Ndër shënjat e epokës së sotme, spikat ndërhyrja e madhe e rrezikut në jetën e përditshme. Nuk ka asnjë aksident që fshihet pas këtij fenomeni, është vetëm një ndryshim gjithëpërfshirës I botës së brendshme dhe të jashtme . Këtë e shohim qartazi kur kujtojmë çfarë roli të rëndësishëm iu caktua konceptit të sigurisë në epokën borgjeze të kaluar. Personi borgjez karakterizohet më mirë si dikush që vendos sigurinë si vlerë më të lartë të jetës së tij. Rregullimet dhe sistemet e tij i dedikohen sigurimit të hapësirës së tij nga rreziku, sapo ndjen rrezikun më të vogël ai shpejton të largohet e të distancohet.
Megjithatë, rreziku është aty është, gjithmonë : kërkon me qëndrueshmëri elementale të çajë mespërmes digave me të cilat rrethohet rendi. E veçanta e marrëdhënies së borgjezit me rrezikun qëndron në perceptimin e tij për të si një kontradiktë e pazgjidhshme ndaj rendit, pra e pakuptimtë. Këtu ai e dallon veten nga figurat e tjera , si përshembull luftëtari, artisti dhe krimineli, të cilët kanë një lidhje të lartë ose thelbësore me elementalen. Prandaj beteja, në syrin e luftëtarit, është një proçes që kryhet në përputhje me një rend sipëror; konflikti tragjik për shkrimtarin, është një gjendje në të cilën kuptimi i thellë i jetës merret vesh qartë ; kurse qyteti që digjet është një fushë aktiviteti të intensifikuar për kriminelin.
Nga ana tjetër vlerat borgjeze kanë shumë pak vlerë për besimtarët, për shkak se zotat paraqiten tek elementet, si shkurrja që digjet por që nuk përpihet nga flakët. Vetëm fatkeqësia dhe rreziku e thith të vdekshmin në një sferë të lartë të një rendi të sipëror. Forca supreme nëpërmjet së cilës borgjezia konsideron se garanton sigurinë është arsyeja. Sa më afër e sheh ai veten në qendër të arsyes, aq më shumë shpërndahen hijet në të cilat gjendet rreziku, kurse gjendja ideale që është detyrë e progresit për tu arritur, përbëhet nga dominimi botëror i arsyes nëpërmjet së cilës burimet e rrezikut nuk duhet vetëm të zvogëlohen, por duhen zhdukur krejtësisht. E rrezikshmja paraqitet vetvetiu në dritën e arsyes si e pakuptimtë duke hequr dorë nga pretendimi i saj për realitetin.
Në këtë botë çdo gjë varet nga perceptimi i të rrezikshmes si të pakuptimtë , dhe në momentin që kapërcehet, paraqitet në pasqyrën e arsyes si një gabim. Kjo mund të demonstrohet çdokund dhe hollësisht brenda marrëveshjeve intelektuale dhe aktuale të botës borgjeze. Ajo bëhet e dukshme që në përpjekjen për ta konsideruar shtetin, i cili mbështetet në hierarki, si një shoqëri, me barazinë si parimin e saj themelor e si të ndërtuar përmes një akti të arsyes.
Ajo zbulohet në krijimin gjithëpërfshirës të një sistemi sigurimi, përmes të cilit jo vetëm rreziku i politikës së jashtme dhe asaj të brendshme, por dhe ai i jetës private, duhet zhdukur në mënyrë uniforme dhe kështu ti nënshtrohet arsyes. Ajo zbulohet më tej në përpjekjet e ngatërruara për të kuptuar jetën e shpirtit si një seri shkaqesh e efektesh duke zhvendosur rrjedhën e jetës nga një gjendje e paparashikueshme në një të parashikueshme, pra ta përfshijë atë brenda sferës në të cilën ndërgjegja mbizotëron. Në këtë kuptim, sigurimi i jetës kundër rrezikut, paraqitet si problemi më borgjez, i cili më pas bëhet subjekt i zgjidhjeve më të larmishme ekonomike ose humanitare.
Të gjitha formulimet e çëshjteve aktuale, qofshin ato të natyrës estetike, shkencore apo politike, shkojnë në drejtim të pretendimit që konflikti është i shmangshëm. Në rast se konfliktet prapëseprapë ngrenë krye pasi përshembull nuk mund të anashkalohen, atëherë gjithçka varet nga vërtetimi i ngjarjes si “gabim”, përsëritja e të cilit duhet shmangur nëpërmjet edukimit ose”iluminimit”. Këto gabime shfaqen për arsyen e vetme që faktorët e këtij ekuacioni të shkëlqyeshëm- rezultati i të cilit po e bashkon, racionalizon dhe edukon popullsinë e globit, pra po i ofron “siguri” sterile- nuk po arrin të marrë peshë. Besimi në forcën bindëse të këtyre pikëpamjeve është një nga arsyet pse iluminizmi ka tendencë të mbivlerësojë fuqitë që zotëron. Një ndër kundërshtimet më të mira që është ngritur kundër këtij vlerësimi është se nën rrethana të këtilla, jeta do ishtë jashtëzakonisht e mërzitshme.
