Epoka e Re, siç u zhvillua përgjatë shekujve 19-20, pati një influencë thellësisht negative në perceptimin e alkimisë nga publiku i gjerë e sidomos nga të paktët që mundoheshin të dëshifronin të fshehtat e kësaj shkence të shenjtë. Korifenjtë e kësaj lëvizjeje spiritualiste dhe sharlataneske, filluan të vepronin e të krijonin grupet e tyre përkatëse në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Këta ishin, në mes të shumtëve që u shfaqën më pas, Helena Blavatsky dhe Rudolf Steiner. Shoqëria Teozofike e Blavatsky’t, dhe Antropozofia e Steiner, i hapën udhën lëvizjeve të tjera që përpiqeshin të tregonin me anë të veprave voluminoze, sesi “urtësia” e këtyre teksteve, me të vërtetë vinte nga një burim mistik i mirëfilltë, e nga inicime të gjata që në të vërtetë ishin vetëm gënjeshtra. Idhtarët e Epokës së Re, në fakt, nuk ndiqnin hapat e një inicimi tradicional. Duke dashur të fshihnin mosdijen dhe qëllimet e dyshimta, këta njërëz vetë-inicioheshin si të thuash, dhe më vonë mëtonin se dija u vinte nga mësues të fshehtë, murgj të izoluar në rastin e Blavatsky’t, e kësilloj përrallash. Epoka e Re mund të konsiderohet si zanafilla e spiritualizmit si biznes. Biznes për të mashtruar ata të cilët, nga varfëria shpirtërore kërkonin një rrugëdalje, një jashtësi, nga e cila do mund të pasuronin botën e tyre të brendshme. Këto kohë të turbullta ishin ato që na dhanë edhe atë fjalë që rëndom përmendet me të qeshur e shaka, e me të drejtë, okultizëm. Okultizmi si një shpalosje e injorancës perëndimore përsa i përket doktrinave lindore hindu ose budiste, por edhe një paaftësi e thellë për të gjurmuar kuptimësitë e praktikave perëndimore të lashta, si alkimia dhe astrologjia. Ka një lidhje shkak-pasojë mes mbërritjes së modernitetit dhe manifestimit të këtyre fenomeneve të turpshme.
Diku tjetër do të flasim më gjërësisht për pasojat e plota të Epokës së Re, por këtu, na mjafton vlerësimi negativ i Rene Guenon. Epoka e re si shembulli më i qartë i pseudo-inicimit.
Kështu, hermetizmi ra në duar të gabuara, duke u keqinterpretuar nga “Tre të iniciuarit” në librin e tyre të vitit, 1908, Kybalion-i. Kybalion mbahet si një prej teksteve qëndrore të okultizmit për dy arsye. Ky libër pretendon se vjen nga një traditë e gjatë përçimi të dijeve antike deri në ditët e sotme. Pretendon të jetë një tekst kanonik hermetik, ku përmbajtja përqëndrohet rreth 7 parimeve bazë të hermetizmit. E vërteta është që ky libër u shkrua mjaft vonë nga një autor i Epokës së Re, William Walker Atkinson. Atkinson, pasues i Epokës së Re, ishte një mashtrues tipik bashkë me disa të tjerë, që përpunuan doktrina sipas të cilave fuqia e mendjes mund të kthejë xdo gjë në realitet e mund ta shndërrojë ekzistencën njerëzore në hyjnore. Nëse kjo nuk bie erë mashtrim atëherë na duhet të hedhim brenda edhe ca ufologji bashkë me anije alienësh, e bashkë me pretendimet që piramidat egjiptiane u ndërtuan nga një racë jashtëtokësorësh.
Duke e lënë menjëanë Kybalion-in, e bashkë me të dhe ufot, duam të përshkruajmë këtu, përspektivën më përndritëse të shekullit 20, mbi hermetizmin dhe alkiminë bashkë.
Ishin filozofët Perenialistë, ata që shkëlqyen në fushën kërkimore mbi shumëllojshmërinë e praktikave të lashta. Shekulli i njëzet u tregua bujar që na siguroi me tre vepra të mëdha mbi të kaluarën, historinë, dhe inicimin alkimik e hermetik. Specifikisht për alkiminë shkruajtën: Julius Evola, Rene Guenon, dhe Titus Burckhardt.
Filozofi italian Julius Evola shkroi librin “Tradita Hermetike”. Duke qënë se Evola pati eksperienca të gjata me alkiminë, ky libër përmban dhe rëndësinë më të madhe për kohën.
