Le të marrim parasysh disa vizione apokaliptike. 122 vjet më parë Sami Frashëri shkroi “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Samiu donte që Shqipëria të bëhej, kurse kohët e sotme vlojnë nga pasiguria dhe moskalimi i pragut. Ndodhemi në prag sepse po luhen shumë lojëra politike. Në Shqipëri ziejnë lloj-lloj rrymash ideologjike të fshehura pas lobeve, partive, shoqatave dhe organizatave fetare. Secila nga to shikon të ardhmen që do. Lufton për të ardhmen që do. Prandaj na duket e anës, të përshkruajmë disa nga këto vizione, që me thënë të drejtën do t’a shkulnin Shqipërinë nga themelet si shtet e si komb.
– “Parajsa” globaliste
Viti 2050. Ah po. Sorosi më në fund ia doli! Shqipëria rilindi! Hija e kullave të larta bie mbi figurat e vogla që si miza zvarriten nëpër trotuaret e Tiranës metropol. Çdo gjë përqëndrohet në Tiranë. Tirana është leviatani i Shqipërisë që gllabëron tokë dhe njerëz dalëngadalë. Qyteti por edhe vendi është shndërruar në çorbë njerëzore. Zhvendosjet e brendshme kanë krijuar “tironsin” e ri kurse i vjetri është statujë në muze. Tironsi i ri është jashtëzakonisht i ndjeshëm, borgjez tipik, borgjez shpirtëror por jo ekonomik pasi të pasur e të varfër së bashku ndihen mbretër nën vëzhgimin e aparatit politikisht korrekt që tanimë quhet “Shteti i Shqipërisë”. Të gjitha historitë janë rishkruar. S’bëhet më fjalë për të shkuar Shqiptare, për Arbëri ose Iliri. Kombi është shpikje moderne, i tejkaluar nga globalizmi që na sjell “mirëqenie materiale” të gjithëve. Shteti ka legalizuar çdo përçudnim seksual mbi dhe. Familjet kanë dinamikë dhe jetë të shkurtër. Paradat e të përçudnuarve mbahen me ngazëllim të madh, çdo vit. Çdo gjë është kaos. Në këtë shtet të rilindur, tekno-feudalist dhe mendjehapur, Shqiptar bëhesh kollaj, edhe nëse sapo ke zbritur nga varka. Flasim për çdo problematikë shoqërore ashtu siç flet Amerika. Fajin e ka patriarkati, të bardhët jo të përçudnuar seksualisht janë të privilegjuar, kanuni është seksist, e të tjera si këto. Të gjitha fetë janë zëvëndësuar nga feja e hedonizmit dhe kënaqësive perverse. Qiejt patrullohen nga serbët, kurse deti nga grekët. Në jug ekziston krahina autonome e Vorio-Epirit që çdo vit kolonizohet nga grekë të sapoardhur kurse punëtorët sezonalë Shqiptarë janë larguar jashtë vendit për në Gjermani.
Zbatohet më së miri postulati “disa vijnë e disa ikin”. Shumica e Shqiptarëve ikin, kthehen në Shqipëri vetëm për pushimet e verës. Qytetet janë të përziera. 50% të bardha e 50% me “ngjyrë”. Politika e jashtme nuk ekziston më. Nën atmosferën mbytëse të gjithë kësaj zallamahie, ti more Shqiptar i mjerë do të kujtosh me nostalgji kohët e shkuara, brenda katër mureve të dhomës tënde, nga frika se mos antenat e sistemit politikisht korrekt, kapin ndjeshmëritë e tua etnike. Ndërkohë, të huajt e interesuar për shkatërrimin e Shqipërisë e kanë mbyllur kapitullin e saj me kohë. Dashuri dhe harmoni! Paqja mbi të gjitha!
Sistemi shtetëror: Republikë parlamentare në sipërfaqe, Oligarki më në thellësi.
Vendet Aleate: Shqipëria është anëtarësuar në BE. Ka marrëdhënie të mira me Greqinë, Serbinë, Turqinë dhe Amerikën.
Vendet Armike: Jemi miq me të gjithë.
– Republika Islamike
Në njëfarë mënyre të gjithë fondamentalistët islamikë të Shqipërisë janë bashkuar, dhe me ndihmën e elementeve radikale, kanë marrë drejtimin e shtetit. Sheshi Skënderbej tashmë quhet Sheshi i Shehidëve, në kujtim të të rënëve të revolucionit islamik. Busti i Skënderbeut natyrisht që është hequr. Historia është rishkruar sipas dëshirave djallëzore të disa vemjeve që prej tridhjetë vjetësh djersijnë për të provuar se vazhdimësia arbër-shqiptar nuk ekziston, dhe se Shqiptarët janë një komb i ndryshëm nga Arbrit e mesjetës. Shqipëria në këtë skenar i ka shkëputur lidhjet tërësisht me të shkuarën teksa Haxhi Qamili është shpallur hero kombëtar, dhe Esat Pasha më në fund është rehabilituar.