Ky kundërshtim nuk ka qenë kurrë i një natyre teorike por u zbatua praktikisht nga ata të rinj që , në errësirën e natës, u larguan nga shtëpitë e prindërve të tyre për të ndjekur rrezikun në Amerikë , në det, ose në Legjionin e Huaj Francez. Është shenjë e sundimit të vlerave borgjeze pikëpamja se rreziku gjendet larg, “shumë larg në Orient”, në vendet ku rriten erëzat, ose kudo ku borgjezia pëlqen të përulë gjithçka që nuk përputhet me standartet e saj. Që këto vlera të zhduken krejtësisht nuk do jetë kurrë e mundur, jo sepse janë gjithmonë aty por sepse zemra e njeriut ka nevojë si për siguri por dhe për rrezik. Sidoqoftë kjo dëshirë është e aftë të paraqitet në shoqërinë borgjeze vetëm si protestë, dhe me të vërtetë paraqitet, në formën e protestës romantike. Borgjezia pothuaj ia ka arritur të bindë zemrën aventureske që e rrezikshmja nuk është më e pranishme.
Kështu bëhen të mundura figurat që mezi guxojnë të flasin gjuhën e tyre superiore, qoftë atë të poetit, i cili e krahason veten me albatrosin, krahët e fuqishëm të të cilit nuk janë gjë tjetër veçse objekt I një kurioziteti të mërzitshëm në një mjedis të huaj ku nuk fryn erë , ose ai i një luftëtari të lindur, i cili duket sikur është i paaftë , vetëm sepse jeta e një shitësi perimesh i duket e neveritshme. Shembuj të pafund mund na tregojnë se si në një epokë sigurie të lartë , çdo njeri i bekuar nga begatia udhëton drejt largësive, të simbolizuara nga ekzotizmi, intoksikimi ose vdekja. Në këtë kuptim, lufta botërore duket si linja e madhe e kuqe e balancimit nën epokën borgjeze, fryma e së cilës shpjegon, beson se është e aftë për të zhvlerësuar ngazëllimin e vullnetarit që mirëpret luftën duke i vënë damkën e një patrioti budalla ose të një aventurieri lakmitar. Thelbësisht ama, ky ngazëllim është një protestë revolucionare kundër vlerave të botës borgjeze; është njohja e fatit si shprehi e fuqisë supreme.
Në këtë ngazëllim u bë një rivlerësim i të gjitha vlerave që u profetizuan nga shpirtrat e lartësuar :ndryshoi një epokë që u përpoq të nënshtronte fatin ndaj arsyes, e u pasua nga një tjetër që e konsideroi arsyen si shërbëtorin e fatit. Nga ai moment e tutje, fjalët paqe dhe rend u bënë slogan që tërhiqte ata me moral të dobët. Kjo ishte një luftë që jo vetëm kombet por dhe dy epoka hapën kundër njëra-tjetrës. Për pasojë, të dyja anët, si fitimtarët dhe humbësit ekzistojnë këtu në Gjermani. Fitimtarët janë ata që njëlloj si salamandrat, i kanë hyrë shkollës së rrezikut. Vetëm këta do qëndrojnë të fortë , në një kohë kur rreziku dhe jo siguria përcakton rendin e jetës. Por pikërisht për këtë arsye, detyrat që rendi duhet të përmbushë janë bërë shumë më gjithëpërfshirëse se më përpara; këto detyra duhen përfunduar aty ku rreziku është gjithmonë i pranishëm. Si shembull mund të merret dhe policia.
U transformua nga një grup shërbyesish civilë në një formacion që ngjason shumë me një njësit ushtarak. Gjithashtu partitë e ndryshme të mëdha e pranojnë nevojën për të miratuar mjete të pushtetit që shprehin faktin se beteja e mendimeve nuk do të vendoset vetëm përmes votave dhe programeve por dhe nga idhtarët e angazhuar për të marshuar në mbështetje të atyre programeve. Fakte të këtilla nuk duhen izoluar e as të merren si ndryshime të përkohshme në tablonë politike. As prirja për rrezik nuk mund të anashkalohet në përpjekjet intelektuale. Padyshim, forma të reja të shpirtit vullkanik janë të pranishme . Fenomenet si teoria moderne atomike, kozmogonia glaciale, hyrja e konceptit të mutacionit në zoologji, të gjitha tregojnë qartazi, krejtësisht të ndara nga përmbajtja e tyre e vërtetë, se sa fort fryma po fillon të marrë pjesë në ngjarje shpërthyese. Historia e shpikjeve ngre dhe më qartë pyetjen nëse hapësira e rehatisë absolute apo hapësira e rrezikut absolut është qëllimi përfundimtar i teknologjisë.