Evola qartësisht pikas mekanizmat e fshehta të alkimisë duke mos e konsideruar atë si një proto-shkencë apo pseudo-shkencë. Alkimia sipas tij është Arti Mbretëror i lashtë. I rezervuar vetëm për ata që dinë të “lexojnë mes rreshtave” dhe të kuptojnë dinamikën e alkimisë përtej operacioneve kimike të thjeshta. Në të njejtën kohë, në parathënien e librit shohim se Evola është përqëndruar më shumë tek rilindja italiane dhe tek rigjetja e alkimisë dhe hermetizmit sipas kësaj epoke. Për lexuesin, mjafton të themi se burimet e dhëna në këtë libër i korrespondojnë atyre historikisht të sakta, si përshembull Zosimi, Marsilio Ficino, e një vazhdë filozofësh të lashtë duke mos harruar këtu dhe referencat e bollshme ndaj tekstit hermetik qëndror, “Corpus Hermeticum”. Pakashumë, përvijohen fazat dhe domethënia e punës së madhe alkimike. Magnum Opus-i si ndërtues i shpirtit, si hapës i horizonteve më të larta, dhe si rruga drejt arit alkimik. Natyrisht që ari alkimik nuk bëhet njëherë e nuk i ruan cilësitë e tij të paprekshme. Ari duhet përpunuar nga koha në kohë, e me të, praktikanti e gjen veten në një situatë veprimi të vazhdeshëm për të rigjeneruar konkluzionet e magnum opus-it. Ia vlen të themi se meqë Evola i nxorri informacionet kryesisht nga rilindja italiane, fazat e magnum opus-it, numërohen deri tek treshi, edhe pse Zosimi thoshte se fazat ishin katër. (Katra u bë tre pas viteve 1500). Për hir të lexuesit do i japim këtu të dy variantet. Varianti klasik: Nigredo – ose nxirja, Albeido – ose zbardhja, citrinitas – ose verdhëzimi, rubedo – skuqja. Varianti i Evolës, lë menjëanë fazën e tretë. Pakujdesi ose jo, nuk e dimë pse. Sipas Evolës, alkimia quhet Ars Regia edhe për shkak të ngjyrës së asociuar me finalitetin e proçesit. E kuqja dhe e purpurta njiheshin si ngjyrat e autoritetit mbretëror, kjo mbështetet dhe nga gjetjet e alkimistes së lashte, Maria Hebreje, së cilës i atribuohej zbulimi i ngjyrës së purpurt. Përfundimisht, kjo vepër e këtij filozofi ka arritur të kapërcejë barrierat historike deri në ditët tona, duke e kaluar sprovën interpretuese, dhe duke ruajtur thelbin iniciatik. Megjithatë, jo pa probleme. Julius Evola pretendonte se alkimia dhe hermetizmi ishin thelbësisht e njejta gjë, gjithashtu u mundua ta lartësonte alkiminë në statusin e një tradite universale. Përgjigjia në këtë rast erdhi nga metafizikani Rene Guenon, si fillim në formën e një eseje, dhe më pas në një trajtesë të gjatë mbi hermetizmin dhe alkiminë. Guenon i kushton disa kapituj këtyre temave në librin e tij të 1976s, “Format Tradicionale dhe Ciklet Kozmike”. Në kapitullin mbi Traditën Hermetike, Guenon thotë që alkimia është vetëm një teknikë e hermetizmit, dhe që hermetizmi si sintezë greko-egjiptiane e perëndive Hermes dhe Thoth, përmban në thelb një natyrë priftërore iniciatike, pasi Thoth njihej si “ruajtës” dhe “përçues”. Pra, Evola nuk duhej ta kishte njehsuar alkiminë me hermetizmin. Përsa i përket problemit të traditës universale, Guenon në esenë mbi Hermes-in, qartëson ndryshimin mes dijes metafizike dhe asaj kozmologjike (korrespondenca mikrokozmos-makrokozmos), ku kjo e fundit ndodhet një rrafsh poshtë në hierarkinë tradicionale të kastave.
Alkimia është pikërisht përfaqësuesja e një modeli kozmologjik, është thjesht një shkencë e shenjtë, kurse metafizika rezervohet për priftërinjtë. Pajtohemi me Guenon kur ai nxjerr në pah vështirësitë e mëdha historike që dalin nga shkrirja e hermetizmit dhe alkimisë me traditat e mëvonshme. Lexuesi do e ketë pasur të qartë se sa vështirësi në interpretim dalin që nga Zosimi i Panopolit e deri në mesjetë. Gjithsesi, përkatësia hierarkike e alkimisë, nuk do të thotë se po përçmohet domethënia e saj apo rëndësia. Hierarkitë tradicionale në parim nuk nenkuptojnë përçmim të elementeve përbërës, por vetëm bashkëpunim, secili sipas natyrës përkatëse. Pas kësaj polemike, jo konfliktuale por plotësuese, vijmë tek perspektiva psikoanalitike.
