Mid’hat Frashëri – Dita Jonë

Në kohën që ësht’i vogël, njeriu ëndërron dhe thotë: “Kur do vijë dita të bëhem i madh, të dal nga djalëria? Të rritem, të urdhëroj veten, të dal nga kujdesi dhe nga vëshgimi i të tjerëve?

Sa vjet, sa shekuj, sa brezni kemi ëndërruar si komb prapa lirisë sonë të munguar, prapa independencës së kësaj Shqipërie. Çdo gjë e gjallë në botë ka detyrë të rrojë, të mbrojë veten. Dhe që të rrojë, duhet të mbrohet prej rrezikut, të marrë masa për pritmin, të mendojë jo vetëm për sot po edhe për të nesërmen, të përgatisë udhën e lumturisë.

Një njeri që s’ka liri, një skllav, nuk ësht’i zoti i vetes së tij, që të punojë dhe të realizojë jetë fatbardhë. Një komb pa liri politike është më keq se një njeri i lidhur në hekura. Lirinë e një personi të vetëm e tolerojnë shumë despotë, po lirinë e një kolektiviteti si komb s’e duron asnjë dominator i huaj: si individ mund të na mbase edhe na ndihmojë. Por si shoqëri, si komb, je i ndaluar nga çdo veprim kombëtar.

Dhe nëse është indeipendenca një qok dhe një qëllim, që e ndjekim pa reshtur, kjo është sepse indipendenca na lë të lirë të përpiqemi për të mirën tonë kolektive, na e fal atë të drejtë, na zgjidh duar e këmbë të punojmë për një jetë më të mirë, më të bukur dhe më të ndershme. Në qoftë pra, se skllavëria dhe despotizma janë një turp për njeriun, liria dhe indipendenca formojnë një titull fisnikërie për të.

Në një gjuhë të huaj ka një fjalë të shkurtër dhe fort të bukur – “Noblesse oblige” (detyrim i fisnikërisë, detyrim për nga soji). Fisnikëria i ngarkon njeriut një tok detyra një tok barrë, që rrjedhin nga të drejtat e tij. “Noblesse oblige” është një mendim i lindur në inteligjencën e një populli, tek i cili ushqehet shpirti i nderit, i kalorësisë, i oborrësisë; e një populli që ka për detyrë të vdesë atje ku e lyp nderi, ta vërë këtë nder dhe sedër në krye të çdo sendi tjetër.

Para së gjithash kemi detyrën të rrojmë. Dhe që të rrojmë, duhet të krijojmë një mendësi të shëndetshme, me një kuptim të kthjellët. Anija që udhëton në brymë e në mjegull, thyhet në shkëmbinjtë; njeriu që ecën në t’errët, bie në gropë. Kaq më tepër akoma duhet të çelë sytë një shoqëri dhe të dijë ku vete, të kuptojë pse duhet të vejë.

Fisnikëria na ngarkon një barrë të rëndë dhe kur rritemi, duhet të punojmë si burra e si fisnikë. Të bindemi një herë e mirë se iku ora e marrëzive, pakujdesive, lodrave. Gjendemi përpara një problemi të madh dhe duhet të qëndërsojmë mendimin tonë. Një problem i madh do mjete të mëdhenj, do fuqi të fortë. Do pra, bashkëpunim midis njerëzve të kombit, meqenëse është për interesin e përbashkët.

Duhet të marrim pjesë aktive, të kemi një interesim të gjallë, si të zotët e punës që jemi, si pronarë të këtij vendi dhe jo si të huaj, si qiraxhinj. Do të rrimë kurdoherë në Shqipëri dhe atje do të vdesim, edhe ne edhe djemtë tanë, sikundër atje lindën e vdiqën prindërit dhe stërgjyshërit tanë. Kjo shtëpi ësht’e përbashkët; ky kopsht ësht’ i të gjithëve. E mira dhe e keqja janë për të gjithë. Lëngata e më të largëtit fare, nesër na kap edhe ne. Faji i tjetri na zë edhe ne. Kur të çelet dheu, biem të gjithë brenda dhe furtuna, kur e mbyt vaporin, të gjithë udhëtarët bien në dallgë.

