Në 2019 mbushet 90 vjetori i botimit të “Levantinët”, një nga esetë më të bukura në formë dhe përmbajtje të Konicës. E përmbledhur tek “Shqipëria si m’u duk”[1] ajo është njëra ndër pesë esetë e librit. Me këtë përvjetor “Levantinët” merr një vlerë edhe më të madhe për lexuesin shqiptar, përsaqë këmbëngulja e konceptit për të qëndruar tregon dështimin e vetë Konicës. Sigurisht, mbi të nuk bie asnjë përgjegjësi zyrtare dhe madje as morale, por nuk mund ta konsiderojmë veçse të dështuar përpjekjen e tij për ta identifikuar dhe ekspozuar këtë “sëmundje”, siç e quan ai ne tekst.
Megjithë fuqitë intelektuale dhe patriotizimin e dalluar që e karakterizonte, Konica nuk ishte dhe as nuk pretendoi ndonjëherë të ishte një profet për shqiptarët. Pavarësisht nuancave të një mallkimi prej aleksandre, ai nuk mund të parashikonte kurrë që Levantini do të qëndronte, dhe madje do të hynte në fazën e vetë më të përparuar. Ashtu si kapitalizmi shpërfaqet si imperializëm në fazën e vet më të zhvilluar sipas Leninit, ne mendojmë se Levantini tashmë është kthyer në Levantinizëm, ose me termin më të njohur këto ditë, globalizim i shqiptarëve.
E nëse levantini karakterizohej nga mendimi se “çdo gjë e vjetër në Shqipëri u duket atyre ose e poshtër ose qesharake”[2], levantinizmi i ri ose shqiptari i globalizuar, pamundësohet gati epistemologjikisht ta bëjë një dallim të tillë. Levantini i ri është i pavetëdijshëm për levantizmin e vet, duke qenë se dallimi për të nuk ekziston veçse si identitet personal (si atom mes atomeve), pa kaluar në nivele më të larta të qenies sociale e politike, si kombi dhe shteti. Madje të tillë janë edhe mes tyre, por për shkak të përgjithësimit që ne i bëjmë, arrihet ideja e një qenieje specifike sociale apo kulturore. Levantinët e rinj nuk janë të tillë sepse besojnë tek pavlefshmëria e modaliteteve të të qenit shqiptar, por sepse nuk arrijnë të ngrenë një përfytyrim të të qenit shqiptar, në dallim nga çdo gjë tjetër.
Konica ngrin kur dëgjon shqiptarët të përdorin fjalë të huaja me vend e pa vend, sidomos ato të ofenduese, por ndryshe nga ne, shpëtoi nga mallkimi i të dëgjuarit në kolona e kolona të rinjsh që bisedën e parëndësishme midis një biskote dhe cigares së radhës gjatë pushimit të punës, e bëjnë në italisht. 39a e jetuar prej tij mbush vitin që vjen 80, dhe ja ku kemi dy përvjetore. A e kanë këtë nga bindja e pandreqshme ndaj punëdhënësve të huaj, apo e kanë pjesë të kontratës, është ende e paqartë, por tepër e trishtë. Levantini i ri nuk arrin të ndërtojë distancë mes gjuhëve, sepse gjuha është mjet i kapitalit, mjet i mbijetesës në shoqërinë ku gjuha mëmë nuk të mundëson ekzistencën.
“Ndjenja e thellë dhe e fshehtë e Levantinëve është një besim i fortë se çdo i huaj, i çfarëdo dege a zotësie që në qoftë, makar një çirak bakalli, është më i mirë dhe më i lartë se ata.”[3] Në ditët tona ndjenja është po aq e thellë por nuk është më e fshehtë. Levatinët e rinj edhe për të pirë kafen e mëngjesit e kthejnë kokën nga “të huajt” (falë zotit, rrjetet sociale ua mundësojnë këtë), para se ta kthejnë nga dielli i sapolindur. Madje duhet thënë, se Levantini i ri ose shqiptari i globalizuar, aq të rrënjosur e ka këtë ndjenjë, sa reflektimi i saj ka pasuar në shpërfytyrime të vetë atyre “të huajve” kaq të adhuruar. Dinamika është e ngjashme, antropologjia nuk i shpëton dot materialit të mërzitshëm me të cilin duhet të punojë. I huaji është erotizomorfuar në përmasa të frikshme nga Levantini i ri, ashtu si perënditë antropomorfoheshin apo zoomorfoheshin nga adhuruesit e tyre. Këtë e shohim kollaj tek lokalet e mbrëmjes (edhe të mëngjesit po të doni), dhe lerë pastaj tek ato të natës. Jeta rinore, e zhurmave, pijeve, drogës, lakuriqësisë, luksit të pakuptimtë dhe shpenzimit të pajustifikuar. Ora është thjesht një instrument orientues tepër i minimizuar, dhe jo më, një kufi përcaktues i së lejueshmes dhe së ndaluarës në argëtimet sipas moshës, statusit, etj.
