Tranzicioni i politikave të jashtme nga administrata Bush-Obama në administratën Trump. Pjesa II

Vazhdojmë më tej me administratën Trump.

Përpara se ti përgjigjemi pyetjes së strategjisë së përmbajtjes në administratën Trump na duhet të sqarojmë si fillim faktin që ndryshimi radikal në politikën e jashtme ndaj Kinës nuk është thjesht një veçori e çuditshme e administratës Trump por duhet parë si një lëvizje brenda lëvizjes së logjikës së interesit shtetëror në arenën ndërkombëtare. Për tiu përgjigjur pozitivisht kësaj pyetjeje na duhen dy prova. E para, që shumica e administratës Trump është pro kësaj politike të jashtme . E dyta, nëse kjo politikë do vazhdojë të ketë vazhdimësi dhe mbas ikjes së Trump nga politika amerikane. Pyetja e parë është dhe më e vështira. Sipas shumë artikujve në Financial Times , një pjesë e mirë e administratës Trump e mbështet këtë politikë ndonëse ka përçarje deri diku. Gjithashtu po shohim dhe një mbështetje të një politike më agresive ndaj Kinës dhe nga Partia Demokratike në Amerikë. Ndoshta një nga pjesët e pakta të politikës Trump që mbështetet dhe nga demokratet. (Shënim: artikujt janë të tetorit të 2018. Tani thuajse i tërë establishmenti politik amerikan përfshirë dhe demokratët janë pro një politike më agresive ndaj Kinës. Ka dhe më shumë artikuj që e provojnë këtë si fakt, ndryshe nga para 5 muajsh). Me siguri të madhe pra mund të themi se kjo politikë e jashtme agresive do vazhdojë dhe mbas ikjes së administratës Trump.

Tani i kthehemi pyetjes nëse politika e jashtme ndaj Kinës e administratës Trump përmban elemente të strategjisë së përmbajtjes. Këtu nuk do analizoj politikën ushtarake të Trump ndaj Kinës pasi nuk ka ndryshime subsatanciale(të paktën deri tani) nga politika e paraardhësve të tij. Natyrisht ka pasur zëra më agresivë si John Bolton për sa i përket Taivanit dhe Detit të Kinës Jugore por nuk ka pasur asnjë veprim konkret që ti mbështesë zërat agresivë nga ana ushtarake. Ndryshe është nga ana ekonomike.

Interesante për ne në këtë pikë është pyetja nëse tarifat e vendosura nga administrata Trump ndaj mallrave kineze janë vërtet një strategji lufte ekonomike. Sipas shumë personave tarifat janë thjesht një “lojë pule“ që administrata Trump po e përdor thjesht për të fituar më shumë në negociata me Kinën mbi tregtinë. Por sipas shumë të tjerëve përfshirë këtu dhe dy artikuj , një nga Financial Times dhe një nga Wall Street Journal tarifat janë strategjikisht të menduara dhe nuk dihet nëse ajo që Amerika kërkon është vërtet thjesht një marrëveshje me Kinën ku del e fituar apo dobësim i Kinës. Është shumë interesante të shohësh se si Amerika për momentin po lufton Huawei-n. Është gjithashtu interesant fakti që , ndonëse mendohet se do arrihet një marrëveshje tregtare, askush nuk pret një qetësim të marrëdhënieve Amerikë-Kinë.Mbas 5 muajsh mund të themi që tensionet gjithsesi mbeten shumë të larta në një mënyrë tjetër, që domethënë, në një mënyrë më afatgjatë. Kina ka shumë mundësi të pranojë kushtet amerikane në këtë rast për sa i përket marrëveshjeve tregtare por tensioni është shtuar shumë gjithsesi nga të dyja anët. Amerika mund të themi tani e sheh Kinën totalisht si kompetitore , gjë që më parë ishte thuajse e pamendueshme.