Duhet të kemi bindjen se për të mirën e përbashkët kemi nevojë dhe detyrë të punojmë të gjithë së bashku. Edhe kështu, çdo e mirë ose çdo e keqe, vjen prej nesh, varet prej nesh.

Kështu është sot, kështu do të jetë edhe nesër, kështu edhe gjithmonë. Në shtëpinë tonë të madhe, që i themi Shqipëri, të mos kemi shpresë veçse nga punimi dhe nga veprimi ynë. Atë që mbjellim atë do të korrim. Na duhet një punim i gjatë, i vazhdueshëm, inteligjent dhe i logjikshëm, të gjithë me një zemër, se lumturia ime personale, ka për kusht lumturinë e përbashkët.

Atë farë që hedhim, atë pemë do të marrim. Por, a jemi të bindur se pa punuar s’kemi të drejtë jete? A na është mbushur mendja një her’e mirë se pa mbrujtur e pa gatuar, s’kemi bukë as sot as nesër? A e kemi mirëkuptuar se çdocili meriton të rrojë sipas punës që bën – me krahë e me mendje, – dhe jo simbas fjalëve të kota që flet? Varfëria morale dhe fizike, robëria personale dhe shoqërore, vijnë nga të folurit shumë dhe të punuarit pak.

Fuqinë duhet t’ia japim, jo gojës, po krahëve, kraharorit, zemrës dhe mendjes. Secilado nga këto fjalë është një program më vete dhe për zhvilliin e tyre do të ishte nevojë jo një por disa artikuj. Do të ishte kjo nevojë, gjersa të na hyjnë këto të vërteta thellë në qelizat e trurit, në fibrat e zemrës dhe të formojnë themelin e moralit tonë individual e kolektiv. Kur të jemi të gjithë të interesuar për jetën dhe lumturin’ e përbashkët, atëherë e kemi për detyrë ta ndjejmë secili prej nesh përgjegjësinë, që na takon, se kjo përgjegjësi ësht’e përbashkët: imja jotja, e atij, e atyre.

Do të jesh padyshim fort i kënaqur, këndonjës, sikur të të thosha se faji s’ësht’ yti, se ti s’ke asnjë përgjegjësi. Do ta ndjeje veten të lehtësuar, duke hedhur gjithë gabimet, gjithë sharjet mbi tjetrin, mbi të tjerët dhe të dilje i pafajshëm mbase dhe martir. Për fat të keq njeriu s’është ëngjëll. Mirësia lyp një edukatë të gjatë dhe një stërvitje të përditshme. Prandaj na pëlqen të kallëzojmë të afërmin, ta ngarkojm’ atë për çdo krim dhe për çdo padrejtësi që bën. Mos e prit këndonjës i dashur këtë demagogji prej meje! Të kam për të thënë të vërtetën e athët, sikundër që s’ta kam kursyer në kaq vjet.

Do më vinte turp të të gënjej ty dhe më tepër akoma do të skuqesha në rrejsha vetveten. E vërteta është se cilido prej nesh duhet të shohë si përgjegjës personin e vet. Para se të themi ç’bëri, si veproi aksecili, duhet të pyesim sinqerisht dhe me ndërgjegje”: ç’bëra unë, si veprova unë? I vetmi moralitet konstruktiv është të mbajmë përgjegjëse veten tonë: atëherë, dhe në këtë mënyrë mund që të shohim fajin, të përpiqemi të korrektohemi, të zhvishemi prej të metave dhe të fitojmë cilësi të dobishme. Është një “ushtrim shpirtëror” laik, jo vetëm moral por edhe patriotik. Kurse, e kundërta e kësaj mënyre, në qoftë se e nxjerrim veten tonë pa faj dhe akuzojmë kurdoherë tjetrin, atëherë s’bëjmë asnjë forcim përmirësimi, nuk ndreqim të metat, shtojm’ armiqësitë dhe bisedimet e kota dhe rezultati del në dëm të përgjithshëm. Kjo e vërtetë kaq e thjeshtë është edhe për mua, edhe për ty, edhe për të gjithë ne.

