nga A. D. GJ.
Tek Libri IV, kap. 3 i Republikës, Platoni diskuton kufijtë e shtetit që po ndërton filozofikisht. Sokrati i thotë Adhimantit se kufijtë e Shtetit jo vetëm janë të përcaktueshëm por madje edhe të kufizueshëm. Kjo është një ide banale vetëm në dukje. Përcaktimi i këtij “kufiri më të mirë” mundësohet dhe themelohet nga brenda shtetit. Platoni defaktorizon çdo forcë të jashtme me idenë e përcaktimit të zmadhimit dhe shtrirjes së territorit të shtetit nga vetë qendra e tij drejtuese. Një vendim imanent nëse shihet nga jashtë, por thellësisht transhendent në raport me parimet mbi të cilat ngrihet e gjithë Republika. Pikërisht këto parime përkthehen praktikisht edhe në përcaktimin e shtrirjes së territorit dhe autarkisë së tij. Mungesa e arbitraritetit në këtë përkufizim duket qartë teksa Sokrati thotë se “sa kohë që zmadhimi nuk rrezikon unitetin e Shtetit, le të zmadhohet, por jo më tutje.”[9] Pas kësaj pike duhet “ndaluar çdo lloj aneksimi.”[10]
Koncepti i polisit dhe nomosit përkojnë në këtë rast. Rëndësia e këtij përkimi qëndron tek fakti se shteti shihet në terma organikë dhe jo abstraktë, apo vetëm ekonomikë, ushtarakë, etj. Platoni hedh idenë e një shteti të përsosur ku efikastiteti i individit të reflektojë përsosmërinë e së tërës dhe e anasjellta. Ideja e një shteti që nuk e gjen parimin e zgjerimit nga brenda, në zemër të tij por nga mungesa apo tepria e mjeteve dhe vetëbesimit n’a duket e përbindshme dhe koka e çdo përbindëshi duket sikur është bërë për t’u prerë nga shpata e heroit. Mitet nuk gënjejnë. Më e pakta, një shtet i tillë, në afat të gjatë, do të jetë më tepër një figurë në atlaset gjeografike se sa një organizëm pulsues dhe avullues.
Dhe sigurisht që ka vlerën e vetë mitologjia aktive në këtë kontekst. Së pari, duhet thënë se miti nuk është shpikje. I tillë është vetëm për ata që kanë frikë nga detyrimet e mitit. Në kuadrin e këtyre reflektimeve ilustrimi më i përshtatshëm për të shprehur lidhjen esenciale mes nomosit dhe gjeopolitikës, pra, tokës dhe banueshmërisë së saj politike, është ai i treguar nga Sokrati për të lindurit prej tokës.
Sokrati tregon se “Atyre u duhet thënë se rinia e tyre nuk ka qenë veçse një ëndërr, se edukimi dhe përgatitja që kanë marrë prej nesh nuk është veçse një gjë e jashtme; në të vërtetë, gjatë gjithë kësaj kohe ata kanë qenë formuar dhe ushqyer në gji të tokës, ashtu si ata dhe armët e gjithçka tjetër që u përket; kur ata u formuan plotësisht, atëherë toka, nëna e tyre, i nxori në dritë; dhe kështu vendi i tyre duke u bërë nëna e tyre u bë edhe dadoja e tyre; në këtë mënyrë ata janë të detyruar të përpiqen për të mirën e saj, ta mbrojnë nga çdo lloj sulmi dhe qytetarët e saj t’i quajnë fëmijë të tokës dhe vëllezër të tyre.”[11] Këtu gjeografia dhe nomosi si themel i polisit bëhen një në sintezën e mitit.
Pra, ideja e Platonit për një shtrirje që përkon me forcimin e unitetit, përsaqë kërkohet mosrrezikimi i tij, mund të rilexohet në kontekstin e një gjeopolitike shqiptare e cila merr si themel të arsyetimit të vet pikërisht dy momentet e mësipërme, pra: a) se ndodhemi në kushtet ku nomosi e tejkalon polisin, dhe se b) nomosi dhe polisi duhet të përkojnë. Rasti i parë n’a tregon se nuk e dimë çka do të thotë unitet, ndërsa i dyti n’a jep idenë për t’a synuar atë. Nëse Platoni sugjeron shtrirjen deri në pikën kulmore të qëndrueshmërisë së unitetit, ne ndodhemi në kushtet e të menduarit për një shtrirje që shkon drejt unitetit. Ndryshe nga kushtet e bisedës sokratike ne nuk mund të pohojmë se kemi të njëjtën siguri si ai.
