Hakmarrja e Çinimaçunit

Së shpejti edhe Ballkani do t’i vjelë rrushtë e Kinës. Shenjat në horizont po shtohen dita-ditës. Bota ka kruar kokën dy vitet e fundit duke hamendësuar e debatuar mbi synimet afatgjata të Nismës një Brez një Rrugë. Nismë që kërkon ringjalljen e rrugës së mëndafshtë, të paktën në suaza të një përpjekjeje të zgjeruar për t’a rikthyer Kinën në krye të botës.

Presidenca e Donald Trump ia vlejti. Nuk ia vlejti për të përzënë elitën e “njerëzve-hardhuca” apo për prangosjen e elitës së “financierëve pedofilë që sundojnë botën”, por për të ndërgjegjësuar një Amerikë dembele mbi rrezikun e njëmendtë që Kina paraqet për hegjemoninë euro-atlantike në botë.

Këto dy vitet e fundit, një debat i zjarrtë ka vluar nëpër rrjete dhe qarqe akademike. A është Kina një kolonizator i ri i vendeve në zhvillim? Portalet dhe mediat e lidhura me Kinën përpiqen ta portretizojnë si një kreditor bilateral bamirës, që do të zhvillojë vendet e nëpërkëmbura të botës duke mos kërkuar ndonjë gjë të madhe në këmbim.

Epo ky iluzion ishte jetëshkurtër. Kina vë nën shënjestër vende të dobëta e të korruptuara, që më pas t’i mbërthejë në kurthin e një diplomacie borxhesh. Kjo teori u artikulua fillimisht nga njëfarë Brahma Chellaney në vitin 2017, dhe më pas nga administrata Trump. Kjo taktikë funksionon nëpërmjet ofertave të konsiderueshmë nga ana e Kinës, në formën e kredive që nëse nuk shlyhen përmes pagesave, patjetër që do të shlyhen me kolateral.

Kemi të bëjmë me fajde në shkallë shtetërore. Nëse nuk arrin të paguash, zëre se i’a ke dorëzuar sovranitetin Kinës. Rruga nga influenca ekonomike në atë politike, kalon nga shtrëngimi i brezit të borxheve, dhe së bashku këto dy faktorë, Kina arrin një shtrirje gjeostrategjike të mjaftueshme për të sfiduar Amerikën. Deri më tani Rusia është treguar një aktor i kujdesshëm, sepse arrin t’a nuhasë rrezikun që Kina paraqet për ambiciet e saj në rajon. Rusia në të ardhmen duhet të zgjedhë midis një dominimi kinez dhe një aleance me Amerikën. Amerika gjithashtu duhet të zgjedhë, Biden duhet të zgjedhë, por ne që tani jemi të sigurt se lufta me Kinën do të ashpërsohet.

Në Ballkan punët po rrokullisen tëposhtë. Serbia jo vetëm që blen drone nga Kina, por gjithashtu i’a ka shitur uzinën e çelikut Smederevo një kompanie kineze. Serbia gjithashtu kërkon të modernizojë infrastrukturën e telekomunikacionit nëpërmjet një bashkëpunimi ndërmjet Telekomit serb dhe kompanisë Huaëei. Sikur këto të mos mjaftonin, në vitin 2016 Serbia nënshkroi një marrëveshje me Kinën për modernizimin e hekurudhës Beograd-Budapest.

Marrëveshje e konfiguruar sipas huadhënieve. Hua të siguruara nga banka famëkeqe EXIM. Pra deri më tani Serbia po i vjel mirë rrushtë e Kinës. Borxhi serb ndaj Kinës është rritur, shifrat tregojnë një rritje prej pothuaj 900 milion eurosh për nëntë vjet, edhe pse përqindja e këtij borxhi në raport me GDP-në serbe është ende e ulët. Serbia i merr vaksinat Sinopharm drejtpërsëdrejti nga Kina. Megjithatë Serbia ka një lloj përvoje në çështjet gjeostrategjike.

Nëse peshorja nis të anojë nga Kina, Serbia është ende në kohë për t’u tërhequr. Zhdërvjelltësia e Serbisë ndoshta i bën jehonë politikës së dikurshme të jashtme të “katër shtyllave”. Domethënë, Serbia nuk ka një shtyllë kurrizore, por i ndryshon sipas kohës dhe nevojës. Idealisht do të kërkonte të mbante marrëdhënie të mira me të gjithë, për të forcuar pozicionin e vet ne rajon. Sidomos në këto kohëra të pasigurta kur Bashkimi Europian ende i’a shkel syrin Serbisë duke u munduar ta tërheqë nga vetja.

Shqipëria ende nuk i ka mësuar këto taktika tepër të rëndësishme. Patjetër që duhet të vëllazërohemi me çdo aleat duke u ngjitur si parazit ndaj çdo fuqie që së paku nuk kërkon të na shfarosë haptazi. Për të ardhur keq.

Megjithatë, Kina paraqet rrezik për Shqipërinë. Ndoshta po bëjmë mirë t’i qëndrojmë larg larg. Edhe pse Shqipëria është de jure anëtare e Nismës një Brez një Rrugë dhe sidomos të grupit 17+1 që vë nën shënjestër veçanërisht Europën Lindore, hapat konkrete ende nuk janë marrë. Përshembull, për pak sa nuk u futëm në qerthullin e borxheve me Kinën, përsa i përket ndërtimit të Rrugës së Arbrit. Asokohe qeveria deklaronte me tone bombastike që ky projekt do të përuronte një epokë të re të marrëdhënieve sino-shqiptare, kur papritmas pas dy viteve, tenderi i’u dha një kompanie shqiptare. Një tjetër projekt që fatmirësisht mbeti vetëm në letër, ishte ndërtimi i korridorit të kaltër, me para kineze.

Sirenat e alarmit për një fqinj tonin Ballkanik, ranë para një jave, kur Mali i Zi përnjëmend i’u lut Bashkimit Europian për t’a ndihmuar në shlyerjen e një borxhi kolosal prej një miliard eurosh ndaj Kinës. Borxh i marrë nga qeveria e mëparshme për të ndërtuar një autostradë që lidh portin e Tivarit me Serbinë. Përgjigjia e BE-së ishte negative, tani mbetet për t’u parë se cili do të jetë kolaterali i Malit të Zi, mbase një akses pa kushte i Kinës në territoret Malazeze. Një gjë është e sigurt, Çinimaçuni jo vetëm trokiti në portat e Ballkanit, por hyri si një furtunë aziatike e papërmbajtshme.

Shpresojmë që Mali i Zi të mos përfundojë si Sri Lanka, si Myanmar, si Filipinet e si Djibouti së bashku me Pakistanin. Puna e Çinimaçunit është e këtillë: sa më shumë influenca e tij rritet, aq më tepër vendet e skllavëruara do të bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh ndaj shfarosjes së ujgurëve në veri të Kinës. Fundja, s’kemi pse habitemi. Kështu ka ndodhur e kështu do të ndodhë. Bota s’është ndërtuar mbi shkëmbime lulesh dhe çokollatash, por mbi koka të prera dhe qytete të rrafshuara.

 

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2021