Nga ana e përpjekjeve për të ulur influencën kineze në arenën kombëtare ka pasur pak gjëra dhe nga ana e administratës Trump. Ka pasur disa përpjekje për të fituar vendet në zhvillim për vete dhe për ti larguar nga Kina por kanë qenë të pakta.

Mbasi shpjeguam tërë gjërat e mësipërme duhet të përgjigjemi nëse ka  strategji përmbajtjeje në politikën e jashtme të Trump. Nuk mund të përgjigjemi me siguri totale. Për mendimin tim strategjia tenton deri diku të bëjë luftë ekonomike por largimi nga aleancat multilaterale në Azi dhe tërheqja amerikane deri diku të bëjnë të dyshosh.

Dy gjëra jane te sigurta:

  • SHBA-të janë më të interesuara tashmë për fitimet relative. Kaloi epoka e fitimeve absolute ku mendimi kryesor ishte thjesht rritja e mirëqenies. SHBA tani po shqetësohet se i rrezikohet hegjemonia dhe nuk do të lejojë Kinën të rritet relativisht me veten e saj.
  • Thelbi i marrëdhënieve SHBA-Kinë , pra tregtia, është dëmtuar në mënyrë të pariparueshme. Normalisht tregtia me Kinën nuk do ndalojë në mënyrë të menjëhershme por nuk ka as shpresa të forcimit të marrëdhënieve tregtare. Gjithashtu është hequr dorë nga ana e balancimit ushtarak pa menduar fare për anën ekonomike dhe perpjekjeve(që mund të quhen naive) të mëparshme për të liberalizuar ekonominë kineze.

Për të shpjeguar tranzicionin ndërmjet politikave të jashtme duhet të kthehemi te teoria e realizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Rasti i Kinës është rasti par excellence i kritikës realiste ndaj liberalizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sipas liberalëve shtetet janë më të motivuara të arrijnë mirëqenien se sa sigurinë e tyre. Paqja arrihet pra duke krijuar një sistem ndërkombëtar me tregti të lirë ku shumica e shteteve janë të varur nga njëri-tjetri. Problemi, sipas Mearsheimer është që kjo teori është e gabuar duke filluar që nga premisat. Shtetet nuk tentojnë drejt sigurimit të mirëqenies por tentojnë drejt mbijetesës apo rritjes së fuqisë së tyre. Mearsheimer thote : “ Mangësia kryesore në këtë teori është se supozimi kryesor që e mbështet atë – që shtetet motivohen kryesisht nga dëshira për të arritur mirëqenien është i gabuar. Shtetet janë me siguri të shqetësuara për mirëqenien, dhe prandaj llogaritjet ekonomike nuk janë të parëndësishme. Megjithatë, shtetet veprojnë si në një mjedis politik ndërkombëtar ashtu dhe në një të tillë ekonomik, i pari dominon këtë të fundit në rastet kur të dy sistemet konfliktohen. Arsyeja është e drejtpërdrejtë: sistemi politik ndërkombëtar është anarkik, që do të thotë se çdo shtet duhet të jetë gjithmonë i shqetësuar për të siguruar mbijetesën e vet. Meqenëse një shtet nuk mund të ketë një qëllim më të lartë se mbijetesa, sido që të jetë, konsideratat politike ndërkombëtare do të kenë rëndësi të madhe në mendjet e vendimmarrësve.“(Mearsheimer:1990)  .

Mesa shohim pra, Amerika që në fillim nuk ka qenë e interesuar për të arritur thjesht mirëqenien por kryesisht sigurinë. Mirëqenia , natyrisht, është e rëndësishme , por nëqoftëse një shtet duhet të zgjedhë mes mirëqenies dhe sigurisë ai gjithmonë do zgjedhë sigurinë. Pyetja që del është: Ku hyn siguria në këtë mes? Dhe këtë e shpjegon Mearsheimer.

