Konsiderata mbi gjendjen aktuale të Kombëtarizmit Shqiptar.

Ç’do të thotë të jesh Kombëtarist? Të zgjerosh perspektivën e vetëdijes tënde. Një artikull i hershëm në faqen tonë para disa muajsh është përpjekur të godasë fort fenomenin e disidencës false, ku kauzat e importuara përzihen me nevojën e individëve të vegjël për aktivizëm politik. Teksa këta ushtarë të fundjavës përbëjnë njërën anë të spektrit aktivist, ana tjetër është e mbushur me ushtarë të dukjes, janë këta pra, nacionalistët tanë që mjaftohen me riprodhimin e simboleve kombëtare nëpër rrjete sociale, pa asnjë perspektivë të vërtetë pas ndjenjave dhe britmave shpirtërore.

Kombëtarizmi kërkon vepra – a nuk është i mjaftueshëm fakti se synohet zgjidhja e çështjes kombëtare? Synimi na paraqet detyrimin për ta projektuar këtë ide në të ardhmen. Projektimi i idesë, kërkon vetëm vullnet. Kombet nuk përbëhen nga superheronjtë dhe nga legjendat e skalitura në gur. Dikur, edhe ata që mbajtën e kaluan pishtarin ishin njerëz të zakonshëm, me prirje të jashtëzakonshme. Është prirja ajo që e bën njeriun e madh. Ismet Toto thoshte: “Karakter! Karakter! Duke dëgjuar këtë fjalë, tani mos sill ndër mend kuptimet aristoteliane ose teofrastiane ose labyeriane. Dhe që të shpjegohemi mirë-mirë, mos bjer ndër mend as edhe përcaktimet më filozofike, më të rënda e më të thella të mësuesit gjenial të Koenigsbergut. Sot për sot mendo e fol vetëm për karaktere morale.”

Mbase kjo është e vetmja gjë që u mungon aradheve të intelektualëve të sotëm. Karakteri dhe vullneti. Gjëja më thelbësore dhe ç’është më e rëndësishme, më pak e propagandueshme. Llafollogjitë shesin, ashtu siç shesin riprodhimet e simboleve, artet e bukura dhe nxitjet me megafon, në fund të ditës megjithatë, karakteri nuk shet. Karakteri bëhet i dukshëm vetvetiu. Vepra jetësore është tabloja në të cilën pikturohet karakteri i një individi. Intelekti lyp sprovën e arsyes, karakteri lyp rrahjet e një zemre.

Pasjen e zemrës e lyp edhe Kombëtarizmi, sipas të cilit njeriu shqiptar kurrë nuk duhet të bjerë në fatalizëm, në atë dorëzim të mynxyrshëm ndaj fatit duke i pranuar të gjitha kushtëzimet e së tashmes si një realitet i vendosur nga dora e Zotit e i pandryshueshëm nga çdo gjë. Të biesh pre e rrethanës do të thotë ta lësh vetveten të përkufizohesh nga ajo rrethanë. Kjo i jep goditjen përfundimtare çdo shkëndijeje për veprim.

Kombëtarizmi kërkon veprimtari. Kërkon vullnete të kalitura, të gatshme për të dhënë për të ardhmen. E në fakt, kjo është ajo çka i mungon shqiptarit sot. Shqiptari mjaftohet së qeni riprodhues i së kaluarës në formën e imazheve dhe sloganeve. Duke menduar se këto gjeste i japin atij një status të veçantë mes të tjerëve që vazhdojnë t’i zvarrisin jetët e tyre nëpër rrethanën e ngritur në statusin e “realitetit”, ai i qendron besnik në mënyrë të përkryer rolit të aktorit. Jo vetëm që Kombëtaristi i riprodhimit krijon një imazh fals të vetvetes në lidhje me të tjerët, por ai edhe mëton të japë leksione mbi mbarëvajtjen ose jo të jetës kombëtare. “Nuk më takon mua, le ta bëjnë të tjerët”. Me këtë moto Shqiptari ia delegon përgjegjësinë e veprimit tjetrit, justifikimi këtu bëhet i qartë qëkur “uni” delegues nënkupton dy skenare të mundshme. I pari është rrethana që pengon veprimin – në të cilin rast mjafton deklarimi i një rrethane-realitet për të thyer iluzionin e bindjes së supozuar që individi ka. I dyti është mungesa e vullnetit, që është edhe mungesë karakteri, që është edhe mungesë bindjeje. Sikur të gjithë Shqiptarët një ditë të thërrisnin njëzëri “Nuk më takon mua”, çështja kombëtare do të deklarohej e mbyllur, e humbur. Më të sinqertë në këtë rrëmujë janë individët apolitikë, të cilët e deklarojnë vetveten si joveprimtarë, e njëherazi jokombëtaristë.

Që një kombëtarist i dukjes, të kapërcejë pragun në veprimtari, ai duhet të bëhet njëherë simpatizant. Simpatizanti pengohet në të vërtetë nga një rrethanë, vargonjtë e së cilës nuk mundet ti thyejë dot pavarësisht konceptimit të manovrave të shumta për tia dalë mbanë. Simpatizanti ndryshon nga riprodhuesi në një aspekt kyç. Ai ia ka dalë mbanë ta zgjerojë perspektivën. Të konceptojë një të ardhme, dhe ta shohë veten si pjesëmarrës në këtë të ardhme kombëtare, ndonëse jo si veprimtar në mënyrë të drejtpërdrejtë. Jo si mbartës i barrës, por si bashkudhëtar.

Duke qenë se përfaqësimi i denjë i Kombëtarizmit me veprimtari dhe simpati ndodhet në varësi të drejtpërdrejtë me pasjen e një karakteri, e një prirjeje, fusha është e hapur. Cdokush mund të marrë pjesë në mënyrën e tij, pa u ndjerë inferior ndaj tjetrit. Intelektuali kontribuon me trajtesa, qytetari kontribuon duke u bërë i vlefshëm për mekanizmin e madh kombëtar. Studenti duke u shkolluar dhe duke dashur ta mbështesë kombin “në të mirë e në të keqe”, artisti duke hedhur në telajo heronjtë e kombit dhe duke i thurur lavde në këngë e valle, pra çdokënd mund të marrë pjesë sipas aftësisë e sipas mundësisë.

Veprimtaria e drejtpërdrejtë pastaj, kërkon dedikim të plotë. Këtu nuk do të flasim për këtë lloj dedikimi, pasi nuk duam të hyjmë në të tilla reklama. Riprodhuesit bëjnë mirë të futen sërish në zhguallin e breshkës dhe të mos e ndosin më mjedisin kombëtar me zhurma çoroditëse. Thirrja që u bëjmë të tjerëve, është të ndjekin autenticitetin. Ta shfaqin dashurinë ndaj kombit me vepra, dhe jo me fjalë. Sigurisht, Brerore nuk është i vetmi formacion Kombëtarist në Shqipëri, prandaj kjo thirrje nuk duhet kuptuar si një ftesë për tu bërë si “ne” pasi vetëm ne “kemi të drejtë”, kurse të tjerët humbasin kohën kot më kot.

Kombëtarizmi, si një bashkim i vullneteve të kalitura, vullneteve veprimtare që e zgjerojnë perspektivën në një të ardhme ndryshe, do të mund të çelë faqe të re në historinë tonë. Të tjerat janë fjalë kafenesh.

 

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2019