Ze’ev Jabotinsky – Sionizmi (fragmente)

“Shteti Hebre është po aq jetësor sa drita dhe ajri. është I yni”

Në ato kohë nuk ndiqja asnjë “filozofi” të veçantë; bile as me vonë, as kur u bëra njëzet vjeç e më tutje, as përsa I përkiste Judaizmit, por as në lidhje me ndonjë çështje shoqërore ose politike.

Po të më pyeste ndonjë rijosh jo-hebre për mendimin tim mbi hebrenjtë, do I përgjigjesha “më pelqejnë”. Por nëse pyetja do të bëhej nga një Hebre, do përgjigjesha ndryshe, do isha me I përfshirë. Natyrisht që e dija se një ditë do të kishim “mbretërinë” tonë dhe do isha pjese e saj. Ky fakt ishte I natyrshëm për mamanë time, hallat e mia dhe Ravnitzky-n (mësuesi hebre). Megjithatë, nuk e konsideronim ketë gjë si “filozofi”, por si pasojë e natyrshme, e ngjashme me larjen e duarve në mëngjes, ose me pirjen e një tasi të supës për drekë.

Nuk e mësova Sionizmin prej veprave të Achad Haam, as prej Herzl apo Nordau. Mësova si të isha Sionist prej Gjentilëve. Pjesën më të mirë të rinisë e shpenzova në Romë ku I studiova Italianët me kujdes. Në kapërcyell të shekullit, Italia ishte një vend I lirë dhe I kënaqshëm, liberal, paqedashës, I shkujdesur pa gjurmën me të vogël të shovinizmit – ishte thjesht një shtet pothuaj 100% italian që nuk dëmtonte dhe nuk perskutonte askënd. “Kështu duhet të jenë kombet, përfshire ne hebrenjtë”, I thashë vetes. Tashmë ka argumente që thonë se ky Sionizëm Gjentil ishte I demshëm sepse Sionizmi duhet ushqyer ekskluzivisht prej burimesh Hebreje, me të gjithë mosmarrëveshjet e kota, pro dhe kundër. Por në vështrimin tim kjo qasje është e pasaktë. Nuk ka mosmarrëveshje të kota tek Sionizmi. Nuk ka pro dhe kundër. Sionizmi është ujë dhe ajri, lugina dhe kodra. Mjafton të vëzhgojmë krijimin e të Madhërishmit që të përftojmë urtinë e gjithëmbarshme. Nuk ka rëndësi nëse copëza e vëzhguar është Italia, Franca apo Anglia.

Shteti Hebre është hapi I parë drejt realizimit të “Sionizmit Madhështor”. Cfarë është “Palestina”?

Palestina është një copë toke, me tipar gjeografik kryesor rrjedhjen e Lumit Jordan, jo neper kufirin e ketij territori, por në midis.

Cfarë është Sionizmi? Sionizmi nuk kërkon të gjejë një fasadë morale për mbështetjen e hebrenjve të përndjekur, ose ndonjë ngushëllim në Palestinë. Në të kaluarën, kuptimi I Sionizmit gjithmonë ka shenjuar një zgjidhje praktike ndaj tragjedisë politike, ekonomike dhe kulturore të miliona njerëzve.

Pra kuptimi I Sionizmit nuk është thjesht krijimi I një shumice hebreje në Palestinë, por dhënia hapësirë për miliona njerëz në Palestinë, në të dyja anët e Lumit Jordan. Ekspertët mund të debatojnë mbi mundësinë e krijimit të këtyre kushteve, por nuk jemi mbledhur këtu për tu marrë me këtë debat. Dua vetëm të deklaroj në vijim: thellë në shpirtin e popullit hebre, fjala Sionizëm nuk ka qenë kurrë një ornament dekorues dhe ngushëllues, por një nevojë për shpëtimin e miliona njerëzve nga zgjedha e situatës së tyre tragjike.