Arsyeja kryesore pse në këtë rast mirëqenia dhe siguria dalin kundër njëra-tjetrës është problemi i fitimeve relative. Fitimet relative, pra fitimet të cilat Kina i ka në sistemin e tanishëm, ndryshojnë totalisht konfiguracionet gjeopolitike dhe balancën e pushteteve. çdo fitim relativ i tjetrit do të thotë më shumë siguri për tjetrin dhe më pak siguri për veten. Kjo mund të shihet qartë me tërë hapat që po ndërmerr Kina në Azi duke filluar që nga përplasjet në Detin Jugor Kinez e deri në një kundërshtim thuajse të sigurt të së ardhmes hegjemonike amerikane në Azi. Interesant për tu përmendur këtu është dhe fakti që vetë autorët si Tellis, të cilet duan strategji balancimi pa strategji përmbajtjeje , nuk e kundërshtojnë faktin që në një të ardhme jo dhe aq të largët, hegjemonia amerikane ne Azi do firojë. Me fjalët e Tellis: “ Kjo dinamikë do të vazhdojë për aq kohë sa ushtria amerikane do mjaftojë për të mbrojtur sistemin e sigurisë aziatike, një sistem që fuqia e SHBA-ve është zotuar ta mirëmbajë. Megjithatë, nuk është e qartë nëse kjo mirëmbajtje do zgjasë nëse Pekini rrit  kapacitetin për të minuar në mënyrë të vendosur në aftësitë zmbrapsëse të Uashingtonit në teatrin aziatik.(Tellis:2013).

Në njëfarë mënyre kjo përplasje është e pashmangshme nëqoftëse e shohim nga këndvështrimi i mbrojtjes së interesave shtetërore dhe politikës së sigurisë.

Kjo çfare thame me siper na con te pyetja më e rëndësishme e këtij artikulli: Pse pikërisht tani? Pse nuk pati reagim që dilte kundër fitimeve relative të Kinës që në kohën e administratës Bush-Obama? Do japim dy  mundësi, të cilat më duken si më të mundshmet për këtë vonesë tranzicioni.

  • Në kohën Bush-Obama nuk ishte aq i madh rreziku që vinte nga Kina. Të paktën rreziku i menjëhershëm ushtarak. Këtu duhet përmendur që Mearsheimer kurrë nuk ka dalë kundër mundësisë se teoritë liberale dhe ekonomike nuk funksionojnë ose nuk mund të përdoren nga liderat botërorë. Kjo ama , sipas Mearsheimer zgjat thjesht për një kohë të shkurtër. Zgjat pikërisht deri në rritjen e pasigurisë në sistem. Mearsheimer thote: “ Së pari, konkurrenca për sigurinë e bën shumë të vështirë bashkëpunimin e shteteve.

Kur siguria është e pakët, shtetet shqetësohen më shumë për fitimet relative krahasuar me ato absolute. Ata kërkojnë një shkëmbim jo “do të fitojmë të dyja palët” por në vend të kësaj, “kush do të fitojë më shumë?” Kur siguria është e pakët, ata refuzojnë edhe nëse ky do të ishte një fitim absolut ekonomik, nga frika se shteti tjetër mund të konvertojë fitimet në forcë ushtarake, ku pastaj kjo forcë përdoret për të fituar me përdhuni në raundet e mëvonshme “(Mearsheimer:1990). Natyrisht teoritë liberale mund ta influencojnë një shtet të veprojë kundër interesave të sigurisë së tij por kjo zgjat deri sa rritet pasiguria në sistem, në këtë rast fuqizimi edhe ushtarak i Kinës. Në këto raste, sipas Mearsheimer, rritet gjithmonë meraku që shteti tjetër ka për fitimet relative dhe në shumicën e rasteve, politika e jashtme bëhet më agresive.

