Procedurat e Akilit

Shkëputur nga libri “Takohemi në Purgator” me autor Pol Milon

 

Agimi i një Gimi

-Sa i trashë që je more Gimi! – i kishte thënë dikur mësuesja e klasës së parë fillore, gjatë orës së abetares. Ndaj edhe ky mediokritet për të, i cili gjatë viteve u kthye në zakon, nuk krijoi aspak probleme serioze të lidhura ngushtë me shkrimin apo leximin, me dijen apo padijen, sikurse krijimin dhe shtimin e pasurisë, lekëve, banesave, pallateve që ndërtoi më pas me firmat e veta të ndërtimit, makinat luksoze që bleu e shiti, probleme të pronave apo të mbivendosjeve hipotekore të cilave ai u dha zgjidhjet më të mira të mundshme!

– Eh, si u krijuan tërë këto mundësi, – u tha më pas për atë djalë të vockël, që dikur shokët e tallnin për shkak të mosdallimit të disa gërmave të thjeshta të alfabetit. Por nga këto dallime-mosdallime u përcaktuan fatet e tyre të mëvonshme. Për të, shkarravinat u kthyen në lulëzim dhe begati, ndërsa për ata, fati solli fatkeqësitë më të mëdha të kontradiktave në vijim.

Ata që studiuan dhe e vranë mendjen aq shumë për të parë gjërat e mëdha të botës, nuk panë një detaj fare të vogël, që u kaloi para syve! Djali i vockël që nuk mësonte dot lëndën e abetares dhe që të gjithë kujtuan se aq i “trashë” sa ishte, nuk do të arrinte të shkruante as shkurtimin e emrit tij të thjeshtë “Gimi”, një ditë panë, se në regjistrin e zyrës së gjendje civile, ai nuk figuronte Gimi si Agimi, por Gimi si Trashëgimi!

Kompromiset e qiellit

Roja e varrezës tregonte se e kishte filluar këtë punë pesëdhjetë vite më parë, kur ishte ende çunak.

– E kam kaluar tërë jetën, tha ai – duke ruajtur të vdekurit. Ky është profesioni im, deri sa të jem gjallë. Nuk bëj dot punë tjetër, pasi kjo punë më lidh këtu nga mëngjesi deri në darkë. Çdo ditë papushim. Nuk është gjë e lehtë që mund ta bëjë çdokush. Unë nuk mund t’i lejoj të vdekurit të kalojnë nga aty këtu. Kjo nuk lejohet. Duhet përgjegjësi e lartë. Të gjallët mund të kalojnë, por të vdekurit jo. Të paktën jo fizikisht; mund të kalojnë nëpërmjet dimensionve shpirtërore dhe të rikthehen në ndërgjegjet e të gjallëve, por kjo nuk është përgjegjësi e imja. Janë vetë të gjallët që i lejojnë duke lenë hapur portat e ndërgjegjes së tyre, aty ku të vdekurit mund të hyjnë e të dalin pa kontroll.

Nga kjo portë e varrezës, asnjë i vdekur nuk mund të dalë pa leje. Për të nxjerrë leje është një procedurë shumë e gjatë dhe e ndërlikuar. Nuk mjafton vetëm një leje në bashki, komunë, apo prefekturë. Leja duhet marrë lart, shumë lart, atje ku nuk pranohen kompromise – përfundoi roja e vjetër me dorën ngritur nga qielli.

Qielli i lartë, ende i pazënë në grackën e të gjallëve, kishte akoma hapësira për të menduar, ndërsa roja e varrezës insistonte me bindje se zgjidhja e vetme e problemeve ishte mospranimi i kompromiseve tokësore!

Procedurat e Akilit

“Perënditë na kanë zili. Ata na kanë zili, sepse ne jemi të vdekshëm, sepse çdo moment mund të jetë i fundit për ne. Çdo gjë është më e bukur, sepse ne jemi të dënuar.”

Homeri, Iliada

 

Ndeshja e demave ishte gati të fillonte. Akili nxitonte në rrugët e zhurmshme të qytetit të panjohur të një shteti të cilit nuk i përkiste. Kjo ishte jeta e tij e re, sipas një marrëveshjeje të gjatë. Që kur kishte vdekur herën e parë me triumf dhe lavdi, perënditë moderne të sundimit kishin bërë një lëshim. Ata i kishin dhënë një mundësi rilindjeje. Sipas marrëveshjes ai mund të rijetonte jetët e tij duke ndjekur kushtet e caktuara te bashkëjetesës në tokë. Keto ishin procedura të reja. Ata e shprehën këtë tolerim si formë e mirësisë dhe e zemërgjerësisë së tyre. Mirëpo në të vërtetë ende nuk dihet nëse mund të konsiderohet formë zemërgjerësie kjo mënyre e të jetuarit.

