ku qeveritë vendase refuzojnë ti strehojnë këta refugjatë nga frika e kaosit që mund të pasojë.

Me në fund flota mbërrin në Francë. Menjëherë Europa gjendet para një dileme të madhe. Të gjitha hallkat e pushtetit, ulen të bisedojnë mbi situatën, normalisht duke ndjekur udhën e pranimit, udhën humane dhe dashamirëse. Francezët të gjendur në mes të bollëkut, ndiejnë keqardhje për të sapoardhurit, prandaj nxitojnë ti akomodojnë si munden. Arketipi i autoritetit publik ateist këtu përfaqësohet nga i çarturi Ballan. Ballan-i i mjerë shpërthen me tragjedizëm duke hedhur poshtë të gjithë “arbitrarizmat” e një bote të renduar. “Pashaporta, shtete, besime fetare, ideale, raca, kufinj, oqeanë, çfarë broçkullash”, ulëret ai.

Mirësia e tij bie në vesh të shurdhët, sapo të mjerët mbërrijnë, naivitetin ose më mirë, apatinë, ia shpërblejnë duke e shtypur të gjallë, në rrëmbim e sipër, të sapodalë nga anijet e ndryshkura, në garë për në Tokën e Premtuar.

Protagonisti ynë, profesori Calgues, i ulur në karrigen e tij të rehatshme, vëzhgon të ardhurit me kujdes. Në sfond luhet muzikë klasike, teksa plaku ndihet i pafuqishëm ndaj kërcënimeve që i vijnë shpesh. Shtëpinë duan tia djegin, kurse librat tia përdorin si letër higjenike.

Në mes të kësaj rrëmuje, europianët humanistë kapin rastin për tu treguar solidarë me të mjerët.

Pafuqia e këtyre sundimtarëve qendron në zbrazëtinë e shpirtit. Qytetërimi Perëndimor, ndodhet i kapluar nga një apati marramendëse. Novela është shumë eksplicite në këtë aspekt.

Duhet përmendur këtu, qartë e pa doreza, që autori është racist. Nuk e kam fjalën për ato thënie boshe që qarkullojnë në median e lirë (tendencioze)  perëndimore për çdokënd që kundërshton sadopak situatën e tanishme. Jean Raspail është racist i hapur dhe këtë e shohim qartë tek mënyra sesi ai i përshkruan refugjatët. Krahëthatë si Gandhi, thotë një fjali. Përbindëshat e vegjël, i afrohen Ballan-it, të uritur, thotë një fjali tjetër. Udhëheqësi i refugjatëve të revoltuar përnjëmend përshkruhet si një njeri i përbindshëm që ushqehet me fekale. Novela përmban një radikalizëm të shfrenuar përbrenda. Së bashku me këto përshkrime çnjerëzore, bashkëjetojnë dhe personazhe që në pamje të parë do mund të quheshin paradoksalë, përsa i përket pikëpamjeve të vetë autorit.

Për ironi të fatit, drejt fundit, njëri nga mbrojtësit e Francës është një indian etnik, por kulturalisht francez. Pasi situata del jashtë kontrollit, presidenti i Francës urdhëron forcat e armatosura të shtijnë kundër refugjatëve, por është tepër vonë. Ata marrin nën kontroll vendin duke themeluar “Komunën multiraciale”, ose utopinë komuniste. Interesant këtu është roli i komunistëve dhe anarkistëve europianë. Ata i mirëpresin të ardhurit me krahë të hapur e me ngazëllim të madh, sikur u vjen mishërimi i shpëtimtarit revolucionar, i njerëzve të humbur që padurim presin përmbysjen e madhe.

Në njëfarë mënyre, novela tallet me këtë lloj botëkuptimi. Duke i hequr mundësinë e të qenit armik, tjetrit, e kemi zhveshur atë nga të qenit njeri në kuptimin e plotë të fjalës. Pasi çdo njeri është i aftë për ligësi e për rrjedhojë, e keqja si mungesë e së mirës ndodhet e pranishme në çdo qenie njerëzore. Pa të, ose ngrihemi në statusin e një shenjtërie jonatyrale, ose biem poshtë në të klasifikuarit si “viktimë”. Është pikërisht ky klasifikim që përdoret shpesh nga shpikësit e kundërshtive me bazë represionin. Zakonisht skenari përfshin ca të shtypur shenjtorë e të paaftë për bërë keq, e ca shtypës çnjerëzorë, mishërimi i së keqes. Shpëtimtarët pastaj qëndrojnë në prapaskenë.

