Kombet në botën e sotme janë të panumërt, me dhjetëra (në disa raste qindra) për çdo kontinent. Përfytyrimi i një kombi në veçanti është i lehtë, duke parashtruar kostume, armë, simbole dhe himne; nga ana tjetër përkufizimi i tij është i vështirë. Çfarë e përkufizon një komb? Simbolet? Gjuha? Feja? Apo më shumë?
Mënyra më e lehtë për të kuptuar se çfarë mund të quhet komb është duke kuptuar çfarë nuk mund të quhet komb. Komb nuk quhen vetëm simbole, që mund të jenë identike mes disa kombeve që kanë oqeane midis njëri-tjetrit (Shqiponja tullace në Amerikën Veriore). As veç gjuha nuk mund të quhet komb, pasi Kongolezët e Afrikës flasin frëngjisht pa qënë pjesë e kombit Francez, ose Indianët që flasin Anglisht si gjuhë dytësore. As feja nuk është komb, pasi ajo është diçka individuale, me implikime universale, thelbi i së cilës është të mirëmbajë lidhjen shpirtërore. Në rast se feja bëhet vegël e politikës së rëndomtë ajo i është larguar qëllimit të saj si zëdhënëse e Zotit, dhe është shndërruar në kusi karrierëmbajtëse siç dëshmohet dhe nga konfliktet dhe fanatizmat e shumta sot në botë.
Por me këto i kemi rënë ndesh përkufizimit më të famshëm të një kombi, pra që mjafton të flasësh gjuhën dhe të ndjekësh fenë që të jesh anëtar i një kombi. Feja dhe Gjuha janë shprehia, tiparet, ose pasojat e formimit të një kombi, jo themeluesit e tyre. As toka ku banojmë nuk është kombi, pasi ne Shqiptarët mbesim Shqiptarë kudo që ndodhemi. Ethja e shqiptarizmit mbijeton në shpirtrat tanë edhe pse larg nga atdheu për shkaqe të pakontrollueshme.
Ne i kemi rënë ndesh sepse ai përkufizim është gabim, ai përkufizim vetë bie ndesh me etimologjine, zanafillën e fjalës Nacion, e fjalës Komb.
Nga latinishtja “nasci”, një komb është komunitet në të cilin ti lind, jo diçka në të cilën ti mund të futesh dhe bëhesh pjesë. Kombi nuk është shteti, as shtetësia nuk është kombësi. Shteti është thjeshtë një mënyrë organizimi si Mbretëri ose Perandori, jo diçka që në vetvete të bën pjestar të një grupi. Një shtet mund të jetë shumëkombësh, siç ishte Austro-Hungaria dhe Jugosllavia, ose Rusia në kohët moderne, ose mund të jetë Etnoshtet si Japonia dhe Danimarka.
Me përjashtim të vendeve Baltike gjitha shtetet e Europës, si dhe pjesa europiane e Rusisë janë Etnoshtete, ku një komb i vetëm përbën shumicën dërrmuese mbi kombet e tjera brenda sipërfaqes ku shtrihet shteti. Edhe në Azinë Lindore, vendin që ne Shqiptarët gati gjithmonë e quajmë Azi, ka vetëm Etnoshtete. Në Kinë dhe Taivan, Kinezët Han përbëjnë demografikisht mbi 90% të popullsisë, si dhe koreanët në Kore, dhe japonezët në Japoni. Këto janë gjithashtu shtetet më të suksesshme në Azi.
Në krahasim, shtetet ku nuk ka një komb që përbën shumicën dërrmuese, janë në të gjitha rastet të dështuara ose nuk ekzistojnë më. Në Afrikë, Azi dhe pjesërisht në Amerikën e jugut shtetet nuk kanë shumicë dërrmuese. Jo vetëm kaq, por as nuk janë munduar të krijojnë shtete sipas kombeve por kanë mbajtur po ato ndarje që u kishin vënë kolonizuesit europianë qindra vite më parë për arsye administrimi. Vetëm India ka mbi 50 grupe etnike në përbërje, disa prej të cilëve janë në luftë me njëri-tjetrin dhe disa që nëse i quan indianë zërë se i fyen. Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri në vitet 60 kishin ligje kundër martesave të përziera, ligje për segregim racor, që vetëm vonë në historinë e tyre u hoqën. Li Kuan Ju, Presidenti me titullin “Babai i Hong-Kongut” si dhe autori i librit “Nga Bota e tretë tek Bota e parë” thoshte se “Në shoqëri shumëracore, ti nuk voton në përputhje me interesat e tua ekonomike dhe shoqërore, ti voton në përputhje me racën dhe fenë” thënie që do të saktësohej në rastin e Jugosllavisë etj.
Këto ndodhi nuk kanë vend për habi. Fundja, Kanuni ynë ka shpjegimin me të qartë se çfarë është një komb:
“Familjen e përbëjnë pjesëtarët e një shtëpie; si të shtohen këta, ndahen në vëllazëri, vëllazëria në gjini (genus), gjinija në fise, fiset në flamur, dhe të gjithë së bashku përmblidhen në një familje më të hapur, e cila quhet Komb, i cili ka një atmë, një gjak, një gjuhë e doke.”
-Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kreu i dytë, Neni i nëntë, Pika 19.
Pra një komb është një familje ë stërmadhe, e lidhur jo vetëm nga feja, jo vetëm nga gjuha, jo vetëm nga toka dhe as nga ndonjë simbol i veçantë, por dhe nga një gjak i përbashkët, një prejardhje të cilën e ndajnë të gjithë.
Historikisht, incesti ishte i dënuar me vdekje në trojet Shqiptare. Në jug ai shkonte për 8 breza, pra vetëm nëse dy njerëz kishin me shume se 8 breza largësi mund të martoheshin dhe të lindnin fëmijë. Në veri shkonte përgjithmonë. Kjo shkaktoi që Gegët të shkonin në Toskëri për të gjetur nuse dhe Toskët të shkonin në Gegni, pra duke afruar edhe më shumë Shqiptarët derisa ndryshimet midis nesh ishin vetëm dialektale. Homogjenizim kulturor. Për këtë arsye Shqptarët mbanin emra të stërgjatë, të cilët kishin madje dhjetëra breza në përbërje, sepse e dinin që ishin të lidhur të paktën nga njëri prej paraardhesve të tyre, kur takonin njerëz të rinj.
Ngatërrimi i kuptimit të fjalëve Komb (nacion) dhe Shtet lindi si pasojë e formimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Fillimisht si lidhje e mirëfilltë mes kombeve, ajo u përhap në Azi dhe Afrikë pas shuarjes së Perandorisë Britanike. Për pasojë, tani do ishte më ë përshtashme të quhej Organizata e Shteteve të Bashkuara, emër që për ironi të fatit është i zënë. Aty nga fundi i luftës së dytë botërore, shumë terma të përdorur më parë me patëkeq, u zhvendosën duke u degëzuar nëpër kuptimësi të reja. Kështu ndodhi edhe me fjalën “racë”, që fillimisht përmbante kuptimin që etnia ka sot.
Rrjedhimisht, fjala “nacion” është kthyer në fushë të minuar nga trazirat e historisë. Sikundër “nacionalizmi” tërheq tek vetja nënkuptime jo lehtësisht të zbërthyeshme. Prandaj parapëlqejmë fjalën “Kombëtarizëm”.