BRERORE

Nga: Faustus Petrus Latus

Dëgjova me vëmendje fjalën hapëse të Kancelarit Friedrich Merz dhe më duhet ta zbërthej në disa pika që janë tepër urgjente për të ardhmen e shteteve Shqiptare, gjithnjë nëse shtetet Shqiptare kanë vendosur që t’i mbijetojnë rrëmujës së këtij shekulli, gjithnjë nëse klasa politike dhe “elita intelektuale” e cila ka mbajtur qëndrim “vend-numëro” (dy vite tashmë) prej paranojës së trashëguar nga mjeshtrat e Katovicës, vendosin të ndalojnë së bëri vërra të njëpasnjëshme në ujë – duke arritur të qëmtojnë me zgjuarsi rrjedhën e kohërave dhe domosdoshmërinë e ndryshimit jo vetëm politik, por në orientimin e përgjithshëm gjeopolitik, kulturor, shpirtëror – PRA: një Strategji e Re e Sigurisë Kombëtare.

Nocioni I padallueshmërisë hapësinore, që I shndërron shtetet prej njësish të mirë-përkufizuara të unjisisë shpirtërore, territoriale, etnike, kulturore, gjeopolitike – në zona ekonomike të lira dhe të pakufizuara, ku shteti shitet në tregun e hapur si truall I lirë turistik, si pronë e paluajtshme që mund të jepet me qera kur t’i teket sistemit, ku popullata mund të zëvëndësohet, mjafton që të ruhet shtetësia me pashaporta – ku flamuri ka një vlerë simbolike të zbrazët që mund të mbledhë disa pëlqime në rrjete sociale, për ta vënë popullatën në gjumë, ky Nocion pra u deklarua I vdekur sërish në Konferencën e Sigurisë në Mynih viti 2026.

Nuk ka rëndësi nëse nocioni gjeti vdekjen në gojën e Merz, sepse ky nocion e ka gjetur vdekjen që prej dy vitesh, dhe realiteti I ri është mbajtur qëllimisht I fshehur nga popullata Shqiptare, prej paranojës së mjeshtrave të Katovicës – teksa përballeshin edhe me vdekjen e tyre simbolike, si rojtarë të nje iluzioni shtetëror të qendisur me kujdes këto tridhjetë vitet e fundit.

Mjeshtrat e Katovicës për nga vetë roli I tyre si rojtarë të shndërrimit të shtetit nga unjisi, në rrafsh të rrëmujshëm të çorientimit të përgjithshëm, vendosën që të futen në bunker, dhe të luajnë me fatet e kombit, duke u bërë njëherazi edhe rojtarë te hajdutërisë disavjeçare të partisë në pushtet, me përligjien që “s’kemi udhëheqës”, por në fakt ata po e mbysnin mundësinë për lindjen e udhëheqësve dhe fronteve të reja, ngaqë mendimi I pavarur I saturuar me kushtet e reja gjeopolitike dhe politike të botës, do ua jepte fundin e merituar.

Kështu Shqipëria u fut në një STABILOKRACI, e cila tronditet herëpashere nga deklarata të tilla si ajo e Merz, nga deklarata si ajo e Sekretarit te Shtetit Marco Rubio, ku lajmërohet fundi I momentumit universalist të një kapitalizmi botëror I cili rrafshon identitetet duke krijuar një masë amorfe njerëzish, të zhveshur nga cilësia e tyre njerëzore – të cilët shërbejnë vetëm si vektorë të përkohshëm të lëvizjeve të mëdha me natyrë financiare dhe spekulative.

Post-humanizmi është një tipar I rëndësishëm I padallueshmërisë hapësinore, sepse post-humanizmi e mundëson padallueshmërinë hapësinore.

Nëntoka e padallueshmërisë hapësinore karakterizohet nga post-humanizmi, sepse teksa deri në Mesjetë e tutje, rregullimi juridik I rendit hapësinor kryhej nga velloja e padukshmërisë e institucioneve të forta me natyre fetare siç ishte përshembull Respublica Christiana në kohën kur Vatikani ishte ende I rëndësishëm si motor koordinues diplomatik I Perëndimit, prej fundit të luftës së ftohtë e më tutje, kërkesa KRYESORE ka qenë mbërritja e një rendi botëror ku njerëzit reshtin së qeni njerëz, ku bashkë me vdekjen e Perëndisë vdesin edhe shtetet e “tejkaluara” kombëtare.

Me urgjencë tani për tani në shtetet Shqiptare, mbetet shtrimi I pyetjeve dhe I çështjeve të cilat tashmë nuk mund të rregullohen thjesht e vetëm me përdorimin e arsyes, por që prekin thellë kushtetutën e pashkruar të shteteve Shqiptare.

Derisa të kryhet identifikimi I ketyrë pyetjeve, dhe zbatimi I një katarsisi të thellë shpirtëror dhe ndërgjegjësor I Kombit Shqiptar, atëhere çdo masë tjetër do të jetë e përkohshme, e çrregullt, do të jetë një përshtatje ndaj tërmeteve botërore – dhe në kushtet e kuadrove politike dhe të sigurisë të cilët nuk zotërojnë thellësi të vizionit krijues, ku tradita e tyre intelektuale dhe metoda e orientimit përbëhet nga mbetjet e mendësisë komuniste të përziera me premtimin e lugës së florinjtë të rrafshimit të identiteve, më duhet të them me keqardhje se Shqipëria do të vazhdojë të marshojë në kalvarin e ngadaltë drejt një vdekjeje pa zhurmë dhe të turpshme.