Përtej racizmit dhe rrëmujës së madhe, autori na mëson disa gjëra me të vërtetë të vlefshme.

Së pari, profecinë e novelës po e përjetojmë në të tashmen. Flota e indianëve ka rrëshqitur në realitet, veçse në një mënyrë tjetër, por premisa ngelet ajo e njejta. Nuk bëj çudi që në 2011n libri filloi të shitej në masë. Bashkë me oguret e zeza të librit, profecia arriti të parashikojë edhe kundërpërgjigjen e establishmentit. Në libër përshkruhet qartë ajo çka po ndodh tani në Europë.

Qeveritë e paafta përpilojnë programe shkollore që u mëshojnë idesë se refugjatët do të “pasurojnë kulturën europiane”, dhe se mbërritja e tyre është akti shpagues ndaj të këqijave të së kaluarës. Përnjëmend nga fundi i librit, lexojmë diçka qesharake e të trishtë në të njejtën kohë.

Në kufijtë e Australisë, një nga vendet e fundit jo të pushtuara, sipas novelës, të rinj e të reja mblidhen e këndojnë rreth mureve të kufirit, ata akuzojnë qeverinë Australiane duke e quajtur raciste dhe fashiste ngaqë nuk pranon refugjatë. Pothuaj e njejta situatë sot me vende si Hungaria apo Polonia të cilat i kanë refuzuar rrymat e kohës.

Novela u botua në vitin 1973. Askush nuk do ta kishte parashikuar dot se çdo ndodhte. Lufta e Ftohtë ishte në kulmin e saj.

Me siguri Raspail kërkonte të tregonte se Perëndimi ishte në grahmat e fundit. Kjo është edhe arsyeja pse ai zgjodhi një skenar të tillë. Ky skenar supozohet të jetë thika e fundit pas shpine, plaga e vdekjes, prandaj dhe distopikja këtu ka të bëjë me vdekjen e një qytetërimi të tërë.

Përfundime:

A na duhet të mendojmë në mënyrë radikale?

Ndoshta po ndoshta jo. Kjo ngelet e hapur. Natyrisht që çdo epokë ka përkufizimin e vet të radikales. Mundësia e një të ardhmeje jo aq të shkëlqyer e të bukur qendron gjithmonë në horizont. Jean Raspail guxoi në mënyrën e tij të çartur, të jepte një panoramë jo aq të bukur të Europës të së ardhmes. Premisat e novelës janë të frikshme. Një qytetërim që çdo objekt të tijin e çdo vlerë e konsideron si artifakt të zbrazët të së kaluarës, është i destinuar të ketë një vdekje të ngadaltë e me dhimbje të mëdha. Di që nuk është nevoja ta ç’njerëzojmë veten për të ruajtur thelbin.

Ku qëndron Big Brother-i?

Sipas Raspail ai ndodhet brenda nesh. Në paaftësinë dhe apatinë tonë, në naivitetin dhe humbjen e kujtesës kulturore. Novela nuk demaskon shoqëri të fshehta që kanë në dorë fatin e botës. Ajo thjesht na kujton se nganjëherë, shpresa e humbur na shtyn tia hedhim fajin dordolecëve inekzistentë.

Mungesa e gjakftohtësisë dhe arsyes është kyç në gjykimin e së ardhmes. Disa të vërteta janë të kapshme në mënyrë të menjëherhshme, disa të tjera kërkojnë përdorimin e arsyes e jo të emocioneve.

Lexues, të këshilloj ta marrësh këtë libër, ta lexosh një herë, dy herë tre herë. Duhet filtruar nga përmbajtja e panevojshme, duhet kritikuar për gjërat e ekzagjëruara që përmban, por nuk duhet lënë në harresë. Është njëra nga të paktët herë që e zeza mbi të bardhë pasqyron realitetin, ndonëse mund të mos na pëlqejë.

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019