Këto janë çështje që shkojnë përtej “Sionizmit”, përtej shenjimit “Shteti Hebre”, I cili do të jetë vetëm hapi I parë drejt shkrirjes së “Galuth” (Diasporës hebreje) – historia jonë po shkon në këtë drejtim.

Të gjitha trajtat e lëvizjes Sioniste me të cilat jemi mësuar – “shpirtërorë, kombëtare, kulturore, politike” janë tejkaluar. Tashmë përballemi me një lëvizje humanitare, një lëvizje masive në raport me numrin e qenieve njerëzore që kërkojnë shpagim. Pa këtë gjë, Sionizmi nuk ka vlerë. I shkruaj këto fjalë si një Sionist I vjetër, që ka mësuar prej të tjerëve dhe u ka dhënë të tjerëve. Jam shumë I ndërgjegjshëm për çka them, nëse budallenjtë më flasin për domethëniën shpirterore të Sionizmit, fjalët e tyre do të bien në vesh të shurdhët.

Kur isha fëmijë, e dija që paraardhësi im Jakobi, ëndërronte për një shkallë që ngjiste në parajsë, dhe që formula magjike “Hapu Susam”, e cila zbulon të fshehtat e Perëndive, botërave dhe të vërtetave, shkruhet me gërma katrore, nga e djathta në të majtë. Edhe nëse 15% e 16 milion Hebrenjve do ta gjejnë përmbushjen në Diasporë, do e ringjallin Hebraishten si gjuhë të përdishme, do e përdorin nëpër universitete, unë serish do të dal nëpër botë dhe do mbledh një grusht njerëzish rreth meje e do u them “Nuk e duam Diasporën, na jepni shtetin tonë, edhe nëse do të jete sa sipërfaqja e San Marinos, mirëpo ngulmojmë ta krijojmë në Dheun e Izraelit (Eretz-Israel)!

Kjo San Marino Palestineze, do ishte e hapur për të gjithë ata që nuk duan ekzistencë politike në diasporë, pra ky është Sionizmi, zgjidhja e çështjes për të gjithë ata që duan ta përfundojnë problemin e ekzistencës politike në Diasporë. Mirëpo në kohët e sotme, ky numër njerëzish është milionësh, dhe nesër mund të rritet akoma më shumë. është brenda të drejtave tona të deklarojmë së Palestina mund ta zgjidhë problemin e emigrimit tonë pa pasur nevojë të shpërngulë banorët e vet arabë, dhe pa I lënduar.

E përmbledhim qasjen tonë në këtë mënyrë: Na jepni Palestinën; dhe pas disa breznive aty do të ketë 8 milion Hebrenj dhe 2 milion Arabë, me një hapësirë të bollshme dhe paqe! Kjo është detyra parimore e Sionizmit; krijimi I kushteve brenda territorit të Palestinës, ku e nesermja ose dekada e ardhshme ose tridhjetë vitet e ardhshme, do të jenë harku kohor I përthithjes dhe mirëqenies të të gjithe atyre Hebrenjve që dëshirojnë të kthehen në dheun e tyre. Ky krijim I shumicës Hebreje në një Shtet Hebre, sidoqoftë nuk ështe fundi I Sionizmit.

Sionizmi e qarkon problemin Hebre në aspektet e veta më të thella dhe më të gjera. Nëse ndodh ndonjë mrekulli dhe 800.000 Hebrenj themelojnë një Republikë, sërish do duhet të llogarisim përthithjen e miliona Hebrenjve të Diasporës në atë shtet. Këtë koncept e quajmë “Sionizëm Madhështor” Jo një reformë nëpërmjet krijimit të një shteti model në një copëz të Palestinës, por shkrirjen e të gjithë Diasporës – njëfarë Eksodi të të eturve për atdhe – dhe si përfundim, fundin e shpërhapjës së Hebrenjve. Ndoshta ky është një qëllim modest; normalizimi I popullit Hebre. Duhet të jetë një popull normal porsi kombi madhështor Francez, ose populli I vogël Danez, secili popull zotërues I një shteti, shijues të lirisë pa Diasporë. Kjo është detyra më e vështirë që na pret. Horizonti I saj është në varësi të një realiteti të cilin s’kemi fuqi ta ndryshojmë.

