Pax Vobiscum: Një vështrim i Krishterë në të ardhmen Shqiptare

Nga: Ardit Drishti

Mund të shtrohet një pyetje: “Ç’punë kanë shqiptarët, Si popull me mjaft halle dhe shqetësime të përbotshme, me këto zhvillime, kur janë jo vetëm me shumicë myslimane, por edhe vazhdimisht në përbotësim e sipër?” (ajo shumica myslimane në fakt tani është bërë veçse pluralitet) Përgjigja kërkon një analizë më të thellë të shoqërisë shqiptare dhe në veçanti, të frymës Shqiptare.

Si është gjendja e shpirtit shqiptar sot? Na është dhënë formula për ta kuptuar këtë gjendje: “…a fructibus eorum cognoscetis eos.” -Mt. 7:16 (…prej fryteve të tyre do t’i njihni). Çfarë frytesh shohim sot në shoqërinë shqiptare? Lindshmëria e familjeve shqiptare ka rënë, krijimi i familjeve ka rënë, lumturia dhe kënaqësia me jetën ka rënë, pjesëmarrja në industritë e veseve është rritur, krimi i organizuar dhe i paorganizuar është rritur, varësia nga droga dhe alkooli është rritur. Më e keqja nga të gjitha, është që shpresa ka humbur. Shqiptarët sot po largohen nga Shqipëria. Mendojnë të gjejnë shpresën që nuk e shohin në Shqipëri në vendet e perëndimit, ndërkohë që në ata vende, situata e shpresës është njësoj, në mos më keq. Në fakt, është humbja e kësaj shprese, që sjell të gjitha problemet e tjera të lartpërmendura.

Çfarë është shpresa, humbja e së cilës qenka kaq kritike, dhe si e humbën shqiptarët? Shpresa është në Besimin Katolik një nga tre virtytet teologjike, pra më të larta. Është pritshmëria se Zoti do të përmbushë premtimet e tij, dhe se çdo gjë në fund do të jetë ashtu siç duhet të jetë. Shpresa lidhet pra në mënyrë të pandashme me gjuhën e Besimit, dhe normalisht në rastin shqiptar, mungesa e shpresës është që “Shqipëria nuk bëhet dhe unë duhet të iki diku tjetër për të qenë vërtetë i lumtur.” Po kur e humbëm shpresën? Papa Françesku, në udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar si Papë, në Shqipëri, lavdëroi Shqipërinë dhe shqiptarët për harmoninë e tyre fetare. Këtë harmoni e dimë të gjithë në mendje dhe në zemër, nga na vjen. “Feja e shqiptarit është Shqiptaria” – tha Pashko Vasa, në një kohë kur ishte çështje jete a vdekje për kombin shqiptar lëshimi mënjanë i konflikteve të brendshme fetare për hir të shpëtimit të kombit. Megjithëse ky ishte një gjest i përbashkët që ishte shpëtimtar për kombin, dhe plotësisht i drejtë duke parë mënyrën se si feja po përdorej në atë moment historik për të na përçarë, mënyra se si Vasa formuloi atë frazë nuk llogariti (ose ndoshta nuk donte të llogariste) shëndetin afatgjatë shpirtëror të kombit.

Ideja është ndërtuar në formë tepër iluministe (përndritëse), siç ishin gati të gjithë rilindasit në atë kohë. Specifikat intelektuale dhe filozofike të iluminizmit teksa lidhen me rilindjen shqiptare është temë shumë e dendur për tu sqaruar këtu. Por shkurtimisht, termi “Shqiptari” është vendosur në këtë frazë në një mënyrë që e vendos në një vend antonimie ose edhe kundërshtie të drejtpërdrejtë me identitetin fetar dhe në veçanti besimin që mban shqiptari.

