– T’i shkulim barërat e këqija
Njëra nga sfidat e shkrimit nga një këndvështrim kombëtarist gjithmonë qëndron në përvijimin e qartë të armiqve të Shqipërisë. Shqipëria ka armiq, këtë e dimë, mirëpo si t’a kuptojmë cilët janë armiqtë e cilët janë miqtë? Retorika e rrjeteve e vështirëson këtë proces, pasi shpallja e një armiqësie nënkupton praninë e një miqësie tjetër. Asnjë shtet në botë nuk ka fuqi të qëndrojë i vetëm, e kush flet për autarki të plotë është naiv, ose tepër i rrezikshëm për kombin e tij.
Retorika e rrjeteve deri më sot merr formën e teksteve të shkurtra, të vetëmjaftueshme, të cilat përmes një shembulli të marrë nga historia apo një tjetri, synon të justifikojë lloj-lloj armiqësish dhe miqësish. Megjithatë gjërat nuk janë kaq të thjeshta, sepse strategjitë e shteteve shtrihen në kohë. Duke qenë se shtrihen në kohë, nuk mund të vendosen pikat mbi i përmes shembujve që shpesh vuajnë nga një pasaktësi e qëllimshme ose thjesht nuk mund të jenë të vetëmjaftueshme.
Deri më sot përsa i përket shpalljes së armiqësive rajonale, ekzistojnë dy kampe të mëdha. Kampi i parë shikon tek Greqia dhe Serbia, armikun ekzistencial të Shqiptarëve, kurse tek Turqia, mikun dhe vëllain. Kampi i dytë thotë të kundërtën. Gjendja emocionale e Shqiptarëve është e tillë që në ndëshkimin e njërës palë supozon mbështetjen e palës tjetër. Dikotomia e dy kampeve është e rreme sepse secili grup flet në emër të shteteve dhe botëkuptimeve të tjera, dhe jo në emër të Shqiptarisë si komb. Nëse jemi kundër Turqisë duhet patjetër të jemi me Greqinë apo jo? Jo.
Ekzistenca e këtyre kampeve e ka shkatërruar potencialin e Shqiptarëve për të mbajtur një qëndrim pro-Shqiptar, sepse vëllazërimi nënkupton përqafimin e vizionit të një kombi tjetër, dhe zhvillimin e një vizioni Shqiptar. Ndërmjet vendeve të mëdha dhe të vogla nuk mund të ketë kurrë aleanca, vetëm marrëdhënie varësie.
Njëherazi thamë që në këtë botë asnjë shtet nuk mbijeton dot i vetëm. Rrjedhimisht, vlen një thënie dyqind e ca vjeçare. Shtetet nuk kanë as armiq e as miq të përjetshëm, por vetëm interesa të përjetshme. Nga ky këndvështrim, çdo shtet tjetër me kalimin e kohës, mund të bëhet edhe mik, por edhe armik i Shqiptarëve. Vëlla, nuk bëhet dot kurrë sepse vëllezër jemi me njëri-tjetrin, e po s’qemë, nuk ka më Shqiptari.
Prandaj le t’i lëmë telenovelat turke menjëanë, dhe të përqëndrohemi tek një analizë e plotë e potencialit të Turqisë për t’u bërë “vëlla”.
Kjo analizë nuk do t’i injorojë realitetet historike dhe gjeografike, por do të arrijë t’i lidhë ngjarjet në atë mënyrë që Shqiptarët, kudo qofshin e kushdo qofshin, të marrin pjesë në këtë mendësi kombëtariste, e të mos gënjehen nga demagogë dhe agjentë. Ligji i qartësisë n’a lejon t’i sulmojmë këto ide pa u futur në njëqind debate, sepse vetëm në këtë mënyrë Shqiptari mund të kuptojë çdo mishërim të kampeve që has nëpër rrjete e jo të lodhet duke lexuar biografitë e njërit apo tjetrit.
– Paqe brenda kufijve, paqe me fqinjët
Do të merremi siç jemi marrë dhe herë të tjera me Turqinë e Re. Kjo është Turqia që u formua mbi hirin e kalifatit otoman, Perandorisë Otomane. Duhet të kuptojmë se mësymjet e Turqisë ndaj fqinjëve udhëhiqen nga pozicioni i saj gjeografik, kurse qëndrimet e Ataturkut udhëzoheshin nga përvoja e hidhur e Traktatit të Sevrës. Traktati i Sevrës i nënshkruar pas luftës, synonte copëtimin e plotë të territoreve të Perandorisë, dhe shpërndarjen e tyre ndërmjet Kurdëve dhe Aleatëve.
Turqia gjithmonë ka pasur si qëllim ruajtjen e kufijve lindorë, dhe mbajtjen e një pranie në Ballkan. Kjo në periudhën e paraluftës të Republikës Turke, përkthehej në mbajtjen e marrëdhënieve të mira me Rusinë, dhe disa vende në Ballkan. Republika Turke ndodhej në një pozicion shumë të rrezikshëm sepse i duhej një legjitimim i jashtëm për ekzistencën e saj të kontestuar më parë. Prandaj pushtimi u zëvëndësua nga kërkimi i aleancave.
“Paqe brenda kufijve, paqe me fqinjët”, ishte motoja e politikës së jashtme Qemaliste të atyre kohëve.
