
Vizita e ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, ish e fejuara e djalit të presidentit Donald Trump, mbrëmjen e së mërkurës në Kryeministri ngjall shumë pikëpyetje serioze.
Kjo vizitë nuk është thjesht një takim diplomatik rutinë. Koha, personat e pranishëm dhe konteksti politik e bëjnë atë një zhvillim që kërkon shpjegime.
1. Pse vizita u bë pikërisht të mërkurën?
Takimi ndodhi vetëm një ditë para votimit për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut në Parlamentin e Shqipërisë.
A ishte kjo një përpjekje për të krijuar perceptimin se, pavarësisht akuzave për korrupsion sistemik, Edi Rama vazhdon të gëzojë mbështetje të plotë nga administrata amerikane?
2. Pse vizita ndodhi dy ditë pas dështimit të tenderit të Porto Romanos?
A synonte kjo të krijonte idenë se amerikanët nuk kanë asnjë lidhje me dështimin e tenderit, por se gjithçka është thjesht një “konspiracion shqiptar” kundër Edi Ramës, siç pretendon vetë ai?
3. A ishte kjo vizitë e autorizuar nga Departamenti i Shtetit?
Sipas protokollit diplomatik, një ambasador i akredituar në një vend nuk mund të vizitojë një shtet tjetër pa miratimin e qendrës — në këtë rast Departamentit të Shtetit.
Nëse një autorizim i tillë ekziston, a nënkupton kjo se Departamenti i Shtetit ka qenë në dijeni edhe për përmbajtjen e bisedimeve me Edi Ramën?
Dhe një pyetje tjetër po aq e rëndësishme:
pse Ambasada Amerikane në Tiranë nuk duket të ketë qenë e pranishme në takim?
4. A ishte kjo vizitë një formë presioni ndaj diplomatëve amerikanë në Tiranë?
A mund të interpretohet kjo si një përpjekje për të riorientuar marrëdhëniet e diplomatëve amerikanë në Tiranë me Edi Ramën?
5. Kush janë shoqëruesit grekë të ambasadores?
Në takim morën pjesë edhe disa figura greke me interesa të qarta ekonomike dhe politike në rajon:
• Alexandros Exarchou – Kryetar dhe CEO i grupit AKTOR dhe drejtues i Intrakat, kompani e lidhur me biznesmenin Sokratis Kokalis, i njohur për lidhjet historike me shërbimet sekrete të bllokut lindor si STASI dhe KGB.
• Christos Marafatsos – Themelues i organizatës “Greek Voices for Trump”, një figurë me lidhje në qarqe republikane dhe në komunitetin greko-amerikan.
6. A e kupton realisht ambasadorja Guilfoyle realitetin politik të Shqipërisë?
Shqipëria që vizitoi ajo është një vend ku Edi Rama ka ndërtuar një model “QEVERISJE ME SPEKTAKËL”.
Një sistem ku:
- eventet mediatike dhe simbolika zëvendësojnë politikat reale;
- korrupsioni përdoret si instrument për kontrollin e sektorëve strategjikë;
- asetet kombëtare u ofrohen aktorëve të huaj që garantojnë mbijetesën politike të qeverisë.
Në këtë realitet politik, Shqipëria funksionon gjithnjë e më shumë si një regjim hibrid autoritar, ku institucionet demokratike ekzistojnë formalisht, por përdoren për të ruajtur pushtetin personal të kryeministrit.
Edi Rama mbijeton politikisht falë:
- blerjes së pushtetit përmes krimit dhe bashkëqeverisjes me krimin;
- politizimit të drejtësisë, duke sulmuar institucione si SPAK kur hetimet prekin aleatët e tij;
- korrupsionit sistemik dhe patronazhimit politik;
- kapjes së medias dhe presionit ndaj gazetarëve;
- dhe një paradoksi europian, ku negociatat me BE avancojnë proceduralisht ndërsa reformat reale mbeten të papërfunduara.
Rrjeti i interesave pas Porto Romanos
Duhet të theksojmë disa fakte mbi personat që kanë ndikuar tek Edi Rama për t’i premtuar kompanisë Archirodon ndërtimin e Porto Romanos.
