Duhet t’i mbyllim kafenetë, këto fole të përtacërisë!
Nënpunës të lartë, avokatë dhe mjekë që shkojnë kohën në kafene
Njëra nga plagët tona së cilës nuk i kanë vënë re veçse tepër pak njerëz, janë kafenetë. Këto lozin një rol shumë të dëmshëm në jetën tonë shoqërore. Qoftë në Kryeqytet, qoftë nëpër provinca gjer në fshatrat më të vogla, shumica e popullit një pjesë të madhe të jetës e shkon në kafene. Parvjet isha në një qendër nënprefekture. Nënpunësit me të hapur sytë në mëngjes shkonin në kafene dhe bënin “muhabet” gjer sa të hapeshin zyrat, ose më mirë gjer sa të kalonte ndonjë orë e gjysmë nga orari. Në darkë kur dilnin nga zyrat përsëri mblidheshin në kafene për të luajtur tavllë ose ram, ose për “të pirë”. I studjoja këta nënpunës, nga Nënprefekti gjer te sekretari i Bashkisë, që se dinin aspak vlerën e kohës, dhe kuptoja shumë bukur përse në provincat nuk vemi përpara. Vazhduesit e tjerë të kafenesë ishin avokatët, mjekët, dhe “agallarët’ pa punë, përtacë, pa gaile.
Vini re e do të shihni se të tërë ata që vazhdojnë në kafenetë janë njerëz kryekëput indiferentë kundrejt çdo çështjeje të përgjithshme. Këta përtojnë të mendojnë e tremben të mbeten të vetëm me veten e tyre, sepse ndërgjegja e tyre, sado në gjumë që të jetë, do t’i qortojë për jetën mseqine që shkojnë. Vazhduesi i kafenesë, nuk është indiferent vetëm kundrejt çështjeve të përgjithshme, po është i tillë edhe kundrejt familjes së vet. Sikundër nuk mendon aspak se si mund të përparojë ky komb që ka mbetur kaq pas, ashtu nuk mendon se ç’nevojë përmirësimi ka shtëpia e tij, se ç’nevojë shpirtërore ka nëna, gruaja ose motra e tij, se a merr ndonjë edukatë të mirë djali ose vajza e tij.
Mendoni ç’ngjan në qoftë se dikush në vend të djalit ose të vajzës ka ndonjë nip ose mbesë në shtëpi!
Në vende të qytetëruara s’ka kafenera që i shëmbëllejnë kafeneve tona. Kafeneja ndër ne është një traditë e Orientit. Është një shprehje e shpirtit oriental tonë.
Pa i ngritur kafenetë, shpirti i ynë oriental nuk mund të fillojë të ndërrojë. Duhet t’i ngremë kafenetë e të mësohemi me dëfrime higjenike e të pastërta.
Mos më thoni se ku të vejë një njeri që s’ka punë. Nuk ka njeri që s’ka punë në luftën e jetës. Asnjeri përveç vjedhësve, bixhozxhive dhe parazitvet nuk mund të jetë papunë. Njeriu që punon nuk mudn të shkojë kohën nëpër kafene. Ata që venë në kafene pra janë nga kategoria e atyre parazitëve që e kanë bërë zakon përtacërinë.
Puna është shumë më tragjike në Kryeqytet. Nënpunës të lartë që janë ngarkuar me barrën e rënë të sundimit, kohën e tyre jashtë zyrës e shkojnë nëpër kafene. Kështu i lënë pa studiuar çështjet me rëndësi, të cilat, pastaj, e kryejnë me ngutësi. S’mbaje mend unë të kem takuar shumë projekte zyrtare të studiuar mirë, të bërë me nge, të plotësuar në hollësirat e pra që s’ngre, s’pranon asnjë kundërshtim.
Pas nënpunësve vijnë avokatët të cilëve populli u beson punë me rëndësi, nganjëherë nderin e bile jetën. Për më të shumtën këto janë çështje shumë a pak të ndërlikuara e pra duan një studim të thellë.
Mirëpo avokatët tonë janë mësuar të shkojnë kohën e tyre në kafene ose në pijetore. Pashë një ditë një avokat në një qendër Prefekture, që erdhën dhe e ngritën nga rami sepse kish orën e gjyqit. “Pritmëni, u dha shokëve të lodrës, për pesë minuta vij; kam një çështje të vogël”.
Pas avokatëve vijnë mjekët. S’ka skandal më të madh, se së paku këta tuhet të dijnë sa për vete qoftë, se rregulla më e parë e shëndetësisë është me jetu në ajër të pastër dhe se s’ka mëkat më të madh se të ndenjurit nëpër kafene të ngushta të mbushur me ajër të ndyrë e të tymosur. Këta mjekë në vent që t’i predikojnë popullit dëfrime të pastërta dhe higjenike, japin vet shembëllin e keq.
E ku gjen kohë për të studjuar, për të ndjekur përparimet e dëges së tij nëpër libra dhe revista të reja, një nënpunës, një avokat ose një doktor i cili kohën e shkonë nëpër kafene?
Dhe si do të përparojë shëndeti moral e fizik i këtij populli kur udhëheqësit janë armiqtë e shëndetit të tyre dhe armiqtë e të menduarit e të të studjuarit?
Thashë më sipër se rregulla më e parë e shëndetësisë është ajri i pastër. Mirë pra, shenja më e madhe e qytetërimit është rëndësia e higjenës. Kjo provohet me faktin që, bie fjala, në Gjermani ose n’Angli, sëmundjet janë shumë më të pakta se në Lindje, bie fjala në Arabi e në Kinë, ku sëmundjet epidemike janë shumë të shpeshta. Gjermani për dëfrim ka sportet, lodrat në ajër të hapët, shëtitjet. Kinezi gjithë ditën e shkon në kafene duke pirë hashish.
Duhet pra, t’i mbyllim kafenetë e t’i dëftojmë popullit rrugën e dëfrimeve jigjenike.
Nëpër kafene takojmë shumë pak tregtarë. S’kanë këta kohë për të shkuar kot. Domethënë se të mbyllurit e kafenesë, i këtij instituti tradicional të Orientit, të këtij armiku të rreptë të shëndetit e te kulturës, na impozohet si një nga detyrat më të para për higjienën shoqnore e fizike tonën.
Vangjel Koça
(Jeta 1929, Nr 2, 1 shtator)
Shkëputur nga libri “Në Udhën e Shqiptarizmës”
This blog post has been Digiproved © 2019