Kjo politikë e paqes u konfigurua për së brendshmi në përputhje me idenë Qemaliste të një Turqie të njëtrajtshme. Elementi kurd brenda Turqisë duhej paqtuar në një mënyrë apo një tjetër. Jo vetëm kaq, por çdo thirrje për t’u kthyer në Otomanizëm duhej shtypur, përderisa Turqia ishte tashmë, një Turqi e re, kombëtare dhe shekullare.
Në këto kohë kur feja për së brendshmi ishte përzënë nga jeta publike, edhe për së jashtmi aleatët e rinj të Republikës Turke nuk ishin vëllezërit e fesë, sepse ato nuk i’a garantonin dot më mbijetesën Turqisë së re dhe delikate, por disa shtete që çduitërisht, nëse marrim parasysh kontekstet historike, duhet të kishin qenë armiqtë e saj. Kështu, Ataturku në maj të vitit 1921 nënshkruan një traktat miqësie me Bashkimin Sovjetik.
Në vitin 1930 sërish nënshkruhet një traktat miqësie me Greqinë, kurse në vitin 1934 kemi të famshmin Pakt Ballkanik mes Turqisë, Jugosllavisë, Greqisë dhe Rumanisë. Shqipëria e ndodhur nën influencën e Italisë së Musolinit, edhë njëherë u la jashtë këtij Pakti. Pakti kishte për synim ruajtjen e status-quosë në Ballkan.
Megjithatë, me status-quo nënkuptohej siguria e vendeve të paktit, së bashku me leverdinë e tyre.
Që në nënshkrimin e një Pakti ndërmjet Turqisë dhe Jugosllavisë, mund të ndiejmë erërat e rrezikut të një spastrimi etnik, siç kishte ndodhur më përpara me popullatat Ballkanike që zor se integroheshin dot në shtetet e reja. Vaso Cubrilloviq në një memorandum të vitit 1937 shkruan:
“Me popullatën e saj të shpërndarë, moçalet e paprekura dhe luginat e pakultivuara, Shqipëria nuk do t’a kishte të vështirë pranimin e disa qindra mijëra Shqiptarëve nga vendi jonë. Kurse Turqia moderne me hapësirat e saj të mëdha e të pabanuara në Azinë e Vogël dhe në Kurdistan, ofron mundësi të pafundme për realizimin e një kolonizimi të brendshëm. Pavarësisht përpjekjeve të Ataturkut, Turqit nuk kanë qenë të aftë ta mbushin boshllëkun e krijuar nga evakuimi i Grekëve, nga Azia e Vogël në Greqi, si dhe të disa Kurdëve në Persi. Pra mundësitë tona më të mëdha qëndrojnë në shpërnguljen e Shqiptarëve në ato vise.
Fillimisht, më duhet të këmbëngul që të mos kufizohemi tek hapat diplomatike me qeverinë e Ankarasë, por të marrim gjithë masat e mundshme për ta bindur Tiranën për të pranuar ca të shpërngulur. Besoj që duhet të veprojmë kundër vështirësive në Tiranë, sepse Italia do të përpiqet ta pengojë këtë proces. Sidoqoftë, paraja luan një rol të rëndësihëm në Tiranë. Gjatë negociatave mbi këtë çështje, qeverisë Shqiptare i duhet bërë me dije që nuk do të ndalojmë para asgjëje për të mbërritur në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje.
Kemi dëgjuar se Turqia ka rënë dakort për të pranuar rreth 200.000 njerëz të shpërngulur me kusht që të jenë Shqiptarë, një fakt ky që na leverdis shumë. Duhet të biem dakort me dëshirat e Turqisë, dhe të nënshkruajmë një marrëveshje për shpërnguljen e popullatës Shqiptare sa më shpejt të jetë e mundur.”
Kështu do të mbaronte çështja Shqiptare e Kosovës, përmes një udhëtimi të shpejtë me varkë për në Turqi, ku popullatës së shpërngulur do i ofrohej mundësia për t’u përzier me Kurdët, një zbatim i përkryer i motos “Paqe brenda kufijve”. Një vrasje e shpirtit do të zëvëndësonte vrasjen e trupit, pasi pritej që të shpërngulurit Shqiptarë të asimiloheshin në Turq, pak ndihmë përmes fesë dhe kjo përrallë do të kishte një fund tragjik për ne të gjithë, siç pati një fund pjesërisht, pas luftës së dytë botërore. A është kjo e pranueshme për Shqiptarët? Një Zot e di. Të lëmë shpirtin e të mbajmë trupin, apo të lëmë trupin e të mbajmë shpirtin.
Shtetet moderne nuk i arratisen dot natyrës së tyre. Prandaj edhe pse në dukje i gjithë ky kalvar diplomatik fillestar mes Turqisë së Re dhe vendeve Ballkanike duket kontradiktor, ai zbatohet mbi parimin epran të interesave të përjetshme. Mbi të gjitha duhet fuqizuar Shteti im. Shteti im duhet të mbijetojë, dhe këtë gjë Turqia e dinte mirë. Edhe Turqia e sotme e kupton këtë fakt shumë mirë, por ndërrimi kahje i synimeve të politikës së jashtme pas rënies së Bashkimit Sovjetik, tregon praninë e një qasjeje sa të re aq edhe të vjetër. Shtetit turk iu desh të përshtatet me kushtet e reja. Vazhdojmë në pjesën e dytë.
This blog post has been Digiproved © 2021