Duhet shtuar që shteti Hebre nuk është qëllim në vetvete. është faza e parë në procesin e mbërritjes se “Sionizmit Madhështor”. Do të vazhdojë me nje fazë të dytë – kthimi I popullit Hebre në Sion, dhënia fund e Diasporës.

Qëllimi I vërtetë dhe përfundimtar I “Sionizmit Madhështor” do të shfaqet në fazën e tretë, një qëllim të cilin mundohen ta arrijnë të gjitha kombet madhështore – krijimi I një kulture kombëtare që do të shërbejë si shembull I shkelqyer për të gjithe botën, në vazhdën e një fjale të urtë “Prej Sionit do të marshojë Ligji”. “Organizata e Re Sioniste” dallon prej te tjerave në vizionin e vet integral; synon eliminimin e plotë të shqetësimeve Hebreje. Themelohet mbi tërësinë e Palestinës, dhe të drejtën për të vepruar si një qëllimësi Hebreje sipas rregullave të Mandatit Palestinez, në të mirë të të gjithë popullit Hebre. “Sionizmi është përgjigjia ndaj masakrimit të Hebrenjve. Nuk është as ngushëllim moral as ushtrim intelektual”

Sionzimi është përgjigjia ndaj mashtrimit të Diasporës. Sionizmi kërkon të krijojë një vend të sigurt për popullin Hebre në Palestinë. Ky është thelbi I Sionizmit dhe s’mund të ketë tjeteër. Nëse kënaqemi me programe minimale – përballë humnerës së gjakut e të zjarrit – nëse nxjerrim prej arkivave copëza të tejkaluara të një kujtese provinciale, porsi ideja e “Qendrës Shpirtërore”, nuk do të kemi as ndihmë e as mbështetje.

Mirërpo, nëse ndërtojmë një strehë të madhe, shumë prej njerëzve tanë do të na ndjekin dhe do të na ndihmojnë. Nëse ndërtojmë një strehë të vogël – askush nuk do të vijë. Puna për krijimin e nje strehe të madhe, që më parë thamë se do të kërkojë 25 deri në 50 vjet, do të përmbushet në një hark kohor më të shkurtër. Sionizmi përnjëmend është përgjigjia ndaj masakrës së hebrenjve. Nuk është as ngushëllim moral, dhe as ushtrim intelektual. Përfundimisht nuk është shembulli më I shkëlqyer për Hebrenjtë e kësaj bote.

Parapëlqej të mos bëj pjesë në ato Hebrenj të kënaqur që do të jetojnë në këtë lloj të parajsës. Teksa koha do kalojë, secili do ndihej I tradhtuar. Në mënyrë graduale, teksa vendi lulëzon, teksa kushtet e jetesës përmirësohet, edhe ndjesia e tradhtisë do të bëhej më akute. Porsi filani I ngecur mbi shkëmb në mes të detrave, sivëllezërit duke u mbytur para tij, dhe në këtë shkëmb, një hapësirë e zbrazët dhe e pazënë. Ai vështron sesi vëllezërit hidhen sërish në këtë stuhi, dhe nuk lejohet të ndërhyjë.

Ai kënaqet me një ekzistencë paqësore me të njejtit njerëz që ia hedhin gjindjen në det, duke jetuar një ekzistencë kombëtare të pastër. Prandaj deklaroj me sinqeritet, që shpresoj se armiqtë tanë kurrë nuk do ta kenë privilegjin e të qenit dëshmitar të lindjes se një breznie të këtillë hebreje, siç përshkruam, që do përgatiteshin ta menaxhonin këtë situatë.