Në rastin e Shqipërisë kjo ide mund të përkthehet në një gjeopolitikë që aktivisht kërkon shtrirjen si arritjen e pikës kulmore të unitetit. Synimi i përkimit të polisit me nomosin kërkon zgjerimin deri në pikën kritike të unitetit. Kjo pikërisht për arsye të mosdijes së unitetit në të cilën gjendemi. Qenia në këtë gjendje n’a imponon edhe ndërtimin e një vizioni gjeopolitik paksa eksperimental dhe eksplorues. Pika e pakalueshme e zgjerimit nuk është e qartë për ne në rajon. Historianët mund edhe t’a kenë të qartë por politikisht nuk e dimë me siguri se deri ku shtrihet nomosi ynë. Prandaj kjo do të ishte një gjeopolitikë e paparashikueshmërisë së shtrirjes në drejtim të unitetit, të përkimit të polisit me nomosin.
Në fakt, historianët mund të jenë një prej kategorive intelektuale që mund të hedhin më tepër dritë mbi këtë pasiguri për të cilën po flasim. Vitet e fundit janë rikthyer në vëmendjen e publikut histori të rishpalljes së identitetit shqiptar të shumë njërëzve të sllavizuar apo greqizuar. Procese këto që kanë karakteristikat e tyre në raport me shtetet përkatëse në të cilët janë aplikuar.
Pikërisht faktori i një nomosi që shtrihet gjithnjë e më tutje sa më shumë i afrohemi pikës së unitetit nuk mund të lihet jashtë mendimit gjeopolitik. Ndoshta, në të ardhmen do të kemi të bëjmë me një gjeopolitikë si proces rikujtimi kolektiv. Procesi i rikujtimit ose i shpalljes do të përkojë me atë të afrimit të takimit mes kufirit të shtetit-zemër dhe nomosit shqiptar. Dikush ndoshta do t’a quajë edhe gjeopolitika e kekut të Prustit. Rëndësi ka të kuptohet se shteti-zemër do të përballet me një gjeografi politike që ndryshon në raport me ndryshimin e realizimit të përkimit të nomosit dhe polisit.
Nëse do të propozonim edhe një koncept tjetër nga Republika e Platonit për të plotësuar edhe më tepër këtë reflektim, do të ishte ai i guximit. Përsëri tek Libri IV i Republikës, Sokrati kërkon dhe identifikon virtytet e shtetit si urtësi, guxim, vetëpërmbajtje dhe drejtësi.
Pikërsht koncepti i guximit mund të jetë fryma përshkuese e një projekti të tillë. Sigurisht, në përputhje edhe me Platonin, duhet thënë se guximi është rezultat i edukimit dhe formimit dhe kjo implikon politika specifike që burojnë nga shteti-zemër por edhe nga Republika e Kosovës. Megjithatë, ideja e guximit ka vlerën e vet praktike në këtë projekt gjeopolitik ashtu siç e ka edhe tek përsosmëria e shtetit platonik.
Sokrati e përkufizon guximin si “Ruajtje e opinionit që ligji ka krijuar me anë të edukimit për sendet nga të cilat duhet patur frikë dhe për natyrën e tyre…guximi e ruan këtë gjatë gjithë kohës, pasinë të vërtetë ai e ruan këtë edhe në hidhërim, edhe në çaste gëzimi,kur dëshiron diçka, kur ka frikë, pa e braktisur kurrë.”[12]
Guximi është pikërisht ajo formë mendimi dhe pozicion qëndrimi që njihet tek vetja dhe e njeh veten si qendër. Opinionet për sendet apo botëvështrimet janë të mbrojtura nga forca e guximit pavarësisht vështirësive dhe dobësive. Nëse qendra zhvendoset nga vetja atëherë forma shpërbehet, botëvështrimi shkërmoqet dhe sundohemi pikërisht nga frika, e cila në të kundërt të guximit, mund të shihet si ndryshimi i opinionit mbi sendet në varësi të vështirësive, pasioneve, nevojave duke zhvlerësuar dhe pamundësuar çdo lloj edukimi dhe projekti formues.
2021
Bibliografia:
- Platoni, Republika, CEU & Shtepia e Libri Phoenix, Tiranë, 1999
- Schmitt, Carl, Il Nomos della Terra, Adelphi, Milano, 2006
- Schmitt, Carl, The Concept of the Political, The University of Chicago Press, 2007
- Platoni, Republika, CEU & Shtwpia e Libri Phoenix, Tiranë, 1999, f. 146 ↑
- Po aty. ↑
- Platoni, Republika, vep. e cit., f. 134. ↑
- Platoni, Republika, vep. e cit., f.157. ↑