Të ndjerin nuk arrita dot ta njihja personalisht ose të kisha biseda të gjata me të. U kembyem shkurt ne nje konference që u mbajt vitin e kaluar për genocidin serbo-malazez mbi Shqiptarët.
Megjithatë, kam arritur ta njoh veprën e Abdi Baletës në sajë të punës time kerkimore mbi rrymat e nacionalizmit Shqiptar pas rënies së regjimit komunist. Dje krejt rastësisht e hasa lajmërimin mbi vdekjen e tij në News24.
Gjatë punës time kërkimorë më është dashur të gjurmoj vijat, shtigjet dhe udhët e shkelura ose pak të shkelura të traditës intelektuale nacionaliste Shqiptare. Arsyet për këtë kanë qenë më shumë ideologjike sesa teknike. Duhej kuptuar cilat ishin arsyet e mosshpërthimit të nacionalizmit pas rënies së komunizmit në shtetin amë.
Tranzicioni I viteve 91-96, është pakashum si tranzicioni I dhimbshëm që po kalon Shqipëria tani, prej një orientimi të thekshëm pro-perëndimor, në një lojë nervash, lojë me kohën, lojë me rënien e pashmangshme te shtetit Shqiptar në humnerën që ia ka përgatitur vetvetes, prej verbërisë së kuadrove të saj për t’iu përshtatur kohërave të reja, një rendi perëndimor në tranzicion, një bote të mbajtur pezull – shkaku I mundësisë së luftë botërore, ripërcaktimit të kahjeve rajonale, globale.
Kuadrot I përmbahen asaj që e kanë mësuar para tridhjetë vitesh, pamundësia e tyre për t’u përditësuar me domosdoshmëritë e së tashmes dhe kërkesat e së ardhmes buron nga paaftësia e tyre për të parashikuar zhvendosjet e pushteteve rajonale, botëvështrimin perëndimor, buron më tepër nga frika & paranoja e trashëguar nga komunizmi, një mendësi që ua përshkon mënyrën e të menduarit edhe tashmë në vitin 2025. Një mendësi që në mendimin tim do të jetë katastrofale për të ardhmen e shtetit Shqiptar.
Sidoqoftë kjo është një temë tjetër, copëzat e kësaj formësoreje I kam mbledhur gjatë udhëtimit tim vetjak nëpër kanalet e intrasingjencave Shqiptare, në pikëprerjen midis kulturës, politikës, shoqërisë, ekonomisë dhe informacionit. Të rikthehemi tek Abdi Baleta.
Diplomat, shkrimtar, politikan, anëtar themelues I PD, por me një kahje të veçantë mbi rëndësinë dhe pikëpamjen nacionaliste Shqiptare. Baletën më shumë e kam njohur nëpërmjet dishepujve të tij, që u shpërndanë nëpër vështrime që ndërthurnin domosdoshmërinë e rikthimit të një bërthame fetare në nacionalizmin Shqiptare.
Gazeta Rimëkëmbja, arkivi I së cilës pjesërisht ka pasë ekzistuar në një ëebfaqe tashmë të humbur, ka qenë pikënisja ime në studimin e veprës së këtij individi. Me shkronja të mëdha, diku shkruhej “VETEM NACIONALIZMI E SHPETON KOMBIN SHQIPTAR” – kjo ishte një deklaratë e guximshme për kohën, sepse Shqipëria po ndërronte faqen e monedhës, prej ekonomisë së planifikuar komuniste, në kapitalizëm të shfrenuar.
Tjetër gjë që ideja e kapitalizmit të shfrenuar më vonë u shndërrua në çerdhe të informalitetit ekonomik, anarkisë dhe zbatimit të filmave me kaubojsa në Shqipëri.
Tjetër gjë, që ligji 7501 I miratuar nga Ramiz Alia u kthye në shkakun kryesor të vëllavrasjeve me bazë pronën në Shqipërinë e atëhershme dhe të sotme. Tjetër gjë që prej armikut të klasës, njeriu për njeriun u bë ujk në kushtet e mungesës së mirëqenies.
Ekonomia politike u bë udhërrëfyesi I tranzicionit, kurse Abdi Baleta që në fillimet e rrugëtimit të tij politik I mbetej faktit që “VETEM NACIONALIZMI” mund ta shpëtonte “KOMBIN SHQIPTAR”. Thënie që në atë kohë ndofta ndokujt I është dukur si anakronizëm donkishotesk, ndonëse shtypej me dëshirë të madhe nga profiterët e rinj që sapo kishin nisur të zinin vend në mjedisin politik Shqiptar.
Në këtë cilësim, Baleta ka pasur të drejtë, dhe ndoshta ka qenë I përligjur në sentimentin e tij anti-grek, pasi këtë besoj që ia pat injektuar karriera në komunizëm, si dhe interpretimi historiko-politik sipas të cilit vende si Britania, mbështetëse të forta të Greqisë, gjithmonë kanë kërkuar që Greqia të jetë pishtari I botëvështrimit Perëndimor në Ballkan, dhe hegjemon I negocimit të interesave midis vendeve të Ballkanit.