Do të ishte njëmijë herë më e parapëlqyeshme dhe më e përshtatshme për tu zhdukur në hidhërimin e Diasporës, sesa të jemi pjesë e kësaj “Jete Kombëtare”

Ka ardhur koha t’i japim fundin gjepurave shkenciste të cilat thonë se Sionizmi nuk e vuri kurrë si qëllim, shpëtimin e popullit Hebre nga varfëria dhe uria. Në fakt, Sionizmi ka për qëllim pikërisht këtë, të paktën pa vetëdije. Asnjë Hebre nuk paramendon në thellësi të zemrës që rezultati I shëlbimit do të krijonte një parriz në Palestinë për një minoritet të vogël, teksa masat do të trokisnin në dyert e Amerikës si dikur.

Nëse Hebrenjtë përnjëmend besojnë që sulmi Sionist do të përfundonte në këtë mënyrë, do ua kthenin shpinën Sionizmit dhe do të thoshin “Ky lloj shpëtimi është I pamundur”. Kjo gjë është e papranueshme për mendjen Hebreje e cila është programatike dhe praktike – po ashtu siç nuk pranojmë dot konceptin e Krishterë të Mesias, kinse është e mundur që Mesia të mbërrijë dhe të sjellë shëlbimin – dhe më pas bota vazhdon të luftojë dhe të vuajë për 1900 vite e ca më shumë. Perceptimi Hebre I Mesias është krejtësisht I ndryshëm.

Ai nuk nxiton, mbërritja e tij do të jetë e ngadaltë dhe vështirësitë do jenë të mëdha. Do të ketë agoni Mesianike, por pasi Ai të përfundojë veprën, nuk do të ketë më vuajtje mbi tokë. Kjo është e vetmja mënyrë sesi Hebreu e kupton “shëlbimin”, qoftë ai universal ose kombëtar. Pa tallje, pa lojra për disa të privilegjuar, por një qëllim serioz, madhështor dhe I gjithëmbarshëm.

Në thellësi të shpirtit tim, ekzistojnë të dyja këto rrënjë filozofike. Njëra thotë që nuk ka të ardhme për Hebrenjtë në Dasporë. Krijimtaria kulturore e Hebrenjve ekziston për të mirë të të tjerëve. Për hir të tyre, në trëgojmë devotshmëri, dhe përdorim maksimumin e energjisë tonë, në të gjitha fushat e shkencës, filozofisë dhe letërsisë. Cfarëdo që krijon Diaspora Hebreje, u jepet kombeve në të cilat jetojnë Hebrenjtë. Pra, le t’ia ndërtojmë vetes një oaz të shkretëtirës që do të jetë njëfarë laboratori ku do ushtrohet intelekti ynë. Pra ne do t’i tregojmë krejt botës se çka di të bëjë Hebreu, dhe sa të mëdha janë aftësitë tona në çdo sferë të sipërmarrjes.

Kryesisht në krijimin e një rendi të ri shoqëror të drejtësisë dhe të integritetit. Ta shtrydhim gjithë popullin tonë porsi lëngu prej limonit dhe ta dërdhim në këtë oaz. Limonin do e lëmë në Diasporë. Ide e mrekullueshme; por nuk do ta ngre hiç gishtin për këtë punë. Më intereson limoni. Më interesojnë masat Hebreje – populli Hebre. Jam rritur midis vuajtjes Hebreje; ndoshta isha I privilegjuar të isha pak më lart se të tjerët, por gjithsesi e kam vërejtur vuajtjen e tyre të tmerrshme dhe të pakufi.

Pra jam I interesuar për t’i zhdukur këto vuajtje. Do të luftoj kundër çdo pengese. Edhe nëse do më duhet të luftoj kundër përparimit, do ta mohoj kinse të ishte torturë për popullin tim. Do ta ndal trenin e përparimit dhe nuk do ta lejoj të kalojë nëse nuk mban me vete një zgjidhje dhe shpëtim për popullin tim. Jam kundër këtij oazi në mes të shkretëtirës.