Alexandros Exarchou, drejtues i AKTOR, është i lidhur me projektin e autostradës Tiranë–Elbasan, i ndërtuar me kosto shumëfish më të larta se parashikimi fillestar. Në këtë projekt ishte përfshirë edhe Ioannis Bournazos, ish-kryeinxhinier i Aktor, tani kryeinxhinier i Archirodon, i cili sipas disa burimeve të inteligjencës konsiderohet një figurë kyçe në spiunazhin industrial që ka synuar sabotimin e infrastrukturës shqiptare, duke kulmuar me sabotimin e projektit te Porto Romanos.
Exarchou është gjithashtu bashkëpunëtor i ngushtë i Sokratis Kokalis, një figurë e njohur për lidhjet historike me STASI dhe KGB dhe për rrjetin e tij të gjerë të ndikimit në rajon.
Sipas disa vlerësimeve, ky rrjet ka bashkëpunuar edhe me interesat ruse të lidhura me Ivan Savvidin dhe SVR-në, me qëllim minimin e Korridorit 8, i cili konkurron drejtpërdrejt me portin e Selanikut dhe Korridorin 10.
Figura të tjera që përmenden në këtë rrjet janë:
- Symeon Tsomokos, organizator i Delphi Economic Forum;
- Christos Marafatsos, një lidhje mes komunitetit grek në SHBA dhe qarqeve republikane.
Axhenda e gazit dhe interesat reale
Zyrtarisht, vizita e ambasadores Guilfoyle lidhet me promovimin e eksportit të gazit amerikan LNG në Ballkan.
Kjo axhendë u theksua edhe gjatë Samitit Trans-Atlantik për Sigurinë e Gazit në Uashington më 25 shkurt, ku morën pjesë ministrat e energjisë të rajonit.
Por në Shqipëri aktualisht nuk ekziston një treg real për LNG.
Kjo ka ngritur dyshime se biznesmenët grekë po përpiqen të përdorin praninë e ambasadores amerikane për të marrë kontroll mbi infrastrukturën kritike shqiptare, si:
- Porto Romano, projekti më strategjik portual i Shqipërisë;
- Delvina Gas, burimi kryesor i gazit në vend.
Në të njëjtën kohë, ata përpiqen t’i japin Edi Ramës një premtim politik: se mund t’i hapin atij dyert drejt Presidentit Donald Trump.
Një premtim për të cilin Rama është i gatshëm të paguajë çdo çmim.
Realiteti në Uashington
Megjithatë, burime në Uashington theksojnë se Kimberly Guilfoyle nuk gëzon nivelin e besimit që disa përpiqen t’i atribuojnë në raport me familjen Trump.
Ajo mund të ketë marrëdhënie personale me disa figura në atë rreth, por nuk konsiderohet një ndërmjetëse reale pushteti.
Në këtë kuptim, profili i saj nuk është i krahasueshëm me figura si Tom Barrack, ambasadori amerikan në Turqi, i cili konsiderohet një i besuar i drejtpërdrejtë i administratës Trump.
Për këtë arsye, është më e mundshme që vizita në Tiranë të ketë qenë një vizitë private e nxitur nga miqtë e saj grekë, të cilët kërkojnë të zgjidhin interesat e tyre ekonomike në Shqipëri.
Ndërkohë, Edi Rama përpiqet ta paraqesë atë si një mbështetje të drejtpërdrejtë amerikane.
Përfundimi
Në këtë situatë, ekziston një rrezik real që prania e ambasadores amerikane të jetë keqpërdorur nga pala greke dhe nga qeveria shqiptare për interesa private.
Në fund, mbetet gjithmonë e vlefshme paralajmërimi i vjetër:
“Mos i beso dhuratës greke.”
Ndërkohë, Edi Rama do të përpiqet sistematikisht të korruptojë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, zyrtarë amerikanë, siç bëri me McGonigal-in, për të garantuar pushtimin e tij politik të Shqipërisë dhe gjenocidin ekonomik të saj në favor të interesave të huaja që e mbajnë në pushtet.