Mënjanimi i konfliktit fetar për kombin është jo vetëm diçka e kuptueshme, por e drejtë dhe e domosdoshme. Por, krijimi i ndasisë mes kombit dhe besimit, ose mënjanimit të besimit për kombin, është jo vetëm diçka që s’duhet bërë (duke njohur tentativat e regjimit komunist për ta realizuar këtë), por është mbi të gjitha diçka e pamundur, që nuk bëhet dot pa shkatërruar vetë kombin në proces. Besimi është “…autem fides sperandarum substantia rerum, argumentum non apparentium.” -He. 11:1 (…përbërja e gjërave në të cilat mbajmë shpresë, prova për fshehtësitë). Në këtë rast besimi është tjetër virtyt nga feja, dhe është e rëndësishme të theksoj se nuk po i përdor në sinonimi. Kombi është kategori identiteti, gjysma e së cilës është biologjike, e përbotshme, fizike, dhe gjysma tjetër e së cilës është metafizike. Është kjo pjesa që nuk shikohet, dhe nuk identifikohet dot me gishtin tregues në botën siç e njohim me lentet moderne, shkencore, materialiste. Për shembull, kur shohim vallen shqiptare, ajo është diçka që vërtet zë hapësirë dhe kohë, por vallja vetë, përbërja e saj, substanca e saj, ajo që e ngjall dhe e mishëron, ku është? Nuk është gjë që piketohet kollaj. Është të këmbët e valltarit? Tek muzika dhe ritmi me të cilët koordinohet valltarja?

Nga buron ajo muzikë, ai ritëm, ato lëvizje? Gjeje në terma fizike dhe të përbotshme. Nuk mundesh. Epo i bie, ekzistenca e kombit, dhe veçanërisht kombit shqiptar, që te vallja, e deri tek shqiponja që e kemi aq të dashur, varet te besimi. Nuk mund të luftosh për kombin, nëse s’ke besim te kombi, dhe te burimi i kombit vetë si kategori biologjike, kulturore, dhe morale. Edhe e anasjellta vlen, ku nëse je besimtar, duhet doemos të besosh te kombi, nga i cili të ka nxjerrë Krijuesi. Si të jesh katolik, si ortodoks, si mysliman, dashuria dhe nderimi për kombin është zgjatim dhe zgjerim i dashurisë dhe nderimit për familjen, në veçanti prindërit dhe paraardhësit, dashuri ndaj së cilës je i detyruar nën urdhëresën e katërt që i është dhënë Moisiut.

Pra, keqinterpretimi, ose hartimi i pakujdesshëm i fjalës së Vasës, qoftë i qëllimshëm, qoftë edhe padashur, ka krijuar te shqiptarët një refuzim për të njohur një të vërtetë që ndoshta u shkakton parehati: Megjithëse është gjë shumë e mirë që shqiptarët nuk lejuan llojshmërinë e tyre fetare të kalonte në konflikt, kjo nuk do të thotë se në vetvete llojshmëria fetare shqiptare është gjë e mirë. Pse besojnë shqiptarët? Te Shqipëria, te njëri-tjetri, te familja e tyre, ose edhe te vetvetja? Përgjigja ditët e sotshme është që nuk besojnë. Ose, ata që besojnë, besojnë vetëm te ajo çka në moment rehaton veten e tyre dhe xhepin e tyre. Ndoshta, edhe xhepin e familjes së tyre nëse kanë familje. Kjo praktikë krijon veçse një besim Niçean në mbijetesë dhe tejkalim, që është një besim shumë i brishtë (po, e kuptoj ironinë këtu). Por është dhe kjo që shpjegon shumë mirë të gjitha gjërat për të cilat kam shkruar deri tani, largimin e shqiptarëve sidomos.

Tani pyetja tjetër: Si zgjidhet ky lëmsh rreth 200-300 vjeçar? Qartas mendoj unë, shqiptarët duhet jo vetëm të “gjejnë përsëri fenë,” por të gjejnë edhe atë që nuk e kanë kërkuar me shekuj dhe harruan se e kanë pasur: besimin e përbashkët, shpresën e përbashkët, dashurinë e përbashkët, gjuhën e përbashkët metafizike. “Po si? Po thua ti Ardit, të cënojmë harmoninë tonë fetare, për të bërë kështu diskutimesh? Si kështu?” Një nga Kardinalët kandidatë në konklavën që pasoi ishte Kardinal Robert Sarah. Ndër shumë të tjera që është dhe ka bërë Eminenca e Tij gjatë shërbimit që i ka dhënë Kishës Katolike, ai njihet për fjalët dhe qëndrimet e tij haptas tradicionaliste, që i mban me trimëri paçka se tradicionalizmi në Kishë shihet përditë e më tepër me sy të shtrembër nga eprorët në Vatikan. Doemos, pjesë themelore e qëndrimeve, fjalëve, dhe sidomos shkrimeve të tij mbi Kishën dhe jetën Katolike është trashëgimia. Normalisht që Kisha dhe anëtarët e saj besnikë mbajnë afër vlerën e trashëgimisë, kur Kisha vetë ka në qendër trashëgiminë apostolike gati 2000-vjeçare që vetë ka në qendër dhe fillon me Krishtin. Është kjo pra, trashëgimia, fryma thelbësore motivuese e shqiptarit besimtar ndër shekuj. Ish trashëgimia, arsyeja pse shqiptarët e mesjetës, meditonin mbi dhe eksploronin gjuhën e përbashkët besimtare, që në atë kohë ishte gjuhë e Krishterë. Që nga Engjëlli, te Buzuku, Budi e Bogdani, deri te Papa Klementi XI.

