
Nga: Faustus Petrus Latus
Gjatë periudhës së stabilokracisë, kam ndjekur me vëmendjë diskursin e partive të reja opozitare, me qëllim zbërthimin e qëllimësive të tyre. Teksa shkruaj në këtë mënyrë, njerëzit mund të kujtojnë se ky proces I vëzhgimit ka qenë dashakeq, mirëpo ua garantoj se e kanë gabim.
Kontrolli I ushtruar mbi mjedisin politik në Shqipëri është I skajshëm, sepse e vetmja gjë që e mban gjallë sistemin është kontrolli mbi narrativën zyrtare.
Rrjedha e narrativës përcakton valëzimet e opinionit publik – ky është fakt I pamohueshëm për çdo demokraci apo regjim hibrid, sidomos për regjimet hibride ku rrjedha e narrativës përcakton vetë realitetin – pasi ekspozimi I mangësive të aparatit qeverisës do e bënte më të thjeshtë koordinimin e një qëndrese efektive ndaj sulmeve psikologjike të aparatit qeverisës.
Prandaj, regjimi në Shqipëri është regjim hibrid pasi nuk kujdeset për atë që “del nga mendja e njerëzve” (pozitive ose negative) por kujdeset me forcë të jashtëzakonshme për atë që “hyn në mendjet e njerëzve”.
Ky proces kryhet me qëllim vendosjen e popullatës në gjumë, sepse një popull I përgjumur, I hutuar, psikologjikisht I munduar, është shumatorja e përkryer e aktorëve të cilëve u mbetet vetëm të reagojnë ndaj të këqijave që mban kjo kohë e turbullt.
Vërejta se shpesh jepet direktiva se “opozitë bëhet duke kritikuar qeverinë”, e duke qenë se kritika prej natyrës së saj është konstruktive, mbërrita në përfundimin tjetër – se opozita pa vetëdije po funksionon si “KESHILLTARE INFORMALE E QEVERISE”.
Nëpërmjet disa sprovave analitike në përballje me aparatin qeverisës, unë vetë e zbatova këtë parim të opozitës si kritikuese e qeverisë, dhe mbërrita në rezultatin që fluksi I informacionit me natyrë kritikuese, vetëm sa I vinte në ndihmë qeverisë për t’u riorganizuar, rikoordinuar, risjellë në narrativën zyrtare.
Papërcaktueshmëria juridike, mjegullimi I kufijve midis ligjit dhe maliqit nëpër institucione shtetërore, janë mburoja më e fortë e regjimit në Shqipëri. Në kontekste të tjera kjo do të cilësohej si “kapje e shtetit”. E ç’duhet të bëjë shtetasi kur vetë shteti është I kapur?
Duke I mëshuar DREJTESISE, opozita pavetëdije është bërë motori kryesor juridik – I motivimit të qeverisë për të gjetur vrima juridike në legjislacionin Shqiptar.
Beteja midis ekzekutivit dhe gjyqësorit në Shqipëri ka filluar në sheshe publike, më pas është projektuar nëpër studio televizive, duke u shndërruar në një mit apokaliptik mbi zanafillën dhe fundin e korrupsionit në Shqipëri.
Mirëpo korrupsioni nuk qëndron nëpër ligje, ai është I shkruar në zemrat e njerëzve. Kjo është arsyeja pse ligji dhe maliqi në Shqipëri bashkëjetojnë dhe kërkojnë me çdo kusht që t’ia ruajnë lëkurën ekzekutivit.
Kjo nuk është çështje thjesht e zbatimit ose jo të ligjit të shkruar, është çështje e zbatimit të ligjit të pashkruar.
Ndërkaq, drejtësia nuk ka nevojë të mbrohet nga politika, ashtu siç politikës nuk I nevojitet të legjitimohet nga biznesi, pasi këto supozohet se janë sfera të ndara. Politika është sferë më vete, së cilës I duhet rigjetur kuptimi – kurse ligji dhe zbatimi I tij varen prej ligjeve të pashkruara, të cilave u jep orientim politika, kurse pak më tej themeli I politikës është teologjia.
Përderisa politika në Shqipëri do të vazhdojë të jetë fushëbeteja teatrale e vrimave dhe gropave juridike, politikanët do të thirren në emër të drejtësisë juridike dhe shoqërore, Shqipëria nuk do ta shohë një ditë te re. Pasi detyra kryesore e politikës është të ofrojë një mënyrë tjetër jetese, kurse zbatimi I ligjit është të ofrojë mundësinë e përsiatjes mbi larminë e mënyrave të jetesës.
Derisa kjo të ndodhë, I sugjeroj opozitës të mos bëhet këshilltare informale e qeverisë, por të fillojë të mendojë e të përsiasë mbi mënyrat alternative të jetesës që reflektojnë vizion krijues për të ardhmen.