  • Natyrisht këtu duhet pare dhe kundërargumenti se , ndonëse nuk ka pasur pasiguri aq të madhe në Azi sa tani, kjo pasiguri prapësëprapë mund të shihej dhe në kohën e administratës Bush-Obama.(Sidomos madje ne kohën e Obamas). Pse atëherë nuk pati një politikë të jashtme më agresive ndaj Kinës gjatë administratës Obama? Këtu duhet të përmendim Luttwakun. Sipas Luttwak, shtetet si SHBA-të vuajnë nga autizmi i shteteve të mëdha. Luttwak thotë : “ Në të gjitha shtetet e mëdha ka aq shumë aktivitet të brendshëm sa  udhëheqësit dhe opinionbërësit  nuk mund të përqëndrohen seriozisht edhe në punët e jashtme, përveç në raste të veçanta krize. Ata nuk kanë vetëdijen e vazhdueshme të situatës botërore rreth tyre vetëdije që është  e natyrshme në vendet e vogla me përparim të barabartë. Gjithë-gjithë kapacitetet individuale shqisore dhe mendore nuk kanë ndonjë ndryshim,  duke funksionuar normalisht si në shtetet e përbëra nga disa milionë njerëz, ashtu dhe në megashtete të tilla si Federata Ruse, Shtetet e Bashkuara, India, dhe Kina, udhëheqësit e të cilëve përballen me urgjenca të brendshme, nëse jo me emergjenca çdo ditë, përveç seancave të zakonshme të vendimmarrjes. Rezultati nuk është thjesht hutim. Përkundrazi, është jo vetëm e mundur, por e zakonshme për udhëheqësit e shteteve të mëdha dhe madje për të gjithë elitat qeverisëse për ti shndërruar çështjet e politikës së jashtme në diversione të kenaqshme si kundërpeshë e problemeve të vështira të politikës së brendshme,në të cilat çdo vendim që kënaq një pjesë të popullatës do të inatose tjetrën –  dhe jo të huaj të largët mbështetja politike e të cilëve nuk ka rëndësi.“(Luttwak:2012). Sipas idesë së Luttwak shtetet kanë shumë probleme si të brendshme dhe të jashtme të cilat ndonjëhëre i ndalojnë të shohin rreziqe më të mëdha që u kanosen. Si provë për të mbështetur këtë teori mjaftojnë vetëm komentet e shumë gjeneralëve kinezë të cilët shprehnin hapur se si 11 shtatori dhe lufta ndaj terrorit ishte një bekim për Kinën , sepse Amerika nuk kishte kohë të shihte rrezikun kinez qe po zmadhohej.

Për të konkluduar mund të themi: Ndryshe nga politika e jashtme Obama-Bush politika e jashtme Trump është më e fiksuar mbas fitimeve relative. Kjo politikë e jashtme është më agresive ndaj Kinës dhe , ndonëse teoricienët liberalë mund ta kundërshtojnë si ide , ishte e nevojshme të ndodhte pasi vetë logjika e interesit shtetëror e bënte të pashmangshme. Arsyet e vonesës së këtij tranzicioni mund të themi se ishin mospasja e një rreziku të menjëhershëm ushtarak gjatë kohës Bush-Obama dhe nga ana tjetër autizmi i shteteve të mëdha si na e shpjegon Luttwak.

 

Referenca:

  • Balancing without Containment: A U.S. Strategy for Confronting China’s Rise , Tellis, Ashley J. , in : The Washington Quarterly, 01 October 2013, Vol.36(4), fq.109-124 . Seiten : 110,111
  • The Pivot before the Pivot: U.S. Strategy to Preserve the Power Balance in Asia , Silove, Nina , in : International Security, 2016, Vol.40(4), fq.45-88 . Seiten : 46, 51 , 52 , 62 , 74 , 81 , 82 , 83 , 84 .
  • Back to the Future: Instability in Europe after the Cold War , John J. Mearsheimer , in : International Security, Vol. 15, No. 1 (Summer, 1990), fq. 5-56 . Seiten : 44
  • The Rise of China vs. the Logic of Strategy , Edward N. Luttwak , Harvard University Press , 2012 . Seiten : 13

Leave a Reply