Kjo nuk është një thirrje fëminore për konvertim në masë për te Kisha Katolike. Shpresat e mia i mbaj aty ku i kam, por nuk do bie as unë, dhe shpresoj asnjë në komentariatin katolik shqiptar në kurthin e pritshmërive që nuk mbartin asnjë lloj realizmi, dhe në fakt asnjë lloj dëshire për të ndërvepruar me mirëbesim me vëllezërit e tyre shqiptarë. Por, kjo është një thirrje, që shqiptarët të gërmojnë e të hetojnë, të gjejnë trashëgiminë e tyre dhe të bëjnë një reflektim të sinqertë se ku i drejton ajo trashëgimi. Shkurt, të kërkojnë të vërtetën, ashtu siç e gjejnë. Paçka se unë do të vazhdoj të shpresoj se Shqiptaria do e gjejë të vërtetën, aty ku e kam gjetur unë, është ai kërkim dhe reflektim që është hapi i parë dhe më i rëndësishëm, jo për mua vetëm, ose për Kishën Katolike, por për ne, si Shqiptari. Është jetike.

Si përfundim, duke u kthyer te pyetja origjinale: “Ç’punë kam unë me konklavën papale, që jam mysliman/ortodoks/ateist/etj? Pse duhet të më interesojë mua?” Po edhe pse, o shqiptar, ti mban një fe tjetër, ose nuk mban fe fare, këto zhvillime janë shumë të rëndësishme për vëllezërit dhe motrat e tua shqiptarë. Bëhet fjalë për një shtyllë frymëzuese të etnogjenezës Arbërore, një trashëgimi themelore e vetë shqiptarisë që, megjithëse mund ta refuzosh dhe e refuzon, të takon edhe ty. Ashtu siç interesohem unë për krizën në Kishën Ortodokse mes Moskës dhe Kostandinopojës, ose siç interesohem për konfliktet e vazhdueshme mes degëve të ndryshme islamiste në Turqi ose Iran, konflikte të cilat përditë e më tepër, gjejnë strehim në Shqipërinë tonë. Ne idealisht duhet të jemi si popull gjithmonë zë përfaqësues në botë për trashëgiminë, për traditën, ngaqë është trashëgimia dhe tradita, ajo mbi të cilën kemi ndërtuar me mijëra vite, brez pas brezi, identitetin tonë kombëtar. Duke qenë ne dhe trashëgimia jonë, që nga flamuri dhe gjuha, deri te figurat tanë në histori, zë përfaqësues për traditën dhe trashëgiminë si elementë kombformues, atëherë, ky është zë që dëgjohet deri në muret Kapelës Sistine.

Ju kërkoj edhe njëherë: Lutuni, në atë gjuhë që luteni (shpresoj shqip), në atë rit ose fe që keni, për kardinalët dhe Papatin e ri, që të drejtohen nga Shpirti Shenjt në veprat e tyre, me pasoja historike, në këto kohë historike. Por gjithashtu, flisni me njëri-tjetrin. Ballafaqoni, diskutoni, debatoni. Sigurisht me frymë vëllazërimi, por mos kini frikë. Mos iu sulni atij që kërkon të dijë sinqerisht se çfarë ti beson, me “mos na fol për fe,” “ç’të duhet ty,” “secili punën e vet, besimin e vet,” sepse këto janë shprehje që të paktën mua më thonë se njeriu me të cilin po bisedoj, nuk beson në asgjë sinqerisht dhe me bindje, dhe pa ditur, pa kuptuar, ja sakrifikon kombin “punëtorëve të huaj” duke u zgjuar një mëngjes në getot e Londrës. Le të fitojmë besim të mirëfilltë, te vetja, te familja, te njëri-tjetri, te kombi ynë, te Zoti ynë e i të parëve tanë! Rroftë Shqiptaria!