Përveç rrethanave, vështirë se ka ekzistuar ndonjëherë një shkencë e cila nuk ka përmbushur, në mënyre të drejtpërdrejtë ose ose jo, funksione të rrezikshme në luftë , shpikje si motori automobilistik tashmë ka rezultuar në vdekje më të mëdha se çdo luftë tjetër, sado e mbytur në gjak qoftë . Ajo çka e karakterizon veçanërisht epokën në të cilën gjendemi, në të cilën futemi gjithmonë e më thellë , është marrëdhënia e afërt mes rrezikut dhe rendit. E gjitha është pak a shumë njëlloj me imazhin tonë të atomit, që është gjithmonë në lëvizje e gjithmonë konstant. Sekreti i fshehur është një kthim i ri dhe ndryshe në natyrë ; është fakti që ne jemi njëkohësisht dhe barbarë dhe të qytetëruar, që ne i jemi afruar elementales pa sakrifikuar mprehtësinë e ndërgjegjes sonë. Pra rruga në të cilën rreziku çan në jetën tonë është e dyfishtë . Ka ndërhyrë në një arenë në të cilën natyra është akoma më vitale.
Gjëra “që ishin të mundura vetëm në Amerikën e Jugut” tani janë pjesë e përvojës sonë. Dallimi është se rreziku, është zhvendosur nga një dimension romantik në një dimension real. Së dyti ama, po e dërgojmë rrezikun jashtë globit në një formë të re. Kjo formë e re e rrezikut paraqitet në lidhjen e ngushtë midis ngjarjeve elementale dhe vetëdijes. Elementalja është e përhershme: njëlloj siç njerëzit gjithmonë gjendeshin në luftë me gjëra, kafshë ose njerëz të tjerë , ashtu gjenden dhe sot. Karakteristika e veçantë e epokës sonë ama, është pikërisht se e gjitha kjo ndodh në prani të ndërgjegjes së mprehtësuar.
Kjo e gjen shprehjen mbi të gjitha në rrethanat konfliktuale ku makineria, shërbëtori më i fuqishëm i ndërgjegjes, , është gjithmonë e pranishme. Kështu paraqitet lufta e përjetshme e njerëzimit me natyrën elementale të oqeaneve në formën temporale të një shpikjeje shumë të ndërlikuar mekanike. Kështu paraqitet beteja si një proçes gjatë së cilës një motor i blinduar lëviz luftëtarë nëpër det, mbi tokë ose në ajër. Kështu, vetë fatkeqësia e ditës, e shpallur në gazetë, paraqitet thuajse ekskluzivisht si një katastrofë e llojit teknologjik. Përtej gjithë kësaj, çudia e botës sonë , njëkohësisht esëll dhe e rrezikshme, është regjistrimi i momentit në të cilin rreziku ndodh – një regjistrim që për më tepër në rast se nuk kapet me anë të ndërgjegjes njerëzore, kapet direkt me anë të makinerive.
Nuk është nevoja për talent profetik për të parashikuar që së shpejti çdo ngjarje do të shihet apo dëgjohet kudo. Edhe sot zor se ka ndonjë ngjarje me rëndësi njerëzore ku nuk është drejtuar lentja fotografike. Rezultati është shpesh piktura të një preçizioni demonik nëpërmjet së cilës marrëdhënia e re e njerëzimit me rrezikun bëhet e dukshme në një mënyrë të jashtë zakonshme. Duhet pranuar se çështja ka të bëjë më pak me veçorinë e mjeteve të reja sesa e më shumë me një stil të ri sipas të cilit përdoret teknologjia. Ndryshimi bëhet ndriçues në hetimin e ndryshimit të mjeteve që kanë qenë me kohë në dispozicionin tonë siç është gjuha. Megjithëse koha jonë prodhon pak letërsi në kuptimin e vjetër, shumica e domethënies realizohet përmes raporteve objektive të përvojës.
Koha jonë nxitet nga nevoja njerëzore – e cila shpjegon, ndër të tjera, suksesin e letërsisë së luftës. Sikundër gjatë inflacionit, ne vazhdojmë shpenzojmë paratë e zakonshme, pa e ndjerë se kursi i këmbimit nuk është më i njëjti. Në këtë kuptim mund të thuhet se jemi zhytur tashmë në sfera më të rrezikshme, pa qenë të vetëdijshëm për to.
Titulli origjinal: Der Gefarliche Augenblick. 1931.
This blog post has been Digiproved © 2019