Ka dy kohë tek Migjeni. Njëra përfshihet në tjetrën, ashtu si njëra e thyen, e shqyen dhe e përmbys tjetrën. Tek Migjeni gjejmë kohën e të gjithëve, të njerëzimit, kohën kronologjike, të fillimit të ditës, të punës, të lodhjes dhe ndonjëherë gëzimit. Po ashtu, në vargjet e Migjenit na shfaqet me imponim një koncept tjetër për kohën, një kohë e fortë porse konkrete. Koncepti migjenian i kohës vendoset në atë kronologjike por pa u shteruar dhe sunduar nga ajo. Koha par excellence për Migjenin është nën imazhin e Rinisë. Koha e Mishit, e mishtë, e mishëruar, e vetmja kohë e vërtetë, të paktën si figura paradigmatike e një aksiologjie të kohës.
Rinia, koha e mishtë, është përqëndrimi thelbësor i kohës konkrete; është mosha dhe imazhi i një kohe që nuk merr në fluks, por merret, duke reflektuar veten dhe mbi veten ajo qëndron. Ky vetëreferim prodhon kontraktimin brenda kohës kronologjike duke u kthyer kështu në një nyje që tendos e tërheq në kufirin e skajshëm të shtrirjes së saj lineare, duke përthyer, përdredhur, shtrënguar kohën e “një toke së rimun me lot”, të një dheu që ka qenë “kafshatë e huej”. Lineariteti kronologjik tensionohet dhe fillon e kontraktohet në këtë qëndrueshmëri të kohës në mish. Prej mishit, koha kronologjike mund të kthehet në histori.
Koha e mishit nuk përcaktohet prej Shekullit. “Na të birtë e shekullit të ri”, tregon esencialisht se koha e mishit është historike përsaqë Risia e Shekullit përcaktohet prej Rinisë. Kështu duhet lexuar “Të birtë e shekullit të ri”, në mënyrë që të kuptohet historiciteti absolutisht i ri që themelon koha e mishit. Nëse shekulli është prindi i rinisë, atëherë mund të themi se rinia e bënë shekullin një prind, i jep një atribut ontologjik që e dallon nga shekujt e tjerë, nga shtrirja dhe konsumimi në kohën e thjeshtë kronologjike.
Shekulli i kohës kronologjike transfigurohet në Risinë e Rinisë. Prindi është gjithmon risia absolute ontologjike për fëmijën, duke shprehur kështu operacionin e transfigurimit të kohës kronologjike në kohë historike. Udha e fillimit të risisë së shekullit (dhe të prindshmërisë së tij), të kësaj lindjeje të dytë, realizohet prej kohës së mishëruar, prej lindjes së parë, fëmijës, rinisë.
Midis një kohe të mishit që rison prej rinisë dhe “kalbsinave të vjetra që kërkojnë shejtnim”, Migjeni prezanton figurën e thumbit. Thumbi ka ngarkesë konceptuale krejt të veçantë. Refuzimi i hapur për t’u zaptuar nga koha kronologjike e atashuar me “plakun” që lihet “në shejtninë e tij”, nuk prodhon dialektikën e përballjes, por të thumbimit.
Luftrat e reja, ndeshjet dhe fitorja prej flijimit janë fati i pashmagshëm i kohës së mishit, kohës konkrete dhe historike. Megjithatë, konkretësia e saj i kundërvihet abstraksionit të plakut dhe shenjtërisë.
Koha kronologjike gllabëron të djeshmen e saj dhe bashkangjitja e përsëritur e plakut dhe shejtnisë është përpjekja për të shprehur abstrakten kundrejt konkretes. Kështu shfaqen prej figurave të vargjeve migjeniane dy linja, dy kampe, dy forma kundër njëra-tjetrës. E shkuara e kohës së thjeshtë vjen me imazhin e plakut në prag të zhdukjes, apo të zhdukur në përjetësinë e kujtesës dhe paprekshmërisë. As kujtesa dhe as paprekshmëria e tij nuk mund të kuptohen si determinime me ndonjë farë konkretësie.
