Të ruajmë kulturën tonë!

Identiteti kombëtar në rrezik!
Bota e sotme po shkon drejt një globalizmi të vrullshëm në të gjitha fushat e jetës. Kulturat dhe traditat lokale të popujve po shtypen nën trysninë e fortë të këtij globalizmi. Ajo që mua më intereson dhe më shqetëson në të njëjtën kohë është kultura dhe identiteti shqiptar.

Si kurrë më parë identiteti shqiptar nuk është më në rrezik sesa sot. Me të vërtetë jetojmë “të lirë”në shtetin tonë dhe kemi mundësi të flasim lirisht gjuhën tonë ,por kulturat e jashtme po e mbysin atë shqiptare dhe kjo e fundit po kalon në plan të dytë.

Ka raste më të rënda akoma kur kultura shqiptare dhe identiteti shqiptar shihen me përbuzje dhe inferioritet kundrejt kulturave perëndimore dhe lindore gjithashtu. Injoranca dhe arsimimi i dobët bën që këto raste të shtohen dita-ditës dhe përbuzja ndaj vetvetes të bëhet model shoqëror.

Por shpresa vdes gjithmonë e fundit. Në mes të gjithë kësaj errësire gjendet një shkëndijë e vogël drite. E vogël por e mjaftueshme për t’i bërë ballë errësirës dhe për të triumfuar ndaj saj në fund. Arsimtarë të shquar, shqiptarë të devotshëm ndaj atdheut, po përpiqen si brenda dhe jashtë shqipërisë që me punën e tyre të palodhur të sjellin dritë dhe dije mes nesh.

Fakte të reja po dalin. Fakte që thonë se kemi qenë dikur të mëdhenj e të ndritur dhe që i dhamë gjithë botës dije.
Të parët tanë kanë themeluar qytetërimin europian ashtu siç ne e njohim. Por fati deshi që ne të biem nga lavdia në mjerim. Për dymijë vite jemi pushtuar, shtypur e katandisur nga armiq të panumërt, por falë rezistencës së pashoq të popullit tonë kemi arritur të mbijetojmë bashkë me gjuhën, kulturën, traditat dhe veçoritë fizike deri në ditët e sotme

Brezat e shkuar e kanë bërë përpjekjen e tyre, tani është radha e brezit tonë. Kemi pasur epokën e artë, kemi kaluar peripeci të shumta, tani është koha të ngrihemi prapë. Nuk është koha për pesimizëm por për punë.
Gjithsecili të bëjë aq sa ka në dorë për t’i shërbyer kauzës së atdheut. Kush me këngë, kush me poezi, kush me shkrime , kush me vepra të vogla ditë pas dite. Lufta që po bëjmë sot nuk është me armë zjarri.

Lufta e sotme zhvillohet në një dimension tjetër. Armiqtë nuk ia dolën të na shkatërrojnë me shpatë e me barut dhe tani kanë formuluar një strategji tjetër. Lufta që ata po zhvillojnë është shumë e egër dhe ka si qëllim të na shkatërrojë pa u vënë re.

Ka si qëllim të na largojë nga gjuha, kultura, traditat dhe të na përçajë si popull. Shprehja e famshme e Pashko Vasës, “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, ka një vlerë të jashtëzakonshme dhe kushdo që i thotë vetes shqiptar duhet ta vlerësojë dhe vërë në praktikë.Të gjithë shqiptarët nën një zot dhe feja jonë : kultura, traditat dhe zakonet tona mijëravjeçare.

Rroftë Shqipëria!

  • Edmond Suka
Digiprove sealThis blog post has been Digiproved © 2021