Shqiptari i globalizuar nuk ka argumente për këtë veçse kundërpyetjes: “Pse, çfarë ka?” Normalisht në një shoqëri ku në spote fushatash elektorale vetë kryeminstri të thotë se “çfarë ka” që sjell si pasojë ndëshkimin me gjobë, është e kotë të diskutojmë për logjikë të argëtimit dhe qejfit me Levantinët e rinj. Keqardhja e madhe është ndaj të huajve, që siç thamë më lart, janë erotizomorfë, të cilët shërbejnë si kurban i Levantinit të ri, sepse çdo shthurje dhe tepri i mvishet të huajit, ose “si gjithë bota”, dhe çuditërisht, Levantini përzgjedh, përsaqë preferon aspektin seksual dhe erotik për të justifikuar afrimitetin e tij me të huajin, është apo nuk është ky i fundit ashtu siç përfytyrohet nga Levantini. Kjo si pasojë e themelimit të një dallimi mes “të huajit” dhe “shqiptarit”, veçse nëpërmjet një shenjimi të zbrazur si “i huaji”.
Origjinën e Levantinit Konica e gjurmon tek “berberët e asaj mëhalle të Stambollit, që e ka emrin “Pera” ose “Bejoll”[4]. Nuancat orientale mpleksen me ato perëndimore, kryesisht të dorës së tretë, dhe ja që nëpër rrugët e Tiranës të shkelur nga Konica dëgjohen fjali hibride gjysmë-shqip e gjysmë-frëngjisht. Për vëzhguesin e sotëm të shoqërisë ndoshta do të ishte më e vështirë për t’i identifikuar këto nuanca orientale (përtej religjioneve), por ndoshta shtrirjen e shikimit të tij e pengon tymi i dendur i shishave që kanë pushtuar klubet e qytetit, të zaptuar nga të rinjtë shishadashës. Tymi i shishave është përfaqësimi më i mirë simbolik, jo vetëm i orientalizmit të Levantinit të ri, por i vetë gjendjes së pavetëdijshme të këtij levantinizmi. Fakultetet e arsyes nuk shquajnë dot forma në këtë mjegull të paqëndrueshme, dhe kështu, realiteti i levantinit të ri strukturohet si ç’strukturim.
Ajo që Diego Fusaro quan “il giovanilismo”[5] vendoset pikërisht si aparat i domosdoshëm i strukturave të pushtetit global. Nuk ka një fenomen të tillë të themeluar mbi kontingjencë, prandaj edhe shqiptari i globalizuar nuk arrin të kuptojë asgjë përtej qenies së tij biologjike e ndoshta virtuale. Il giovanilismo është pikërisht armiku më i madh i të rinjëve, thotë Fusaro. Një nxitje drejt funksioneve dhe roleve më të ulëta të shoqërisë, të arsyetuar mbi nevojat e mbijetësës, që pashmangshmërisht përkthehet në mbijetesën e argëtimit dhe shthurjes së gjithçkaje: të gjuhës, të estetikës së veshjes dhe sjelljes, të politikave të aktimit, të moralit të zbatimit. Realiteti i Levantinit të ri është një anti-realitet, ku linjat e lëkundura të formave dhe determinimeve të objekteve dhe sferave të jetës janë pika e fillimit, për të shquar diku në largësi, mes tymit të shishave, disa forma konkrete që nga të paglobalizuarit, identifikohen si gjuhë, zakon, etikë, sjellje, stil, shtet dhe komb.
Referenca:
- E përmbledhur tek: Faik Konica, Shqipëria si m’u duk, Vepra 2, Botimet Dudaj, Tiranë, 2001. ↑
- Po aty, f. 67. ↑
- Faik Konica, Shqipëria si m’u duk, Vepra 2, vep. e cit., f. 68. ↑
- Po aty, f. 71. ↑
- Për më tepër shih: Diego Fusaro, Il Futuro e nostro, Filosofia dell’Azione, Bompiani, 2014. ↑