
Nga: Preng Sherri
Letërsia dhe psikologjia bëhen shpesh bashkë aty ku shkencat politike ngrenë duart lart për të shpjeguar absurdin. Transformimi i famshëm nga “Abaz Gjuka” në “Ali Ahmeti” s’është thjesht rasti i një njeriu që lë pushkën për t’u ulur në karrige. Është një dramë klasike, një skizofreni e mirëfilltë politike që Robert Louis Stevenson e ka shpjeguar me mjeshtëri te “Dr. Jekyll dhe Z. Hyde”. Vetëm se në realitetin tonë nuk ka lëngje magjike nëpër epruveta; ka diçka shumë më dehëse: pushtet absolut. Ky shkrim është autopsia e një miti-si njeriu që theu muret e një regjimi, mblodhi po ato tulla për të ngritur një kështjellë të re, por kësaj radhe, për t’u mbrojtur nga njerëzit e tij.
I. Dr. Jekyll ose si lindi “Abaz Gjuka”
Shoqëritë që jetojnë me thikë në asht kanë dëshpërimisht nevojë për heronj. Në vitet ’80 dhe ’90, ne shqiptarët e ish-Jugosllavisë e gjetëm këtë te lëvizja ilegale. Kështu mori frymë Abaz Gjuka. Ai ishte Dr. Jekyll-i ynë: njeriu pa ego, altruisti i hijeve që rrezikonte gjithçka. Psikologjikisht, ai ishte ndërgjegjja jonë kolektive që ulërinte për sakrificë. Misioni i tij ishte të shkatërronte një realitet ku ne ishim qytetarë të dorës së dytë, dhe ia doli. Lufta e Kosovës dhe e 2001-shit ishin apogjeu i këtij idealizmi.
Kur krisën muret, djemtë e fshatrave të harruara në Karadak, Pollog e Shkup besuan vërtet se pas tyre fshihej drita. Por ashtu si te Stevenson, çdo Jekyll mban fshehur një hije. Një dëshirë të ndrydhur për t’u adhuruar, e cila vetëm priste momentin e saj.
II. Eliksiri i Ohrit dhe zgjimi i Zotit Hyde
Lufta mbaroi, Marrëveshja e Ohrit u firmos, dhe heroi gëlltiti eliksirin. Abazi u zhduk për t’i lënë vendin Ali Ahmetit-Zotit Hyde të kësaj drame.
Nëse i pari jetonte maleve nga zori, i dyti zgjodhi izolimin e luksit nga qejfi. Ky Zoti Hyde politik nuk del rrugëve me thikë në dorë; ai është shumë më i sofistikuar. Ai vret meritokracinë, kaplon institucionet dhe e kthen shpresën në tender. Ai e mori kapitalin e gjakut dhe e konvertoi në monedhë të thatë politike.
Ndërkohë, populli vazhdonte të votonte fantazmën e Komandantit, pa e kuptuar se fletëvotimet binin drejt e në kutinë e një burokrati që e bëri partinë SH.P.K. të interesave të veta.
III. Arkitektura e paranojës
Këtu zë fill tragjedia e vërtetë. Muret që Abazi i rrëzoi për ne, Aliu i mblodhi për vete. Muri i ri jo vetëm që ndante shqiptarin nga maqedonasi, por edhe Liderin nga vetë shqiptarët. Është patologjia klasike e udhëheqësit që e ka zënë tmerri nga e vërteta. Brenda asaj kështjelle hyhet vetëm me vizë servilizmi. Nuk ka rëndësi sa i zoti apo sa patriot je, rëndësi ka sa fort e duartroket liderin. Këshilltarët dhe oborrtarët nuk janë aty për të gjeneruar ide si të ndalet ikja e rinisë, por thjesht për t’i mbajtur ison narcisizmit të tij.
Çdo mendje e lire,intelektualë, profesionistë, politologë të rinj,u la jashtë. Pse? Sepse një mendje paranojake e di shumë mirë: dëshmitari që mban mend se kush ishe dje, është rreziku yt më i madh sot.
IV. Monopoli i atdhedashurisë
Për t’i mbajtur në këmbë këto mure, u duhet një mburojë. Mburojën e gjetën me sukses te monopolizimi i patriotizmit.
Skema është vulgare por efikase: nëse ti guxon të kritikosh korrupsionin, tabori i partisë të hidhet në fyt duke të akuzuar se po ofendon gjakun e derdhur nga Abaz Gjuka. Pra, e përdorin nofkën e vjetër si jelek antiplumb për xhepat e zyrtarit të sotëm. Ky është një fashizëm psikologjik i pastër brenda llojit. Çdo zë që flet për ekonomi të rrënuar apo drejtësi të kapur, damkoset rëndom si “UDB-ash” ose “antishqiptar”.
Ky është një shantazh emocional nga një gjeneratë që, meqë s’ka asgjë për të ofruar sot, thotë vetëm: “Hesht, se ne të sollëm lirinë”. Po një liri që s’të lë të kritikosh, nuk është liri, është diktaturë e veshur me ngjyra kombëtare.
V. Mali vs. Mermeri
Ky kontrast i frikshëm mes idealit dhe realitetit shkëlqen kudo në terren. Mjafton të shihni fshatrat e Karadakut. Aty ku ishin bazat e Abaz Gjukës dhe u ngritën spitalet e para të lirisë, sot ka vetëm harresë dhe shpopullim masiv. Sakrifica e atyre njerëzve ishte thjesht bileta e hyrjes për në zyrat me mermer të Shkupit, të dëgjonin Ilir Shaqirin në zyrë duke mos mundur të kryejnë asnjë shërbim pa miratimin e “shefit” maqedonas.
Dhe ndërkohë që lideri mban fjalime teatrale nga kolltuku se si “nuk qenka përçuar fryma e Ohrit”, njerëzit përjetojnë një çarje mendore. Ata shohin dikë që flet si hero lufte, por që llogaritë i bën si menaxher karteli. Kjo e çmend shoqërinë nga brenda.
VI. Si vritet Zoti Hyde dhe çlirohet mendimi
Në fund të librit të Stevenson, Jekyll vdes sepse përbindëshi brenda tij e konsumon të tërin. Fiks e njëjta gjë ka ndodhur me lidershipin tonë. Abaz Gjuka është konsumuar plotësisht. Nuk e vranë armiqtë, e asimiloi makiavelizmi vulgar i njeriut që mbante emrin e tij.
Problemi thelbësor sot nuk është vetëm individi, por i gjithë ai gardh mediokritetesh që ai lë pas. Sa kohë shoqëria shqiptare këtu u trembet etiketave të tyre të skaduara si “tradhtarë”, aq kohë do mbetet në gropë.
Gjeneratës së re, njerëzve me arsim të mirëfilltë e mendje të pavarur, u kërkohet t’ia çjerrin maskën këtij miti. Duhet thënë qartë e pa asnjë kompleks: Lufta juaj i bëri nder këtij vendi, por kjo paqja juaj po na shkatërron.
Muret e reja nuk thyhen me armët e vitit 2001. Ato thyhen me diçka që Zoti Hyde i ka shumë më tepër frikë: me intelekt, me refuzim të klientelizmit dhe duke instaluar një rregull ku vlera nuk matet me sesa fort i servilosesh partisë, por çfarë kompetence i ofron shtetit. Respekti për historinë nuk do të thotë të bëhesh rrogoz për abuzuesit e saj. Është koha t’i kërkojmë llogari të pafiltruar njeriut për atë që bëri dhe s’bëri në paqe. Vetëm atëherë fillon liria e vërtetë.
