Mbi ortodoksofobinë dhe disa çështje të tjera

 Nga: Col Mehmeti

Shuarja e pritur e kryeparit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, e vë ortodoksinë shqiptare në një trilemë që sjell harkim vetullash, vramendje e një ndjesi hutimi. Kësodore, sprova e saj e trefishtë është nëse do të vazhdojë udhën e trasuar prej Anastasit për një institucion stabil fetar e me aurë besimi kudo në botë; të bëhet ‘noliane’, siç dëshiron publiku, apo të bëhet një zgjatim i rëndomtë i politikave ditore siç ndodh me secilën nga bashkaritë fetare në botën shqiptare.

Në Shqipëri e mes shqiptarësh Anastasi për 33 vjet u akuzua si grek, kurse në Greqi e mes grekësh si ‘allvanos’. Në të vërtetë, Anastas Janullatosi ishte teologu më intelektual që jetoi ndonjëherë në Shqipëri. Dhe e bâma kryesore e tij ishte rimëkëmbja e autoqefalisë së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, naltësimi i saj si e barabartë dhe krenare mes kishash të tjera simotra në botë.

Megjithatë, ardhja e tij në Shqipëri, si ajo e një shtërgu nga larg, ishte e panevojshme. Shqipëria jonë sikur nuk kishte nevojë për shpirtësi, teologji e intelektualizëm. Ajo kishte nevojë jetësore për receta të pasurimit të shpejtë, për bashçe, bashtina e ngastra me drogë, për toksicitet, për ikje larg e më larg, dhe për kauza kallpe me rebelë që rebelohen për gjithçka dhe për asgjë.

Është disi mbresëlënëse që Anastasi, që prej 1992-s, i mbijetoi këtij ajri të helmët të paditurisë e ligësisë, një triumf i rrallë ky dhe shenjë e një qetësie të madhe e shpirti falës e përdëllimtar. Një intervistë e Anastasit e dhënë më 2017 për një media greke mbase do të ishte rrëfimi i vetëm i tij përballë dy opinionesh, shtetesh e shoqërish me brirë cakërrues.

Kur gazetari e ndërmendi punën e mospëlqimit të tij prej publikut shqiptar, përgjigja e kryepeshkopit pati qenë e tillë (le ta parafrazojmë përafërisht): “Në Shqipëri më kundërshtojnë se më shohin si dorë e zgjatur e Greqisë, në Greqi nuk më duan se më shohin si shqiptar. Pse në Greqi vërtet mendonin se unë shkova në Shqipëri për të qenë atje një kolonë e pestë?”

Vetëm një portretim i tillë i njëanshëm ka bërë që të harrohet edhe ana tjetër e medaljes, që Anastasin edhe në Greqi e përbaltnin me fyerje e sulme. Gjithë hakërrim e vrer kundër tij pati qenë arkimandriti i Kishës së Kretës, Elias Anastasiadis, i njohur ndryshe si arkimandriti Romanos, që e sulmonte me gjithë ç’i vinte në dorë nga thesi i sharjeve.

Derisa statura intelektuale e Anastasit të Shqipërisë u përnjoh në dhjetra universitete perëndimore, publiku shqiptar ende nuk është shqitur nga frika për të si një mohues i autoqefalisë së Kishës Orthodhokse Shqiptare. Ç’është e vërteta, pandehma të tilla nuk kanë urë të qëndrojnë, dhe vetëm një njohje e thellësisë së tij intelektuale e dëshmon të kundërtën e diatribave të shumta.

I vlerësuar fort prej Universtetit të Fordhamit, si kryeqendër e studimeve akademike për krishtërimin, Janullatos, njësoj si kolegët e tij teologë George Demacopoulos dhe Aristotle Papanikolaou, ishte pasues i një doktrine thellësiht liberale e tolerante karshi feve të tjera. Edhe në një skicë të sapobotuar në të përditshmen greke ‘To Vima’, profesori grek i religjioneve Thanasis N. Papathanasiou vëren se Anastasi kishte qenë gjithmonë kundër që misionet orthodhokse të viheshin në pozita kolonizimi ndaj vendësve.

Përkundrazi, edhe gjatë kohës sa ishte në Afrikë, ai i mëshonte nevojës që të zhvillohej një orthodhoksi afrikane, kineze, e kështu me radhë — duke krijuar thelbësisht kisha të vërteta lokale me klerin e tyre autokton, artin, gjuhën e adhurimin. Fryma e tij e vërtetë prej misionari ishte ajo që e kishte gjuhësuar në trajtesën e tij “I lismoniméni entolí” (Urdhëri i harruar). Duke udhëhequr me shembullin e tij vetjak si njohës i gjuhëve dhe kulturave lokale afrikane, ai kërkonte që të respektoheshin traditat kulturore e fetare të popujve.

Në këtë libër, Anastasi i Shqipërisë e kishte shpluhurosur urdhërin e harruar nga Ungjilli i Mateut (28:19): “Shko dhe bëj dishepuj nga të gjitha kombet…”. Trashëgimia dhe kontributet në jetën fetare sikur e kanë të vështirë të përnjihen siç e kanë hak (acknowledgment) nëse i ndjeri në të gjallë të vet nuk ka investuar në imazhbërje. Kjo ka bërë që edhe në ditët e fundit të jetës, kur shpirti po shkëputej nga trupi që bëri gati një shekull jetë, Anastasi të përqeshej e mallkohej prej shqiptarësh që i dëshironin sikter nga kjo botë e djegie në furrnaltën infernale në botën e matanshme.