Abdi Baleta mendonte se ne duhet të anojmë kah Turqia, dhe nisur nga trashëgimia jonë “Otomano-Habsburgase”, me Fishtën & Hafiz Ali Krajën në krye, të konkurronim interesat e Greqisë në Ballkan. Turqia do të ishte aleati ynë, dhe Islami politik do ishte shiriti ngjitës rrotull këtij bashkërendimi qëndrimesh.
Personalisht, nuk kam qenë kurrë idhtar I këtyre qëndrimeve, pasi une mendoj që nacionalizmi Shqiptar është I aftë t’ia hapë shtigje të reja kulturore & politike, pa pasur nevojë të mbetet peng I konjukturave të kaluara historike, por sidomos t’i shmanget gabimit fatal të mbajtjes anë sa Greqisë e sa Turqisë, në konfliktin që e kanë midis njëra-tjetrës për mbizotërim të Ballkanadollit.
Une nuk mendoj se kemi hise në zgjidhjen e konflikteve midis anadollakëve ballkanas të Turqisë, dhe ballkanasve anadollakë të Greqisë.
E keni dëgjuar ndonjëherë fjalën Ballkanadoll? Këtë e ka shpikur një dishepull I Baletës, Kastriot Myftaraj që për një kohë të shkurtër shkruante në Gazetën Rimëkëmbja.
Ndonëse Kastriot Myftaraj më vonë u largua prej kësaj gazete, dhe pasi I nisi disa polemika të ashpra me Baletën dhe një tjetër dishepull tijin, Hysamedin Feraj, që sot është një prëj folësve më të zellshëm në dobi të Albin Kurtit në Kosovë, ai I ruajti vijat e mendimit Baletian, në aspektin e ndërthurjes së besimit fetar me nacionalizmin Shqiptar.
Vetëm se Myftaraj mendonte se veriu katolik & latin duhet të ishte në zemër të kësaj Neo-neo-shqiptarizme, pra argumenti I tij niste prej një kriteri, dhe jo prej nje statistike, siç niste argumenti sasior I Baletës, se përqindja e lartë e muslimaneve në Shqipëri, do të ishin shtysë e tharmimit të këtij nacionalizmi “të ri”.
Një tjetër dishepull I Baletës, Olsi Jazexhi, I cili po ai kishte shkruar për një kohë në Gazetën Rimëkëmbja, mori një kthesë tjetër të rrezikshme, donte t’i provonte publikut Shqiptar që nacionalizmi & kombi nuk ekzistojnë, ngaqë besimi fetar është mbi të gjitha. Olsi Jazexhi e ndau Shqipërinë në milete, si në kohën e Perandorisë Otomane, dhe kërkoi t’i ndërsente këto milete kundër njëri-tjetrit.
Dishepujt e Baletës, me përjashtim Olsi Jazexhiun, dhe Kastriot Myftarajn, që “devijuan” nga mendimi I tij ortodoks, duke u bërë hereziark heterodoksë të ripërcaktimit të ndërgjegjes shpirtërore të Shqiptarëve, kryesisht janë ende rrotull në ditët e sotme.
Enis Sulstarova, aderues në Vetëvendosje, në një libër tijin mbi “hegjemoninë nacionaliste”, nuk përmend figura të tjera të nacionalizmit Shqiptar pas-komunist përveç Baletës dhe Hysamedin Ferajt.
Vetëm dy njerëz paskemi patur pas rënies së regjimit?
Pra Baleta, sidoqoftë, e ka lënë një trashëgimi intelektuale mbrapa vetes. Hysamedin Feraj dhe Enis Sulstarova, e miratojnë ndërthurjen e Islamit politik me nacionalizmin Shqiptar dhe me ambiciet e shtetit të Turqisë në Ballkan.
Nuk mendoj se Baleta u largua I mërzitur nga kjo jetë. Ishte aktiv në jetën publike deri në muajt e fundit të jetës. Arriti ta lërë pas një trashëgimi intelektuale, dishepuj, si dhe një vepër të shkruar e të folur.
Abdi Baleta duhet vlerësuar për punën që e bëri dhe për kohën që shpenzoi për t’ia ngulur në tru Shqiptarëve se “VETEM NACIONALIZMI” – kurse sa për dishepujt e tij dhe mendimet e tyre divergjente, nuk kam ende ndonjë koment.
Personalisht gjithnjë më ka pëlqyer vepra e Kastriot Myftarajt, më tepër se vepra e Hysamedin Ferajt dhe Enis Sulstarovës.
Megjithatë, kjo vjen prej një parapëlqimi tim individual, që të mos e ngatërroj besimin fetar të Shqiptarëve me politikën e jashtme të shteteve të tjera – kundrejt Shqiptarëve.