Jam kundër lënies së Hebrenjve mbrapa, teksa sulmohen ata do tu ankohen armiqve “ju jeni huliganë, më ofendoni; mirëpo ja atje në horizont, një oaz midis shkretëtirës, sa bukur dhe sa e dinjitetshme jeta atje!”. E kundërshtoj perspektivën e një Hebreu që në të njejtën kohë teksa sulmohet, ndihet krenar për gjindjen e tij atje larg që jeton një jetë të bukur, pa pasur ndonjëherë mundësinë për t’u bashkuar me ta.

Jo! Ky nuk është Sionizmi im. Sionizmi im thërret për transferimin e të gjithë Hebrenjve të nëpërkëmbur, të gjithë autorëve të mëdhenj, krijuesve të mëdhenj; dhe të gjithë atyre Hebrenjve të thjeshtë që mbajnë mbi shpatulla me krenari peshën e Diasporës. Këtë Sionizëm e quaj ndryshe “Sionizëm Humanitar”

Duhet të përshkruajmë çka kërkojmë në Palestinë. Nëse kërkesa është kotësi, bota e sotme nuk ka kohë për kotësi; në ditët e sotme, secila gjë që nuk përbën zgjidhje, quhet kotësi. Përshembull, ja ku po lexoj para jush një letër në gazetën e Londrës prej Dr. ëeizmann.

Argumentet e kësaj letre janë shumë logjike, por përfundimi është goditja vdekjeprurëse ndaj të gjitha argumenteve. “Pra…lejojeni hyrjen në Palestinë të njëqind mijë Hebrenjve, (dhe shumë të tjerëve). Kur është çështja tek evakuimi (kështu shprehet: nuk mund të shmanget terminologjia e saktë) I gjysmë milioni nga Gjermania, dhe miliona tjerëve prej së largu, numri modest prej njëqind mijësh nuk është as modest dhe as moderim, por vetëm numër përfundues I së gjithë çështjes Palestineze.

Gjysmë ore pasi lexova letrën, një gazetar I huaj mu shpreh “Qartësisht Hebrenjtë e dijnë që Palestina nuk mund t’i ndihmojë. Si I bëhet kësaj katastrofe, nëse njëqind mijë prej pesë milionëve shpëtohen? A duhet ta mbysim protestën Arabe për hir të këtij dy përqindëshi që nuk zgjidh asgjë?”

Koleg I dashur, është e kuptueshme që mbytja me forcë e protestës Arabe nuk do ishte krim I tmerrshëm nëse problemi do ishte tragjik, mirëpo si mund ta mbysim për një vogëlsirë të këtillë?

Me këtë letër, keni ndëshkuar vetveten. Kjo letër është përshtypja e përkryer e koncepsioneve të Sionizmit Minimalist, në një kohë kur koncepsionet e vogla, thjesht nuk mund të merren parasysh. Duhet të jemi të përgatitur që t’i luajmë të gjitha letrat në të mirë të çështjes sonë. Duhet ta marrim tërë këtë tokë, për t’i dhënë fund mjerimit, dhe ta zgjidhim problemin krejtësisht.

“Kolonizimi jo-politik” nuk është I mundur. Nuk themi që është I vështirë, është I pamundur. Krijimi I një shumice Hebreje në Palestinë, kërkon zgjerimin e kapaciteteve ekonomike dhe përthithëse të shtetit, në mënyrë që të presim emigrantët e tjerë. Përthithja e vazhdueshme e rrjedhës së masave, kërkon ndërhyrje të drejtpërdrejtë të qeverisë. Kjo nënkupton praninë e procedurave të gjata administrative dhe legjislative që mund të shtyhen para vetëm nga qeveria.