Caqet e dobëta, sidomos kur ‘armiku publik’ është në prag të vdekjes, janë një specialitet i dashur i turmës së ndërkyer. Kjo dekadë e çmendur e botës shqiptare, së paku në nivelin kibernetik, ka dëshmuar me pafund raste se sa shumë mungon kompasioni njerëzor, sa shpesh shkelet çdo vijë e njerëzillëkut e sa pa konsekuenca kalojnë edhe aktet më të rënda të ofendimeve e kërcënimeve.

Bashkë me të, si në një sfond teatral, dëgjoheshin gjithnjë e më fort pësht-pështet dhe intrigat për pasuesin e tij në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë—është njëfarë kërshërimi në përpjestime kombëtare si para një llotarie a një basti për të zbardhur një orë e më parë emrin e kryedinjitarit të ardhshëm.

Ka rëndësi, sidoqoftë, që kryepeshkopi i ardhshëm, i cili patjetër do të jetë shqiptar, të mos jetë i tillë që bën shqiponjën me dy duart a i tillë që këndon ‘Mora fjalë’ sa për t’i shkuar pas midesë së publikut të kërthndezur. Çmimi i një ‘fitoreje’ të tillë do të ishte dobësimi i reputacionit të një prej ledheve të fundit në Shqipëri që pati emër, seriozitet e intelektualizëm teologjik.

Se përkatësia greke e Janullatosit ka qenë diçka e pakapërdishme për sedrën tonë, lehtësisht të prekshme, kjo është fundja e kuptueshme. Edhe ndjeshmëria gjithëshqiptare për kreun e KOASh-it ka qenë pokaq e kuptueshme, porse me kalimin e kohës ajo u bë për së tepërmi toksike, moskuptuese dhe shpesh përjashtuese.

Për çudi, në këto njëzet vitet e fundit, për Anastasin është folur më tepër në Kosovë e Maqedoni sesa mes vetë ortodoksësh.

Këto ishin dhe janë ngarkesa negative që nuk sollën hajr, përveçse frymë konfliktuale. Komuniteti ortodoks në Shqipëri e jashtë saj është një porcion i mirëedukuar i shoqërisë shqiptare. Madje tingëllon skajshmërisht paradoksale që çështje të brendshme të kishtarisë ortodokse t’iu nënshtrohen filtrave të njerëzve që, tekembramja, nuk janë as ortodoksë.

Fobitë e vërteta shpesh janë ato për të cilat thuajse nuk flitet kurrë. Dhe ortodoksofobia është njëra prej tyre.

Paslufta në Kosovë, e në këtë harxh edhe në Maqedoni, ka kaluar në një mënyrë ose tjetër e fandaksur pas Anastasit. Herë e pëshpëritur nga publicistika online, e herë edhe nga spin doktorë, publikun sakaq e përlau psikoza e madhe për Anastasin si kryearmik i shqiptarizmes. E shikuar esëll kjo farë pune, presioni që vinte nga Kosova e Maqedonia pak e hiç kishte të bënte me kombëtarizëm, me atdhetari apo me ndonjë ndjeshmëri ndaj komuntietit ortodoks.

Brenda kësaj batërdie interferonin edhe valë ekstremizmash fetare që i jepnin të drejtë vetes që të përziheshin në gjëra jashtë tagrit të tyre moral. Pra, kjo në prapakthim e krijoi një ortodoksofobi të frikshme në Kosovë, përçarje e anatemim të secilit pjesëtar ortodoks si një kolonë e pestë armiqësore.

Kam prej kohësh bindjen se çështjes së KOASh-it, kudo në botën shqiptare, i është dhënë siklet pa qenë nevoja për një gjë të tillë.

Shpeshherë, zgjidhjet e duhura janë ato më të thjeshtat. Rreziku i vetëm që KOASh-i të pësojë prapakthim e korruptim është kur zgjidhja kërkohet në çdo deriçkë tjetër e jo institucionalisht e kishtarisht.

Se Greqia e ka armëzuar (weaponize) orthodhoksizmën, kjo gjë dihet, por në anën tjetër dashakeqësia e saj (e të cilën nuk mund ta matim me asfarë kuti) do të përfitonte shumë më shumë nga një rrethanë ku nuk ka as KOASh, as orthodhoksi të organizuar e as kulturë fetare.

Interesi i Greqisë do të ishte pikërisht ajo gjendje e rëndë, ajo zavalle e pakundshoqe, kur komunizmi shqiptar e likuidoi fizikisht krejt suprastrukturën dhe klerin orthodhoks.

2025-a nuk është 1992-a kur në krejt botën shqipfolëse, madje as në ‘kolonitë’ arbëreshe, nuk gjendej as edhe një i vetëm kishtar i përgatitur që të bëhej një ‘kuorom’ për të konvokuar Sinodin e Shenjtë e kështu të rithemelohej Kisha Orthodhokse Shqiptare. Komuniteti orthodhoks është gjithsesi porcion dinamik i shoqërisë shqiptare—dhe po ai do t’i japë përgjigjen e duhur seciles situatë të re. Amen!