Një e vërtetë fort e thjeshtë dhe fare sheshazi, por që ka nevojë shpesh herë të përsëritet çdo mëngjes e çdo mbrëmje. Dhe është një detyrë elementare, që të bindemi thellësisht ne vetë, pastaj të bindim të tjerët se rrojtja dhe pritmi varen prej nesh kolektivisht në bashkëpunim dhe solidaritet me shoku-shokun.

Noblesse oblige. Independenca na bën me jetë me shtëpi me familje, me komb. Na jep barrën ta meritojmë, ta mbrojmë, ta ruajmë të plotë e të pacënuar, të nderuar dhe të pëlqyer për lumturinë tonë.

Duhet ta respektojmë këtë independencë, që të na respektojë edhe bota. Një komb është si një individ: që ta respektojë tjetri, duhet që të respektojë me të vërtetë veten e tij.

Kemi ardhur në një kohë të keqe, në një epokë vështirësie, krizë morale, ekonomike dhe politike për botën e tërë. Nga këto fatkeqësi, nga shkatërrimi i traditave, disiplinës dhe i bashkësisë, vuan e tërë bota, gjithë shtetet e dheut, edhe ata që kanë qenë të fortë e t’organizuar. Është natyrisht logjike që edhe ne do t’i ndjejmë të këqijat e sotme të kohës.

Edhe bash pse jemi në një çast kritik të situatës së përgjithshme, prandaj duhet të çelim më tepër sytë, të jemi më të kujdesur. Kombe më të mëdhenj, mund ta shikojnë me besim e qetësi kohën. Por një populli vogël ka detyrë t’i japë kohës një ndihmë të fortë, të ecë përpara saj dhe të mbrojë veten e tij.

Ç’interesimi në fushë të veprimit patriotik është një faj dhe një krim. “Ç’më lipset mua!” si edhe “Ç’të duhet ty?” janë fjalë shkatërruese. Përgjegjësia dhe të drejtat janë të përbashkëta, sikundër që interesimi i të gjithëve është një detyrë dhe një nevojë.

Në qoftë se shumë faje dhe gabime bëhen në botë, kjo vjen pse një pjes’e madhe e njerëzve s’njeh, s’di, s’kupton interesin e vërtetë të tij, rri indiferent te jeta e përbashkët ose, më keq akoma, e shikon veten e tij të huaj dhe armik, i shikon të tjerët si armiq dhe te huaj.

Ai që shikon dhe gjykon ka një barrë rë rëndë në këtë lëmë dhe duhet të ngrejë barrën. Dhe barra e çdo shqiptari me ndërgjegje është të interesojë palët e thella të njerëzisë, shtresat e popuyllit dhe vëllezërit e kombit, duke u rrëfyer atyre se cila duhet të jetë udha e tyre, ç’detyrë dhe përgjegjësi kanë.

Padyshim ky program tërheq mundime të panumërta. Po jemi të shtrënguar të lodhemi e të punojmë, në mos vetëm për ideal dhe moralitet, të paktën për interesin tonë të vërtetë. Në një kohë kur egoizma dhe indiferenca shikohen si parime, me të cilat ka njerëz që lëvdohen në një periudhe që verbëria dhe qenizma shikohen si virtyte, të bërët e një detyre kundrejt kombit dhe vendit, a nuk duhet të mbushë aktivitetin e atyre, që vështrojnë dhe gjykojnë?

Dhe këto detyra duhen bërë me entusiazëm, dhe duke shpirtëzuar entusiazëm. Si për njeriun, ashtu dhe njerëzimin, entusiazmi dhe lidhja në një ide e mbajnë gjallë; besimi në një qëllim i japin fuqi e vullnet. Një komb shuhet dhe vdes kur humbet entusiazmin.

Lumo Skëndo

1936

Shkëputur nga “Mid’hat Frashëri: Vepra të zgjedhura 2” nga “Instituti i Studimeve Historike Lumo Skëndo” (faqe 665-671)

Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2021
  • Post author:
  • Post category:Huazime