– Një Turqi jo edhe aq paqësore
Motoja e paqes brenda kufijve do të sprovohej gjatë qeverisjes së Adnan Menderes, njeriut të “guximshëm” që njëherazi shkundi por edhe lëmoi themelet e Republikës së re Turke. Në vitin 1932 Mustafa Qemali kishte ndaluar me ligj këndimin e ezanit në arabisht. Themeluesi i Republikës Turke shpërndau në popull fjalën e shenjtë, duke e për-kthyer me të gjithë rëndësinë që implikon viza në mes, kuranin, lutjet, madje dhe vetë fjalën Allah.
Menderes i ngjiti shkallët e pushtetit duke premtuar rikthimin e arabishtes në rrëmujën tingullore të mjedisit turk. Në vitin 1955 Adnan Menderes besohet të ketë orkestruar Pogromin e Stambollit, një valë trazirash të drejtuara kundër minoritetit grek në Turqi. Pas kësaj ngjarjeje jeta për grekët në Turqi u bë e padurueshme, duke prodhuar një varg ngjarjesh ende më fatkeqe, që kulminuan me shpërnguljen e ngadaltë, ose le të themi më qartësisht, përjashtimin e çibanit grek nga organizmi tepër i shëndetshëm turk.
“Kombi turk është musliman edhe kështu do të mbesë përgjithmonë. Shkelja e lirisë së religjionit në këtë vend është një veprim i pajustifikueshëm”
Adnan Menderes
E religjionit apo e religjioneve?
Keni dëgjuar për “Varlık Vergisi”? E pra, ishte një taksë që u imponohej të krishterëve dhe çifutëve nga Republika Turke gjatë luftë së dytë botërore, me qëllim shtimin e thasëve me aspra në sëndukun e një ekonomie lufte që mbetej në pritje të pushtimit.
Në kurriz të minoriteteve që banonin në Turqi. Probleme me armenët e krishterë, që taksoheshin deri në 232%, probleme me të krishterët e zakonshëm që taksoheshin deri në 156%, paqe me muslimanët që taksoheshin deri në 4.94%.
Po dalim nga kjo trajektore e tërthortë, për t’u kthyer tek reflektimet tona. Kalvari diplomatik Shqiptaro-turk gjatë luftës së dytë botërore e ndali hovin e tij sepse urgjenca e situatës së luftës diktonte marrëdhënie të reja me fqinjët, praninë e një frike nga një pushtim i përbashkët sovjetik-gjerman, si dhe përforcimin e përpjekjeve të Turqisë për t’u legjitimuar në sytë e një pale apo një tjetre. Kohë të zhurmshme për Turqinë, por aspak fitimprurëse përsa i përket një vëllazërimi të supozuar me Shqiptarët.
Mbërrijmë në bipolaritetin e Luftës së Ftohtë. Perdja e Hekurt i’a përcolli mesazhin qartësisht Turqisë. Ky shtet ishte ende një aktor delikat që bënte mirë të rreshtohej nga Perëndimi pasi Sovjetikët u tërhoqën nga paktet e mëparshme. Në këtë mënyrë ndryshojnë situatat në arenën globale, ngjarje pas ngjarjeje që trondisin rendin botëror. Kush di të përshtatet mbijeton, kush s’di, mbaron.
Mirëpo Turqia i ka qëndruar besnike të paktën një pjese të motos së Ataturkut, se paqja brenda kufijve duhet garantuar me çdo kusht. Prandaj na duheshin edhe ilustrimet e mësipërme. Nëmos përmes religjionit, të tjerët brenda shtetit turk në një mënyrë apo një tjetër duhen bërë turq. Por në sajë të trashëgimisë Otomane, ndërrimi i religjionit përbën një hap kyç drejt turqizimit. Sharra ngeli në gozhdë përsa i përket kurdëve, që me përkatësi njëherazi muslimane dhe kombësi jo-turke, zgjodhi udhën e luftës, luftë që ende turbullon gjumin e Erdoganit nëpërmjet makthit të një kontradikte të pazgjidhshme. A do të bëhet ai lideri i gjithë botës muslimane nga pozicioni i kalifit, teksa shqetësohet për palestinezët dhe njëherazi ua fut shtupën në gojë kurdëve? Mendje-mendje kjo botë.