Këtë ide e përforcon edhe koncepti i shenjtërisë që duke u bashkangjitur me figurën e plakut kthehet në një prezencë dhe vlerë të vënë në diskutim nga koha e mishit. Shenjtëria është aq konkrete sa edhe plaku në pragun e jetës së fundme. Çifti shkon bashkë në fluksin e pandalshëm të kohës kronologjike. Pasoja e kësaj shenjtërie të marrë prej kohës, që nuk është e paprekshme prej historisë apo kuptimit që ajo ka, por pikërisht prej zbrazjes, prej abstraksionit dhe fantazmagorisë që përmbys dinamikat e kundërvënies është ç’qenësimi.
Migjeni nuk shikon konkretësinë tek kjo e shkuar, por zbehjen që vjen e kthehet në hije, në një metafizikë të së tejdukshmes, transparentes, që është njëkohësisht, sa e largët, aq edhe e afërt; sa e prekshme, aq edhe e pakapshme, pra, pa prani. Thumbi është ‘arma’ e vetme që mund t’i përshtatet statusit të një armiku të tillë. Ai përfaqëson të vetmen mundësi të prekjes, të cikjes, të pickimit dhe gërvishtjes së kësaj pleqëri-shenjtërie, të cilën asnjë shkëmb a bombë nuk mund ta cënojë, veçse një thumb, aq i pasigurtë është statusi i saj ontologjik. Sipërfaqja më e vogël e takimit kthehet në ndëshkimin total ndaj një njerëzie sa abstrakte, aq edhe të humbur përballë historisë konkrete të kohës së mishtë.
Koha e mishit është operacionale tek Migjeni. Epopeja e kombeve është vrulli i konkretësisë së saj. Epopeja e thumbit përshkallëzohet derisa “na i përzhiti ftyrat” Teksa i referohet kësaj epopeje të kombeve të tjerë Migjeni i drejtohet mishërimit të kohës së vetë, në rininë e kohës dhe kombit të vetë, nëpërmjet thirrjes për një dialektikë të thumbimit që është ekzistenciale në karakter.
Sa tendosje drejt krijimit dhe përplasjes si kohë e mishëruar, si kohë prodhuese e historisë, aq edhe paralajmërim ndaj metafizikës së tejdukshmërisë, së shejtnisë abstrakte si ndalesa e fundit e çdo kohe që nuk prodhon histori në mishërimin e vetë. Fundi, përmbysja e kësaj metafizike realizohet prej kohës kronologjike, asaj që “nën këmbë e mbi krye”, pa e prekur drejtpërdrejtë kohën e mishit, por “tinzë”, duke na marrë jetën, mishin, konkretësinë dhe mundësinë e historisë. Një fije përtej qenies tonë, mbi kokë e nën këmbë, tinzë, jeta na ikën e tërhequr prej kohës së thjesht drejt zbehjes së një shejtnie të pavërtetë.
Migjeni na tregon, si rezultat i këtyre reflektimeve, se e shkuara dhe e ardhmja nuk janë polet e një kohe të thjeshtë që shtrihet nga një pikë në tjetrën duke përfaqësuar të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, por se kemi të bëjmë me dy linja kohore krejt të ndryshme e të dalluara. E shkuara, abstrakte në fijen e ekzistencës që i ka mbetur, është esencialisht koha kronologjike, ndërsa e tashmja dhe e ardhmja shkrihen në një linjën kohore të mishëruar, të mishtë, të mishit të rinisë. E tashmja-ardhmja përbëjnë aktualitetin dhe potencialitetin e historisë ndërkohë që e shkuara e kohës së thjesht përfaqëson një aktualitet të zbrazur nga çdo konkretësi, një aktualitet fantazmë statusi i të cilit rrezikohet përgjithmonë prej pickimit të një thumbi.
This blog post has been Digiproved © 2019