Kjo është domethënia e njëmendtë e “Sionizmit Politik”. Nuk I përçmojmë veprat praktike që po kryhen me fondet kombëtare. Mirëpo Sionizmi është 90% ekonomi, 10% politikë. Dhjetëpërqindëshi I politikës është kusht I domosdoshëm për suksesin tonë. Kolonizimi lokal mund të krijojë veçse një minoritet Hebre, një geto të re – pa pasur nevojë për ndihmën dhe pjesëmarrjen e një qeverie. Krijimi I një shumice, është çështje qeveritare. Imigrimi masiv, është politikëbërje shtetërore; që të zbatohet, ka nevojë për ndihmën sistematike dhe pozitive të një strukture shtetërore.

Vëllezër të mjerë dhe të pafat, nuk ka rrugë tjetër. Për Sionizmin, s’ka rrugë të lehta. Vetëm një rrugë kryesore. Prej Haifas në Acco, udha jonë është e vështirë, plot me kokrriza rëre, dredhi dhe nxehtësi përcëlluese: e vetmja rruge – pa shkurtesa. Lërini shkurtesat menjëanë, dëshpërimi jonë në fund të fundit do I korrë frytet; iluzionet që I besoni nuk do kenë më vlerë.

Si do ia bëjë ky komb I joni për të ruajtur ekzistencën e vet, teksa dëshpërimi zë vend në zemrat tona? Kombi që I përngjan një plake, një komb mendjeshthurur, e ul kokën dhe thotë “Nëse e humb iluzionin, e kam humbur atdheun” Kombi që I përngjan një burri, kombi I ndërtuesve të cilët historia ua ka blatuar detyrën për ta ndërtuar një mal të madh prej kah profetët do ia deklarojnë një të vërtetë të re, kombeve të botës, një burrë-komb do e ngrejë kokën dhe do të thotë: “Iluzioni vdiq, rroftë e vërteta!”

Rrugët e shkurtra janë të vdekura dhe të varrosura, ne zotërojmë udhën kryesore që na ka dhënë Herzl; në këtë rrugë do të çapitemi me durim pavarësisht sakrificave që do na kërkohen. Të dërguarit tanë do të shëtisin çdo cep të diasporës dhe do mbledhin të shkoqurat, pastaj do të vijnë të pasurit, pastaj pionerët që do vihen në punë. Kjo do të kryhet vetëm nën flamurin e Herzl, motoja e të cilit ishte “të kemi influencë mbi qeverinë” “të zotërojmë mjete qeveritare”. Pra do ta influencojmë botën, opinionin publik, dhe tërë këtë botë të përndritur. Kjo është udha e shkelur nga kombet që kanë dashur të ndërtojnë shtete. Kjo është udha që duhet ndjekur nga një komb burrash. Udha që do na sjellë fitoren.

Vështirësia e ndërtimit të rrugës sonë pa pjesëmarrje politike, është absolute. Nuk mund t’i biem shkurt. Udha e propozuar nga Herzl është e vetmja – Sionizmi Politik. Ndërtimi I një Shtëpie Kombëtare, është një proces politik, industria është proces politik, gjithashtu bujqësia dhe imigrimi. Secila vepër e madhe fillon me një përplasje politike, në Malin e Ullinjve (ku ndodhej administrata e Mandatit Britanik). Kjo është pika kyçe e Sionizmit. E fshehta e suksesit Sionist qëndron tek influenca mbi qeverinë e Palestinës.

Duhet bërë dallimi midis dy metodave të lëvizjes rilindase Hebreje: metoda politike, dhe metoda praktike e drejtpërdrejtë. Metoda politike është më e rëndësishmja. është trashëgimia e përjetshme që na ka lënë Herzl. Shteti Hebre mund të krijohet vetëm nëpërmjet fuqisë shtetërore. Vetëm kështu, kolonizimi mund të jetë I njëmendtë, kolonzim që na dërgon drejt një qeverie Hebreje. Kjo do të jetë e pamundur pa garanci politike. Pa garanci politike, nuk mund të kemi kolonizim, por vetëm një miniaturë, politikëbërje koloniale.

  • Post author:
  • Post category:Fragmente