– Histori e përsëritur
Bipolaritet. Nëkupton domosdoshmërinë e zgjedhjes së njërit pol. Nuk ekziston dredhia e një rruge të tretë. Ekziston vetëm rreshtimi krah një fuqie. Ekziston vetëm konflikti mes Perëndimit kapitalist dhe Lindjes komuniste. Ekziston vetëm një Turqi e kyçur, e paaftë për të ndërtuar qasje gjeostrategjike multi-dimensionale që ngjizen dhe përforcohen nga trashëgimia historike otomane siç do të trajtojmë më vonë.
Edhe njëherë Turqia zgjodhi Perëndimin. Pozicionimi i bazave ushtarake sovjetike përgjatë Bosforit dhe Dardaneleve, e detyroi Turqinë të zgjidhte Perëndimin. Edhe njëherë pozicioni gjeografik i vendosur në rrezik, përcakton pozicionim realist nga ana e Turqisë.
Me fjalë të tjera, gjatë Luftës së Ftohtë Turqia nuk mund të bëhej qendra e rajonit. Në vitin 1949 Turqia anëtarësohet në Këshillin e Europës, kurse në vitin 1952, në NATO.
Kurse në vitin 1953, nënshkruhet Pakti i Dytë Ballkanik mes Jugosllavisë, Turqisë dhe Greqisë. Përreth këtij pakti do të vërvitej fati i dekadave në vijim. Në sajë të mosfunksionimit të këtij pakti u përvijuan zonat e reja të luftës në një situatë post-bipolare të heqjes së Perdes së Hekurt.
Ky pakt përveç ngjalljes fuqiplotë të armiqësisë Greqi-Turqi, gjithashtu ringjalli marrëveshjen e vjetër të para luftës për shpërnguljen e Shqiptarëve nga Jugosllavia në Turqi. Fati i keq i Shqiptarëve të kësaj periudhe u vulos nga pozicioni i fuqishëm i Aleksandar Rankoviq në Jugosllavi, spastrues i palëkundur, si dhe nga gatishmëria e Turqisë për të “pranuar” me zemërgjerësi të shpërngulurit, apo të përjashtuarit, apo të syrgjynosurit, si të doni.
Ashtu siç Turqia përpiqej pafund për të zbatuar moton e paqes brenda kufijve me anë të turqizimit të minoriteteve, ashtu edhe Jugollavia përdori po të njejtat metoda gjatë periudhës së Rankoviqit. Ndryshimi i vetëm qëndronte tek instrumentalizimi i religjionit për të siguruar homogjenitet kulturor brenda Jugosllavisë, dhe forcim të pozitës serbe brenda federatës.
Muslimanët brenda Jugosllavisë nuk mund të asimiloheshin nga serbët përveçse nëpërmjet një shpërnguljeje masive që do t’i kushtonte shumë më pak federatës sesa lufta e paepur. Ndërmjet muslimanëve sllavë ekzistonte Kosova Shqiptare që nuk kishte asnjë lloj lidhjeje me popujt e tjerë të Jugosllavisë, përveç lidhjes religjioze që me ngulm kërkohej të shndërrohej në përcaktuese të identitetit etnik.
Masat e Aleksandar Rankoviq pra kishin të bënin me një ç’shqiptarizim të Shqiptarëve duke ndërtuar urën e çrrënjosjes me anë të religjionit si faktor vendimtar, por edhe me anë të shtypjes së paepur.
Kësaj here, për aq kohë sa Rankoviq mbajti pushtetin, i’a doli mbanë t’i yshtte Shqiptarët për në Anadoll. Rreth 100.000 Shqiptarë u shpërngulën për në Turqi gjatë viteve 1953-1966, një fushatë e mundësuar nga Pakti i dytë Ballkanik, dhe nga pozicioni i fuqishëm i Aleksandar Rankoviq. Edhe një herë, vëllazërimit Shqiptaro-turk i’u vu një pikëpyetje e madhe.
Megjithatë, Pakti i Dytë Ballkanik nuk arriti të konsolidojë atë qëndrueshmëri rajonale që kërkonte Blloku Perëndimor. Edhe pse de facto i siguronte Jugosllavisë anëtarësim në NATO përmes premtimit të mbështetjes ushtarake nga nënshkruesit në rast sulmi nga një vend tjetër, Blloku Perëndimor nuk arriti as të parashikojë e as menaxhojë, Krizën Qipriote.
Vazhdojmë në pjesën e tretë.
This blog post has been Digiproved © 2021