Ai kishte vdekur përpara shembjes së madhe, duke mos qënë dëshmitar i rrënimit të qytetërimit fisnik. Kjo kishte qënë sërisht pjesë e procedurave; do të jetonte në nivele më të ulëta, jo aq triumfuese sa herën e parë dhe kurre nuk do të ishte dëshmitar indryshimeve të mëdha, i rrënimeve apo i shkatërrimeve të ndonjë sistemi modern. Rendet botërore kishin lindur, ishin krijuar, rritur e zhvilluar, pastaj kishin rënë sërisht përpara dëshmitarëve të historisë, duke u zëvëndësuar me rende të tjera të një cikli pafund. Por ai s’do të ishte dëshmitar i asnjë ndryshimi, pasi ai ishte i destinuar të vdiste përpara se ndryshimi të ndodhte; ishte i pashpresë dhe i pafuqishëm në këtë drejtim. I vetmi ngushëllim për të ishte që të nxitonte në rrugët e panjohura, pasi kjo ishte e vetmja mënyrë për të ecur mbi mundësinë që i kishin dhënë. Ai ecte dhe nxitonte.

Agamenmonët e rinj tani drejtojnë qytetet, komandojnë shtetet e kontinentet, nëpërmjet sistemeve të reja bashkëkohore. Nuk ia kanë më nevojën Akilit të vjetër trim. Zbuluan marifete të reja për zgjerimin dhe shtrirjen e pushtetit të tyre. Për këtë nuk u mjaftuan vetëm te dredhia por edhe në cilësi të tjera që nuk kanë të bëjnë me trimërinë. As mburoja, as shpata dhe as heshta nuk janë të nevojshme në këtë bashkëjetesë.

Për të mbajtur nën sundimin e tyre këtë masë gjigande njerëzish të vegjël, u shpikën mënyra të reja argëtuese, si një robëri e padukshme. Kjo robëri u krijua para syve të tyre. Njerëzit e vegjël, të lidhur nga varësia e argëtimit që zhvillohet brenda vetes si zinxhir, varfërohen të verbuar dhe nuk shohin pjesën e rëndësishme që fshihet pas dëshirave. Ata nuk shohin se aty fshihet lufta per pushtet. Kjo luftë është më e thjeshtë të fitohet nëpërmjet marifeteve të reja, sesa sipas formave të vjetra, të mëdha, të dikurshme. Akili nxitonte drejt qendrës së qytetit të zhurmshëm, ku njerëzit ishin drejtuar për argëtimin e madh. Edhe pse bëhet fjalë për argëtim, ai prap nuk e fshihte dot ankthin e jetës që jetonte, pakuptimësinë e këtij nxitimi të tepruar në rrjedhën që fatet duhet të ndjekin. Ishte zhveshur nga fuqia e te vepruarit dhe nuk mund të bënte asgjë. Gjerat duhet të rrinë të pandryshuara derisa të merret ndonjë vendim në nivelet e larta. Prandaj nuk dihet nëse perënditë moderne janë vërtet zemërgjëra apo ka ndonje dredhi tjetër që fshihet aty e që as ai e askush tjetër nuk do të mundet dot ta zbulojë.

Në këtë shtet të ri nuk u ndodh rastësisht. Ai kaloi fillimisht mbi gadishullin e tij të lashtë ku ishte rritur dikur mes vlerave dhe përgatitjeve që mori e që u shndërua në hero. Mirëpo në atë gadishull gjerat kishin ndryshuar. Këto ndryshime i bënë shumë përshtypje. Kuptoi se qytetërime të reja zhvillohen mbi rrënojat e qyteteve të lashta duke lënë rrënjët të humbasin në pluhurin e harresës. Turbullira dhe trazira luftërash për territore, zaptime, modifikime strukturash dhe ndërtime të çuditshme, mungesa të rregullsisë, të rendit dhe disiplinës, si dhe drejtësia e mohuar prej shekujve, ishin shkaqet të cilat bënin që ai të vazhdonte më tej në rrugët e panjohura. Origjinat tashmë ishin ngatërruar.

Sa herë që vihet në dyshim pjesa e drejtësisë, procedurat linin hapësira të pambuluara ose të lëna qëllimish ashtu, të menduara posaçërisht për të mbuluar lëvizjet sipas rastit. Të gjitha këto dyshime u trazuan në kokën e tij duke u ndërthurur me imazhet e vjetra dhe të reja. Këto ndërthurje formuan ndjesinë e zbehjes së kuptimit mbi harmoninë dhe mbarëvajtjen, unitetin dhe shpresën që ai mendonte se do të gjente. Kështu që rrugët u zgjatën si pasojë e pamundësisë nga njëra anë dhe e nevojës për të kuptuar nga ana tjetër. Kësaj ndjesie nuk i dihet fundi, ndaj ai vazhdoi të ecte.

Ndeshja e demave ishte gati të fillonte. Pritej të ishte shumë e ashpër këtë radhë. Bota, herë e fjetur dhe herë e vëmendshme, për një moment kishte hapur njërin sy. Priste të shikonte çudira, Argëtimi do të zhvillohej sipas parashikimit. Të gjithë kishin mundësinë të ishin pjesëmarrës.

Edhe ai merrte pjesë duke ecur në rrugët e zhurmshme të qytetit të panjohur të atij shteti të cilit nuk i përkiste. Vështirë se do të bëhet ndonjëherë vërtetë pjesë e tij.

– Biletën – tha roja, me zë të rreptë autoritar.

Ai ndaloi dhe sipas procedurave, zgjati dorën dhe nxorri një biletë të rëndë, mjaft të shtrenjtë prej emigranti!

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2021
  • Post author:
  • Post category:Fragmente