Nga historia na interesojnë vetëm ato 20 e ca kusur vezirë shqiptarë që ka pasur Perandoria Otomane, pilafi bashkë me hallvën dhe mjaltin që rridhte nga poçet e Otomanit. Laicizmi ka marrë fund, kurse shoqëria ca nga ca me presion nga shumica dhe nga hoxhallarët e dhunshëm, konvertohet në islam. Politika e jashtme mbështet kauzat islamike nëpër botë. Palestinën, Ujgurët e Kinës,etj. Shqipëria nuk ekziston më si komb, por si gjymtyrë e boshnjakëzuar, pjellë e ëndrrave më të çmendura të islamistëve për të pasur një çorbë islamike në Ballkan, boshnjakë dhe shqiptarë që i bashkon vetëm feja, skllevër të politikës së jashtme Turke ose Ruse. Serbët dhe grekët përfitojnë më shumë nga e gjithë kjo rrëmujë pasi më në fund, kanë gjetur legjitimim për hallet e tyre, dhe mbështetje nga Europa së bashku me Amerikën.
Sistemi Shtetëror: Republikë Islamike e udhëhequr nga Lidhja e Hoxhallarëve
Vendet Aleate: Rusia, Irani, Turqia, Palestina.
Vendet Armike: Amerika, Izraeli, BE-ja.
– Enveri çohet nga varri.
Ky skenar s’ka pse të shpjegohet fare sepse mund ta lexojmë në librat e historisë. Rëndësi ka që një ndërhyrje hyjnore ka ringjallur Enver Hoxhën, dhe regjimi monist është rikthyer. Ëndrra më e çmendur e pinjollëve dhe pleqve me prostatë.
– Enveri /nuk/ çohet nga varri
Enveri nuk çohet dot nga varri por e zëmë që grupimet e “komunistëve të rinj” bëjnë revolucion dhe marrin në dorë drejtimin e shtetit. Ah! Kjo më duket po aq e pamundur sa ringjallja e Enverit me mandat hyjnor. Gjithsesi duhet të ëndërrojmë apo jo? Ëndrrat e mbajnë gjallë rininë, kurse faktori që shkallmon ëndrrat quhet realitet, realiteti është i hidhur dhe pjell cinizmin. Mbase dhe mentalitetin KÇK kur e kupton që i çove 20 vite të jetës dëm për diçka që establishmenti oligarkik e kishte parashikuar dhe ndihmuar, fshehurazi. Sa për të dhënë përshtypjen e një opozite.
Sistemi shtetëror: Diktaturë e proletariatit
Vendet aleate: Koreja e Veriut, Kina, Kuba, Venezuela
Vendet armike: Të gjitha vendet imperialiste të botës.
– Skenar i papërcaktueshëm por në bërje e sipër.
Revolucioni islamik në Iran u zhvillua në një mënyrë shumë të çuditshme. Fondamentalistët lidhën besë me komunistët. Të dyja këto kahje në pamje të parë të papajtueshme, luftuan si vëllezër, gjersa fituan. Pas fitores, fondamentalistët dalëngadalë filluan t’i burgosnin e t’i vrisnin komunistët.
Skenari i Vetëvendosjes është i papërcaktueshëm sepse formohet në gjirin e kësaj kontradikte. Do të ketë bashkim kombëtar? Apo një Neo-Jugosllavi? Shqipëria do të bëhet mbase shtet vasal i Turqisë. Kush do të mbijetojë e kush do të dalë jashtë loje? Të vazhdojmë të presim e të shohim ç’do të ndodhë.
Sistemi shtetëror: Republikë Nacional-Komuniste-Islamike (ose asnjëra nga të treja)
Vendet Aleate: ? ? ?
Vendet Armike: ? ? ?
***
Nuk është çudi që në “mendjet e ndritura” të ideologëve dhe politikanëve, të ketë skenare më makabre se të lartpërmendurat. Nëse s’duam që këto “ëndrra” të bëhen “realitet” duhet të largohemi nga tavolinat e kafeneve, të mos i nxjerrim sytë njëri-tjetrit, dhe të mos vajtojmë pafund, për të tatëpjetën që po merr Shqipëria jonë e dashur. Të mbledhim mendjen sa më shpejt dhe të veprojmë duke pasur bosht zgjidhjen e çështjes kombëtare.
This blog post has been Digiproved © 2021