Karl Jungu nuk ishte si Frojdi. Një pjesë të mirë të jetës e kaloi duke studiuar lloj lloj doktrinash mistike e duke u munduar ti sjellë ato në një formë më të “pranueshme” nga publiku i gjerë, por edhe të zbulonte ndonjë vërtetësi konkrete në këto teknika. Alkimia gjithashtu ishte njëra nga këto teknika, e studiuar nga Jungu për 15 vite të jetës së tij. Jungu e kaloi alkiminë, si çdo praktikë tjetër mistike, nëpërmes tejqyrës psikike. Simbolet alkimike sipas Jungut janë arketipa të së pandërgjegjshmes kolektive dhe individuale. Shpirti alkimik i ndërtuar me kujdes, tek Jungu merr formën e Vetes. Vetja sipas Jungut nuk ishte një “e dhënë”, por duhej ndërtuar dalëngadalë, ky proçes quhet individuim. Tek individuimi, vetja formohet vetëm pas një proçesi të gjatë e të mundimshëm ku thellësitë e së pandërgjegjshmes, integrohen me të ndërgjegjshmen nëpërmjet zbulimit të arketipave. Pra, sikurse shpirti nuk ishte një “e dhënë” në alkimi por duhej pastruar nërpërmjet gnosë-s, tek Jungu vetja duhet të integroje arketipat e të pandërgjegjshmes. Këto studime erdhën për pasojë të disa ëndrrave. Jungu shkruan: “Përpara se të zbuloja alkiminë, kisha një seri ëndrrash me po të njejtën temë. Krahas shtëpisë sime, qëndronte një tjetër, një tjetër aneks. Kjo gjë më habiste. çdo herë vrisja mendjen pse nuk e njihja këtë shtëpi edhe pse paska qenë gjithmonë atje. Kjo pjesë e çuditshme e shtëpisë, e panjohur, ishte një pjesë e personalitetit tim, një aspekt i vetes sime”
Për shkak të vështirësisë së këtyre termave psikoanalitikë, nuk do të shkojmë më tej, këtu. Kjo ishte vetëm një paraqitje e shkurtër e përshtatjes psikike që Jungu i bëri alkimisë. Si me Evolën, edhe këtu një përgjigje nuk mungoi. Filozofi perenialist Titus Burckhardt edhe ai shkroi një libër mbi alkiminë, “Alkimia, Shkenca e Kozmosit, Shkenca e Shpirtit”. Një trajtesë më e thjeshtë kjo, por edhe më e kompletuar se veprat e mëparshme. Në kapitullin e shtatë të kësaj vepre, “Mbi Materia Prima-n”, Burckhardt sqaron se Materia Prima nuk duhet ngatërruar me ndonjë të pandërgjegjshme irracionale që ndodhet në thellësi të psikikës, më saktë, “supra-racionalja nuk duhet njehsuar me irracionalen”.
Krahas Traditës Hermetike të Evolës, libri i Burckhardt merr po të njejtën rëndësi. Këto janë me të vertëtë veprat më të mëdha të shekullit të njëzet mbi alkiminë dhe hermetizmin. Dyshja e artë.
Përfundime.
Kaq sa kemi thënë deri tani nuk mjafton. U munduam të hidhnim dritë mbi historinë e vërtetë të alkimisë, dhe aventurat historike që e përndoqën si praktikë. Perspektiva jonë ndryshon nga shumë të tjera që qarkullojnë. Mbasë do të vijë një ditë në të ardhmen kur alkimia do mund të studiohet rigorozisht dhe pa paragjykime, ashtu siç lexohet sot Platoni, po i njejti Platon që frymëzohej nga teologjia orfike në shkrimet e tij. Në të njejtën kohë, e ftojmë lexuesin kurioz, që të plotësojë dijet e veta me aq sa ka mundësi. Nuk jemi në gjendje të themi nësë alkimia me të vërtetë e ndërton shpirtin apo nëse operacionet e saja janë të realizueshme sot për sot. Kjo nismë pati për qëllim vetëm korrigjimin e disa keqkuptimeve mbi alkiminë, gjithashtu, dhënien e një përmbledhjeje historike mbi këtë praktikë. Nga Shekspiri tek Johan Volfgang Gëte, nga Paracelsi e deri tek Njutoni. Piktorë të famshëm, priftërinj, filozofë si Thoma Akuini, e deri në ditët e sotme, shenjat e alkimisë gjenden të fshehura në çdo skutë të historisë. Mjafton të ekzistojë ndërgjegjia vullnetmirë, e gjetjes dhe shpalosjes së këtyre thesareve historike.